Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Zëri i tyre shkoi në mbarë tokën»

«Zëri i tyre shkoi në mbarë tokën»

«Zëri i tyre shkoi në mbarë tokën»

«Bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë.»​—MATEU 28:19.

1, 2. (a) Ç’detyrë u dha Jezui dishepujve të tij? (b) Pse të krishterët e shekullit të parë arritën të bënin kaq shumë?

PAK para se të ngjitej në qiell, Jezui u dha një detyrë dishepujve të tij. U tha: «Bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë.» (Mateu 28:19) Kjo ishte një punë vërtet shumë e madhe.

2 Mendoni pak. Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., rreth 120 dishepuj morën frymën e shenjtë që u derdh mbi ta dhe filluan të përmbushnin këtë detyrë, duke u thënë të tjerëve se Jezui ishte Mesia i premtuar, nëpërmjet të cilit mund të merrej shpëtimi. (Veprat 2:1-36) Si do të arrinte ky grup kaq i vogël t’u predikonte ‘njerëzve të të gjitha kombeve’? Për njerëzit kjo ishte e pamundur, por «për Perëndinë gjithçka është e mundur». (Mateu 19:26) Të krishterët e hershëm kishin mbështetjen e frymës së shenjtë të Jehovait, si dhe ndjenjën e urgjencës. (Zakaria 4:6; 2 Timoteut 4:2) Prandaj, s’kaluan veçse disa dhjetëvjeçarë dhe apostulli Pavël mundi të thoshte se lajmi i mirë po shpallej «ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell».​—Kolosianëve 1:23.

3. Çfarë e mbuloi «grurin» e vërtetë të krishterë?

3 Adhurimi i vërtetë vazhdoi të përhapej gjatë pjesës më të madhe të shekullit të parë. Gjithsesi, Jezui kishte profetizuar se do të vinte një kohë kur Satanai do të mbillte «egjër», kështu që «gruri» i vërtetë i krishterë do të mbulohej për shumë shekuj, derisa të vinte koha e korrjes. Kjo ndodhi pas vdekjes së apostujve.​—Mateu 13:24-39.

Një rritje e shpejtë sot

4, 5. Çfarë vepre ndërmorën të krishterët e mirosur që prej vitit 1919, e pse kjo përbënte një sfidë të madhe?

4 Në vitin 1919 erdhi koha që të ndahej gruri i vërtetë i krishterë nga egjrat. Të krishterët e mirosur e dinin se detyra madhështore që u kishte dhënë Jezui vazhdonte ende. Besonin patundshmërisht se po jetonin në «ditët e fundit» dhe ishin në dijeni të profecisë së Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (2 Timoteut 3:1; Mateu 24:14) Po, e dinin se kishin shumë punë për të bërë.

5 Gjithsesi, ashtu si dishepujt në vitin 33 të e.s., këta të krishterë të mirosur kishin përpara një sfidë shumë të madhe. Ishin vetëm pak mijëra dhe gjendeshin vetëm në pak vende. Si do të mund ta predikonin lajmin e mirë «në gjithë tokën e banuar»? Mos harroni se popullsia e tokës ishte rritur nga rreth 300 milionë në kohën e Cezarëve në pothuajse 2 miliardë pas Luftës I Botërore. E gjatë shekullit të 20-të popullsia do të vazhdonte të rritej me ritme të shpejta.

6. Sa ishte përhapur lajmi i mirë deri në vitet 1930?

6 Gjithsesi, shërbëtorët e mirosur të Jehovait, ashtu si vëllezërit e tyre në shekullin e parë, e filluan veprën që u ishte caktuar me besim të plotë te Jehovai, dhe fryma e tij ishte me ta. Aty nga mesi i viteve 1930, rreth 56.000 ungjillëzues e kishin shpallur të vërtetën biblike në 115 vende. Tashmë ishte bërë mjaft punë, por mbetej ende shumë.

7. (a) Cilën sfidë të re hasën të krishterët e mirosur? (b) Si ka përparuar vepra e mbledhjes deri tani, me ndihmën e ‘deleve të tjera’?

7 Pastaj, duke qenë se u kuptua më qartë identiteti i ‘shumicës së madhe’ që përmendet te Zbulesa 7:9, kjo solli një sfidë të re. Por nga ana tjetër, ata të krishterë të palodhur tani do të kishin ndihmë. Sfida ishte se duhej mbledhur një shumicë e panumërt ‘delesh të tjera’, pra besimtarë me shpresën tokësore, «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Gjoni 10:16) Këta ‘do t’i bënin Jehovait shërbim të shenjtë ditë e natë’. (Zbulesa 7:15) Kjo do të thotë se do të ndihmonin në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. (Isaia 61:5) Prandaj, të krishterët e mirosur u entuziazmuan kur panë që radhët e ungjillëzuesve shtoheshin me dhjetëra mijë e më pas me miliona të tjerë. Në vitin 2003, një maksimum i ri prej 6.429.351 vetash morën pjesë në veprën e predikimit, pjesa më e madhe e tyre nga shumica e madhe. * Të krishterët e mirosur janë mirënjohës për këtë ndihmë, dhe delet e tjera janë mirënjohëse për privilegjin që të mbështetin vëllezërit e tyre të mirosur.​—Mateu 25:34-40.

