Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Zotëri, na mëso si të lutemi»

«Zotëri, na mëso si të lutemi»

«Zotëri, na mëso si të lutemi»

«Njëri prej dishepujve të vet i tha: ‘Zotëri, na mëso si të lutemi.’»​—LUKA 11:1.

1. Pse një nga dishepujt e Jezuit i kërkoi atij që t’i mësonte si të luteshin?

NË NJË rast në vitin 32 të e.s., një dishepull e pa Jezuin teksa lutej. Ai nuk mundi të dëgjonte se çfarë po i thoshte Jezui Atit të tij, sepse ndoshta ishte një lutje e heshtur. Megjithatë kur Jezui mbaroi lutjen, dishepulli i tha: «Zotëri, na mëso si të lutemi.» (Luka 11:1) Pse i bëri këtë kërkesë? Lutja ishte pjesë e zakonshme e jetës dhe e adhurimit të judenjve. Shkrimet Hebraike përmbajnë shumë lutje në librin e Psalmeve dhe në libra të tjerë. Prandaj dishepulli nuk po kërkonte që t’i mësohej diçka për të cilën nuk dinte asgjë ose që nuk e kishte bërë kurrë më parë. Pa dyshim ai i njihte mirë lutjet rituale të udhëheqësve fetarë të judaizmit. Por tani kishte vërejtur Jezuin duke u lutur dhe ndoshta e kishte ndier se kishte një ndryshim të madh midis lutjeve të rabinëve, që hiqeshin si të përshpirtshëm, dhe mënyrës se si u lut Jezui.​—Mateu 6:5-8.

2. (a) Ç’gjë tregon se Jezui nuk donte të thoshte se duhet ta përsëritim fjalë për fjalë lutjen model? (b) Pse na intereson të dimë si të lutemi?

2 Rreth 18 muaj më parë, në Predikimin në Mal, Jezui u kishte dhënë dishepujve një model se për çfarë gjërash mund të luteshin. (Mateu 6:9-13) Ka mundësi që ky dishepull të mos ketë qenë i pranishëm në atë rast, prandaj Jezui me dashamirësi përsëriti disa pika thelbësore nga ajo lutje model. Është për t’u vënë re se ai nuk e përsëriti fjalë për fjalë, duke treguar kështu se nuk po thoshte një lutje rituale, e cila duhej recituar përmendësh. (Luka 11:1-4) Ashtu si ai dishepull, emrin e të cilit nuk e dimë, edhe ne duam të mësojmë si të lutemi, në mënyrë që nëpërmjet lutjeve tona t’i afrohemi më shumë Jehovait. Atëherë le të shqyrtojmë të tërë lutjen model, siç është shkruar nga apostulli Mate. Ajo përmban shtatë kërkesa, nga të cilat tri kanë të bëjnë me qëllimet e Perëndisë dhe katër me nevojat tona materiale e frymore. Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri kërkesat e para.

Një Atë i dashur

3, 4. Çfarë nënkuptohet kur i drejtohemi Jehovait me fjalët «Ati ynë»?

3 Që në fillim Jezui tregoi se lutjet tona duhet të pasqyrojnë një marrëdhënie të ngushtë, e megjithatë të respektueshme, me Jehovain. Duke folur kryesisht për dobinë e dishepujve që ishin mbledhur pranë tij në atë shpat mali, Jezui u tha atyre që t’i drejtoheshin Jehovait duke e quajtur «Ati ynë që je në qiej». (Mateu 6:9) Sipas një studiuesi, pavarësisht nëse Jezui foli në një formë popullore të gjuhës hebraike ose në gjuhën aramaike, fjala që përdori për «Atë» është e ngjashme me shprehjet e përzemërta të një fëmije të vogël kur fillon të flasë, pra ‘një fjalë fëmije’. T’i drejtohemi Jehovait duke e quajtur «Ati ynë» tregon një marrëdhënie të ngrohtë e të besueshme.

