Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i japim lavdi Perëndisë jo njerëzve

T’i japim lavdi Perëndisë jo njerëzve

T’i japim lavdi Perëndisë jo njerëzve

GJATË muajve të fundit, ata që e duan drejtësinë anembanë globit mësuan si t’i japin lavdi Perëndisë kur u mblodhën në Kongreset Krahinore të Dëshmitarëve të Jehovait «T’i japim lavdi Perëndisë». Le të rishikojmë pak programin e arsimimit biblik që u paraqit atje.

Për shumicën e kongresistëve, programi i bazuar në Bibël u zhvillua në tri ditë njëra pas tjetrës. Kurse për ata që patën mundësinë të merrnin pjesë në kongreset e veçanta ndërkombëtare ky program u zhvillua në katër ditë. Në të gjitha kongreset, të pranishmit dëgjuan më shumë se 30 pjesë të bazuara në Shkrime, përfshirë edhe fjalime që thelluan çmueshmërinë për gjërat frymore, përvoja që forcuan besimin, demonstrime që theksuan përdorimin praktik të parimeve biblike dhe një dramë me kostume që përshkruante vështirësitë që hasën të krishterët e shekullit të parë. Nëse keni marrë pjesë në ndonjërin nga kongreset, pse të mos u hidhni një sy shënimeve tuaja ndërsa lexoni këtë artikull? Jemi të sigurt se kjo do t’ju sjellë ndër mend kujtime të bukura nga një gosti e pasur frymore, si dhe do t’ju ndërtojë.

Tema e ditës së parë: «Ti je i denjë, o Jehova, . . . të marrësh lavdinë»

Pas këngës dhe lutjes hapëse, oratori i parë u dha një mirëseardhje të ngrohtë të pranishmëve me një fjalim që theksonte qëllimin kryesor të kongresit: «Të mbledhur për t’i dhënë lavdi Perëndisë». Duke cituar Zbulesën 4:11, oratori theksoi temën kryesore të kongresit. Ai menjëherë nxori në pah se çfarë do të thotë t’i japësh lavdi Perëndisë. Duke përdorur librin e psalmeve, theksoi se t’i japësh lavdi Perëndisë përfshin ‘ta adhurosh’, ‘ta falënderosh’ dhe ‘ta lëvdosh’.​—Psalmi 95:6; 100:4, 5; 111:1, 2.

Pjesa pas këtij fjalimi titullohej «Të bekuar janë ata që i japin lavdi Perëndisë». Oratori bëri një vërejtje interesante. Meqë ka më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait në 234 vende përreth globit, mund të thuhet se dielli nuk perëndon kurrë mbi ata që i sjellin lavdi Jehovait. (Zbulesa 7:15) Intervistat me disa motra dhe vëllezër të krishterë, të cilët janë në forma të ndryshme të shërbimit special në kohë të plotë, ishin një veçori e kësaj pjese që u çmua dhe i ngrohu zemrën auditorit.

Fjalimi pasues ishte «Krijimi shpall lavdinë e Perëndisë». Ndonëse në heshtje, qiejt fizikë lartësojnë madhështinë e Jehovait dhe na ndihmojnë të thellojmë çmueshmërinë tonë për kujdesin e tij të dashur. Kjo u shpjegua hollësisht dhe me kujdes.​—Isaia 40:26.

Përndjekja, kundërshtimi, ndikimet e botës, dhe prirjet mëkatare vënë në provë integritetin e të krishterëve të vërtetë. Prandaj fjalimi «Të ecim në udhën e integritetit» meritonte vëmendje të madhe nga auditori. Pasoi një trajtim varg për varg i psalmit 26, bashkë me intervistat që iu bënë një Dëshmitari në moshë shkollore që u ishte përmbajtur me vendosmëri parimeve morale dhe një tjetri që kishte kaluar shumë kohë duke u zbavitur me gjëra të dyshimta, por që kishte marrë hapa për ta kapërcyer këtë problem.