8. Si iu përgjigjën Dëshmitarët e Jehovait presioneve të jashtëzakonshme që iu bënë gjatë Luftës II Botërore?

8 Kur klasa e grurit u bë përsëri e dukshme, Satanai filloi një luftë të ashpër kundër saj. (Zbulesa 12:17) Si reagoi ai kur doli në dritë shumica e madhe? Me një dhunë të jashtëzakonshme! A mund ta vëmë në dyshim nëse ishte apo jo Satanai pas sulmit mbarëbotëror që iu bë adhurimit të vërtetë gjatë Luftës II Botërore? Në të dyja anët e konfliktit, të krishterët patën presione shumë të mëdha. Shumë vëllezër e motra të dashura pësuan sprova të tmerrshme dhe disa vdiqën për të mbrojtur besimin e tyre. Gjithsesi, ata mendonin ashtu si psalmisti që tha: «Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?» (Psalmi 56:4; Mateu 10:28) Të krishterët e mirosur dhe delet e tjera, të forcuar nga fryma e Jehovait, qëndruan së bashku të palëkundur. (2 Korintasve 4:7) Si pasojë, ‘fjala e Perëndisë vazhdoi të rritej’. (Veprat 6:7) Në vitin 1939, kur shpërtheu lufta, pati 72.475 të krishterë besnikë që raportuan pjesëmarrjen në veprën e predikimit. Megjithatë, edhe pse jo i plotë raporti i vitit 1945, vit në të cilin mbaroi lufta, zbuloi se kishte 156.299 Dëshmitarë aktivë që po përhapnin lajmin e mirë. Çfarë humbjeje për Satanain!

9. Cilat ishin dy shkollat e reja që u njoftuan gjatë Luftës II Botërore?

9 Është e qartë se rrëmuja e Luftës II Botërore nuk i bëri shërbëtorët e Jehovait të dyshonin nëse do të kryhej apo jo vepra e predikimit. Madje, në vitin 1943, kur lufta ishte në kulmin e saj, u njoftua hapja e dy shkollave të reja. Njëra shkollë, që tani quhet Shkolla e Shërbimit Teokratik, do të mbahej në të gjitha kongregacionet e do t’i stërviste Dëshmitarët që të predikonin e të bënin dishepuj. Tjetra, Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit, do të stërviste misionarë që do të zhvillonin veprën e predikimit në vende të huaja. Po, kur më në fund mbaroi lufta, të krishterët e vërtetë ishin gati për ta rritur aktivitetin e tyre.

10. Si u tregua zelli i popullit të Jehovait gjatë vitit 2003?

10 Sa punë e mrekullueshme që është bërë! Të stërvitur në Shkollën e Shërbimit Teokratik, që të gjithë, të rinj e të moshuar, prindër e fëmijë, e madje edhe ata me paaftësi fizike, kanë përmbushur e vazhdojnë të përmbushin detyrën madhështore që dha Jezui. (Psalmi 148:12, 13; Joeli 2:28, 29) Në vitin 2003, mesatarisht 825.185 veta çdo muaj e treguan ndjenjën e urgjencës duke marrë pjesë, përkohësisht ose vazhdimisht, në shërbimin e pionierit. Në të njëjtin vit, Dëshmitarët e Jehovait kaluan 1.234.796.477 orë duke u folur të tjerëve për lajmin e mirë të Mbretërisë. Sigurisht, Jehovai është i kënaqur me zellin e popullit të tij.

Shërbim në vende të huaja

11, 12. Cilët shembuj e tregojnë punën e mirë që kanë bërë misionarët?

11 Gjatë viteve, të diplomuarit e Galaadit, e së fundi edhe vëllezër të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim, kanë bërë një punë shumë të mirë. Për shembull, në Brazil kishte më pak se 400 lajmëtarë kur mbërritën misionarët e parë në vitin 1945. Këta, si edhe misionarë të tjerë që i ndoqën, kanë punuar përkrah vëllezërve të zellshëm brazilianë dhe Jehovai i ka bekuar shumë përpjekjet e tyre. Për të gjithë ata që i mbajnë mend ato ditë, është shumë drithëruese të shohin që Brazili në vitin 2003 raportoi një maksimum të ri prej 607.362 lajmëtarësh.

