Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Morëm shumë bekime, sepse mbajtëm frymën misionare

Morëm shumë bekime, sepse mbajtëm frymën misionare

Jetëshkrim

Morëm shumë bekime, sepse mbajtëm frymën misionare

TREGUAR NGA TOM KUK

Papritur, qetësia e pasdites u prish nga një e shtënë arme. Nëpër degët e pemëve në kopsht vërshëllenin plumbat. Çfarë po ndodhte? S’kaloi shumë dhe morëm vesh se kishte pasur një grusht shteti dhe se tani Uganda ishte nën sundimin e gjeneralit Amin Dada. Ishte viti 1971.

PSE unë dhe ime shoqe, Ana, kishim lënë një jetë në përgjithësi të qetë në Angli dhe kishim ardhur në këtë vend afrikan me paqëndrueshmëri? Të them të drejtën nga natyra më pëlqejnë aventurat. Por, kryesisht, ishte shembulli që lanë prindërit e mi si shërbëtorë të zellshëm të Mbretërisë që më nxiti të kem frymën misionare.

E mbaj mend atë ditë të nxehtë gushti në vitin 1946 kur prindërit e mi takuan për herë të parë Dëshmitarët e Jehovait. Ata qëndruan te dera e jashtme dhe folën gjerë e gjatë me dy vizitorët. Këta vizitorë, Frejzër Bradburi dhe Mejmi Shrevi, u kthyen shumë herë të tjera, dhe gjatë muajve që pasuan jeta në familjen tonë ndryshoi shumë.

Shembulli i guximshëm i prindërve të mi

Prindërit e mi aktivizoheshin në shumë veprimtari shoqërore. Për shembull, para se të fillonin të studionin Biblën, në shtëpinë tonë kishte postera të Uinston Çërçillit. Gjatë zgjedhjeve kombëtare që u bënë pas luftës, shtëpia jonë u përdor si qendër e komitetit vendës të partisë konservatore. Gjithashtu, familja jonë kishte lidhje me njerëz të shquar të fesë dhe të shoqërisë. Ndonëse atëherë isha vetëm nëntë vjeç, e kuptova sa u tronditën të njohurit tanë, kur morën vesh se po bëheshim Dëshmitarë të Jehovait.

Shembulli i trimërisë dhe i përkushtimit që lanë Dëshmitarët me të cilët shoqëroheshim i shtyu prindërit e mi të fillonin veprën e predikimit. S’kaloi shumë dhe im atë filloi të mbante fjalime me një altoparlant në ambiente të hapura, në zonën kryesore tregtare të Spondonit, fshatit tonë. Ne fëmijët qëndronim në pika strategjike duke mbajtur lart revista Kulla Roje dhe Zgjohuni! Më duhet të pranoj se kur më afroheshin fëmijë me të cilët shkoja në shkollë, mendimi im ishte: ‘Ah, sikur të hapet toka e të më gëlltitë!’

Shembulli i prindërve tanë e nxiti motrën time më të madhe, Dafnen, që të fillonte shërbimin si pioniere. Në vitin 1955 ajo ndoqi Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit dhe e caktuan misionare në Japoni. * Kurse motra e vogël, Zoe, nuk vazhdoi t’i shërbente Jehovait.

Ndërkohë unë përfundova shkollën e pikturës dhe të arteve grafike. Ato ditë, midis studentëve të tjerë bëhej një debat i ashpër lidhur me shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kur u thashë se e kundërshtoja këtë shërbim për shkak të ndërgjegjes, menduan se bëja shaka. Ky debat më dha mundësinë të bëja shumë biseda biblike me disa studentë. Pas pak, më dënuan me 12 muaj burgim sepse nuk pranova të shkoja ushtar. Njëra nga studentet në fakultetin e arteve, e cila tregoi interes për mesazhin e Biblës, më vonë u bë gruaja ime. Por tani, po e lë Anën t’ju thotë si e mësoi të vërtetën.

