Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Feja: Ndikon për mirë apo për keq?

Feja: Ndikon për mirë apo për keq?

Feja: Ndikon për mirë apo për keq?

«I JAM borxhli krishterimit, e po kështu besoj edhe bota ku kemi jetuar për 2000 vitet e kaluara.»​—Parathënia e librit Dy mijë vjet: Mijëvjeçari i parë: Nga lindja e krishterimit deri te kryqëzatat (anglisht).

Këtë shprehje mirënjohjeje për «krishterimin» e tha shkrimtari dhe prezantuesi televiziv anglez Melvin Brag. Fjalët e tij janë pasqyrim i asaj që mendojnë miliona banorë të tokës, të cilët ndihen po ashtu shumë borxhlinj dhe besnikë ndaj një feje ose një tjetre. Ata janë të bindur se feja ka pasur një ndikim të fuqishëm për mirë në jetën e tyre. Për shembull, një shkrimtar thotë se islamizmi «ka frymëzuar një qytetërim madhështor . . . [që ka] pasuruar gjithë botën.»

Roli i fesë: I mirë apo i keq?

Mirëpo, fjalët vijuese të Melvin Bragut bëjnë të lindë një pyetje serioze nëse vërtet feja në përgjithësi ka ndikuar për mirë. Ai shton: «Por edhe krishterimi më ka borxh një shpjegim.» Çfarë shpjegimi kërkon ky shkrimtar? «Duhet të më japë një shpjegim për intolerancën, ligësinë, sjelljen çnjerëzore e për lënien e qëllimshme të njerëzve në injorancë që ka karakterizuar një pjesë të mirë të ‘historisë’ së tij»,​—thotë ai.

Janë të shumtë ata që do të thoshin se intoleranca, ligësia, sjellja çnjerëzore dhe lënia e qëllimshme e njerëzve në injorancë kanë karakterizuar pjesën më të madhe të feve të botës gjatë gjithë historisë. Pikëpamja e tyre është se feja vetëm sa pozon si mirëbërëse për njerëzimin, sepse mbrapa fasadës së virtytit e të shenjtërisë, ajo është plot hipokrizi e gënjeshtra. (Mateu 23:27, 28) «Në literaturën tonë pohimi më i zakonshëm është që feja ka vlerë të veçantë për sa i përket qytetërimit»,​—thotë A Rationalist Encyclopædia. «Megjithatë, ky është dhe pohimi që faktet historike e kanë diskredituar më shumë se gjithë pohimet e tjera»,​—vazhdon kjo enciklopedi.

Merrni po të doni çfarëdo gazete në ditët tona dhe do të gjeni shembuj që s’kanë të sosur për udhëheqës fetarë që predikojnë dashurinë, paqen e dhembshurinë, por që nga ana tjetër u fryjnë flakëve të urrejtjes dhe e përdorin emrin e Perëndisë për të përligjur konfliktet e tyre mizore. Ja pra përse shumë njerëz mendojnë që feja në shumicën e rasteve ndikon për keq në jetë.

Më mirë pa fe?

Madje disa kanë nxjerrë përfundimin se do të ishte mirë që me kalimin e kohës «të gjitha llojet e besimeve fetare [të] zhdukeshin». Edhe filozofi anglez Bertran Rasëll mendonte kështu. Sipas tyre, heqja e fesë është zgjidhja e vetme që do t’u japë fund një herë e mirë të gjitha problemeve të njerëzimit. Por ndoshta ata mund të vendosin të anashkalojnë faktin se njerëzit që hedhin poshtë fenë mund të shkaktojnë po kaq shumë urrejtje sa edhe ata që janë fetarë. Karen Armstrongu, shkrimtare për çështjet e fesë, na kujton: «Një nga gjërat që tregoi të paktën Holokausti është që ideologjia antifetare [mund] të jetë po aq vdekjeprurëse sa edhe çdo kryqëzatë fetare.»​—Beteja për Perëndinë: Fondamentalizmi në judaizëm, në krishterim dhe në islamizëm (anglisht).

Prandaj, a ndikon feja për mirë apo është vërtet në rrënjë të problemeve të njerëzimit? A është zgjidhja e këtyre problemeve të hiqet çdo lloj feje? Shqyrtoni se çfarë thotë Bibla për këtë në artikullin vijues. Përgjigjja mund t’ju habitë.