Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kam përjetuar dashamirësinë dhe interesimin e Jehovait

Kam përjetuar dashamirësinë dhe interesimin e Jehovait

Jetëshkrim

Kam përjetuar dashamirësinë dhe interesimin e Jehovait

TREGUAR NGA FEJ KING

Prindërit e mi ishin dashamirës, por, ashtu si shumë të tjerëve, nuk u pëlqente fare feja. Mamaja thoshte: «Duhet të ketë një Zot, përndryshe kush i bëri lulet dhe kush i bëri pemët?» Por deri këtu shkonte besimi i saj fetar.

BABAI më vdiq në vitin 1939 kur isha 11 vjeçe dhe më pas jetova me mamanë në Stokport, në jug të Mançesterit në Angli. Kisha dashur gjithmonë të dija më shumë për Krijuesin dhe e respektoja Biblën, megjithëse nuk dija asgjë rreth saj. Prandaj vendosa të shkoja në kishën anglikane për të parë se çfarë mund të mësoja aty.

Shërbesat fetare nuk ndikonin shumë tek mua, por, kur lexoheshin ungjijtë, fjalët e Jezuit më bindnin disi se Bibla duhej të ishte e vërtetë. Kur mendoj për këtë gjë, më duket e çuditshme që nuk e lexoja vetë Biblën. Edhe më pas, kur një mike e familjes më dha një përkthim modern të «Besëlidhjes së Re», kurrë nuk u ula për ta lexuar.

Shpërthimi i luftës koreane në vitin 1950 më futi në mendime. A do të përhapej konflikti ashtu siç ishte përhapur Lufta e Dytë Botërore? Nëse do të përhapej, si mund t’i bindesha urdhrit të Jezuit për të dashur armiqtë? Megjithatë, a mund të rrija duarkryq e të shihja njerëzit që pushtonin vendin tim dhe të mos bëja gjë për t’i ndalur? Po të veproja kështu, do të isha duke iu shmangur përgjegjësisë që më takonte. Megjithëse isha shumë e trazuar në mendje, vazhdoja të isha e bindur se përgjigjet për të gjitha pyetjet e mia gjendeshin në Bibël, edhe pse nuk e kisha fare idenë se si ose ku t’i gjeja ato.

Kërkoj të vërtetën në Australi

Në vitin 1954, mamaja dhe unë vendosëm të emigronim në Australi, ku banonte ime motër, Xhina. Disa vjet më vonë Xhina më tha se u kishte kërkuar Dëshmitarëve të Jehovait që të më vizitonin, sepse e dinte që interesohesha për Biblën dhe shkoja në kishë. Ajo donte të zbulonte se çfarë mendoja për ta. «Nuk e di nëse shpjegimet e tyre janë ose jo të drejta,​—më tha me çiltërsi,​—por të paktën kanë shpjegime, dhe kjo është një gjë që kishat s’e kanë.»

Bill dhe Linda Shnajderi, çifti që më vizitoi, ishin të këndshëm. Ishin gati në të shtatëdhjetat dhe ishin Dëshmitarë prej shumë vitesh. Ata kishin punuar në stacionin radiofonik të Dëshmitarëve të Jehovait në Adelajde, dhe kur vepra e predikimit u ndalua në Australi gjatë Luftës së Dytë Botërore, u futën në radhët e pionierëve në kohë të plotë. Sado që Billi dhe Linda më ndihmonin, vazhdoja ende të shqyrtoja fe të ndryshme.

Një shoqe e punës më mori në një mbledhje të evangjelistit Billi Graham. Pas mbledhjes disa prej nesh takuam një klerik i cili na ftoi të bënim pyetje. Unë bëra një pyetje që ende më shqetësonte: «Si mund të jetë i krishterë dikush dhe të dojë armiqtë e tij kur shkon e i vret ata në luftë?» Menjëherë në tërë grupin u bë një rrëmujë​—kjo pyetje me sa duket i shqetësonte të gjithë. Pas pak kleriku tha: «Nuk e di përgjigjen. Nuk e kam gjetur ende.»

Ndërkohë studimi i Biblës me Billin dhe Lindën po ecte shpejt dhe në shtator të vitit 1958 u pagëzova. Dëshiroja të ndiqja shembullin e mësuesve të mi, kështu në gusht të vitit pasues fillova shërbimin si pioniere e rregullt, një ungjillëzuese në kohë të plotë. Tetë muaj më vonë mora ftesën për të hyrë në radhët e pionierëve specialë. Sa e lumtur u ndjeva kur mora vesh se edhe ime motër, Xhina, kishte bërë përparim në studim dhe ishte pagëzuar!

Krijohet një mundësi e re shërbimi

Shërbeja në një nga kongregacionet në Sidnei dhe drejtoja disa studime biblike në shtëpi. Një ditë takova një klerik në pension të Kishës Anglikane dhe e pyeta se çfarë thoshte kisha për fundin e botës. Ndonëse më tha se kishte dhënë mësime për doktrinat e kishës për 50 vjet, përgjigjja e tij më shtangu: «Duhet të gjej kohë për të bërë kërkime rreth kësaj, sepse nuk e njoh Biblën aq mirë sa Dëshmitarët e Jehovait.»

