Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai na i plotëson nevojat e përditshme

Jehovai na i plotëson nevojat e përditshme

Jehovai na i plotëson nevojat e përditshme

«Mjaft ishit në pasiguri të ankthshme; sepse . . . Ati juaj e di se keni nevojë për këto gjëra.»​—LUKA 12:29, 30.

1. Si u siguron ushqim Jehovai krijesave të tij?

A KE parë ndonjëherë një harabel ose ndonjë zog tjetër duke çukitur mbi dhe? Ndoshta ke menduar se çfarë mund të gjejë duke çukitur në tokë. Në Predikimin në Mal Jezui tregoi se ne mund të nxjerrim një mësim nga mënyra se si Jehovai i ushqen zogjtë. Ai tha: «Shikoni me vëmendje zogjtë e qiellit, pasi ata nuk mbjellin farë, as korrin dhe as mbledhin në depo; megjithatë, Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata?» (Mateu 6:26) Në mënyra të mrekullueshme Jehovai u siguron ushqim të gjitha krijesave të tij.​—Psalmi 104:14, 21; 147:9.

2, 3. Çfarë mësimesh frymore mund të nxjerrim nga fakti që Jezui na mësoi të lutemi për bukën tonë të përditshme?

2 Atëherë, përse Jezui përfshiu në lutjen e tij model kërkesën: «Na jep sot bukën tonë për këtë ditë.» (Mateu 6:11) Nga kjo kërkesë e thjeshtë mund të nxjerrim mësime të thella frymore. Së pari ajo na kujton se Jehovai është në të vërtetë Ai që plotëson nevojat tona. (Psalmi 145:15, 16) Njerëzit mund mbjellin e të kultivojnë, por vetëm Perëndia mund t’i bëjë gjërat të rriten, si në kuptimin frymor, ashtu edhe në kuptimin fizik. (1 Korintasve 3:7) Çdo gjë që hamë dhe pimë është dhuratë nga Perëndia. (Veprat 14:17) Kur i kërkojmë atij që të na plotësojë nevojat e përditshme, tregojmë se nuk jemi mosmirënjohës për këto gjëra. Sigurisht që kjo kërkesë nuk na liron nga përgjegjësia që të punojmë, nëse jemi në gjendje për të punuar.​—Efesianëve 4:28; 2 Selanikasve 3:10.

3 Së dyti, kërkesa «bukën tonë për këtë ditë» tregon se nuk duhet të jemi jashtë mase në ankth për të ardhmen. Jezui tha më tej: «Kurrë të mos jeni në ankth e të thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Me se do të vishemi?’ Sepse të gjitha këto janë gjërat që kombet i kërkojnë me etje. Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen. Prandaj, kurrë të mos jeni në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» (Mateu 6:31-34) Lutja «bukën tonë për këtë ditë» na mëson që të bëjmë një jetë të thjeshtë përkushtimi hyjnor «bashkë me kënaqjen me atë që kemi».​—1 Timoteut 6:6-8.

Ushqim frymor ditë për ditë

4. Cilat ngjarje në jetën e Jezuit dhe të izraelitëve theksojnë se është e rëndësishme të përvetësojmë ushqim frymor?

4 Lutja për bukën e përditshme duhet të na kujtojë gjithashtu se kemi nevojë për ushqim të përditshëm frymor. Megjithëse ishte shumë i uritur pas një agjërimi të gjatë, Jezui nuk iu dorëzua tundimit të Satanait për t’i kthyer gurët në bukë, por tha: «Është shkruar: ‘Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.’» (Mateu 4:4) Këtu Jezui citoi profetin Moisi, i cili u tha izraelitëve: «[Jehovai] të bëri të ulësh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me mana që ti nuk e njihje dhe as etërit e tu s’e kishin njohur kurrë, me qëllim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.» (Ligji i përtërirë 8:3) Me mënyrën se si siguroi manën, Jehovai u dha izraelitëve jo vetëm ushqim të mirëfilltë, por edhe mësime frymore. Së pari ata duhej ‘të mblidhnin racionin e ditës’. Në qoftë se mblidhnin më tepër sesa mjaftonte për atë ditë, pjesa e mbetur fillonte të binte erë dhe të zinte krimba. (Eksodi [Dalja] 16:4, 20) Por kjo gjë nuk ndodhte ditën e gjashtë kur ata duhej të mblidhnin dyfishin e sasisë që mblidhnin çdo ditë, me qëllim që të plotësonin nevojat për Sabatin. (Eksodi 16:5, 23, 24) Kështu mana u nguliti atyre në mendje se duhej të ishin të bindur dhe se jeta e tyre nuk varej vetëm nga buka, por edhe nga ‘çdo fjalë që dilte nga goja e Zotit’.

