Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fundi i luftërave

Fundi i luftërave

Fundi i luftërave

‘Jemi veçse 12-vjeçarë. Nuk mund të ndikojmë te politika dhe te lufta, por duam të jetojmë. Po presim paqen. A do të jemi gjallë deri atëherë?’​—Fëmijë të një klase të pestë.

‘Duam të shkojmë në shkollë, te shokët dhe në shtëpi pa frikën se do të na rrëmbejnë. Shpresoj që qeveria të na e vërë veshin. Duam një jetë më të mirë. Duam paqe.’​—Alhaji, 14 vjeç.

KËTO fjalë që të pikojnë në zemër shprehin shpresën e sinqertë të fëmijëve që kanë vuajtur për shumë vjet nga luftërat civile. Gjithçka që duan është thjesht një jetë normale. Por që shpresat të bëhen realitet nuk është aspak e lehtë. A do të shohim ndonjëherë me sytë tanë një botë pa luftë?

Vitet e fundit janë bërë përpjekje ndërkombëtare për të gjetur zgjidhjen e disa luftërave civile duke i vënë në presion të dyja palët kundërshtuese të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje. Disa vende kanë dërguar forca paqeruajtëse për të vënë në zbatim marrëveshje të tilla. Por pak shtete kanë paratë ose dëshirën të mbajnë nën mbikëqyrje vende të largëta ku urrejtja e rrënjosur dhe dyshimet e bëjnë shumë të paqëndrueshme çdo marrëveshje mes kampeve luftuese. Shpesh flakët e konfliktit shpërthejnë përsëri vetëm pak javë ose muaj pasi është nënshkruar një armëpushim. «Paqja është e vështirë të arrihet kur luftuesit kanë edhe dëshirën, edhe mundësitë për të vazhduar luftën»,​—thotë Stockholm International Peace Research Institute.

Gjithashtu këto konflikte të pazgjidhshme që shkaktojnë vuajtje në kaq shumë vende të botës u kujtojnë të krishterëve një profeci biblike. Libri i Zbulesës flet për një periudhë kritike në histori gjatë së cilës një kalorës simbolik do të «hiqte nga toka paqen». (Zbulesa 6:4) Kjo luftë e vazhdueshme është pjesë e një shenje të përbërë që tregon se po jetojmë në kohën që Bibla e përshkruan si «ditët e fundit». * (2 Timoteut 3:1) Megjithatë Fjala e Perëndisë na siguron se këto ditë të fundit janë pararendëse të paqes.

Te Psalmi 46:9 Bibla shpjegon se paqe e vërtetë do të thotë që lufta të marrë fund jo vetëm në një rajon të globit, por në të gjithë tokën. Për më tepër, i njëjti psalm përmend në veçanti shkatërrimin e armëve që përdoreshin në kohët biblike​—harqet dhe shtizat. Në mënyrë të ngjashme, armët e sotme, të cilat po prodhohen gjithnjë e më me shumicë, duhet të shkatërrohen me qëllim që njerëzimi të jetojë në paqe.

Mirëpo në fund të fundit nuk janë fishekët dhe pushkët që u fryjnë flakëve të luftës, por është urrejtja dhe lakmia. Lakmia është një shkak themelor i luftës dhe urrejtja shpesh çon në dhunë. Për t’i shkulur me rrënjë këto ndjenja shkatërruese, njerëzit duhet të ndryshojnë mënyrën se si mendojnë. Duhet që të arsimohen në rrugët e paqes. Kështu, profeti i lashtë Isaia me të drejtë thotë se lufta do të përfundojë vetëm kur njerëzit ‘të mos mësojnë më luftën’.​—Isaia 2:4.

Sidoqoftë tani për tani jetojmë në një botë që u mëson të rriturve dhe fëmijëve jo vlerën e paqes, por lavdinë e luftës. Mjerisht edhe fëmijët po stërviten të vrasin.