4 Gjithashtu, duke përdorur përemrin ‘ynë’ te shprehja «Ati ynë» pranojmë se jemi pjesë e një familjeje të madhe burrash e grash që e pranojnë Jehovain si Jetëdhënës. (Isaia 64:8; Veprat 17:24, 28) Të krishterët e lindur nga fryma janë të birësuar si «bij të Perëndisë» dhe mund ‘t’i thërrasin atij: «Abba, o Atë!»’ (Romakëve 8:14, 15) Miliona veta janë bërë shokë të tyre besnikë. Këta ia kanë kushtuar jetën Jehovait dhe e kanë simbolizuar kushtimin nëpërmjet pagëzimit në ujë. Të gjitha këto «dele të tjera» mund t’i afrohen gjithashtu Jehovait në emër të Jezuit e ta quajnë «Ati ynë». (Gjoni 10:16; 14:6) Mund t’i drejtohemi vazhdimisht në lutje Atit tonë qiellor për ta lëvduar, për ta falënderuar për të gjitha mirësitë që ka treguar ndaj nesh dhe për të hedhur barrët tona mbi të, të sigurt se interesohet për ne.​—Filipianëve 4:6, 7; 1 Pjetrit 5:6, 7.

Dashuri për emrin e Jehovait

5. Cila është kërkesa e parë e lutjes model? Pse është me vend një kërkesë e tillë?

5 Në kërkesën e parë tregohen menjëherë se cilat janë gjërat e para për të cilat të lutemi. Në të thuhet: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Po, shenjtërimi i emrit të Jehovait duhet të ketë rëndësi parësore për ne, sepse e duam Atë dhe nuk na pëlqen aspak të shohim se sa shumë është sharë emri i tij. Duke u rebeluar dhe duke e shtyrë çiftin e parë njerëzor të mos i bindej Perëndisë Jehova, Satanai shpifi për emrin e Tij duke vënë në dyshim mënyrën se si Perëndia po e ushtronte sovranitetin universal. (Zanafilla 3:1-6) Për më tepër, gjatë shekujve emri i Jehovait është sharë për shkak të veprave dhe të mësimeve të turpshme të atyre që pohojnë se e përfaqësojnë.

6. Çfarë nuk do të bëjmë nëse lutemi që të shenjtërohet emri i Jehovait?

6 Lutja jonë për shenjtërimin e emrit të Jehovait tregon qëndrimin që kemi për çështjen e sovranitetit universal, pra që e mbështetim plotësisht të drejtën e Jehovait për të qeverisur universin. Jehovai do që universi të banohet nga krijesa me aftësi për të arsyetuar të cilat me gatishmëri dhe gëzim i nënshtrohen sovranitetit të tij të drejtë, sepse e duan Atë dhe gjithçka që përfaqëson emri i tij. (1 Kronikave 29:10-13; Psalmi 8:1; 148:13) Dashuria për emrin e Jehovait do të na ndihmojë që të mos bëjmë ndonjë gjë që mund të sjellë sharje mbi emrin e tij të shenjtë. (Ezekieli 36:20, 21; Romakëve 2:21-24) Meqenëse paqja e universit dhe e banorëve të tij varet nga shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe nga nënshtrimi me dashuri ndaj sovranitetit të tij, lutja jonë «u shenjtëroftë emri yt» është një shprehje e sigurisë që kemi se qëllimi i Jehovait do të përmbushet për lavdinë e tij.​—Ezekieli 38:23.

Mbretëria për të cilën lutemi

7, 8. (a) Çfarë është Mbretëria për të cilën Jezui na mësoi të luteshim? (b) Çfarë mësojmë për këtë Mbretëri në librin e Danielit dhe të Zbulesës?

