Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund t’u bësh ballë pasigurive

Mund t’u bësh ballë pasigurive

Mund t’u bësh ballë pasigurive

«PATJETËR!» «S’e luan topi!» «Punë e mbaruar!» Pa dyshim i ke dëgjuar shumë herë këto shprehje. Megjithatë në jetën e përditshme nuk ka shumë gjëra të sigurta. Jeta është kaq e paparashikueshme, saqë shpesh pyesim veten nëse ka ndonjë gjë për të cilën të jemi absolutisht të sigurt. Dyshimi dhe pasiguria duket se janë pjesë e jetës.

Siç mund të kuptohet, shumica e njerëzve dëshirojnë siguri dhe lumturi për veten dhe për familjen e tyre. Ata punojnë shumë për të fituar gjërat që besojnë se do t’i bëjnë të lumtur e të sigurt​—zakonisht para dhe gjëra materiale. Por një tërmet, një uragan, një aksident ose një krim i dhunshëm mund t’ua shkatërrojë këto gjëra materiale në çast. Një sëmundje serioze, divorci ose papunësia mund t’ua ndryshojë jetën njerëzve në mënyrë të befasishme. Vërtet, gjëra të tilla mund mos të të ndodhin ty. Mirëpo edhe thjesht dijenia se diçka e tmerrshme mund të ndodhë në çdo kohë, është një ndjenjë shqetësuese dhe stresuese. Por nuk është kjo e gjitha.

Fjala pasiguri është sinonim i fjalës dyshim dhe Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e përkufizon fjalën dyshim si «ndjenjë pasigurie, lëkundjeje e mosbesimi për dikë a për diçka». Për më tepër, sipas librit Managing Your Mind, «pasiguria për diçka të rëndësishme është shkaku kryesor i ankthit dhe i shqetësimit». Nëse nuk i largojmë dyshimet që kemi ato mund të na shkaktojnë ankth, shkurajim dhe zemërim. Po, nëse shqetësohemi për atë se çfarë mund të ndodhë ose mund të mos ndodhë, kjo mund të na dëmtojë shëndetin mendor dhe fizik.

Si pasojë disa njerëz shkojnë në ekstremin tjetër. Ata janë si një i ri brazilian që tha: «Pse të merakosemi se ç’do të ndodhë? Sot është sot, nesër është nesër.» Ky lloj qëndrimi fatalist «le të hamë e të pimë», mund të çojë vetëm në zhgënjim, angështi dhe në fund, në vdekje. (1 Korintasve 15:32) Është shumë më mirë që t’i drejtohemi Krijuesit, Perëndisë Jehova, tek i cili, thotë Bibla, «nuk ka ndryshim të rrotullimit të hijes». (Jakovit 1:17) Po ta shqyrtojmë Fjalën e Perëndisë, Biblën, do të gjejmë këshilla dhe udhëheqje të shëndoshë se si t’u bëjmë ballë pasigurive të jetës. Gjithashtu ajo na ndihmon të kuptojmë përse ka kaq shumë pasiguri.

Shkaqet e pasigurisë

Shkrimet na japin një pamje realiste të jetës dhe na ndihmojnë të kultivojmë qëndrimin e duhur ndaj pasigurive dhe ndryshimeve. Ndonëse lidhjet familjare, pozita shoqërore, intelekti, shëndeti i mirë etj, mund të japin njëfarë sigurie, Bibla tregon se nuk mund të presim që këto gjëra nuk do të ndryshojnë ose që jeta të jetë fushë me lule. Mbreti i mençur Solomon tha: «Vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë as beteja nga të fortët; as buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të zgjuar, as favori atyre që janë të shkathët.» Pse jo? Sepse «të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë». Kështu Solomoni paralajmëron: «Ashtu si peshqit që kapen në një rrjetë mizore dhe si zogjtë që kapen në një kurth, kështu bijtë e njerëzve kapen në kurth në kohën e fatkeqësisë, kur ajo bie papritur mbi ta.»​—Predikuesi 9:11, 12.

Edhe Jezu Krishti foli për një kohë me ankth dhe pasiguri të jashtëzakonshme që do të vinte mbi një brez të tërë. Me një gjuhë të gjallë ai tha: «Do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, ndërsa në tokë angështi kombesh, që nuk dinë nga t’ia mbajnë nga buçitja e detit dhe trazimi i tij, ndërkohë që njerëzit mpaken nga frika dhe nga pritja e gjërave që vijnë mbi tokën e banuar; sepse fuqitë e qiejve do të tronditen.» Sidoqoftë Jezui theksoi diçka pozitive për njerëzit e sinqertë sot: «Kur të shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.» (Luka 21:25, 26, 31) Në mënyrë të ngjashme, në vend që të kemi frikë nga ndonjë e ardhme e pasigurt, kemi besim te Perëndia që na ndihmon të shohim përtej pasigurisë së sotme të botës, drejt një të ardhmeje të sigurt e të mrekullueshme.