Ja si e mësoi Ana të vërtetën

«Familja ime nuk ishte fetare, kështu që unë s’isha pagëzuar e nuk i përkitja ndonjë feje. Por fetë më ngjallnin kureshtje, prandaj shkoja në çfarëdo kishe që ndiqnin miqtë e mi. Interesi për Biblën më lindi kur dëgjova bisedat e gjalla që bënin Tomi dhe një Dëshmitar tjetër me studentët e tjerë. U trondita kur Tomin dhe Dëshmitarin tjetër i burgosën sepse nuk pranuan të shkonin ushtarë.

Vazhdova të shkëmbeja letra me Tomin kur ishte në burg dhe interesi për Biblën m’u shtua. Kur shkova në Londër për të vazhduar më tej shkollën, pranova të bëja një studim biblik me Mjuriel Albrehtin. Mjurieli kishte shërbyer si misionare në Estoni, dhe ajo së bashku me nënën e saj më dhanë shumë zemër. S’kaluan veçse disa javë dhe kisha filluar të ndiqja mbledhjet e të qëndroja para stacionit hekurudhor «Viktoria» duke ofruar Kullën e Rojës dhe Zgjohuni!

Shkoja në kongregacionin Sauthuark në jug të Londrës. Ishte një kongregacion me motra e vëllezër frymorë të kombësive të ndryshme, shumë prej të cilëve kishin pak gjëra nga ana materiale. Ndonëse isha e huaj për ta, më trajtuan si të isha një prej tyre. Ishte pikërisht dashuria në atë kongregacion që më bindi se kjo ishte e vërteta, kështu që u pagëzova në vitin 1960.»

Të njëjtat synime, rrethana të ndryshme

Unë dhe Ana u martuam pak më vonë po atë vit dhe që të dy kishim si synim të shërbenim si misionarë. Por rrethanat tona ndryshuan kur morëm vesh se do të bëheshim me fëmijë. Pasi lindi Sara, vajza jonë, unë dhe Ana ende dëshironim të shërbenim në një vend ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Bëra kërkesa për punë në disa shtete dhe, më në fund, në maj të vitit 1966, erdhi një letër nga Ministria e Arsimit në Ugandë, që më njoftonte se kishte një vend pune për mua. Por, ndërkohë Ana ishte shtatzënë dhe priste fëmijën tonë të dytë. Disa menduan se bënim shumë gabim edhe që e çonim nëpër mend të shpërnguleshim. Folëm me mjekun, i cili na tha: «Po qe se do të shkoni, duhet ta bëni udhëtimin para se gruaja të arrijë muajin e shtatë të shtatzënisë.» Kështu që u nisëm menjëherë për në Ugandë. Si pasojë e kësaj, prindërit tanë arritën ta shihnin vajzën tonë të dytë, Rakelën, vetëm dy vjet më vonë. Tani që jemi vetë gjyshër, e kuptojmë dhe e çmojmë plotësisht frymën vetëmohuese të prindërve tanë të dashur.

Mbërritja në Ugandë në vitin 1966 ishte edhe emocionuese, edhe shkurajuese. Sapo zbritëm nga avioni na lanë pa mend ngjyrat e peizazhit. Ishin shumë të gjalla. Shtëpinë e parë e kishim afër qytezës Iganga, e cila ishte 50 kilometra larg Xhinxhës, një qytet që gjendet në burimin e lumit Nil. Dëshmitarët që kishim më afër shtëpisë ishin në një grup të izoluar në Xhinxhë. Për atë grup kujdeseshin misionarët Gilbert e Xhoan Ualters dhe Stiven e Barbara Hardi. Bëra kërkesë për t’u transferuar me punë në Xhinxhë, që ta ndihmonim më mirë këtë grup. Pak kohë pasi lindi Rakela, u transferuam në Xhinxhë. Atje patëm kënaqësinë të shërbenim me grupin e vogël të Dëshmitarëve besnikë derisa u rrit e u bë kongregacioni i dytë në Ugandë.

Shërbejmë si familje në territor të huaj

Si unë, ashtu edhe Ana, mendojmë se s’mund të kishim zgjedhur një mjedis më të mirë për të rritur vajzat tona. Kishim kënaqësinë të punonim bashkë me misionarë nga vende të ndryshme dhe të ndihmonim në rritjen e kongregacioneve të sapoformuara. Na pëlqente shumë shoqëria e vëllezërve dhe e motrave të Ugandës, të cilët na bënin shpesh vizita në shtëpi. Sidomos inkurajues ishin Stenli dhe Esinala Makumba.