Shumë shpejt pas kësaj u kërkuan disa vullnetarë që të shërbenin në Pakistan. E plotësova kërkesën, pa e ditur se të pamartuarat nuk dërgoheshin, por vetëm burrat beqarë ose çiftet. Përfundimisht kërkesa ime u dërgua në selinë në Bruklin, sepse shumë shpejt mora një letër ku më thuhej se po të doja, kishte një vend të lirë për në Bombei (tani quhet Mumbai) të Indisë. Ishte viti 1962. E pranova ftesën dhe qëndrova në Bombei për 18 muaj, përpara se të transferohesha në Allahabad.

Menjëherë fillova të mësoja gjuhën hindi. Kjo gjuhë indiane është në përgjithësi e harmonishme si në të shkruar, ashtu edhe në të folur, prandaj nuk është tepër e vështirë për ta mësuar. Megjithatë shpesh shkurajohesha kur njerëzit më kërkonin të flitja anglisht, në vend që të përpiqesha të flitja në gjuhën e tyre. Por ky vend i ri kishte sfida interesante dhe emocionuese, e unë u kënaqa me shoqërinë e Dëshmitarëve të tjerë nga Australia.

Kur isha një vajzë e vogël mendoja për martesën, por që kur u pagëzova isha kaq e dhënë pas shërbimit ndaj Jehovait, saqë nuk mendoja më për martesën. Por tani po filloja të ndieja përsëri nevojën për një shok jete. Sigurisht nuk doja ta lija caktimin në vend të huaj, prandaj iu luta për këtë Jehovait dhe pastaj e hoqa nga mendja.

Një bekim i papritur

Edvin Skinëri mbikëqyrte veprën në degën e Indisë në atë kohë. Ai kishte ndjekur klasën e tetë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në vitin 1946, së bashku me shumë vëllezër të tjerë besnikë, përfshirë Harold Kingun dhe Stenli Xhonsin, të cilët ishin caktuar në Kinë. * Në vitin 1958 Haroldin dhe Stenlin i burgosën në qeli izolimi për shkak të veprës së tyre të predikimit në Shangai. Kur Haroldi u lirua në vitin 1963, Edvini i shkroi një letër. Haroldi iu përgjigj kur u kthye në Hong-Kong pas udhëtimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Britani dhe në letër mes të tjerash i shkroi edhe se dëshironte të martohej. I tha Edvinit se ishte lutur për këtë kur ishte në burg, prandaj e pyeti nëse njihte ndonjë Dëshmitare që do të ishte një grua e përshtatshme për të.

Shumica e martesave në Indi bëhen me mblesëri dhe Edvinit i kërkonin vazhdimisht që të bëhej mbles, por ai gjithnjë nuk pranonte. Prandaj letrën e Haroldit ia dorëzoi Rutha Mekkejit, i shoqi i së cilës, Homeri, ishte mbikëqyrës udhëtues. Si përfundim, Rutha më shkroi një letër ku më thoshte se një misionar prej vitesh në të vërtetën po kërkonte një grua dhe më pyeste nëse më interesonte që t’i shkruaja atij. Nuk më tha cili vëlla ishte ose diçka më shumë për të.

Natyrisht, përveç Jehovait, askush nuk dinte gjë rreth lutjes sime për të pasur një shok jete dhe në fillim nuk doja të pranoja. Por sa më shumë mendoja për këtë gjë, aq më shumë arrija në përfundimin se Jehovai rrallëherë u përgjigjet lutjeve tona ashtu siç mund të mendojmë ne. Prandaj i ktheva përgjigje Ruthës duke i thënë se mund t’i kërkonte vëllait që të më shkruante, por nëse nuk do të isha e detyruar të martohesha patjetër. Letra e dytë e Harold Kingut ishte për mua.

Fotografitë e Haroldit dhe historia e tij kishin dalë në shumë gazeta dhe revista, pas lirimit të tij nga burgu në Kinë. Tashmë ai ishte i njohur në mbarë botën, por ajo që më bëri përshtypje ishte shërbimi besnik që kishte kryer prej vitesh. Kështu i shkruam njëri-tjetrit për pesë muaj dhe pastaj shkova në Hong-Kong. U martuam më 5 tetor 1965.

Më përpara që të dy dëshironim të martoheshim e të vazhdonim në shërbimin në kohë të plotë, e gjithashtu, ndërsa mosha kalonte, ndienim një nevojë të fortë për shoqëri. Fillova ta doja gjithnjë e më shumë Haroldin dhe ndërsa shihja se si i trajtonte me dashamirësi dhe kujdes njerëzit ose problemet që dilnin në lidhje me shërbimin, ai fitoi respektin tim të thellë. Për 27 vjet patëm një martesë shumë të lumtur dhe morëm mjaft bekime nga Jehovai.