7 Kërkesa e dytë në lutjen model është: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mateu 6:10) Kjo kërkesë lidhet ngushtë me të parën. Mjeti i Jehovait për të shenjtëruar emrin e tij të shenjtë është Mbretëria Mesianike, qeveria e tij qiellore. Mbreti i saj i emëruar në mënyrë të përshtatshme, është Biri i Perëndisë, Jezu Krishti. (Psalmi 2:1-9) Profecia e Danielit e përshkruan Mbretërinë Mesianike si «një gur» të shkëputur nga ‘një mal’. (Danieli 2:34, 35, 44, 45) Mali përfaqëson sovranitetin universal të Jehovait, prandaj Mbretëria e përfaqësuar nga guri është një shprehje e re e sundimit universal të Jehovait. Në profeci më pas guri ‘bëhet një mal i madh dhe mbush tërë tokën’, duke treguar se, kur të sundojë në tokë, Mbretëria Mesianike do të përfaqësojë sovranitetin e Perëndisë.

8 Bashkë me Krishtin në këtë Mbretëri janë 144.000 të tjerë ‘të blerë nga mesi i njerëzimit’ për të sunduar me të si mbretër dhe priftërinj. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1-4; 20:6) Danieli i quan ata «të shenjtët e Tejet të Lartit», që bashkë me Krishtin, Kreun e tyre, marrin ‘mbretërinë, sundimin dhe madhështinë e mbretërive nën të gjithë qiejt. Mbretëria e tyre zgjat përgjithmonë dhe gjithë sundimet do t’u shërbejnë e do t’u binden atyre’. (Danieli 7:13, 14, 18, 27, BR) Kjo është qeveria qiellore për të cilën Krishti i mësoi ithtarët e tij të luteshin.

Pse të lutemi ende që të vijë Mbretëria?

9. Pse është e përshtatshme që të lutemi të vijë Mbretëria e Perëndisë?

9 Në lutjen model Krishti na mësoi të lutemi për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Profecitë biblike tregojnë se Mbretëria Mesianike u vendos në qiell në vitin 1914. * Prandaj, a është ende e përshtatshme që të lutemi ‘të vijë’ kjo Mbretëri? Patjetër. Sepse në profecinë e Danielit Mbretëria Mesianike, e simbolizuar nga një gur, po shkon drejt goditjes së qeverive politike njerëzore, të simbolizuara nga një shëmbëlltyrë tejet e madhe. Guri do të vijë drejt shëmbëlltyrës dhe do ta godasë duke e katandisur në pluhur. Profecia e Danielit thotë: «Kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.»​—Danieli 2:44.

10. Pse mezi presim ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë?

10 Mezi presim të shohim se si Mbretëria e Perëndisë do të godasë sistemin e lig të Satanait, sepse kjo do të nënkuptojë shenjtërimin e emrit të shenjtë të Jehovait dhe zhdukjen e të gjithë kundërshtarëve të sovranitetit të Perëndisë. Ne lutemi me zjarr: «Ardhtë mbretëria jote» dhe bashkë me apostullin Gjon themi «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!» (Zbulesa 22:20) Po, ardhtë Jezui për të shenjtëruar emrin e Jehovait dhe për të shfajësuar sovranitetin e Tij, në mënyrë që këto fjalë të psalmistit të dalin të vërteta: ‘Edhe le të njohin, se vetëm ti, që ke emrin Jehova, je i lartë mbi gjithë dheun.’​—Psalmi 83:18, Shoqëria biblike për n’Ingli dhe jashtë.

«U bëftë vullneti yt»

11, 12. (a) Çfarë po i kërkojmë Jehovait kur lutemi që ‘të bëhet’ vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe mbi tokë»? (b) Çfarë tjetër nënkuptohet kur lutemi që të bëhet vullneti i Jehovait?

