Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund t’i plotësosh nevojat e tua frymore?

Si mund t’i plotësosh nevojat e tua frymore?

Si mund t’i plotësosh nevojat e tua frymore?

«DHJETËVJEÇARIN e kaluar nëpër librari vërshuan më tepër se 300 libra​—që nga Jesus CEO e deri te The Tao of Leadership​—që flitnin për ndikimin që ka gjendja frymore e individit në punën tij»,​—thotë revista U.S.News & World Report. Kjo prirje është thjesht një pasqyrim i faktit se në shumë vende të begata nga ana materiale njerëzit dëshirojnë gjithnjë e më shumë një drejtim në jetë për gjërat frymore. Duke komentuar për këtë, një revistë biznesi, Training & Development, vëren: «Në një kohë kur teknologjia ndikon në çdo drejtim tjetër të jetës, njerëzit po kërkojnë një kuptim më të thellë të jetës, një qëllim të saj dhe më shumë kënaqësi personale.»

Por ku mund të gjesh një udhëheqje të kënaqshme për gjërat frymore? Në të kaluarën njerëzit u drejtoheshin feve tradicionale që t’i ndihmonin të gjenin «një kuptim më të thellë të jetës» dhe «një qëllim të saj». Sot shumë veta ua kanë kthyer kurrizin feve tradicionale. Revista Training & Development thotë se nga një sondazh i 90 administratorëve dhe drejtuesve ekzekutivë të nivelit të lartë u zbulua se «njerëzit bëjnë një dallim të qartë mes fesë dhe gjendjes frymore». Ata që ishin pyetur gjatë sondazhit e shihnin fenë si «jotolerante dhe përçarëse», kurse prirjen për gjërat frymore si «universale dhe gjithëpërfshirëse».

Edhe shumë të rinj në shoqëritë më pak fetare, siç janë Australia, Zelanda e Re, Mbretëria e Bashkuar Britanike dhe Evropa, bëjnë një dallim mes fesë dhe prirjes për gjërat frymore. Profesori Ruth Ueber, duke shkruar në revistën Youth Studies Australia, thotë: «Një shumicë e madhe të rinjsh besojnë te Perëndia ose te ndonjë lloj force e mbinatyrshme, por nuk e shohin kishën si të rëndësishme ose të dobishme për të shprehur prirjen e tyre për gjërat frymore.»

Feja e vërtetë përmirëson gjendjen frymore

Kjo pikëpamje dyshuese ndaj fesë është e kuptueshme. Shumë organizata fetare janë përfshirë në intriga politike, janë plot hipokrizi nga ana morale dhe janë fajtore për gjakun e njerëzve të pafajshëm të derdhur në luftërat e panumërta fetare. Megjithatë disa, ndërsa kanë hedhur poshtë organizatat fetare që janë të njollosura me hipokrizi dhe mashtrim, kanë bërë gabimin që të hedhin poshtë edhe Biblën, që sipas tyre i lejon këto praktika.

Në të vërtetë Bibla e dënon hipokrizinë dhe paligjshmërinë. Jezui u tha udhëheqësve fetarë të kohës së tij: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! Sepse u përngjani varreve të zbardhura me gëlqere, të cilat nga jashtë vërtet duken të bukura, por përbrenda janë plot me eshtra të vdekurish dhe me çdo lloj ndyrësie. Kështu edhe ju, vërtet nga jashtë dukeni të drejtë para njerëzve, por përbrenda jeni plot me hipokrizi dhe paligjshmëri.»​—Mateu 23:27, 28.

Për më tepër Bibla i nxit të krishterët që të jenë asnjanës në të gjitha çështjet politike. Në vend që t’i shtyjë besimtarët që të vrasin njëri-tjetrin, ajo thotë se ata duhet të jenë gati të japin jetën për njëri-tjetrin. (Gjoni 15:12, 13; 18:36; 1 Gjonit 3:10-12) Në vend që të jetë «jotolerante dhe përçarëse», feja e vërtetë e bazuar në Bibël është «gjithëpërfshirëse». Apostulli Pjetër tha: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.»​—Veprat 10:34, 35.

Bibla​—Një udhëheqje e besueshme për shëndetin frymor

Bibla thotë se njerëzit janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zanafilla 1:26, 27) Edhe pse nuk do të thotë se njerëzit i ngjajnë Perëndisë nga ana fizike, kjo nënkupton që njerëzit kanë aftësinë për të pasqyruar veçori të personalitetit të Perëndisë, përfshirë mundësinë për të pasur një gjendje frymore.

Meqenëse është kështu, atëherë është e logjikshme të besojmë se Perëndia do të na sigurojë edhe mjetin për të plotësuar nevojat tona frymore, si dhe drejtimin e duhur me anë të cilit mund të dallojmë se çfarë është e dobishme dhe çfarë e dëmshme për gjendjen tonë frymore. Ashtu si Perëndia i krijoi trupat tanë me një sistem imunitar të projektuar në mënyrë të shkëlqyer, i cili i lufton sëmundjet dhe na ndihmon të ruajmë shëndetin, po kështu na pajisi me një ndërgjegje, ose zë të brendshëm i cili mund të na ndihmojë të marrim vendime të drejta dhe të shmangim zakone që janë të dëmshme për gjendjen tonë fizike dhe frymore. (Romakëve 2:14, 15) Siç e dimë, që sistemi imunitar të funksionojë, duhet ushqyer mirë. Po kështu, që ndërgjegjja jonë të funksionojë duhet ta ushqejmë me ushqim të shëndetshëm frymor.