Por si vizitorë në shtëpi nuk kishim vetëm vëllezërit, pasi kudo na rrethonte një shumëllojshmëri kafshësh të egra. Natën hipopotamët dilnin nga lumi Nil dhe ecnin deri afër shtëpisë sonë. E mbaj mend si sot kur gjetëm në kopsht një gjarpër piton 6 metra të gjatë. Nganjëherë shkonim të shihnim kafshë të egra nëpër parqe natyrore, ku lëviznin lirisht luanë dhe kafshë të tjera.

Kur dilnim në shërbim, vendësit na shihnin si një gjë të rrallë, pasi s’kishin parë kurrë më parë karrocë fëmijësh. Ndërsa shkonim nga shtëpia në shtëpi, zakonisht na rrethonin fëmijë të vegjël. Njerëzit na soditnin me respekt dhe pastaj preknin foshnjën e bardhë. Të jepje dëshmi ishte kënaqësi, sepse njerëzit ishin shumë të sjellshëm. Mendonim se të gjithë do të merrnin të vërtetën, sepse ishte shumë e lehtë të filloje studime biblike. Por shumë veta e kishin të vështirë të hiqnin dorë nga traditat jobiblike. Gjithsesi, një numër i madh pranuan normat e larta morale të Biblës dhe kongregacioni u rrit në numër. Një çast i paharrueshëm ishte asambleja e parë qarkore që mbajtëm në Xhinxhë, në vitin 1968. E kujtoj me kënaqësi pagëzimin në lumin Nil të disa prej atyre me të cilët kishim studiuar Biblën. Por paqja do të prishej shpejt.

Ndalimi na vë në sprovë besimin dhe shkathtësinë

Në vitin 1971 mori pushtetin gjenerali Amin Dada. Në Xhinxhë u bë rrëmujë e madhe dhe skena që përshkruam në hyrje të artikullit ndodhi ndërsa po pinim çaj, ulur në kopsht. Në dy vitet që pasuan, u dëbuan nga vendi të gjithë aziatikët, që ishin shumë. Shumica e të huajve vendosën të iknin dhe kjo pati pasoja të rënda nëpër shkolla, spitale e klinika. Pastaj u dha një njoftim i papritur: Dëshmitarët e Jehovait ishin të ndaluar. Duke qenë në merak për sigurinë tonë, seksioni i arsimit na transferoi në kryeqytet, në Kampalë. Ky transferim doli i dobishëm për dy arsye. Në Kampalë nuk na njihnin, prandaj kishim më shumë liri për të lëvizur. Gjithashtu kishte shumë për të bërë në kongregacion e në shërbim.

Brajan dhe Merion Uollasi, si edhe dy fëmijët e tyre, kishin të njëjtat rrethana si ne, prandaj edhe ata vendosën të qëndronin në Ugandë. E vlerësonim shumë shoqërinë e tyre ndërsa shërbenim së bashku në kongregacionin e Kampalës gjatë kësaj kohe të vështirë. Tregimet që kishim lexuar për vëllezërit që shërbenin gjatë ndalimit në vende të tjera, tani na u bënë burim i veçantë inkurajimi. Mblidheshim në grupe të vogla dhe, një herë në muaj, organizonim grumbullime më të mëdha në Kopshtin Botanik Entebe, duke i maskuar si piknikë. Natyrisht që vajzave tona u pëlqente shumë kjo ide.

Duhej të ishim shumë të kujdesshëm se si predikonim. Po të shikonin njerëz të bardhë që shkonin nëpër shtëpi ugandase, do të kishin lindur shumë dyshime. Prandaj si territor kishim dyqanet, pallatet dhe disa shkolla. Një metodë që përdorja në dyqane ishte kjo: kërkoja ndonjë send që e dija se nuk ishte më në shitje, si për shembull sheqer ose oriz. Në qoftë se shitësi shprehte pakënaqësi për atë që po ndodhte në vend, i flisja për mesazhin e Mbretërisë. Kjo mënyrë ishte e efektshme. Nganjëherë dilja nga dyqani jo vetëm me një rivizitë, por edhe me një sasi të vogël të ndonjë artikulli që gjendej rrallë.

