Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Madhështia e Jehovait është e pahetueshme

Madhështia e Jehovait është e pahetueshme

Madhështia e Jehovait është e pahetueshme

«Jehovai është i madh dhe meriton të lavdërohet shumë, madhështia e tij është e pahetueshme.»​—PSALMI 145:3, BR.

1, 2. Ç’lloj njeriu ishte Davidi dhe ç’pikëpamje kishte për veten kur mendonte për Perëndinë?

KOMPOZUESI i Psalmit 145 është një njeri që njihet shumë në histori. Kur ishte ende djalosh, ai u përball me një gjigant të armatosur, të cilin e vrau. Më pas, si mbret luftëtar, ky psalmist mundi shumë armiq. Emrin e kishte David dhe ishte mbreti i dytë i Izraelit të lashtë. Emri i Davidit mbeti në histori pas vdekjes së tij, kështu që edhe sot miliona veta dinë disa gjëra për të.

2 Pavarësisht nga arritjet e tij, Davidi kishte pikëpamje të përulur për veten. Duke folur për Jehovain, ai këndoi: «Kur mendoj qiejt e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?» (Psalmi 8:3, 4) Në vend që të mendonte se ishte vetë njeri shumë i fuqishëm, Davidi ia dha meritën Jehovait për çlirimin nga tërë armiqtë e tij. Ai tha për Perëndinë: «Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia [përulësia, BR] jote më ka bërë të madh.» (2 Samuelit 22:1, 2, 36) Jehovai shfaq përulësi kur u tregon mëshirë mëkatarëve, dhe Davidi e çmonte shumë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë.

‘Do të përlëvdoj Perëndinë, Mbretin’

3. (a) Kë konsideronte Davidi si mbret të vërtetë të Izraelit? (b) Deri në ç’masë dëshironte ta lavdëronte Davidi Jehovain?

3 Ndonëse ishte mbret i caktuar nga Perëndia, Davidi konsideronte Jehovain si Mbret të vërtetë të Izraelit. Davidi tha: «E jotja o Zot është mbretëria dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithçka.» (1 Kronikave 29:11) Sa shumë që e respektonte Davidi Perëndinë si Sundimtar! «Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im,​—këndoi ai,​—dhe do të bekoj emrin tënd përjetë. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.» (Psalmi 145:1, 2) Davidi dëshironte ta lavdëronte Perëndinë Jehova gjithë ditën dhe gjithë përjetësinë.

4. Cilat akuza të rreme demaskon Psalmi 145?

4 Psalmi 145 është një përgjigje e fuqishme për pohimin e Satanait se Perëndia është një sundimtar egoist që nuk u jep liri krijesave të tij. (Zanafilla 3:1-5) Ky psalm demaskon edhe gënjeshtrën e Satanait se ata që i binden Perëndisë e bëjnë këtë vetëm sepse mund të marrin diçka në këmbim, jo sepse e duan Perëndinë. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Ashtu si Davidi, të krishterët e vërtetë sot po u japin përgjigje akuzave të rreme të Djallit. Ata e çmojnë shumë shpresën për të jetuar përgjithmonë nën sundimin e Mbretërisë, sepse dëshirojnë ta lavdërojnë Jehovain për gjithë përjetësinë. Tashmë miliona veta kanë filluar ta bëjnë këtë duke treguar besim te flijimi shpërblyes i Jezuit dhe duke i shërbyer të bindur Jehovait nga dashuria, si adhurues të tij të kushtuar e të pagëzuar.​—Romakëve 5:8; 1 Gjonit 5:3.

5, 6. Çfarë mundësish kemi për ta bekuar e për ta lëvduar Jehovain?

5 Mendoni sa shumë mundësi kemi për ta bekuar e për ta lëvduar Jehovain si shërbëtorë të tij. Mund ta bëjmë këtë në lutje kur na prek thellë diçka që lexojmë në Fjalën e tij, në Bibël. Mund të shprehim çmueshmërinë tonë dhe lavdërimin kur na prek mënyra se si e trajton Perëndia popullin e tij ose kur na bën për vete një aspekt i veçantë i krijimit të tij të mrekullueshëm. Gjithashtu e lartësojmë Perëndinë Jehova kur flasim për qëllimet e tij me bashkëbesimtarët në mbledhjet e krishtere ose gjatë bisedave tona. Madje, të gjitha ‘veprat e shkëlqyera’ që bëhen për Mbretërinë e Perëndisë i sjellin lavdi Jehovait.​—Mateu 5:16.