Duke përcaktuar llojin e ushqimit që do të na mbajë të shëndetshëm frymësisht, Jezui tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Shprehjet e Jehovait janë të shkruara në Fjalën e tij, Biblën, dhe janë ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar e për të ndrequr’. (2 Timoteut 3:16) Prandaj është përgjegjësia jonë që të bëjmë përpjekje për ta përvetësuar këtë ushqim frymor. Sa më shumë ta njohim Biblën e të përpiqemi t’i zbatojmë parimet e saj në jetë, aq më shumë do të kemi dobi nga ana frymore dhe fizike.​—Isaia 48:17, 18.

A ia vlejnë përpjekjet?

Patjetër kërkohet kohë për të përmirësuar shëndetin tonë frymor duke studiuar Biblën, dhe duket se njerëzit kanë gjithnjë e më pak kohë të lirë. Por për shpërblimet që do të kemi ia vlejnë që të bëjmë përpjekje. Vër re se si disa njerëz që janë të zënë me profesionin e tyre shpjegojnë përse për ta është e rëndësishme të lënë kohë për t’u kujdesur për shëndetin e tyre frymor.

Marina, një mjeke, thotë: «Nuk mendoja kurrë për gjendjen time frymore, derisa fillova të punoja në spital dhe të ndieja thellë vuajtjet e të tjerëve. Atëherë e kuptova se duhej ta pranoja që kisha një nevojë frymore dhe duhej ta plotësoja atë nëse doja të gjeja kënaqësi dhe qetësi, meqë ritmi i jetës dhe kërkesa për t’u kujdesur për hallet e të tjerëve mund të bëhen shumë stresues për dikë të profesionit tim.

Tani studioj Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ky studim më ndihmon të shqyrtoj veprimet dhe motivet e mia në një mënyrë pozitive dhe më stërvit që të mendoj më me optimizëm, e kështu të bëj një jetë të ekuilibruar. Gjej shumë kënaqësi në profesionin tim. Por është studimi i Biblës që më ka përmirësuar shëndetin emocional, duke më ndihmuar që të mbaj në kontroll ndjenjat negative, të pakësoj tensionin mendor dhe të jem më e durueshme e më e dhembshur me njerëzit. Nga zbatimi i parimeve të Biblës kam pasur dobi edhe në martesë. Ajo që është më e rëndësishmja, kam njohur Jehovain dhe kam ndier veprimin e frymës së tij, e cila i ka dhënë më shumë kuptim jetës sime.»

Nikolasi, një arkitekt, thotë: «Para se të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait nuk interesohesha për gjërat frymore. Synimi im i vetëm në jetë ishte që të kisha sukses në profesionin tim. Nga studimi i Biblës kam mësuar se në jetë ka edhe gjëra të tjera dhe bërja e vullnetit të Jehovait më sjell lumturi të vërtetë e të qëndrueshme.

Profesioni im më sjell kënaqësi, por pikërisht nga Bibla kam mësuar sa e rëndësishme është që të bëj një jetë të thjeshtë, duke u përqendruar te gjërat frymore. Duke vepruar kështu, unë dhe gruaja kemi shmangur streset e shumta që shkaktohen nga një mënyrë jetese materialiste. Gjithashtu kemi zënë shumë miq të vërtetë, duke u shoqëruar me njerëz që kanë të njëjtën pikëpamje frymore për jetën.»

Vinsenti, një avokat, thotë: «Një profesion i mirë mund të të sjellë njëfarë kënaqësie. Megjithatë kam parë se për të arritur lumturi dhe kënaqësi të vërtetë nevojitet shumë më tepër. Përpara se të mësoja se çfarë thotë Bibla rreth lumturisë së vërtetë, më kujtohet se si kuptova papritur sa e pakuptimtë është jeta: të lindësh, të rritesh, të martohesh, të punosh që të sigurosh gjërat e nevojshme materiale për të rritur fëmijët, t’i stërvitësh ata që të ndjekin pikërisht të njëjtin cikël jete dhe së fundi, të plakesh e të vdesësh.

Vetëm pasi studiova Biblën me Dëshmitarët e Jehovait mora përgjigje të kënaqshme për pyetjet që kisha rreth qëllimit të jetës. Studimi i Biblës më ka ndihmuar të njoh Jehovain si person dhe të zhvilloj një dashuri të thellë për të. Kjo shërben si një bazë që të ruaj një pikëpamje të shëndetshme frymore ndërsa përpiqem të jetoj sipas asaj që di se është qëllimi i tij. Sot unë dhe gruaja jemi të kënaqur të dimë se po bëjmë një jetë me kuptim të vërtetë.»

Edhe ti mund të gjesh qëllimin dhe kuptimin e jetës duke studiuar Biblën. Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur të të ndihmojnë. Ashtu si Marina, Nikolasi dhe Vinsenti, edhe ti mund të gjesh kënaqësinë që vjen kur mëson për Jehovain dhe për qëllimet e tij për njerëzimin në përgjithësi dhe për ty si individ. Jo vetëm do të provosh gëzimin sepse do të plotësosh nevojat e tua frymore tani, por edhe do të kesh shpresën që të gëzosh jetën e pafundme me shëndet fizik të përsosur, shpresë e cila është vetëm për ata «që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore».​—Mateu 5:3.

Një mënyrë për të zhvilluar gjendjen frymore është lutja. Jezui gjeti kohë për t’u mësuar dishepujve si të luteshin, duke u thënë atë që zakonisht quhet lutja Ati ynë. Ç’kuptim ka ajo lutje për ty sot? Si mund të nxjerrësh dobi prej saj? Përgjigjet do t’i gjesh në dy artikujt vijues.

[Figurat në faqen 6]

Marina

[Figurat në faqen 7]

Nikolasi

[Figurat në faqen 7]

Vinsenti