Ndërkohë, kudo përreth kishte shpërthyer dhuna. Meqë marrëdhëniet ndërmjet Ugandës dhe Britanisë u keqësuan më tej, autoritetet nuk ma ripërtërinë kontratën e punës. Kështu, në vitin 1974, pasi kishim kaluar tetë vjet në Ugandë, ishte radha jonë t’u thoshim me trishtim lamtumirë vëllezërve. Gjithsesi, nuk na u shua fryma misionare.

Përpara drejt Guinesë së Re

Në janar të vitit 1975 përfituam nga një mundësi për të punuar në Papua Guinenë e Re. Kështu filluan tetë vjet shërbimi të këndshëm në këtë rajon të Paqësorit. Jeta së bashku me vëllezërit dhe shërbimi ishin domethënës dhe shpërblyes.

Familja e kujton qëndrimin në Papua Guinenë e Re si një kohë me drama, dua të them drama biblike. Çdo vit, punonim për të përgatitur drama për kongresin krahinor, të cilat na sillnin shumë kënaqësi. Kishim shoqëri të mira me shumë familje të forta frymësisht, e kjo ishte një ndikim pozitiv për vajzat tona. Vajza e madhe, Sara, u martua me një pionier special, Rei Smithin, dhe së bashku shërbyen si pionierë specialë afër kufirit të Irian-Xhajës (tani Papua, një provincë indoneziane). Si shtëpi kishin një kasolle kashte në fshatin e atjeshëm dhe Sara thotë se ai caktim ishte një stërvitje shumë e mirë për të.

Përshtatemi me rrethanat që ndryshojnë

Ndërkohë prindërit e mi kishin nevojë për dikë që të kujdesej për ta. Në vend që të ktheheshim ne në Angli, ata pranuan të vinin të jetonin me ne, kështu që të gjithë u transferuam në Australi në vitin 1983. Prindërit kaluan ca kohë edhe me motrën time, Dafnen, e cila ishte ende në Japoni. Pasi më vdiqën prindërit, unë dhe Ana vendosëm të fillonim shërbimin si pionierë të rregullt, dhe kjo çoi në një privilegj që m’u duk plot me sfida.

Sapo kishim filluar si pionierë, na ftuan të shërbenim në veprën e qarkut. Që nga fëmijëria e kisha parë vizitën e mbikëqyrësit qarkor si një ngjarje speciale. Tani isha unë mbikëqyrës qarkor. Ky ishte caktimi më i vështirë që kishim pasur deri atëherë në jetë, por përsëri Jehovai na ndihmoi në mënyra që s’i kishim provuar më parë.

Gjatë vizitës së vëlla Teodor Xharazit si mbikëqyrës zone në Australi, në vitin 1990, e pyetëm nëse ishim tepër të moshuar për të shërbyer në kohë të plotë në ndonjë shtet tjetër. Ai tha: «Si mendoni për Ishujt Solomon?» Kështu më në fund, kur unë dhe Ana ishim që të dy në të pesëdhjetat, u drejtuam për në vendin që do të ishte caktimi ynë i parë zyrtar si misionarë.

Shërbimi në «Ishujt e Lumtur»

Ishujt Solomon quhen edhe «Ishujt e Lumtur», e tamam shërbimi ynë këtu për dhjetë vjetët e fundit ka qenë vërtet një kohë e lumtur. Unë dhe Ana u njohëm me dashamirësinë dhe butësinë e vëllezërve dhe të motrave në Ishujt Solomon ndërsa shërbeja si mbikëqyrës krahinor. Mikpritja që na treguan na preku zemrën. Të gjithë ishin vërtet shumë të durueshëm kur unë përpiqesha t’ua shpjegoja gjërat në gjuhën pixhine të Ishujve Solomon që mendoja se ata po e kuptonin, ndonëse për mua duhet të jetë një nga gjuhët me fjalorin më të vogël në botë!

