Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në cilat rrethana Juda pati marrëdhënie seksuale me një grua që e mendonte si prostitutë, siç thuhet te Zanafilla 38:15, 16?

Ndonëse Juda pati marrëdhënie seksuale me një grua që e mendonte si prostitutë, në të vërtetë ajo nuk ishte e tillë. Sipas kapitullit të 38-të të Zanafillës, ja se çfarë ndodhi:

Djali i madh i Judës vdiq para se të lindte djem me gruan e tij, Tamarën. Kjo ndodhi sepse ai «ishte i keq në sytë e Zotit». (Zanafilla 38:7) Në atë kohë praktikohej zakoni i martesës me kunatin. Kjo do të thoshte që kur një burrë vdiste pa lënë trashëgimtar, i vëllai duhej të martohej me vejushën, për t’i siguruar trashëgimtar. Mirëpo, djali i dytë i Judës, Onani, nuk donte ta përmbushte këtë detyrim. Prandaj edhe ai vdiq si pasojë e gjykimit nga Perëndia. Atëherë Juda e dërgoi nusen e djalit, Tamarën, tek i ati i saj derisa t’i rritej djali i tretë, Shelahu, e të mund të martohej me të. Por, ndonëse kaluan kohë, Juda nuk e martoi Shelahun me Tamarën. Atëherë, kur vetë Judës i vdiq e shoqja, Tamara kurdisi një plan për të pasur trashëgimtar nga Juda, izraeliti që kishte qenë vjehrri i saj. Këtë e bëri duke u maskuar si një prostitutë tempulli dhe duke u ulur buzë rrugës nga do të kalonte Juda.

Duke mos e njohur Tamarën, Juda pati marrëdhënie seksuale me të. Me zgjuarsi, ajo i mori disa sende personale si shpërblim për këto favore që i bëri e më vonë me to provoi se kishte qenë ai që e kishte lënë shtatzënë. Kur doli në shesh e vërteta, Juda nuk ia vuri fajin asaj, por tha me përulësi: «Ajo është më e drejtë se unë, se unë nuk ia dhashë Shelahut, birit tim.» E, në mënyrë më se të përshtatshme, «nuk pati më marrëdhënie me të».​—Zanafilla 38:26.

Juda bëri gabim që nuk ia dha Tamarën birit të tij, Shelahut, siç kishte premtuar. Gjithashtu pati marrëdhënie seksuale me një grua që e mendonte si prostitutë tempulli. Kjo ishte në kundërshtim me qëllimin e Perëndisë, sipas të cilit njeriu duhej të kishte marrëdhënie seksuale vetëm brenda martesës. (Zanafilla 2:24) Mirëpo, e vërteta është se Juda nuk pati marrëdhënie seksuale me një prostitutë. Ai vetëm se pa e ditur zuri vendin e Shelahut, birit të tij, për të kryer martesën me kunatin e për t’i dhënë një pasardhës të ligjshëm.

Sa për Tamarën, veprimet e saj nuk ishin imorale. Binjakët që lindi nuk u quajtën bij të kurvërisë. Kur Boazi nga Betlehemi mori për grua moabiten Ruthë, duke kryer martesën e kunatit, pleqtë e Betlehemit folën mirë për Perezin, djalin e Tamarës. Ata i thanë Boazit: «Shtëpia jote u bëftë si shtëpia e Peretsit, që Tamara i lindi Judës, për shkak të pasardhësve që Zoti do të të japë nga kjo e re.» (Rutha 4:12) Gjithashtu Perezi radhitet ndër paraardhësit e Jezu Krishtit.​—Mateu 1:1-3; Luka 3:23-33.