Fjalimi kyç «Vegimet e lavdishme profetike na nxitin të ecim përpara» përfundoi programin e paradites. Oratori përmendi shembullin e Danielit dhe të apostujve Gjon e Pjetër, besimi i të cilëve u fuqizua nga vegimet e lavdishme profetike që lidhen me vendosjen dhe veprimtarinë e Mbretërisë Mesianike të Perëndisë. Në lidhje me ata individë që mund ta kenë humbur nga sytë dëshminë e qartë që provon se jemi në kohën e fundit, oratori tha: «Shpresojmë sinqerisht që ata të përqendrohen përsëri në realitetin e pranisë së Krishtit në lavdinë e Mbretërisë dhe të ndihmohen që të rifitojnë forcën frymore.»

Programi i pasdites filloi me një fjalim të titulluar «Lavdia e Jehovait u zbulohet të përulurve». Oratori tregoi se si Jehovai na lë shembullin për përulësinë, edhe pse ai është Personi më i lartë në univers. (Psalmi 18:35, BR) Jehovai u jep hir atyre që janë vërtet të thjeshtë ose të përulur, por u kundërvihet atyre që duken sikur janë të përulur vetëm kur kanë të bëjnë me moshatarët ose me eprorët, por pastaj sillen ashpër me ata që kanë nën mbikëqyrje.​—Psalmi 138:6.

Pastaj profecia biblike u paraqit në një simpozium që theksonte anë të ndryshme të temës qendrore: «Profecia e Amosit: Mesazhi i saj për ditët tona». Ndërsa nxirrte në pah shembullin e Amosit, oratori i parë e drejtoi vëmendjen te përgjegjësia që kemi për të paralajmëruar njerëzit për gjykimin e ardhshëm të Jehovait. Tema e fjalimit të tij ishte «Ta themi me guxim Fjalën e Perëndisë». Oratori i dytë ngriti pyetjen: «A do t’i japë fund ndonjëherë Jehovai ligësisë dhe vuajtjeve në tokë?» Pjesa e tij «Gjykimi hyjnor kundër të ligjve», tregoi se gjykimi hyjnor është gjithnjë i merituar, është i pashmangshëm dhe është përzgjedhës. Oratori që mbylli simpoziumin i kushtoi vëmendje temës «Jehovai shqyrton zemrën». Ata që dëshirojnë me zjarr të kënaqin Jehovain do t’ju vënë veshin fjalëve të Amosit 5:15: «Urreni te keqen, dashuroni të mirën.»

Pijet alkoolike, si për shembull vera që gëzon zemrën, mund të keqpërdoren. Në fjalimin e tij «Të shmangim grackën e abuzimit me alkoolin», oratori renditi rreziqet fizike dhe frymore që vijnë nga përdorimi jo i përkorë i alkoolit, edhe nëse dikush nuk dehet. Ai dha një parim që na drejton: meqë sasia e alkoolit që mund të mbajë një individ ndryshon nga një njeri te tjetri, çfarëdo sasie që të dëmton «mençurinë praktike dhe aftësinë e të menduarit» është tepër për ty personalisht.​—Proverbat 3:21, 22, BR.

Meqenëse po jetojmë në kohë kritike, pjesa tjetër «Jehovai, ‘fortesa jonë në kohë vuajtjesh’» e ngushëlloi auditorin. Lutja, fryma e shenjtë dhe të krishterët e tjerë mund të na ndihmojnë t’ia dalim mbanë.

Fjalimi i fundit për atë ditë «‘Vendi i mirë’​—Pamje paraprake e parajsës» përfundoi me një surprizë të gëzueshme për të gjithë: një botim i ri me shumë harta biblike. Titullohet Të shohim vendin e mirë.

Tema e ditës së dytë: «Shpallni mes kombeve lavdinë e tij»

Pas shqyrtimit të shkrimit të ditës u paraqit, simpoziumi i dytë i kongresit, me temë «Të pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait». Në pjesën e parë u shtjellua hollësisht tema «Ta përhapim lajmin e mirë kudo» dhe u përfshi vënia në skenë e përvojave reale nga shërbimi në fushë. Pjesa e dytë përfshiu një demonstrim të një rivizite, ndërsa oratori paraqiste temën «T’u heqim velin atyre që janë të verbuar». Pjesa e fundit, e titulluar «Të bëjmë edhe më shumë në shërbim», u pasurua me intervista interesante, përfshirë edhe përvoja nga shërbimi.

Pjesa tjetër në program titullohej «Të urryer pa shkak». Përfshinte intervista inkurajuese të individëve besnikë, të cilët me anë të forcës së Perëndisë mbajtën integritetin gjatë kundërshtimit.