5. Si na siguron Jehovai ushqim frymor çdo ditë?

5 Po kështu edhe ne kemi nevojë të ushqehemi çdo ditë me ushqimin frymor që na siguron Jehovai nëpërmjet Birit të tij. Për këtë qëllim Jezui ka emëruar ‘një skllav të besueshëm dhe të matur’ për të siguruar «ushqim në kohën e duhur» për familjen e besimit. (Mateu 24:45) Kjo klasë e skllavit të besueshëm jo vetëm siguron një bollëk ushqimi frymor me anë të mjeteve ndihmëse për studimin e Biblës, por edhe na nxit që ta lexojmë çdo ditë Biblën. (Jozueu [Josiu] 1:8; Psalmi 1:1-3) Ashtu si Jezui, edhe ne mund të marrim ushqim frymor duke u përpjekur çdo ditë për të mësuar dhe për të bërë vullnetin e Jehovait.​—Gjoni 4:34.

Falja e mëkateve

6. Për cilat borxhe duhet të kërkojmë falje? Me çfarë kushtesh është i gatshëm Jehovai t’i fshijë ato?

6 Kërkesa tjetër në lutjen model është: «Na i fal borxhet tona, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë.» (Mateu 6:12) Këtu Jezui nuk po fliste për borxhe në para. Ai kishte në mendje faljen e mëkateve tona. Në ungjillin e Lukës kjo kërkesë e lutjes model është shkruar: «Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne vetë falim këdo që na ka borxh.» (Luka 11:4) Pra kur mëkatojmë është sikur të hyjmë në borxh me Jehovain. Por Perëndia ynë i dashur është gati ‘të fshijë’ borxhin në qoftë se pendohemi me gjithë zemër, ‘kthehemi’ dhe i kërkojmë falje në bazë të besimit te flijimi shpërblerës i Krishtit.​—Veprat 3:19; 10:43; 1 Timoteut 2:5, 6.

7. Pse duhet t’i lutemi Perëndisë që të na falë çdo ditë?

7 Nga një këndvështrim tjetër, ne mëkatojmë kur nuk përputhemi me normat e Jehovait për drejtësinë. Për shkak të mëkatit të trashëguar, të gjithë mëkatojmë me fjalë, vepra dhe mendime ose nuk bëjmë atë që duhet të bëjmë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 7:20; Romakëve 3:23; Jakovit 3:2; 4:17) Prandaj, pavarësisht nëse jemi të ndërgjegjshëm që kemi mëkatuar gjatë ditës ose jo, duhet të përfshijmë në lutjet tona të përditshme një kërkesë për faljen e mëkateve.​—Psalmi 19:12; 40:12.

8. Çfarë duhet të na nxitë të bëjmë lutja për faljen e mëkateve? Cili do të jetë rezultati?

8 Pas lutjes për të kërkuar falje duhet të bëjmë një vetëshqyrtim të ndershëm, të pendohemi dhe të rrëfejmë mëkatet, në bazë të besimit në fuqinë shpenguese të gjakut të derdhur të Krishtit. (1 Gjonit 1:7-9) Për të treguar çiltërsinë e lutjes sonë, duhet ta mbështetim kërkesën për faljen e mëkateve me «vepra të denja për pendim». (Veprat 26:20) Atëherë mund të kemi besim se Jehovai është gati të na falë mëkatet. (Psalmi 86:5; 103:8-14) Rezultati do të jetë një paqe mendore e pakrahasueshme, «paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim», e cila si rrjedhim «do të ruajë zemrat [tona] dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu». (Filipianëve 4:7) Por lutja model e Jezuit na mëson edhe më shumë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar faljen e mëkateve.

Që të fitojmë falje, duhet të falim

9, 10. (a) Çfarë shpjegimi shtoi Jezui pas lutjes model? Çfarë theksonte ajo? (b) Si e ilustroi më tej Jezui se duhet të jemi të gatshëm për të falur?

9 Është interesante që kërkesa «na i fal borxhet tona, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë» është e vetmja pjesë e lutjes model të cilën Jezui e shpjegoi paksa. Pasi mbaroi lutjen ai shtoi: «Sepse, po t’ua falni njerëzve shkeljet e tyre, Ati juaj qiellor do t’ju falë edhe juve; ndërsa, po të mos ua falni njerëzve shkeljet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.» (Mateu 6:14, 15) Pra Jezui e tregoi shumë qartë se Jehovai na fal me kusht që ne të jemi gati të falim të tjerët.​—Marku 11:25.

