Premtimeve të kujt mund t’u besoni?
Premtimeve të kujt mund t’u besoni?
«PREMTIMET e tij, ashtu si vetë ai në atë kohë, ishin të fuqishme, por arritjet e tij, ashtu siç është edhe vetë tani, s’janë asgjë.»—Henriku VIII, nga Uilliam Shekspiri.
Premtimet e fuqishme për të cilat foli Shekspiri ishin ato që kishte bërë kardinali anglez Tomas Uollsej, i cili ushtronte ndikim të madh politik në Angli gjatë shekullit të 16-të. Disa do të thoshin se këto fjalë të Shekspirit mund të thuhen fare mirë për shumicën e premtimeve që dëgjohen sot. Në mënyrë të vazhdueshme njerëzve u bëhen shumë premtime, por pak prej tyre mbahen. Prandaj, nuk është e vështirë të kuptojmë pse shohin me dyshim çfarëdo premtimi.
Shumë zhgënjime
Për shembull, në Ballkan, gjatë konfliktit të tmerrshëm të viteve 90, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e shpalli qytetin boshnjak të Srebrenicës «zonë të sigurt», të mbrojtur nga trupat paqeruajtëse. Kjo dukej sikur ishte një garanci e besueshme e dhënë nga komuniteti ndërkombëtar. Mijëra refugjatë myslimanë në Srebrenicë mendonin kështu. Mirëpo, në fund premtimi se ajo zonë ishte e sigurt s’pati asnjë vlerë. (Psalmi 146:3) Në korrik të vitit 1995 forcat sulmuese i mënjanuan forcat e Kombeve të Bashkuara dhe sulmuan e pushtuan qytetin. Më shumë se 6.000 myslimanë u zhdukën dhe të paktën 1.200 civilë myslimanë u vranë.
Në çdo fushë të jetës, ka plot premtime që thuhen, e pastaj s’mbahen. Njerëzit ndihen të mashtruar nga «reklamat e shumta të rreme e mashtruese» që i bombardojnë sot. Janë të zhgënjyer nga «premtimet e shkelura që u kishin bërë nëpër fushata mijëra politikanë». (The New Encyclopædia Britannica, Vëllimi 15, faqja 37) Udhëheqës fetarë, te të cilët njerëzit kanë besim, premtojnë se do të kujdesen për kopetë e tyre, por abuzojnë me to në mënyrën më të neveritshme. Edhe në profesione të tilla, si arsimi dhe mjekësia, që mendohet se udhëhiqen nga dhembshuria dhe interesimi për të tjerët, disa kanë përfituar nga besimi që u japin njerëzit dhe i kanë shfrytëzuar ose edhe vrarë ata që kishin nën kujdes. Nuk habitemi që Bibla na paralajmëron të mos i zëmë besë çdo fjale.—Fjalët e urta 14:15.
Premtime që mbahen
Sigurisht, shumë njerëz e mbajnë fjalën që japin, edhe pse nganjëherë kjo u kushton shumë. (Psalmi 15:4) Fjala është ajo që i lidh, prandaj e mbajnë atë. Të tjerë dëshirojnë sinqerisht t’i mbajnë premtimet që i bëjnë me qëllime vërtet të mira. Janë gati dhe dëshirojnë të bëjnë atë që kanë premtuar, por thjesht nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. Rrethanat mund të bëjnë të dështojnë edhe planet më fisnike.—Predikuesi 9:11.
Cilado qoftë arsyeja, realiteti është që shumë njerëz e kanë vërtet të vështirë t’u zënë besë premtimeve të çdokujt. Atëherë lind pyetja: A ka ndonjë premtim të cilit mund t’i besojmë? Po, ka. Mund t’u besojmë premtimeve që gjenden në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Pse të mos shqyrtoni çfarë thotë artikulli vijues për këtë temë? Edhe ju mund të arrini në përfundimin që kanë arritur tashmë miliona veta, se premtimeve të Perëndisë mund t’u zëmë vërtet besë.
[Burimi i figurës në faqen 3]
AP Photo/Amel Emric