6 Kohët e fundit shembull i këtyre veprave të shkëlqyera ka qenë ndërtimi i shumë vendeve të adhurimit nga shërbëtorët e Jehovait në vende të varfra. Një pjesë e mirë e kësaj pune është bërë me mbështetjen financiare të bashkëbesimtarëve në vende të tjera. Disa të krishterë kanë dhënë ndihmesën e tyre duke shkuar vullnetarisht në këto vende për të marrë pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Por më e rëndësishmja nga të gjitha veprat e shkëlqyera është ta lavdërojmë Jehovain duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së tij. (Mateu 24:14) Siç e tregojnë vargjet e mëposhtme në Psalmin 145, Davidi e pranonte dhe e vlerësonte sundimin e Perëndisë, prandaj e lartësonte mbretërinë e Tij. (Psalmi 145:11, 12) A keni një çmueshmëri të tillë për mënyrën e dashur se si sundon Perëndia? Dhe, a u flitni rregullisht të tjerëve për Mbretërinë e tij?

Shembuj të madhështisë së Perëndisë

7. Cila është një arsye e rëndësishme pse duhet ta lavdërojmë Jehovain?

7 Psalmi 145:3 na jep një arsye të rëndësishme pse duhet ta lavdërojmë Jehovain. Davidi këndon: «Jehovai është i madh dhe meriton të lavdërohet shumë, madhështia e tij është e pahetueshme.» (BR) Madhështia e Jehovait s’ka kufij dhe njerëzit asnjëherë s’mund ta zbulojnë, ta kuptojnë ose ta matin plotësisht atë. Por me siguri do të nxjerrim dobi duke shqyrtuar tani disa shembuj të madhështisë së pahetueshme të Jehovait.

8. Çfarë zbulon universi për sa i përket madhështisë dhe fuqisë së Jehovait?

8 Përpiquni të kujtoni herën e fundit kur ishit larg dritave verbuese të qytetit dhe ngritët kokën për të parë qiellin në një natë pa re. A nuk u mahnitët duke parë sa shumë yje shiheshin në errësirën e natës? A nuk u nxitët ta lavdëronit Jehovain për madhështinë që ka treguar duke krijuar gjithë ata trupa qiellorë? Mirëpo, ajo që patë s’ishte veçse një pjesë fare e vogël e yjeve që ndodhen në galaktikën ku bën pjesë toka. Veç kësaj, është llogaritur që ka më shumë se njëqind miliardë galaktika, vetëm tre prej të cilave mund të shihen pa ndihmën e teleskopit. Vërtet, yjet e panumërta dhe galaktikat që përbëjnë universin e paanë janë dëshmi e fuqisë krijuese të Jehovait dhe e madhështisë së tij të pahetueshme.​—Isaia 40:26.

9, 10. (a) Cilat aspekte të madhështisë së Jehovait janë shfaqur në lidhje me Jezu Krishtin? (b) Si duhet të ndikojë në besimin tonë ringjallja e Jezuit?

9 Shqyrtoni disa aspekte të tjera të madhështisë së Jehovait e sidomos ato që kanë të bëjnë me Jezu Krishtin. Perëndia e tregoi madhështinë duke krijuar Birin e tij dhe duke e përdorur për epoka të tëra si ‘kryemjeshtrin’ e Tij. (Proverbat [Fjalët e urta] 8:22-31, BR) Kur Jehovai dha Birin e tij të vetëmlindur si flijim shpërblyes për njerëzimin, u bë e dukshme sa e madhe është dashuria e Tij. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16; 1 Gjonit 2:1, 2) Veç kësaj, diçka që njerëzit as mund të arrijnë ta kuptojnë është trupi frymor i lavdishëm dhe i pavdekshëm që Jehovai krijoi për Jezuin kur e ringjalli.​—1 Pjetrit 3:18.