Mësuan të vritnin

Në moshën 14 vjeçare, Alhaji nuk ishte më ushtar. Ishte vetëm 10 vjeç kur trupat rebele e kapën dhe e stërvitën të luftonte me kallashnikov. Pasi e detyruan të bëhej ushtar, ai plaçkiste për të siguruar ushqim dhe bënte shkrumb e hi shtëpitë. Gjithashtu vriste e gjymtonte njerëz. Sot Alhaji e ka të vështirë ta harrojë luftën dhe të bëjë një jetë normale. Edhe Abrahami, një tjetër fëmijë ushtar, mësoi të vriste dhe nuk donte ta dorëzonte armën. Ai tha: «Nëse më thonë të iki pa armën time nuk do të di çfarë të bëj, si do t’ia bëj që të gjej për të ngrënë.»

Më shumë se 300.000 fëmijë ushtarë, si djem, ashtu edhe vajza, ende po luftojnë e vdesin në konfliktet civile të pafund që kanë pllakosur planetin tonë. Një udhëheqës rebel tha për adoleshentët ushtarë: «Ata u binden urdhrave; nuk bëhen merak nëse kthehen apo jo te gruaja a te familja e tyre; nuk e njohin frikën.» E megjithatë këta fëmijë e adoleshentë duan një jetë më të mirë dhe e meritojnë atë.

Në vendet e zhvilluara, njerëzit ndoshta as nuk arrijnë ta imagjinojnë këtë gjendje të tmerrshme të fëmijëve ushtarë. Gjithsesi shumë fëmijë në vendet perëndimore po mësojnë luftën brenda shtëpisë së tyre. Si?

Po ja, le të marrim për shembull Hozenë nga Spanja juglindore. Kur ishte adoleshent i pëlqente të praktikonte artet marciale. Si një gjë të çmuar kishte një shpatë samurai që babai ia kishte blerë për Krishtlindje. I pëlqenin shumë edhe lojërat në video, veçanërisht ato me dhunë. Më 1 prill 2000, ai imitoi sjelljen agresive të heroit që kishte parë në ekran. Në një shpërthim tërbimi vrau babanë, nënën dhe motrën e tij pikërisht me shpatën që i ati ia kishte bërë dhuratë. «Doja të isha krejt i vetëm në botë. Nuk doja që prindërit të më mbikëqyrnin»,​—i shpjegoi ai policisë.

Duke komentuar për pasojat që lë zbavitja e dhunshme, shkrimtari dhe oficeri Dejv Grosmen tha: «Po arrijmë atë pikë pandjeshmërie në të cilën shkaktimi i dhembjes dhe i vuajtjeve është bërë burim zbavitjeje: në vend të neverisë, provojmë kënaqësi kur shohim këto gjëra. Po mësojmë të vrasim dhe dalëngadalë po na hyn në qejf një gjë e tillë.»

Si Alhaji, ashtu edhe Hozeja mësuan të vrasin. Asnjëri nuk e kishte si qëllim të bëhej vrasës, por stërvitja e një lloji o të një tjetri shtrembëroi mënyrën e tyre të të menduarit. Një stërvitje e tillë, qoftë te fëmijët, qoftë te të rriturit, mbjell farërat e dhunës dhe të luftës.

Mësojnë paqen në vend të luftës

Paqja e qëndrueshme nuk mund të vendoset kurrë ndërkohë që njerëzit mësojnë të vrasin. Shumë shekuj më parë profeti Isaia shkroi: «Ah sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të [Perëndisë]! Paqja jote do të ishte si një lumë.» (Isaia 48: 17,18) Kur njerëzit marrin njohuri të saktë rreth Fjalës së Perëndisë dhe mësojnë ta duan ligjin e Perëndisë, dhuna dhe lufta u ngjallin neveri. Qysh tani prindërit mund të sigurohen se lojërat që luajnë fëmijët nuk nxitin dhunën. Edhe të rriturit mund të mësojnë të mposhtin urrejtjen dhe lakminë. Dëshmitarët e Jehovait kanë parë shumë prova se Fjala e Perëndisë ka fuqinë të ndryshojë personalitetin e njerëzve.​—Hebrenjve 4:12