11 Më pas Jezui u mësoi dishepujve të luteshin: «U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Universi u krijua falë vullnetit të Jehovait. Krijesa të fuqishme qiellore thërrasin: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Zbulesa 4:11) Jehovai ka një qëllim për «gjërat në qiej dhe gjërat mbi tokë». (Efesianëve 1:8-10) Duke u lutur që të bëhet vullneti i Perëndisë, në të vërtetë ne po i kërkojmë Jehovait që të plotësojë qëllimin e tij. Për më tepër kështu tregojmë se mezi presim që të shohim të bëhet vullneti i Perëndisë në mbarë universin.

12 Me anë të kësaj lutjeje shfaqim gjithashtu gatishmërinë tonë për ta vënë jetën në përputhje me vullnetin e Jehovait. Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Ashtu si Jezui, si të krishterë të kushtuar, edhe ne gjejmë kënaqësi në bërjen e vullnetit të Perëndisë. Dashuria për Jehovain dhe për Birin e tij na nxit të jetojmë «jo më për dëshirat e njerëzve, por për vullnetin e Perëndisë». (1 Pjetrit 4:1, 2; 2 Korintasve 5:14, 15) Përpiqemi fort të mos bëjmë gjëra që e dimë se janë në kundërshtim me vullnetin e Jehovait. (1 Selanikasve 4:3-5) Duke blerë kohë për të lexuar dhe për të studiuar Biblën ne ‘vazhdojmë të dallojmë se cili është vullneti i Jehovait’ dhe ky vullnet përfshin që të marrim pjesë aktivisht në predikimin e ‘këtij lajmi të mirë të mbretërisë’.​—Efesianëve 5:15-17; Mateu 24:14.

Vullneti i Jehovait në qiell

13. Si po bëhej vullneti i Perëndisë shumë kohë përpara se të ndodhte rebelimi i Satanait?

13 Vullneti i Jehovait po bëhej në qiell shumë kohë përpara se një nga bijtë e tij frymorë të rebelohej dhe të bëhej Satana. Libri i Fjalëve të urta e përshkruan Birin e parëlindur të Perëndisë si mençuria e personifikuar. Aty tregohet se gjatë epokave të panumërta Biri i vetëmlindur i Perëndisë ishte «duke u gëzuar para tij gjatë gjithë kohës», i lumtur që bënte vullnetin e Atit. Së fundi ai u bë ‘kryemjeshtri’ i Jehovait në krijimin e të gjitha gjërave «në qiej dhe mbi tokë, gjërat e dukshme dhe ato të padukshme». (Proverbat [Fjalët e urta] 8:22-31, BR; Kolosianëve 1:15-17) Jehovai e përdori Jezuin si Fjalën ose Zëdhënësin e tij.​—Gjoni 1:1-3.

14. Çfarë mund të mësojmë nga Psalmi 103 për mënyrën se si engjëjt e kryejnë vullnetin e Jehovait në qiej?

14 Psalmisti tregon se sovraniteti i Jehovait është mbi gjithçka dhe se moria e engjëjve i dëgjon urdhrat dhe urdhërimet e tij. Në librin e Psalmeve lexojmë: «Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka. Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij. Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit [ose të «sovranitetit»] të tij.»​—Psalmi 103:19-22.

15. Si ndikoi në bërjen e vullnetit të Perëndisë në qiell fakti që Jezui mori pushtetin e Mbretërisë?

15 Pas rebelimit të tij Satanai kishte ende hyrje të lirë në oborret qiellore, siç tregon libri i Jobit. (Jobi 1:6-12; 2:1-7) Megjithatë libri i Zbulesës profetizoi se do të vinte koha kur Satanai dhe demonët e tij do të dëboheshin nga qielli. Ajo kohë erdhi me sa duket pak pasi Jezu Krishti mori pushtetin e Mbretërisë në vitin 1914. Që atëherë nuk ka më ndonjë vend në qiell për këta rebelë. Ata janë kufizuar në afërsi të tokës. (Zbulesa 12:7-12) Në qiell nuk dëgjohet më asnjë debat, por dëgjohen vetëm zërat e bashkuar që brohorasin për ‘Qengjin’, Jezu Krishtin, dhe lëvdojnë të nënshtruar Jehovain. (Zbulesa 4:9-11) Vullneti i Jehovait po bëhet vërtet në qiell.