10 Në një rast tjetër Jezui dha një ilustrim duke treguar se duhet të jemi të gatshëm për të falur, nëse presim që Jehovai të na falë. Ai foli për një mbret që me bujari i fali një borxh jashtë mase të madh një skllavi. Më vonë mbreti e ndëshkoi ashpër këtë njeri kur ai nuk pranoi t’i falte një skllavi tjetër një borxh shumë më të vogël. Jezui e përfundoi ilustrimin duke thënë: «Në mënyrë të ngjashme do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, po të mos e falni secili vëllanë e tij nga zemra.» (Mateu 18:23-35) Mësimi është i qartë: borxhi i mëkatit që Jehovai i ka falur secilit prej nesh është shumë më i madh se çdo shkelje që mund të ketë kryer ndokush ndaj nesh. Për më tepër, Jehovai na fal çdo ditë. Patjetër edhe ne mund t’i falim shkeljet që të tjerët kryejnë ndonjëherë ndaj nesh.

11. Cilat këshilla të apostullit Pavël do të ndjekim nëse presim që Jehovai të na falë? Cilat do të jenë rezultatet e shkëlqyera?

11 Apostulli Pavël shkroi: «Bëhuni mirëdashës ndaj njëri-tjetrit, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.» (Efesianëve 4:32) Falja e ndërsjellë nxit paqen mes të krishterëve. Pavli më tej dha nxitjen: «Si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë e të dashur, vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë. Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashurinë, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolosianëve 3:12-14) E gjithë kjo përfshihet në lutjen që na mësoi Jezui: «na i fal borxhet tona, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë».

Mbrojtje nën tundim

12, 13. (a) Cili nuk mund të ishte kuptimi i kërkesës së parafundit në lutjen model? (b) Kush është Tunduesi i madh? Çfarë do të thotë t’i lutemi Perëndisë të mos na çojë në tundim?

12 Kërkesa e parafundit në lutjen model të Jezuit është: «Mos na ço në tundim.» (Mateu 6:13) A donte të thoshte Jezui se duhet t’i kërkojmë Jehovait që të mos na tundojë? Nuk mund të jetë kështu, sepse dishepulli Jakov u frymëzua të shkruante: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po sprovohem nga Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovit 1:13) Për më tepër psalmisti shkroi: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?» (Psalmi 130:3) Jehovai nuk rri duke përgjuar për të parë çdo gabim tonin dhe sigurisht që nuk përpiqet të na tundojë. Atëherë, cili është kuptimi i kësaj pjese të lutjes model?

13 Ai që përpiqet të na tundojë, që të na rrëzojë nëpërmjet veprave dinake e madje të na përpijë është Satana Djalli. (Efesianëve 6:11) Ai është Tunduesi i madh. (1 Selanikasve 3:5) Kur lutemi të mos na çojë në tundim, po i kërkojmë Jehovait që të mos të lejojë të biem kur jemi nën tundim. Po i kërkojmë Atij që të mos «na e hedhë Satanai», të mos u dorëzohemi tundimeve. (2 Korintasve 2:11) Ne lutemi që të qëndrojmë në «strehën e Shumë të Lartit», duke pasur mbrojtjen frymore që u sigurohet atyre që pranojnë sovranitetin e Jehovait në gjithçka që bëjnë.​—Psalmi 91:1-3.

14. Si na siguron apostulli Pavël se Jehovai nuk do të na braktisë në qoftë se i drejtohemi atij kur jemi nën tundim?

14 Mund të jemi të sigurt që në rast se kjo është dëshira jonë e sinqertë, e shprehur në lutjet dhe veprimet tona, Jehovai nuk do të na braktisë kurrë. Apostulli Pavël na siguron: «Asnjë tundim nuk ju ka zënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit. Por Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»​—1 Korintasve 10:13.

«Na çliro nga i ligu»

15. Pse është më e rëndësishme se kurrë të lutemi që të çlirohemi nga i ligu?

15 Sipas dorëshkrimeve më të besueshme të Shkrimeve të Krishtere Greke lutja model e Jezuit përfundon me fjalët: «Na çliro nga i ligu.» * (Mateu 6:13) Mbrojtja nga Djalli është edhe më e nevojshme në këtë kohë të fundit. Satanai dhe demonët e tij po luftojnë kundër pjesëtarëve të mbetjes së mirosur, «të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin», si edhe kundër shokëve të tyre të ‘shumicës së madhe’. (Zbulesa 7:9; 12:9, 17) Apostulli Pjetër i paralajmëroi të krishterët: «Ruani gjykimin, jini vigjilentë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë dikë. Por ju kundërvijuni, të fortë në besim.» (1 Pjetrit 5:8, 9) Satanai do të dëshironte që ta ndalte veprën e dhënies së dëshmisë dhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij në tokë​—qofshin përfaqësues fetarë, tregtarë ose politikë​—ai përpiqet të na trembë. Por, nëse qëndrojmë të palëkundur, Jehovai do të na çlirojë. Dishepulli Jakov shkroi: «Nënshtrojuni Perëndisë; por kundërvijuni Djallit dhe ai do të ikë nga ju.»​—Jakovit 4:7.