12 Mendoni edhe për Japoninë. Para Luftës II Botërore, atje kishte rreth njëqind predikues të Mbretërisë. Gjatë luftës, përndjekja e ashpër e zvogëloi shumë numrin e tyre dhe, në përfundim të luftës, vetëm pak Dëshmitarë ishin ende gjallë frymësisht dhe fizikisht. (Fjalët e urta 14:32) Ata pak veta që në mënyrë të jashtëzakonshme kishin mbajtur integritetin u kënaqën patjetër kur në vitin 1949 u dhanë mirëseardhjen 13 misionarëve të parë të stërvitur në Galaad. Edhe misionarët shumë shpejt u miqësuan me vëllezërit e tyre entuziastë dhe mikpritës japonezë. Më shumë se 50 vjet më vonë, në vitin 2003, Japonia raportoi një maksimum prej 217.508 lajmëtarësh. Me të vërtetë që Jehovai e ka bekuar shumë popullin e tij në atë vend. Raporte të ngjashme vijnë edhe nga shumë vende të tjera. Ata që kanë mundësi të predikojnë në territore të huaja kanë dhënë një ndihmesë të madhe për përhapjen e lajmit të mirë, kështu që në vitin 2003, ky lajm u dëgjua në 235 vende, ishuj dhe territore përreth botës. Vërtet, nga ‘të gjitha kombet’ po del një shumicë e madhe.

«Nga të gjitha . . . fiset, popujt dhe gjuhët»

13, 14. Si e tregoi Jehovai vlerën e predikimit të lajmit të mirë në «të gjitha . . . gjuhët»?

13 Mrekullia e parë e dokumentuar pasi dishepujt u mirosën me frymën e shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ishte që u folën turmave të mbledhura në gjuhët e tyre. Të gjithë ata që po dëgjonin ndoshta e flitnin një gjuhë ndërkombëtare, që mund të ketë qenë greqishtja. Gjithashtu, duke qenë «njerëz plot nderim për Perëndinë», ndoshta arrinin të kuptonin edhe shërbimet në hebraisht që bëheshin në tempull. Por ua tërhoqi më shumë vëmendjen fakti që po e dëgjonin lajmin e mirë në gjuhën amtare.​—Veprat 2:5, 7-12.

14 Edhe sot vepra e predikimit po bëhet në shumë gjuhë. Ishte profetizuar që shumica e madhe do të dilte jo vetëm nga kombe, por edhe nga ‘fise, popuj dhe gjuhë’. Në përputhje me këtë, Jehovai profetizoi nëpërmjet Zakarisë: «Dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: ‘Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.’» (Zakaria 8:23) Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait nuk e kanë më dhuratën e të folurit në gjuhë të ndryshme, e dinë sa vlerë ka t’i mësojnë njerëzit në gjuhën që flasin.

15, 16. Si e kanë marrë përsipër misionarët dhe të tjerë sfidën për të predikuar në gjuhët vendëse?

15 Është e vërtetë se sot ka disa gjuhë që përdoren shumë, si anglishtja, frëngjishtja dhe spanjishtja. Gjithsesi, ata që janë larguar nga vendi i tyre për të shërbyer në vende të tjera përpiqen të mësojnë gjuhët vendëse, për t’ua bërë lajmin e mirë më të kuptueshëm atyre që janë «të prirur drejt jetës së përhershme». (Veprat 13:48) Kjo mund të jetë e vështirë. Kur vëllezërit në Tuvalu, një komb i Paqësorit Jugor, kishin nevojë për botime në gjuhën e tyre, një nga misionarët e mori përsipër këtë sfidë. Meqë s’kishte asnjë fjalor, ai filloi ta krijonte vetë një fjalor të fjalëve tuvaluane. Me kalimin e kohës, në gjuhën tuvaluane u botua libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. * Kur mbërritën misionarët në Kurasao, s’kishte asnjë literaturë biblike dhe asnjë fjalor në gjuhën vendëse, papiamento. Veç kësaj, kishte shumë debate se si duhej shkruar ajo gjuhë. Megjithatë, dy vjet pas mbërritjes së misionarëve të parë, u botua fletushka e parë biblike e krishterë në atë gjuhë. Sot, gjuha papiamento është një nga 133 gjuhët në të cilat Kulla e Rojës botohet njëkohësisht me botimin në anglisht.

16 Në Namibi, misionarët e parë s’gjetën asnjë Dëshmitar vendës që t’i ndihmonte me përkthimin. Për më tepër në një nga gjuhët vendëse, në gjuhën nama, mungonin fjalët për disa koncepte të përdorura zakonisht në botimet tona, si për shembull «i përsosur». Një misionar thotë: «Për përkthime përdorja zakonisht mësues shkollash, por që po studionin Biblën. Meqë s’kishin shumë njohuri për të vërtetën, duhej të ulesha me ta e të sigurohesha që çdo fjali ishte e saktë.» Megjithatë, fletushka Jeta në një botë të re së fundi u përkthye në katër gjuhë namibiane. Sot, Kulla e Rojës botohet rregullisht në gjuhën kvaniama dhe ndonge.