Vullneti i Jehovait për tokën

16. Si e hedh poshtë lutja model mësimin e të ashtuquajturit krishterim në lidhje me shpresën e njerëzimit?

16 Kishat e të ashtuquajturit krishterim nuk e përfshijnë tokën në qëllimet e Perëndisë, duke thënë se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Por Jezui na mësoi të lutemi: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) A mund të themi sadopak se në përgjithësi vullneti i Jehovait po kryhet sot në tokë, ndërkohë që ajo është pllakosur nga dhuna, padrejtësitë, sëmundjet dhe vdekja? Jo! Prandaj duhet të lutemi me zjarr që të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë, në përputhje me premtimin e dokumentuar nga apostulli Pjetër: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj [Mbretërinë Mesianike të Krishtit] e një tokë të re [një shoqëri të drejtë njerëzore] dhe në ta ka për të banuar drejtësia.»​—2 Pjetrit 3:13.

17. Cili është qëllimi i Jehovait për tokën?

17 Jehovai kishte një qëllim kur krijoi tokën. Ai e frymëzoi profetin Isaia të shkruante: «Kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: ‘Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.’» (Isaia 45:18) Perëndia e vendosi çiftin e parë njerëzor në një kopsht parajsor dhe e urdhëroi: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni.» (Zanafilla 1:27, 28; 2:15) Është fare e qartë se qëllimi i Krijuesit është që toka të banohet nga njerëz të përsosur e të drejtë që do t’i nënshtrohen të lumtur sovranitetit të Jehovait dhe do të jetojnë përgjithmonë në parajsën e premtuar nga Krishti.​—Psalmi 37:11, 29; Luka 23:43.

18, 19. (a) Çfarë duhet bërë përpara se vullneti i Perëndisë të kryhet plotësisht në tokë? (b) Cilat kërkesa të tjera të lutjes model të Jezuit do të shqyrtohen në artikullin vijues?

18 Vullneti i Jehovait për tokën nuk mund të kryhet kurrë plotësisht ndërkohë që në tokë banojnë burra e gra që e kundërshtojnë sovranitetin e tij. Duke përdorur forca të fuqishme frymore nën udhëheqjen e Krishtit, Perëndia ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. I tërë sistemi i lig i Satanait, bashkë me fenë e tij të rreme, politikën e korruptuar, tregtinë lakmitare e të pandershme dhe ushtritë shkatërrimtare, do të shfarosen përgjithmonë. (Zbulesa 11:18; 18:21; 19:1, 2, 11-18) Sovraniteti i Jehovait do të shfajësohet dhe emri i tij do të shenjtërohet. Për të gjitha këto gjëra lutemi kur themi: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.»​—Mateu 6:9, 10.

19 Por në lutjen model Jezui tregoi se mund të lutemi edhe për gjërat personale. Këto kërkesa për të cilat Jezui na mësoi të lutemi do të shqyrtohen në artikullin vijues.

[Shënimi]

Pyetje për rishikim

• Pse është e përshtatshme t’i drejtohemi Jehovait duke e quajtur «Ati ynë»?

• Pse ka një rëndësi parësore që të lutemi për shenjtërimin e emrit të Jehovait?

• Pse lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë?

• Çfarë nënkuptohet kur lutemi që të bëhet vullneti i Perëndisë si në qiell, edhe mbi tokë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

Lutjet e Jezuit ndryshonin shumë nga lutjet e farisenjve që hiqeshin si të përshpirtshëm

[Figura në faqen 10]

Të krishterët luten që të vijë Mbretëria e Perëndisë, të shenjtërohet emri i tij dhe të bëhet vullneti i tij