«Janë ngopur drurët e Jehovait»
Madhështia e krijimit të Jehovait
«Janë ngopur drurët e Jehovait»
AKENI qëndruar ndonjëherë në një pyll, teksa rrezet e diellit derdheshin nëpër drurët madhështorë? A mundët të dëgjonit një fëshfëritje, teksa një fllad kalonte nëpër gjethe?—Isaia 7:2.
Në disa zona të tokës, gjatë një pjese të vitit, gjethet e drurëve të ndryshëm pothuajse flakërojnë nga nuancat e së kuqes, të portokalles, të së verdhës dhe të ngjyrave të tjera. Po, duket sikur pylli ka marrë flakë. Prandaj, sa e përshtatshme është thirrja: «Shpërtheni në britma gëzimi, o male, o pyje, me gjithë drurët tuaj!»—Isaia 44:23. *
Gati një e treta e steresë së planetit Tokë mbulohet nga pyjet. Në një mënyrë mbresëlënëse, pyjet dhe gjallesat që gëlojnë në to i japin lavdi Projektuesit dhe Krijuesit të tyre, Perëndisë Jehova. Psalmisti i frymëzuar këndoi: «Lëvdojeni Zotin, ju . . . mbarë dru frutorë dhe kedra.»—Psalmi 148:7-9.
«Drurët janë jetësorë për ekzistencën e njeriut, sepse plotësojnë nevojat materiale dhe kënaqin ndjenjën e së bukurës»,—thotë libri The Trees Around Us. Pyjet mbrojnë, mbështetin dhe përmirësojnë burimet me ujë të freskët për njerëzit. Gjithashtu drurët pastrojnë ajrin. Me anë të procesit të mrekullueshëm të fotosintezës, qelizat e gjetheve i shndërrojnë dyoksidin e karbonit, ujin, mineralet dhe dritën e diellit në lëndë ushqyese dhe në oksigjen.
Pylli është një kryevepër bukurie dhe projektimi. Drurët gjigantë zakonisht janë pjesëtarët më mbresëlënës të pyllit. Përreth tyre rriten edhe shumë lloje fieri, myshqe, bimë kacavjerrëse, shkurre dhe bimë barishtore të panumërta. Këto bimë varen nga mjedisi që u krijojnë drurët, pasi rriten nën hijen e tyre dhe thithin lagështirën që siguron pylli.
Në disa pyje me drurë gjetherënës, në gjysmën e dytë të vitit, bien deri 25 milionë gjethe vetëm në një hektar. Ç’ndodh me këto gjethe? Insekte, kërpudha, krimba dhe organizma të tjerë e shndërrojnë gjithë këtë material organik në humus, një përbërës jetësor për tokën pjellore. Po, asgjë nuk humbet, ndërkohë që këta punëtorë pa u ndier e përgatitin tokën për të rritur bimësinë e re.
Poshtë gjetheve të pajeta, dheu i pyllit gëlon nga jeta. Sipas librit The Forest, «1.350 krijesa . . . mund të gjenden në një zonë 30 centimetra katrorë dhe 2,5 centimetra të thellë, pa përfshirë miliarda mikroorganizmat që ndodhen në një grusht dhe». Për më tepër, pylli gëlon nga zvarranikët, zogjtë, insektet dhe gjitarët. Kush duhet ta marrë meritën për këtë bukuri dhe larmi? Me të drejtë Krijuesi i tyre deklaron: «Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.»—Psalmi 50:10.
Disa kafshë janë krijuar me aftësinë e jashtëzakonshme për të rënë në gjumë gjatë dimrit dhe për të mbijetuar nga ashpërsia e stinës së ftohtë dhe nga periudhat e gjata me mungesa ushqimi. Megjithatë, jo të gjitha kafshët bien në gjumë gjatë dimrit. Edhe në mes të dimrit, mund të shihni një kope me drerë që lodrojnë nëpër fusha. Drerët as flenë gjatë dimrit, as mbledhin zahire për këtë stinë, por ushqehen duke ngrënë pak nga pak filizat e njomë dhe sythat e drurëve, siç mund ta shihni në këtë fotografi nga Gjermania.
Në Shkrime flitet shumë për jetën e bimëve. Sipas një llogaritjeje, Bibla përmend me emër gati 130 bimë të veçanta, përfshirë 30 lloje drurësh. Në lidhje me rëndësinë e këtij fakti, një botanist, Majkëll Zohari, vëren: «Edhe në literaturën joprofesionale laike, nuk gjenden kaq shumë referime sa në Bibël për bimët që përdoren në fusha të ndryshme të jetës.»
Drurët dhe pyjet janë dhurata të shkëlqyera nga një Krijues i dashur. Nëse keni qenë ndonjëherë në pyll, me siguri jeni në një mendje me psalmistin: «Janë ngopur drurët e Jehovait, cedrat e Libanit që ai mbolli, ku zogjtë ngrenë folenë.»—Psalmi 104:16, 17, BR.
[Shënimi]
^ par. 4 Shihni Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2004, janar/shkurt.
[Kutia dhe figurat në faqen 9]
Një nga drurët frutorë më mbresëlënës të Lindjes së Mesme është bajamja. Në fillim të vitit—shumë më herët se disa drurë të tjerë—ajo zgjohet nga gjumi. Hebrenjtë e lashtë e quanin bajamen pema që zgjohet, dhe e kishin fjalën për lulëzimin e saj të hershëm. Kjo pemë duket sikur zgjohet me mantelin e saj me lule të brishta në ngjyrë të trëndafiltë ose të bardhë.—Eklisiastiu 12:5.
Nga 9.000 llojet e zogjve që njihen, rreth 5.000 klasifikohen si zogj këngëtarë. Kënga e tyre prish qetësinë e pyllit të dendur. (Psalmi 104:12) Për shembull, harabeli këngëtar ka një repertor të gëzueshëm. Laureshat vajtuese, si ajo këtu në fotografi, janë këngëtare të vogla, të zbukuruara me kombinime të gjalla të grisë, të së verdhës dhe të ngjyrës së ullirit.—Psalmi 148:1, 10.
[Figura në faqen 9]
Pyll në Normandi, Francë