Një gjë që mezi pritet në kongres është fjalimi i pagëzimit, pas të cilit të gjithë kandidatët e kualifikuar zhyten plotësisht në ujë. Pagëzimi në ujë simbolizon kushtimin e plotë të një individi ndaj Jehovait. Prandaj tema ishte shumë e përshtatshme «Duke jetuar në lartësinë e kushtimit tonë, i japim lavdi Perëndisë».

Programi i pasdites filloi me një fjalim që nxiste vetëshqyrtimin «Të zhvillojmë një pikëpamje si e Krishtit për madhështinë». Oratori nxori në pah këtë pikë interesante: madhështia vjen duke imituar përulësinë e Krishtit. Kështu që një i krishterë nuk duhet të kërkojë të ketë përgjegjësi për të kënaqur ambicien e vet. Duhet të pyesë veten: ‘A jam i gatshëm të kryej punë të dobishme që të tjerët nuk i vënë re menjëherë?’

A ndiheni ndonjëherë të lodhur? Përgjigjja është e qartë. Fjalimi «Të lodhur fizikisht, por jo frymësisht» u vlerësua nga të gjithë. Intervistat e atyre që kanë qenë Dëshmitarë për një kohë të gjatë treguan se Jehovai mund të na bëjë «të fuqishëm . . . nëpërmjet frymës së tij».​—Efesianëve 3:16.

Bujaria është një cilësi që nuk e kemi që kur lindim, por duhet mësuar. Kjo pikë kyçe u nxor në pah nga pjesa «Të jemi dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët». Dhe u bë kjo pyetje që të vë në mendime: «A jemi gati të harxhojmë disa minuta të ditës sonë me vëllezërit dhe motrat që janë të moshuar, të sëmurë, të shkurajuar ose të vetmuar?»

Fjalimi «Të ruhemi nga ‘zëri i të panjohurve’» tërhoqi vëmendjen e auditorit. Në këtë fjalim ithtarët e Jezuit u krahasuan me delet që dëgjojnë vetëm zërin e tij si «bariu i shkëlqyer» dhe nuk e dëgjojnë «zërin e të panjohurve», zë që nxjerrin shumë elementë njerëzorë, të ndikuar nga Djalli.​—Gjoni 10:5, 14, 27.

Një kor duhet të këndojë në harmoni, që të kuptohet. Që t’i japin lavdi Perëndisë, adhuruesit e vërtetë anembanë botës duhet të jenë të bashkuar. Prandaj «T’i japim lavdi Perëndisë ‘me një gojë’» dha udhëzime dobiprurëse për mënyrat si mund të flasim të gjithë ‘gjuhën e vetme të kulluar’ dhe t’i shërbejmë Jehovait «sup më sup».​—Sofonia 3:9, BR.

Prindërit, sidomos ata me fëmijë të vegjël, u kënaqën tej mase nga fjalimi i fundit i ditës «Fëmijët tanë janë një trashëgimi e çmuar». Doli një botim i ri me 256 faqe, që ishte një surprizë e këndshme për auditorin. Të mësojmë nga Mësuesi i Madh është një libër që do t’i ndihmojë prindërit të kalojnë kohë të vlefshme duke folur me fëmijët për gjërat frymore. Fëmijët janë dhurata që Perëndia u ka bërë prindërve.

Tema e ditës së tretë: «Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë»

Përkujtuesit që marrim nga shkrimi i ditës hapën ditën e fundit të kongresit me mendime frymore. Pjesa e parë e programit të kësaj dite i kushtoi vëmendje të mëtejshme familjes. Fjalimi i parë «Prindër, forconi familjen tuaj» përgatiti mendjen e auditorit për pjesët që pasuan. Pasi u rishikuan përgjegjësitë që kanë prindërit për të siguruar gjërat materiale për familjarët e tyre, oratori tregoi se përgjegjësia kryesore e prindërve është t’u plotësojnë fëmijëve nevojat frymore.

Oratori pasues iu drejtua fëmijëve e të rinjve dhe shqyrtoi temën: «Si po e lëvdojnë të rinjtë Jehovain?» Ai tha se të rinjtë dhe fëmijët janë si ‘vesa’ ose pika vese, sepse janë të shumtë në numër dhe zelli i tyre rinor është freskues. Të rriturit janë të kënaqur që mund të punojnë me ta në shërbim të Jehovait. (Psalmi 110:3) Kjo pjesë përfshiu edhe intervista të bukura me të rinj e fëmijë shembullorë.