‘Të kemi sigurinë e plotë të shpresës’

Edhe pse nuk mund të jemi të sigurt për çdo gjë që dëgjojmë, lexojmë ose shohim, kemi një arsye të fortë për të besuar te Krijuesi. Ai nuk është vetëm Tejet i Larti, por edhe një Atë i dashur që kujdeset për fëmijët e tij tokësorë. Në lidhje me vetë fjalën e tij Perëndia tha: «Ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»​—Isaia 55:11.

Jezu Krishti e mësoi të vërtetën nga Perëndia dhe shumë veta që e dëgjuan e pranuan atë me bindje dhe siguri. Për shembull, një grup samaritanësh të sinqertë i thanë gruas që e kishte dëgjuar më parë Jezuin: «Ne nuk besojmë më prej fjalëve të tua; sepse e kemi dëgjuar vetë dhe e dimë se ky njeri është pa dyshim shpëtimtari i botës.» (Gjoni 4:42) Po kështu edhe sot, megjithëse jetojmë në kohë me pasiguri, nuk kemi pse të jemi në mëdyshje për gjërat që besojmë.

Kur bëhet fjalë për besimin, shumë njerëz janë të mendimit se në vend që të përpiqemi të kuptojmë, duhet thjesht të besojmë. Por shkrimtari biblik, Luka, nuk ishte i këtij mendimi. Ai bëri kërkime dhe siguroi informacione të sakta në mënyrë që të tjerët të mund ‘ta njihnin plotësisht sigurinë e gjërave’ që kishte shkruar ai. (Luka 1:4) Meqë familja dhe miqtë që nuk kanë bindjet tona fetare mund të shqetësohen se mos mbesim në fund të zhgënjyer, është e rëndësishme që të jemi në gjendje për të mbrojtur besimin tonë. (1 Pjetrit 3:15) Vetëm duke ditur saktë arsyen pse besojmë mund t’i ndihmojmë të tjerët që të besojnë te Perëndia. Bibla e përshkruan Jehovain me këto fjalë: «Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.»​—Ligji i përtërirë 32:4.

Të shqyrtojmë këtë pohim të fundit: «Ai është i drejtë dhe i mirë.» Çfarë dëshmish kemi për të qenë të sigurt për këtë pohim? Apostulli Pjetër ishte plotësisht i bindur për këtë. Ai i tha një oficeri romak dhe familjes së tij: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» (Veprat 10:34, 35) Pjetri i tha këto fjalë sepse sapo kishte parë se si vetë Perëndia i kishte drejtuar gjërat në mënyrë që një familje johebrenjsh që dikur shiheshin si të papastër dhe të papranueshëm, të pranohej prej Tij. Ashtu si Pjetri, edhe ne mund të bindemi se Perëndia është i paanshëm dhe i drejtë kur shohim me sytë tanë ‘një shumicë të madhe’ njerëzish​—më shumë se gjashtë milionë veta​—nga më tepër se 230 vende përreth tokës që e kanë braktisur mënyrën e tyre të mëparshme të jetesës dhe po ecin në shtegun e drejtësisë.​—Zbulesa 7:9; Isaia 2:2-4.

Si të krishterë të vërtetë nuk duam të jemi fanatikë ose dogmatikë, por të përulur dhe të arsyeshëm. Megjithatë nuk jemi të pasigurt për gjërat që besojmë dhe për gjërat që presim për të ardhmen. Të krishterëve të shekullit të parë apostulli Pavël u shkroi: «Por dëshirojmë që secili prej jush të tregojë të njëjtën papërtueshmëri, që ta ketë deri në fund sigurinë e plotë të shpresës.» (Hebrenjve 6:11) Në mënyrë të ngjashme lajmi i mirë nga Bibla na ka dhënë edhe neve «sigurinë e plotë të shpresës». Kjo shpresë e bazuar patundshmërisht në Fjalën e Perëndisë «nuk çon në zhgënjim», siç shpjegoi edhe Pavli.​—Romakëve 5:5.

Për më tepër jemi plotësisht të bindur se kur u mësojmë të tjerëve lajmin e mirë nga Bibla, kjo ua forcon sigurinë te Perëndia e madje i bën të ndihen më të sigurt emocionalisht dhe fizikisht. Edhe ne mund të bashkohemi me Pavlin, i cili tha: «Lajmi i mirë që predikojmë nuk erdhi ndër ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi, me frymë të shenjtë dhe me bindje të fortë.»​—1 Selanikasve 1:5.