17, 18. Çfarë sfidash po përballohen në Meksikë dhe në vende të tjera?

17 Në Meksikë, gjuha kryesore është spanjishtja. Megjithatë, para se të shkonin spanjollët atje fliteshin shumë gjuhë e disa prej tyre përdoren ende. Prandaj, literatura e Dëshmitarëve të Jehovait tani po botohet në shtatë gjuhë meksikane, si edhe në gjuhën meksikane të shenjave. Shërbimi i Mbretërisë në gjuhën maja ishte botimi i parë zyrtar në një gjuhë të indianëve të Amerikës. Madje, ndër 572.530 lajmëtarët e Mbretërisë në Meksikë disa mijëra janë nga fiset maja, acteke e të tjera.

18 Kohët e fundit, miliona njerëz kanë ikur në vende të tjera si refugjatë ose kanë emigruar për arsye ekonomike. Si pasojë, shumë vende për herë të parë tani kanë territore mjaft të mëdha në gjuhë të huaja. Dëshmitarët e Jehovait e kanë marrë përsipër sfidën. Për shembull, në Itali ka kongregacione dhe grupe në 22 gjuhë, përveç italishtes. Për të ndihmuar vëllezërit në këtë vend, që t’u predikojnë njerëzve që flasin gjuhë të tjera, kohët e fundit u organizuan kurse për të mësuar 16 gjuhë, përfshirë gjuhën italiane të shenjave. Në shumë vende të tjera, Dëshmitarët e Jehovait po bëjnë përpjekje të ngjashme për të folur me emigrantët e shumtë që ndodhen në këto vende. Po, me ndihmën e Jehovait, vërtet që nga shumë e shumë grupe gjuhësore po del një shumicë e madhe.

«Në mbarë tokën»

19, 20. Cilat fjalë të Pavlit po përmbushen në mënyrë të jashtëzakonshme sot? Shpjegoni.

19 Në shekullin e parë apostulli Pavël shkroi: «Mos vallë nuk arritën të dëgjonin? Përkundrazi! Në fakt, ‘zëri i tyre shkoi në mbarë tokën dhe shprehjet e tyre deri në skajet e tokës së banuar’.» (Romakëve 10:18) Nëse kjo ndodhi në shekullin e parë, aq më shumë po ndodh në ditët tona! Miliona njerëz, ndoshta më shumë se çdo herë tjetër në histori, po thonë: «Do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.»​—Psalmi 34:1.

20 Për më tepër, vepra nuk po ngadalësohet. Numri i lajmëtarëve të Mbretërisë vazhdon të rritet. Ata po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në veprën e predikimit. Po bëhen miliona rivizita dhe po drejtohen qindra mijë studime biblike. Veç kësaj, vazhdon të ketë njerëz të interesuar. Vitin e kaluar, një maksimum i ri prej 16.097.622 vetash ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Është e dukshme se ka ende shumë punë për të bërë. Le të vazhdojmë të imitojmë integritetin e palëkundur të vëllezërve tanë që kanë duruar një përndjekje të ashpër! Gjithashtu, le të shfaqim të njëjtin zell si vëllezërit tanë, të cilët që nga viti 1919 kanë shpenzuar veten në shërbim të Jehovait! Le të vazhdojmë t’i përgjigjemi të gjithë korit të psalmistit: «Çdo gjë që merr frymë le të lavdërojë Jah. Lavdëroni Jah, ju njerëz!»​—Psalmi 150:6, BR.

[Shënimet]

^ par. 7 Shih raportin vjetor në faqet 18 deri në 21 të kësaj reviste.

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A mund të shpjegoni?

• Cilën vepër filluan vëllezërit në vitin 1919, dhe pse ishte një sfidë ajo?

• Cilët u mblodhën për të mbështetur veprën e predikimit?

• Çfarë pune të mirë kanë bërë misionarët dhe të tjerë që shërbejnë në vende të huaja?

• Çfarë dëshmie mund të citoni për të treguar se Jehovai po e bekon veprën e popullit të tij sot?

[Pyetjet]

[Tabela në faqet 18-21]

RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2003

(Shih botimin)

[Figurat në faqet 14, 15]

Rrëmuja e Luftës II Botërore nuk i bëri të krishterët të dyshonin nëse do të predikohej apo jo lajmi i mirë

[Burimi]

Shpërthim: fotografi e U.S. Navy; të tjerat: U.S. Coast Guard photo

[Figurat në faqet 16, 17]

Shumica e madhe do të dilte nga të gjitha fiset dhe gjuhët