16. Çfarë mjetesh ka në dispozicion Jehovai për të ndihmuar shërbëtorët e tij që janë nën sprova?

16 Jehovai lejoi që Biri i tij të tundohej. Por pasi Jezui iu kundërvu Djallit, duke përdorur Fjalën e Perëndisë si mbrojtje, Jehovai dërgoi engjëj që ta forconin. (Mateu 4:1-11) Po kështu Jehovai përdor engjëjt e tij për të na ndihmuar në qoftë se lutemi me besim dhe e shohim Atë si strehën tonë. (Psalmi 34:7; 91:9-11) Apostulli Pjetër shkroi: «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me devocion hyjnor, por të ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen.»​—2 Pjetrit 2:9.

Çlirimi i plotë është afër

17. Si i vendosi gjërat në radhën e duhur Jezui kur na dha lutjen model?

17 Në lutjen model Jezui i vendos gjërat në radhën e duhur. Shqetësimi ynë i parë duhet të jetë shenjtërimi i emrit të madh e të shenjtë të Jehovait. Meqë mjeti për ta shenjtëruar është Mbretëria Mesianike, ne lutemi që të vijë Mbretëria për të shkatërruar të gjitha qeveritë e papërsosura njerëzore dhe të bëjë të mundur që vullneti i Perëndisë të kryhet plotësisht si në qiell, edhe mbi tokë. Shpresa e jetës së përhershme në një parajsë në tokë varet nga shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe nga pranimi i sovranitetit të tij të drejtë anembanë universit. Pasi të lutemi për këto gjëra më të rëndësishme, mund të lutemi për nevojat tona të përditshme, për faljen e mëkateve dhe që të çlirohemi nga tundimet e nga dinakëritë e të ligut, Satana Djallit.

18, 19. Si na ndihmon lutja model e Jezuit që të qëndrojmë vigjilentë dhe ta mbajmë shpresën tonë «të patundur deri në fund»?

18 Çlirimi ynë i plotë nga i ligu dhe nga sistemi i tij i korruptuar po afrohet. Satanai e di mirë se i ka mbetur vetëm ‘një periudhë e shkurtër kohe’ për të shfryrë ‘zemërimin e tij të madh’ mbi tokë, sidomos mbi shërbëtorët besnikë të Jehovait. (Zbulesa 12:12, 17) Në shenjën e përbërë të «përfundimit të sistemit» Jezui paratha ngjarje emocionuese, disa nga të cilat do të ndodhin në të ardhmen e afërt. (Mateu 24:3, 29-31) Ndërsa do t’i shohim të ndodhin këto ngjarje, shpresa jonë për çlirim do të bëhet edhe më e ndritur. Jezui tha: «Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.»​—Luka 21:25-28.

19 Lutja model në formë të përmbledhur që Jezui u dha dishepujve na siguron një drejtim të besueshëm se çfarë të përfshijmë në lutjet tona teksa fundi afrohet. Le të vazhdojmë të jemi të sigurt se deri në fund Jehovai do të vazhdojë të na plotësojë nevojat e përditshme, qoftë frymore, qoftë materiale. Nëse qëndrojmë vigjilentë në lidhje me lutjet, ‘do ta mbajmë të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim’.​—Hebrenjve 3:14; 1 Pjetrit 4:7.

[Shënimi]

^ par. 15 Në disa përkthime të vjetra të Biblës, siç është Diodati, Lutja e Zotërisë përfundon me atë që njihet si doksologjia (një shprehje lavdie ndaj Perëndisë): «Sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen.» Në Komentarin biblik të Jeronimit thuhet: «Doksologjia . . . nuk gjendet në [dorëshkrimet] më të besueshme.»

Pyetje për rishikim

• Cilat gjëra nënkuptohen kur bëjmë kërkesën për «bukën tonë për këtë ditë»?

• Shpjegoni kërkesën «na i fal borxhet tona, sikurse edhe ne i kemi falur borxhlinjtë tanë».

• Çfarë do të thotë t’i kërkojmë Jehovait që të mos na çojë në tundim?

• Pse kemi nevojë të lutemi «na çliro nga i ligu»?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 15]

Që të fitojmë falje, duhet të falim

[Burimi i figurës në faqen 13]

Lydekker