Le të shqyrtojmë për shembull rastin e Hortensios. Ishte i ri kur e rekrutuan kundër vullnetit të tij për t’u bërë ushtar. Ai shpjegon se stërvitja ushtarake synonte «t’i rrënjoste dëshirën për të vrarë njerëz dhe për të mos pasur frikë nga vdekja». Ai luftoi në një luftë civile në Afrikë që vazhdonte prej shumë kohësh. Ai pranon: «Lufta ndikoi në personalitetin tim. Edhe sot e kësaj dite kujtoj çdo gjë që kam bërë. Ndihem shumë keq për ato gjëra që më detyruan t’i bëja.»

Kur një ushtar tjetër i foli Hortensios për Biblën, zemra e tij u prek. Premtimi i Perëndisë te Psalmi 46:9 për t’i dhënë fund çdo lloj lufte, i bëri shumë përshtypje. Sa më shumë studionte Biblën, aq më pak donte të luftonte. Shumë shpejt, atë dhe dy nga shokët e tij i përjashtuan nga ushtria. Pas kësaj ata ia kushtuan jetën Perëndisë Jehova. Hortensio shpjegon: «E vërteta e Biblës më ndihmoi ta doja armikun tim. Kuptova se duke luftuar po mëkatoja në të vërtetë kundër Jehovait, sepse Perëndia thotë se nuk duhet ta vrasim të afërmin tonë. Që të tregoja këtë dashuri duhet të ndryshoja mënyrën se si mendoja dhe të mos i shikoja njerëzit si armiq.»

Përvoja të këtilla e tregojnë qartë se arsimimi biblik nxit vërtet paqen. E kjo s’është për t’u çuditur. Profeti Isaia tha se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis njohurisë hyjnore dhe paqes. Ai paratha: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.» (Isaia 54:13) I njëjti profet parashikoi një kohë kur njerëzit e të gjitha kombeve do të vërshonin drejt adhurimit të pastër të Perëndisë Jehova për të mësuar rrugët e tij. Me çfarë rezultati? «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»​—Isaia 2:2-4.

Në harmoni me këtë profeci, Dëshmitarët e Jehovait marrin pjesë në një vepër ndërkombëtare arsimimi. Kjo vepër tashmë ka ndihmuar miliona veta që të mposhtin urrejtjen që qëndron në rrënjë të luftërave të njerëzimit.

Garanci për paqen botërore

Perëndia jo vetëm që ka siguruar arsimim biblik, por edhe ka vendosur një qeveri, ose «mbretëri», që është në gjendje të sigurojë paqe botërore. Është shumë domethënëse që Bibla e përshkruan Sundimtarin e zgjedhur të Perëndisë, Jezu Krishtin, si «Princi i Paqes». Ajo na siguron edhe më tej duke thënë që «nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja».​—Isaia 9:6, 7.

Çfarë garancie kemi që sundimi i Krishtit do të zhdukë me sukses të gjitha luftërat? Profeti Isaia shton: «Këtë ka për ta bërë zelli i Zotit të ushtrive.» (Isaia 9:6) Perëndia ka dëshirën dhe mundësinë që të sigurojë një paqe të qëndrueshme. Jezui ka besim absolut te ky premtim. Ja përse ai i mësoi ithtarët e tij të luteshin për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë dhe që vullneti i Perëndisë të bëhej në tokë. (Mateu 6:9, 10) Kur më në fund kjo kërkesë e sinqertë të plotësohet, toka nuk do të dëmtohet më kurrë nga luftërat.

[Shënimi]

^ par. 6 Për një shqyrtim të dëshmive se po jetojmë në ditët e fundit, shih kapitullin e 11-të të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 7]

Arsimimi biblik nxit paqe të vërtetë