Bekime të tanishme nga siguria frymore

Megjithëse sot nuk mund të presim siguri të plotë në jetë, ka disa gjëra që mund të bëjmë, të cilat do të na ndihmojnë të bëjmë një jetë relativisht të qetë dhe të sigurt. Për shembull, shoqërimi i rregullt me kongregacionin e krishterë në mbledhje na jep stabilitet në jetë, sepse atje mësojmë parime dhe vlera të drejta e të shëndosha. Pavli shkroi: «Atyre që janë të pasur në sistemin e tanishëm jepu urdhër të mos jenë kryelartë e të mos e varin shpresën në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë.» (1 Timoteut 6:17) Duke mësuar që të kenë besim te Jehovai e jo te gjërat materiale ose kënaqësitë, të cilat janë kalimtare, shumë kanë arritur të çlirohen nga ankthet dhe shkurajimi që përjetonin dikur.​—Mateu 6:19-21.

Në kongregacion gëzojmë gjithashtu një vëllazëri të ngrohtë që na siguron ndihmë dhe na mbështet në shumë mënyra. Në një rast gjatë shërbimit të tij, apostulli Pavël dhe shokët e tij të udhëtimit u ndien «nën një presion tejet të madh» dhe ‘nuk ishin fare të sigurt as për jetën e tyre’. Ku gjeti Pavli mbështetje dhe lehtësim? Sigurisht, besimi i tij te Perëndia kurrë nuk u lëkund. Megjithatë, ai mori zemër dhe u ngushëllua nga të bashkëkrishterët të cilët i erdhën në ndihmë. (2 Korintasve 1:8, 9; 7:5-7) Sot, kur godasin katastrofa natyrore dhe fatkeqësi të tjera, vazhdimisht vëllezërit e krishterë vijnë të parët për t’u dhënë ndihmën e duhur materiale dhe frymore të bashkëkrishterëve, si edhe të tjerëve që janë në nevojë.

Një ndihmë tjetër për t’u bërë ballë pasigurive të jetës është lutja. Mund t’i drejtohemi gjithmonë Atit tonë të dashur qiellor kur gjendemi papritur nën presion. «Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.» (Psalmi 9:9) Prindërit njerëzorë mund të mos arrijnë t’i mbrojnë fëmijët. Por Perëndia është i gatshëm të na ndihmojë që t’u bëjmë ballë frikës dhe ndjenjave të pasigurisë. Po të hedhim ankthet tona mbi Jehovain me anë të lutjes, jemi të sigurt se ai mund «të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne».​—Efesianëve 3:20.

A i lutesh rregullisht Perëndisë? A je i bindur se lutjet e tua dëgjohen nga Perëndia? Një vajzë nga San-Paolo tha: «Mamaja më thoshte se duhej t’i lutesha Perëndisë. Por unë pyetja veten: ‘Pse të flas me dikë që as nuk e njoh?’ Megjithatë shkrimi te Fjalët e urta 18:10 më ndihmoi të kuptoja se kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë dhe duhet të flasim me të nëpërmjet lutjes.» Shkrimi thotë: «Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.» Në të vërtetë, si mund të zhvillojmë besim dhe siguri te Jehovai në qoftë se nuk e bëjmë zakon që të flasim me të? Që të gëzojmë bekimet e sigurisë frymore duhet ta bëjmë zakon që të lutemi me gjithë zemër çdo ditë. Jezui tha: «Rrini zgjuar, pra, duke bërë përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që kanë për të ndodhur dhe në qëndrimin përpara Birit të njeriut.»​—Luka 21:36.

Diçka tjetër për të cilën mund të jemi të sigurt është shpresa në Mbretërinë e Perëndisë. Vër re fjalët te Danieli 2:44: «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.» Kjo shpresë është e patundur dhe është diçka për të cilën mund të jemi të sigurt. Premtimet e njerëzve shpesh dështojnë, por ne mund të besojmë gjithnjë te fjala e Jehovait. Në vend që të mos i besosh, Perëndia është si një shkëmb tek i cili mund të mbështetemi. Mund të ndihemi si Davidi që tha: «Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!»​—2 Samuelit 22:3.

Libri që përmendëm më sipër, Managing Your Mind, thotë më tej: «Sa më shumë të mendojë një njeri për gjërat e këqija që mund t’i ndodhin, aq më reale duken dhe aq më të vështirë e ka që të kuptojë se si t’u bëjë ballë atyre.» Atëherë, pse të lejojmë që të rëndohemi nga ankthet dhe dyshimet e botës? Në vend të kësaj, le të besojmë jo te gjërat e pasigurta të botës, por te premtimet e sigurta që ka bërë Perëndia. Duke pasur një besim të patundur te premtimet e padështueshme të Jehovait kemi këtë siguri: «Kushdo që e mbështet besimin e vet tek ai nuk do të zhgënjehet.»​—Romakëve 10:11.

[Diçitura në faqen 29]

Fjala e Perëndisë garanton bekime të ardhshme për njerëzimin

[Diçitura në faqen 30]

«Kushdo që e mbështet besimin e vet tek ai nuk do të zhgënjehet»

[Figura në faqen 31]

Lajmi i mirë i Mbretërisë u jep siguri njerëzve