Dramat biblike me kostume janë gjithnjë një veçori emocionuese e kongreseve krahinore, dhe ky kongres nuk bënte përjashtim. Drama «Dëshmojnë me guxim përballë kundërshtimit» përshkruante ithtarët e Jezuit në shekullin e parë. Nuk ishte vetëm për t’u zbavitur, por çka është më e rëndësishmja, ishte ndërtuese. Fjalimi që u bë pas dramës «Ta shpallim ‘pareshtur’ lajmin e mirë» theksoi pikat më të rëndësishme të dramës.

Të gjithë të pranishmit po pritnin me padurim fjalimin publik «Cilët po i japin lavdi Perëndisë sot?», një pikë kulmore e programit të së dielës. Oratori tregoi se elementë në fushat shkencore dhe fetare në përgjithësi nuk i kanë dhënë lavdi Perëndisë. Vetëm pjesëtarët e popullit që mban emrin e Tij, ata që predikojnë dhe mësojnë të vërtetën për Jehovain, po i japin me të vërtetë lavdi Perëndisë sot.

Fjalimi publik u pasua nga një përmbledhje e artikullit të studimit të Kullës së Rojës për atë javë. Pastaj ishte fjalimi i fundit «‘Të vazhdojmë të japim shumë fryt’ për lavdi të Jehovait». Oratori paraqiti një rezolutë me dhjetë pika, që të gjithë të pranishmit ta miratonin. Kjo rezolutë përqendrohej në disa mënyra se si mund t’i jepet lavdi Jehovait, Krijuesit. Një «Po» e njëzëshme ushtoi në të gjitha kongreset nga njëri skaj i tokës në tjetrin.

Kështu kongresi u mbyll ndërsa tema «T’i japim lavdi Perëndisë» jehonte në veshët e çdo të pranishmi. Le të kërkojmë gjithnjë që, me ndihmën e frymës së Jehovait dhe të pjesës së dukshme të organizatës së tij, t’i japim lavdi Perëndisë, dhe jo njerëzve.

[Kutia dhe figurat në faqen 23]

Kongrese ndërkombëtare

Disa kongrese ndërkombëtare që zgjatën katër ditë u mbajtën në Afrikë, Amerikën e Jugut e të Veriut, Australi, Azi, dhe në Evropë. Disa Dëshmitarë nga vende të ndryshme përreth botës ishin ftuar si delegatë në këto grumbullime. Në këtë mënyrë pati «një shkëmbim inkurajimi» midis vizitorëve dhe atyre që i mikpritën. (Romakëve 1:12) U përtërinë miqësitë e vjetra dhe u krijuan miqësi të reja. Një veçori e kongreseve ndërkombëtare ishte pjesa në program, e titulluar «Raporte nga vende të tjera».

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

Botime të reja që i japin lavdi Perëndisë

Në kongreset krahinore «T’i japim lavdi Perëndisë» dolën dy botime të reja. Atlasi biblik Të shohim vendin e mirë ka kapak të fortë dhe 36 faqe me harta e fotografi të vendeve që përmenden në Bibël. Çdo faqe është plot me ngjyra dhe ka harta të perandorive të Asirisë, Babilonisë, Medo-Persisë, Greqisë dhe të Romës. Ka harta të veçanta që tregojnë zonat ku shërbeu Jezui dhe shtrirjen e krishterimit.

Të mësojmë nga mësuesi i madh është një libër me 256 faqe dhe afro 230 figura. Mund të mbahen studime të këndshme me fëmijët thjesht duke parë figurat e këtij libri dhe duke iu përgjigjur pyetjeve që të vënë në mendime. Ky botim i ri është bërë që fëmijët tanë t’u kundërpërgjigjen sulmeve të Satanait, i cili ka si qëllim të prishë moralin e tyre.

[Figura në faqen 23]

Misionarët treguan përvoja që të forcojnë besimin

[Figurat në faqen 24]

Pagëzimi ishte një veçori e rëndësishme e kongreseve «T’i japim lavdi Perëndisë»

[Figurat në faqen 24]

Dramat biblike i pëlqen i madh e i vogël