10 Ringjallja e Jezuit përfshinte shumë aspekte mbresëlënëse të madhështisë së pahetueshme të Jehovait. Pa dyshim Perëndia i riktheu kujtesën Jezuit për sa i përket punës për krijimin e gjërave të dukshme e të padukshme. (Kolosianëve 1:15, 16) Këtu përfshihen krijesat e tjera frymore, universi, toka pjellore, si edhe të gjitha format e jetës fizike në globin tonë. Përveçse i riktheu njohurinë për gjithë historinë e jetës qiellore dhe tokësore që Biri kishte parë gjatë ekzistencës paranjerëzore, Jehovai i shtoi Jezuit atë që kishte përjetuar si njeri i përsosur. Po, madhështia e pahetueshme e Jehovait bëhet e dukshme në ringjalljen e Jezuit. Për më tepër, ky akt madhështor është garanci se edhe për të tjerët ringjallja është e mundur. Ai duhet të na e forcojë besimin se Perëndia mund të sjellë përsëri në jetë miliona njerëz të vdekur që i ka në kujtesën e tij të përsosur.​—Gjoni 5:28, 29; Veprat 17:31.

Vepra të mrekullueshme dhe të fuqishme

11. Cila vepër madhështore e Jehovait nisi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s.?

11 Që nga ringjallja e Jezuit Jehovai ka kryer shumë vepra të tjera të mëdha e të mrekullueshme. (Psalmi 40:5) Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., Jehovai solli në ekzistencë një komb të ri, «Izraelin e Perëndisë», të përbërë nga dishepujt e Krishtit që u mirosën nga fryma e shenjtë. (Galatasve 6:16) Në mënyrë të mrekullueshme, ky komb i ri frymor u përhap në gjithë botën që njihej atëherë. Ndonëse apostazia çoi në zhvillimin e të ashtuquajturit krishterim, pas vdekjes së apostujve të Jezuit, Jehovai vazhdoi të kryente vepra të mrekullueshme për të siguruar përmbushjen e premtimit të tij.

12. Për çfarë dëshmon fakti që Bibla është përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore?

12 Për shembull, librat e Biblës u ruajtën dhe së fundi u përkthyen në të gjitha gjuhët kryesore që janë sot në tokë. Shpesh përkthimi i Biblës bëhej në rrethana të vështira dhe nën kërcënimin e vdekjes nga ata që Satanai i përdorte si vegla të tij. Me siguri përkthimi i Biblës në më shumë se 2.000 gjuhë nuk do të ishte kryer po të mos kishte qenë vullneti i Jehovait, Perëndisë me një madhështi të pahetueshme.

13. Si është shfaqur që nga viti 1914 madhështia e Jehovait në lidhje me qëllimet e Mbretërisë së tij?

13 Madhështia e Jehovait është shfaqur në lidhje me qëllimet e Mbretërisë së tij. Për shembull, në vitin 1914 ai e vendosi Birin e tij, Jezu Krishtin, si Mbret qiellor. Pak kohë më pas Jezui ndërmori veprime kundër Satanait dhe demonëve të tij. Ata u dëbuan nga qielli dhe u kufizuan në afërsi të tokës, ku tani presin hedhjen në humnerë. (Zbulesa 12:9-12; 20:1-3) Që atëherë ithtarët e mirosur të Jezuit kanë përjetuar gjithnjë e më shumë përndjekje. Por Jehovai i ka mbështetur gjatë kësaj kohe të pranisë së padukshme të Krishtit.​—Mateu 24:3; Zbulesa 12:17.

14. Çfarë vepre të mrekullueshme bëri Jehovai në vitin 1919 dhe çfarë u arrit me anë të saj?

14 Në vitin 1919, Jehovai kreu një vepër tjetër të mrekullueshme që tregoi madhështinë e tij. Ithtarët e mirosur të Jezuit, të cilët në atë kohë ishin në një gjendje frymore joaktive, u rigjallëruan. (Zbulesa 11:3-11) Në vitet që kanë pasuar, të mirosurit e kanë shpallur me zell lajmin e mirë të Mbretërisë qiellore të vendosur. Janë mbledhur të tjerë të mirosur, për të plotësuar numrin 144.000. (Zbulesa 14:1-3) Gjithashtu, me anë të ithtarëve të mirosur të Krishtit, Jehovai ka vënë themelin për «një tokë të re», një shoqëri të drejtë njerëzore. (Zbulesa 21:1) Por, çfarë do të ndodhë me ‘tokën e re’ pasi të mirosurit besnikë të kenë shkuar të gjithë në qiell?