Kinezët janë një popull punëtor dhe më pëlqejnë shumë. Në Hong-Kong flitet gjuha kantoneze, një dialekt kinez që ka shumë më tepër tone ose modulime sesa dialekti mandarin, e për këtë arsye është shumë i vështirë të mësohet. Haroldi dhe unë e filluam jetën bashkëshortore në shtëpinë misionare në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait dhe pastaj shërbyem në caktime në vise të ndryshme të territorit. Ishim shumë të lumtur, por në vitin 1976 pata një problem të rëndë shëndeti.

Përballoj probleme shëndeti

Kisha një hemorragji prej disa muajsh dhe numri i rruazave të gjakut ishte zvogëluar jashtëzakonisht. Duhej të operohesha, por mjekët e spitalit më thanë se nuk do ta kryenin operacionin pa gjak, sepse përndryshe mund të vdisja nga një gjendje shoku. Një ditë kur mjekët po shqyrtonin rastin tim, infermieret u përpoqën të më ndryshonin mendjen duke thënë se nuk kisha të drejtë të hidhja tej jetën time. Atë ditë ishin në program 12 operacione, 10 nga të cilat ishin aborte, por megjithatë nuk u thanë asnjë fjalë grave shtatzëna që po hidhnin tej jetën e fëmijëve të tyre.

Së fundi Haroldi shkroi një letër në të cilën e shkarkonte spitalin nga çdo përgjegjësi nëse do të vdisja dhe mjekët pranuan të kryenin ndërhyrjen e nevojshme kirurgjike. Më çuan te salla e operimit dhe më përgatitën për anestezinë. Por në çastin e fundit anestezisti nuk pranoi të vazhdonte dhe si pasojë më nxorën nga spitali.

Atëherë u këshilluam me një gjinekolog privat. Duke e kuptuar se në ç’gjendje të rëndë isha, ai tha se do ta bënte operacionin me një çmim të ulët, nëse nuk do t’i thoshim askujt se sa kishte kërkuar ta paguanim. Ai e bëri operacionin me sukses dhe pa përdorur fare gjak. Në këtë rast të veçantë Haroldi dhe unë pamë qartë dashamirësinë dhe interesimin e Jehovait.

Në vitin 1992 Haroldi u sëmur në mënyrë të pashërueshme. U transferuam në zyrën e degës dhe atje vëllezërit u kujdesën me dashuri për ne. Burri im i dashur e mbaroi jetën e tij në tokë në vitin 1993, në moshën 81-vjeçare.

Kthehem në Angli

Isha e lumtur të bëja pjesë në familjen Bethel të Hong-Kongut, por e kisha gjithnjë e më të vështirë t’i bëja ballë nxehtësisë dhe lagështisë. Në atë kohë erdhi një letër e papritur nga selia në Bruklin, ku më pyetnin nëse dëshiroja të transferohesha në një degë me më shumë shërbime shëndetësore, për shkak të shëndetit. Kështu në vitin 2000 u transferova përsëri në Angli dhe u bashkova me familjen Bethel në Londër. Çfarë mase e dashur që ka qenë kjo! Në Bethel më mirëpritën me ngrohtësi dhe tani gjej gëzim të madh në caktimet e ndryshme të punës. Një nga këto caktime është që të kujdesem për bibliotekën e familjes Bethel dhe 2.000 librat e saj.

Gjithashtu bëj pjesë në kongregacionin kinez në Londër, por këtu gjërat kanë ndryshuar. Sot shumë pak njerëz vijnë nga Hong-Kongu, por vijnë mjaft nga Kina. Ata flasin gjuhën kineze mandarin, dhe kjo është një sfidë e re në veprën e predikimit. Anembanë vendit raportohen shumë studime biblike interesante që drejtohen me studentë pasuniversitar nga Kina. Ata janë të zellshëm dhe e çmojnë të vërtetën biblike që po mësojnë. Është një gëzim i madh t’i ndihmosh.

Në qetësinë e shtëpisë sime të re shpesh mendoj për jetën time të lumtur dhe vazhdoj të mrekullohem nga dashamirësia e Jehovait. Ai e shfaq dashamirësinë në të gjitha gjërat që lidhen me qëllimin e tij dhe është shumë i dukshëm interesimi që tregon për shërbëtorët e tij si individë. Kam çdo arsye për të qenë mirënjohëse për interesimin e tij të dashur ndaj meje.​—1 Pjetrit 5:6, 7.

[Shënimi]

^ par. 19 Jetëshkrimet e këtyre dy misionarëve janë botuar në Kullën e Rojës, 15 korrik 1963, faqet 437-442, dhe 15 dhjetor 1965, faqet 756-767, anglisht.

[Figura në faqen 24]

Duke shërbyer në Indi

[Figurat në faqen 25]

Harold King në vitin 1963 dhe duke shërbyer në Kinë në vitet 50

[Figurat në faqen 26]

Ditën e dasmës në Hong-Kong, më 5 tetor 1965

[Figura në faqen 26]

Me pjesëtarë të familjes Bethel të Hong-Kongut, në mes çifti Liang, djathtas çifti Ganauej