Pak kohë pasi mbërritëm në Ishujt Solomon, disa kundërshtarë u përpoqën të na ndalonin të përdornim Sallën e Asambleve. Kisha anglikane i akuzoi Dëshmitarët e Jehovait duke thënë se Salla e re e Asambleve në Honiara kishte hyrë në tokë të tyre. Qeveria mbështeti akuzën e tyre, kështu që e apeluam vendimin në Gjykatën e Lartë. Rezultati i apelit do të përcaktonte nëse do të na duhej apo jo të çmontonim Sallën e Asambleve me 1.200 vende, që sapo ishte ndërtuar.

Çështja qëndroi në gjyq për një javë të tërë. Kur po paraqitej akuza kundër nesh, avokati kundërshtar shprehu sigurinë e tij me një arrogancë që dukej qartë. Pastaj, duke përdorur argumente bindëse njërin pas tjetrit, avokati ynë, vëlla Uorren Kathkërti nga Zelanda e Re, demaskoi dhe hodhi poshtë çdo pjesë të akuzës. Të premten, lajmi për ngjarjen interesante të gjyqit kishte marrë dhenë, kështu që salla e gjyqit ishte mbushur plot me funksionarë të kishës, me qeveritarë dhe me vëllezërit tanë të krishterë. Më kujtohet gabimi që ishte bërë në njoftimin zyrtar të programit të gjyqit. Aty lexohej: «Qeveria e Ishujve Solomon dhe Kisha e Melanezisë kundër Jehovait.» E fituam gjyqin.

Gjithsesi, qetësia e ‘Ishujve të Lumtur’ nuk do të zgjaste shumë. Përsëri unë dhe Ana u gjendëm mes trazirave dhe dhunës së një grushti ushtarak. Rivalitetet etnike çuan në një luftë civile. Më 5 qershor 2000 qeveria u rrëzua dhe kryeqyteti ra nën kontrollin e grupeve të armatosura. Për disa javë, Salla jonë e Asambleve u bë qendër e të pastrehëve. Autoritetet u mahnitën që vëllezërit tanë të krishterë nga grupe të kundërta etnike jetonin si një familje paqësore nën të njëjtën çati, në Sallën e Asambleve. Sa dëshmi e mirë ishte kjo!

Edhe vetë grupet e armatosura e respektonin asnjanësinë e Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo na dha mundësi ta bindnim një nga komandantët që të lejonte një kamion me literaturë dhe furnizime të tjera të shkonte te një grup i vogël vëllezërish që kishin mbetur të izoluar në territorin e kontrolluar nga ushtria armike. Kur i gjetëm familjet që kishin disa muaj të ndarë nga ne, të gjithë i kishim sytë me lot.

Shumë mirënjohës

Duke medituar për jetën në shërbim të Jehovait, kemi shumë gjëra për të cilat duhet të jemi mirënjohës. Si prindër, kemi pasur bekimin t’i shohim të dyja vajzat tona, si edhe burrat e tyre, Rein dhe Xhonin, të vazhdojnë t’i shërbejnë besnikërisht Jehovait. Na kanë mbështetur shumë në caktimin tonë misionar.

Tani u bënë 12 vjet që unë dhe Ana kemi pasur privilegjin të shërbejmë në zyrën e degës të Ishujve Solomon. Gjatë kësaj kohe, kemi parë numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë në Ishujt Solomon të dyfishohet, madje i ka kaluar 1.800 lajmëtarë. Kohët e fundit, kam pasur një privilegj tjetër që të ndjek Shkollën për Anëtarët e Komiteteve të Degëve në Paterson, Nju-Jork. Vërtet, kemi pasur një jetë të kënaqshme e me shumë bekime, ngaqë kemi mbajtur frymën misionare.

[Shënimi]

^ par. 10 Shih artikullin «Nuk humbëm kohë», në Kullën e Rojës, 15 janar 1977, anglisht.

[Figura në faqen 23]

Në ditën e dasmës, viti 1960

[Figura në faqen 24]

Në Ugandë, Stenli dhe Esinala Makumba e inkurajuan shumë familjen tonë

[Figura në faqen 24]

Sara duke hyrë në kasollen e një fqinji

[Figura në faqen 25]

Bëja vizatime për të mësuar banorët e Ishujve Solomon

[Figura në faqen 25]

Mbledhje me një kongregacion të izoluar në Ishujt Solomon

[Figura në faqen 26]

Familja sot