15. Cilën vepër kanë drejtuar të krishterët e mirosur dhe cilat kanë qenë rezultatet?

15 Në vitin 1935, numri i 1 gushtit dhe i 15 gushtit i kësaj reviste përmbante disa artikuj kyç që flitnin për ‘shumicën e madhe’ të përmendur në kapitullin e 7-të të Zbulesës. Me zell të krishterët e mirosur filluan të kërkonin dhe të mblidhnin pranë vetes këta bashkadhurues nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët. Kjo «shumicë e madhe» do të mbijetojë në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen, duke pasur shpresën për të jetuar përgjithmonë në Parajsë, si pjesëtarë të përhershëm të ‘tokës së re’. (Zbulesa 7:9-14) Për shkak të veprës së predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve, të drejtuar nga të krishterët e mirosur, më shumë se gjashtë milionë njerëz tani kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në një parajsë tokësore. Kush duhet ta marrë meritën për këtë rritje, me gjithë kundërshtimin nga Satanai dhe nga bota e tij e korruptuar? (1 Gjonit 5:19) Vetëm Jehovai mund ta kryejë gjithë këtë, duke përdorur frymën e tij të shenjtë.​—Isaia 60:22; Zakaria 4:6.

Shkëlqimi dhe lavdia e Jehovait

16. Pse njerëzit nuk mund ta shohin me sytë e tyre ‘shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë së Jehovait’?

16 Të çfarëdolloj natyre qofshin, ‘veprat e mrekullueshme’ dhe ‘të fuqishme’ të Jehovait nuk do të harrohen kurrë! Davidi shkroi: «Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua. Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme. Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.» (Psalmi 145:4-6) Megjithatë, deri në ç’masë mund të dinte Davidi për shkëlqimin e lavdishëm të Jehovait, duke qenë se «Perëndia është Frymë» e prandaj është i padukshëm për sytë njerëzorë?​—Gjoni 1:18; 4:24.

17, 18. Si mund ta shtonte Davidi çmueshmërinë për ‘shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë së Jehovait’?

17 Ndonëse nuk mund ta shihte Perëndinë, Davidi mund ta rriste çmueshmërinë për lavdinë e Jehovait në mënyra të tjera. Mund të lexonte në Shkrime për veprat e fuqishme të Perëndisë, si shkatërrimin e botës së ligë me anë të një përmbytjeje globale. Ka shumë të ngjarë që Davidi të ketë mësuar se si u poshtëruan perënditë e rreme të Egjiptit kur Perëndia i çliroi izraelitët nga skllavëria egjiptiane. Këto ngjarje janë dëshmi e lavdisë dhe e madhështisë së Jehovait.

18 Pa dyshim që Davidit iu shtua çmueshmëria për lavdinë e Perëndisë jo vetëm sepse lexonte Shkrimet, por edhe sepse meditonte rreth tyre. Për shembull, mund të ketë medituar rreth asaj që ndodhi kur Jehovai i dha Izraelit Ligjin. Kishte bubullima, vetëtima, një re të dendur dhe pastaj u dëgjua tingulli shumë i lartë i një briri. Mali Sinai u trondit dhe nxori tym. Madje izraelitët, të cilët ishin mbledhur në këmbët e malit, i dëgjuan «dhjetë urdhërimet» nga mesi i zjarrit dhe resë, kur Jehovai u foli nëpërmjet një përfaqësuesi engjëllor. (Ligji i përtërirë 4:32-36; 5:22-24; 10:4; Eksodi 19:16-20; Veprat 7:38, 53) Çfarë shfaqjesh të madhështisë së Jehovait! Ata që e duan Fjalën e Perëndisë e që meditojnë për këto tregime, nuk mund të mos preken nga ‘shkëlqimi i lavdishëm i madhështisë së Jehovait’. Sigurisht, sot e kemi Biblën të plotë, e cila përmban disa vegime të lavdishme që na ngulitin në mendje madhështinë e Jehovait.​—Ezekieli 1:26-28; Danieli 7:9, 10; Zbulesa, kapitulli 4.

19. Çfarë do të na e shtojë çmueshmërinë për lavdinë e Jehovait?

