Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Premtime të cilave mund t’u besoni

Premtime të cilave mund t’u besoni

Premtime të cilave mund t’u besoni

MIKEA, një profet i Perëndisë, e dinte se premtimet shpesh mund të jenë boshe. Në kohën e tij, as shokut më të ngushtë s’mund t’i zije besë gjithnjë se do ta mbante fjalën. Kështu që Mikea paralajmëroi: «Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd.»​—Mikea 7:5.

A lejoi Mikea që kjo gjendje e keqe ta bënte të mos i zinte besë asnjë premtimi? Jo! Ai shprehu besim të plotë te premtimet që kishte bërë Perëndia i tij, Jehovai. «Por unë,​—shkroi Mikea,​—do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim.»​—Mikea 7:7.

Pse ishte kaq i sigurt Mikea? Sepse e dinte që Jehovai e mban gjithnjë fjalën. Çdo gjë që Perëndia u kishte premtuar etërve të Mikeas kishte ndodhur me pikë e me presje. (Mikea 7:20) Meqë Jehovai ishte treguar i besueshëm në të kaluarën, Mikea kishte çdo arsye që të besonte se Ai do ta mbante fjalën edhe në të ardhmen.

‘Nuk ka rënë përtokë asnjë fjalë’

Për shembull, Mikea e dinte se Jehovai i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt. (Mikea 7:15) Josiu, i cili ishte vetë i pranishëm gjatë këtij çlirimi, i inkurajoi izraelitët e tjerë që të kishin besim te të gjitha premtimet e Perëndisë. Mbi çfarë baze? «Pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,​—u kujtoi Josiu,​—që nuk ka rënë përtokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra përtokë.»​—Josiu 23:14.

Izraelitët e dinin mirë se Jehovai kishte bërë gjëra të mrekullueshme për ta. E kishte përmbushur premtimin që i kishte bërë Abrahamit, paraardhësit të tyre me frikë Perëndie. Premtimi ishte që pasardhësit e tij do të bëheshin të shumtë si yjet e qiellit dhe do të merrnin në zotërim tokën e Kanaanit. Jehovai i kishte thënë Abrahamit edhe se pasardhësit e tij do të mundoheshin për 400 vjet, por do të ktheheshin në Kanaan «në brezin e katërt». Që të gjitha këto ndodhën.​—Zanafilla 15:5-16; Eksodi 3:6-8.

Në ditët e Jozefit, birit të Jakobit, izraelitët u pritën mirë në Egjipt. Më vonë, egjiptianët, në mënyrë mizore, i vunë në punë të detyruar si skllevër. Por ashtu siç kishte premtuar Perëndia, pasi kaluan katër breza njëri pas tjetrit që nga koha kur hynë në Egjipt, këta pasardhës të Abrahamit u çliruan nga skllavëria egjiptiane. *

Gjatë 40 viteve që pasuan, izraelitët morën prova të mëtejshme se Jehovai i mban gjithnjë premtimet. Kur amalekitët i sulmuan padrejtësisht izraelitët, Perëndia luftoi për të mbrojtur popullin e tij. Ua plotësoi të gjitha nevojat materiale gjatë udhëtimit 40-vjeçar në shkretëtirë dhe përfundimisht i vendosi në Tokën e Premtuar. Ndërsa i bënte një rishikim mënyrës se si kishte vepruar Jehovai me këta pasardhës të Abrahamit gjatë historisë, Josiu mundi të thoshte me plot gojën: «Nuk ra përtokë asnjë nga fjalët që Zoti i pati thënë shtëpisë së Izraelit; të tëra u vërtetuan.»​—Josiu 21:45.

Krijoni besim te premtimet e Perëndisë

Si mund të krijoni besim te premtimet e Jehovait, ashtu siç bënë Mikea dhe Josiu? Po mirë, normalisht si e krijoni besimin te të tjerët? Zakonisht përpiqeni të mësoni sa më shumë që të mundeni për ta. Për shembull, e kuptoni sa të besueshëm janë duke vënë re se si përpiqen t’i mbajnë të gjitha premtimet që bëjnë. Duke i njohur gjithnjë e më shumë këta njerëz, dalëngadalë arrini të keni besim tek ata. Mund të bëni të njëjtën gjë për të krijuar besim te premtimet e Perëndisë.

Një mënyrë si ta bëni këtë është duke medituar për krijimin dhe për ligjet që e drejtojnë. Shkencëtarët janë shumë të sigurt për këto ligje, si për shembull për ligjet që drejtojnë ndarjen dhe shumimin e një qelize të vetme njerëzore për të prodhuar miliarda qelizat që përbëjnë trupin tonë. Pra, ligjet që drejtojnë lëvizjen e materies dhe të energjisë në gjithë universin duhet të jenë vendosur patjetër nga një Ligjvënës tërësisht i besueshëm. Me siguri atëherë mund t’u besoni premtimeve të tij, ashtu siç u besoni ligjeve që drejtojnë krijimin e tij.​—Psalmi 139:14-16; Isaia 40:26; Hebrenjve 3:4.

