Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një nga veprat më të mëdha të inxhinierisë»

«Një nga veprat më të mëdha të inxhinierisë»

«Një nga veprat më të mëdha të inxhinierisë»

KUR u ndërtua tempulli i Jehovait në Jerusalem gjatë mbretërimit të mbretit Solomon, rreth 3.000 vjet më parë, u bë edhe një kazan i bukur prej bakri, i cili u vendos jashtë hyrjes së tempullit. Ai peshonte më tepër se 30 tonë dhe mbante rreth 40.000 litra ujë. Ky kazan i stërmadh u quajt deti me metal të shkrirë. (1 Mbretërve 7:23-26) Ish-përgjegjësi teknik në Këshillin Kërkimor Kombëtar të Kanadasë, Albert Zuidof, thotë në revistën Biblical Archeologist: «Pa dyshim ishte një nga veprat më të mëdha të inxhinierisë që ishte ndërmarrë ndonjëherë në kombin hebraik.»

Si u ndërtua deti me metal të shkrirë? «Mbreti i derdhi [pajisjet prej bakri] në kallëpe argjile në Krahinën e Jordanit»,​—thuhet në Bibël. (1 Mbretërve 7:45, 46, BR) Zuidofi thotë: «Derdhja duhet të ketë qenë e ngjashme me metodën e ‘tretjes së dyllit’ që përdoret ende për kambanat e mëdha prej bronzi.» Ai shpjegon: «Në thelb ajo do të ketë përfshirë një model të kazanit prej dylli, të vendosur përmbys mbi zemrën plotësisht të tharë të kallëpit të derdhjes. . . . Pas përfundimit të modelit, metalshkrirësit duhet të kenë ndërtuar kallëpin e jashtëm mbi modelin prej dylli dhe e kanë lënë të thahet. Hapat e fundit do të kenë qenë heqja e dyllit duke e tretur dhe derdhja e bronzit të lëngshëm në zbrazëtirën e krijuar.»

Për shkak të përmasave dhe të peshës së madhe të detit me metal të shkrirë, u deshën aftësi të mëdha për ta bërë atë. Struktura e brendshme e zemrës dhe kallëpi i jashtëm duhej të përballonin trysninë që ushtronte bakri i shkrirë, rreth 30 tonë, dhe derdhja u desh të bëhej në një proces të vazhdueshëm për të parandaluar plasaritje ose të meta të tjera. Ndoshta për këtë u deshën disa furra të lidhura mes tyre për derdhjen e metalit të shkrirë brenda kallëpit. Çfarë vepre e jashtëzakonshme që ishte!

Në lutjen gjatë përurimit të tempullit mbreti Solomon ia dha meritën për të gjithë punën e tempullit Perëndisë Jehova. Ai tha: «Ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.»​—1 Mbretërve 8:24.