19 Një mënyrë tjetër se si Davidi mund ta ketë çmuar lavdinë e Perëndisë ka qenë duke studiuar ligjet që Perëndia u kishte dhënë izraelitëve. (Ligji i përtërirë 17:18-20; Psalmi 19:7-11) Bindja ndaj ligjeve të Jehovait i jepte dinjitet kombit të Izraelit dhe e dallonte nga të gjithë popujt e tjerë. (Ligji i përtërirë 4:6-8) Siç ndodhi me Davidin, edhe neve do të na shtohet çmueshmëria për lavdinë e Jehovait në qoftë se i lexojmë rregullisht Shkrimet, meditojmë thellë rreth tyre dhe i studiojmë me zell.

Sa madhështore janë cilësitë morale të Perëndisë!

20, 21. (a) Cilave cilësi që lidhen me madhështinë e Jehovait u thuren lavde në Psalmin 145:7-9? (b) Ç’ndikim kanë këto cilësi të Perëndisë tek ata që e duan?

20 Siç e kemi vënë re, gjashtë vargjet e para të Psalmit 145 na japin arsye të forta për ta lavdëruar Jehovain për gjërat që lidhen me madhështinë e tij të pahetueshme. Vargjet 7 deri në 9 i thurin lavde madhështisë së Perëndisë duke folur për cilësitë e tij morale. Davidi këndon: «Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde. Zoti është i dhembshur dhe mëshirplotë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij.»

21 Këtu së pari Davidi thekson mirësinë dhe drejtësinë e Jehovait, cilësi që Satana Djalli i vuri në dyshim. Si ndikojnë këto cilësi te të gjithë ata që e duan Perëndinë dhe i nënshtrohen sundimit të tij? E pra, mirësia e Jehovait dhe mënyra e drejtë se si sundon u sjell kaq shumë gëzim adhuruesve të tij, saqë vazhdojnë t’i japin lavdi me gjallëri. Për më tepër, Jehovai u tregon mirësi ‘të gjithëve’. Shpresojmë që kjo të ndihmojë shumë më tepër njerëz që të pendohen dhe të bëhen adhurues të Perëndisë së vërtetë para se të jetë tepër vonë.​—Veprat 14:15-17.

22. Si i trajton Jehovai shërbëtorët e tij?

22 Davidi vlerësonte edhe cilësitë që vetë Perëndia vuri në pah kur «kaloi pranë [Moisiut] dhe thirri: ‘Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri.’» (Eksodi [Dalja] 34:6) Kështu Davidi mund të shpallte: «Zoti është i dhembshur dhe mëshirplotë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.» Ndonëse Jehovai ka një madhështi të pahetueshme, i nderon shërbëtorët e tij njerëzorë duke i trajtuar me dhembshuri ose zemërbutësi. Ai është plot mëshirë, gati për t’i falur mëkatarët e penduar në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Veç kësaj, Jehovai është i ngadalshëm në zemërim, sepse u jep mundësi shërbëtorëve të tij të mposhtin dobësitë që përndryshe do t’i pengonin të hynin në botën e re të drejtësisë.​—2 Pjetrit 3:9, 13, 14.

23. Cilën cilësi të çmuar do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

23 Davidi i thur lavdi dashamirësisë ose dashurisë besnike të Perëndisë. Në fakt, pjesa tjetër e Psalmit 145 tregon si e shfaq Jehovai këtë cilësi dhe si i përgjigjen shërbëtorët e tij besnikë dashamirësisë së tij. Këto argumente do të shqyrtohen në artikullin vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë mundësish kemi për ta lavdëruar «gjithë ditën» Jehovain?

• Cilët shembuj tregojnë se madhështia e Jehovait është e pahetueshme?

• Si mund ta shtojmë çmueshmërinë për lavdinë madhështore të Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Galaktikat e universit japin dëshmi për madhështinë e Jehovait

[Burimi]

Me mirësjellje nga observatori anglo-australian, fotografi nga David Malin

[Figura në faqen 12]

Si është bërë e dukshme madhështia e Jehovait në lidhje me Jezu Krishtin?

[Figura në faqen 13]

Kur izraelitët morën Ligjin në malin Sinai, morën dëshmi për lavdinë madhështore të Jehovait