Nëpërmjet profetit Isaia, që ishte bashkëkohës i Mikeas, Jehovai përdori rregullsinë e stinëve dhe ciklin mahnitës të qarkullimit të ujit, për të ilustruar besueshmërinë e fjalës së tij. Shirat binin çdo vit. E vaditnin tokën, duke u dhënë mundësi njerëzve të mbillnin dhe të korrnin prodhimet. Lidhur me këtë, Jehovai tha: «Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbijë në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»​—Isaia 55:10, 11.

Premtime të sigurta për parajsën

Duke parë krijimin mund të arrini të keni besim te Krijuesi, por nëse doni të mësoni për premtimet që janë pjesë e ‘fjalës që del nga goja e tij’, nevojitet diçka më shumë. Që të mësoni për këto premtime e pastaj t’u besoni atyre, duhet të shqyrtoni dokumentimin biblik që frymëzoi Perëndia, ku gjenden qëllimi i tij për tokën dhe mënyra si është sjellë me njerëzimin.​—2 Timoteut 3:14-17.

Profeti Mikea kishte besim te premtimet e Jehovait. Por ne sot kemi më shumë dokumentime të frymëzuara nga Perëndia, sesa kishte Mikea në kohën e tij. Po ta lexoni Biblën e të meditoni rreth saj, edhe ju mund të krijoni besimin se premtimet e Perëndisë do të përmbushen. Këto premtime s’kanë të bëjnë vetëm me pasardhësit natyrorë të Abrahamit, por me gjithë njerëzimin. Jehovai i premtoi këtij patriarku që i frikësohej atij: «Në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës, pasi ti ma dëgjove fjalën.» (Zanafilla 22:18, DSF) Pjesa kryesore e «farës» ose e pasardhësve të Abrahamit është Mesia, Jezu Krishti.​—Galatasve 3:16.

Me anë të Jezu Krishtit, Jehovai do të kujdeset që i gjithë njerëzimi i bindur të marrë bekime. Por, çfarë ka premtuar të bëjë Perëndia në kohën tonë? Mikea 4:1, 2 përgjigjet me këto fjalë profetike: «Në kohët e fundit do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet përmbi kodrat dhe aty do të vijnë popujt. Do të vijnë shumë kombe dhe do të thonë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’»

Ata që mësojnë për rrugët e Jehovait, ‘me shpatat e tyre farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj’. Çfarëdolloj prirjeje luftarake zhduket. Së shpejti, toka do të mbushet me njerëz të drejtë dhe askush nuk do të dridhet nga frika. (Mikea 4:3, 4) Po, Fjala e Perëndisë premton se nën sundimin e Mbretërisë me mbret Jezu Krishtin, Jehovai do ta çlirojë tokën nga të gjithë shtypësit.​—Isaia 11:6-9; Danieli 2:44; Zbulesa 11:18.

Edhe ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur si pasojë e rebelimit të njeriut kundër Perëndisë, do të ringjallen me shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë. (Gjoni 5:28, 29) Satanai dhe demonët e tij, ata që nxitin ligësinë, do të jenë zhdukur nga skena, dhe pasojat e mëkatit të Adamit do të hiqen nëpërmjet flijimit shpërblyes të Jezuit. (Mateu 20:28; Romakëve 3:23, 24; 5:12; 6:23; Zbulesa 20:1-3) Po me njerëzit e bindur çfarë do të ndodhë? Ata do të bekohen me jetën e përhershme dhe me një shëndet të përsosur në një tokë parajsore.​—Psalmi 37:10, 11; Luka 23:43; Zbulesa 21:3-5.

Sa premtime të bukura! Por, a mund t’u besoni? Patjetër që po. Këto nuk janë premtime që i bëjnë njerëz me qëllime të mira, por që nuk kanë fuqinë për t’i mbajtur. Janë premtimet e Perëndisë së Plotfuqishëm, i cili nuk mund të gënjejë dhe që «nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij». (2 Pjetrit 3:9; Hebrenjve 6:13-18) Mund të keni besim të plotë në të gjitha premtimet që gjenden në Bibël, sepse Burimi i tyre është ‘Zoti, Perëndia i së vërtetës’.​—Psalmi 31:5.

[Shënimi]

^ par. 8 Shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi I, faqet 911-912, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 6]

«Nuk ka rënë përtokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë.»​—JOSIU 23:14

[Figurat në faqet 4, 5]

Jehovai i mbajti premtimet që i bëri Izraelit në Detin e Kuq dhe në shkretëtirë

[Figurat në faqen 7]

Jehovai e përmbushi premtimin që i bëri Abrahamit. Fara e tij, Jezu Krishti, do t’i sjellë bekime njerëzimit