Ngushëllim për të munduarit
Ngushëllim për të munduarit
KUR kishin mundime, burra besnikë dhe gra besnike të së kaluarës iu lutën me ngulm Perëndisë për udhëheqje. Megjithatë morën edhe iniciativën për t’u lehtësuar nga mundimet, si për shembull duke përdorur zhdërvjelltësinë për t’u shpëtuar shtypësve. Davidi ishte një prej atyre që arriti të përballonte vështirësitë duke u mbështetur te Jehovai, si edhe duke bërë vetë përpjekje. Po ne sot?
Kur keni ndonjë mundim a vështirësi, ndoshta edhe ju merrni iniciativën për ta zgjidhur problemin. Ta zëmë, nëse gjendeni pa punë, a nuk bëni përpjekje për të gjetur një punë të përshtatshme që të kujdeseni për veten e për familjen? (1 Timoteut 5:8) Ose, po të jeni sëmurë, a nuk shkoni të vizitoheni te ndonjë mjek? Është për t’u vërejtur se Jezui, të cilit Perëndia i kishte dhënë fuqi për të shëruar çdo lloj sëmundjeje, e pranoi se ‘të sëmurët kanë nevojë për mjek’. (Mateu 9:12) Mirëpo, jo gjithnjë vështirësitë mund të hiqen, prandaj ndoshta do t’ju duhet të vazhdoni t’i duroni deri në njëfarë mase.
Pse të mos i flitni për këtë Perëndisë Jehova në lutje? Për shembull, kur kërkojmë punë, mbështetja te Perëndia me anë të lutjes do të na ndihmojë të mos tundohemi për të pranuar një punë që bie ndesh me parimet e Biblës. Gjithashtu, nuk do të na lejojë që ‘të dalim nga rruga e besimit’ për shkak të lakmisë ose dashurisë për para. (1 Timoteut 6:10) Vërtet, kur marrim vendime të rëndësishme për punën, për familjen a për shëndetin, mund të ndjekim nxitjen e Davidit: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»—Psalmi 55:22.
Lutja me gjithë zemër do të na ndihmojë edhe të mbajmë ekuilibrin mendor, me qëllim që problemi që kemi të mos na mbytë. Një i krishterë i vërtetë, apostulli Pavël, shkroi: «Në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh.» Si mund të na ngushëllojë lutja e sinqertë? «Paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Paqja e Perëndisë «tejkalon çdo mendim», prandaj mund të na ndihmojë të ruajmë ekuilibrin kur ndihemi të rënduar nga ndjenjat shqetësuese. ‘Do t’i ruajë zemrat tona dhe fuqitë tona mendore’, duke na ndihmuar të mos reagojmë nxitimthi e në mënyrë jo të mençur, pasi kjo mund të na e shtojë më tepër mundimin.
Madje lutja mund të ketë ndikim domethënës në një situatë. Kur apostulli Pavël u burgos në Romë, me përulësi u kërkoi të bashkëkrishterëve që të luteshin për të. Pse e bëri Pavli këtë kërkesë? «Sidomos ju nxit ta bëni këtë,—u shkroi ai,—që të kthehem sa më shpejt te ju.» (Hebrenjve 13:19) Me fjalë të tjera, Pavli e dinte se lutjet këmbëngulëse të bashkëbesimtarëve drejtuar Jehovait mund të ndikonin për sa i përket kohës se kur do të çlirohej ai.—Filemonit 22.
A do ta ndryshojë lutja një situatë që po na mundon? Ndoshta. Megjithatë, duhet të kuptojmë që Perëndia Jehova mund të mos u përgjigjet lutjeve në mënyrën që do të na pëlqente neve. Pavli u lut disa herë për ‘gjembin në mish’ që kishte, i cili ndoshta ishte një problem fizik. Por, në vend që t’ia hiqte këtë mundim, Perëndia i tha Pavlit: «Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton; sepse fuqia ime përsoset në dobësi.»—2 Korintasve 12:7-9.
Pra, ndoshta edhe ne mund të mos lehtësohemi menjëherë nga mundimi që kemi. Megjithatë, do të kemi mundësinë të tregojmë se mbështetemi tek Ati ynë qiellor. (Jakovit 1:2-4) Duhet të jemi të sigurt se edhe sikur Perëndia Jehova të mos na e heqë mundimin, ai mund ‘të na sigurojë rrugëdaljen, me qëllim që të jemi në gjendje t’i qëndrojmë’. (1 Korintasve 10:13) Vlen të përmendet se Jehovai quhet «Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Korintasve 1:3, 4) Perëndia mund të na japë gjërat që na nevojiten për të qëndruar, e veç kësaj kemi shpresën e jetës së përhershme.
Fjala e Perëndisë, Bibla, premton se Jehovai «do të thajë çdo lot nga sytë e [njerëzve] dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Zbulesa 21:3, 4) A ju tingëllon diçka e pabesueshme të jetoni në një botë pa mundime? Ndoshta, nëse jeni mësuar të jetoni gjithnjë mes vështirësive. Megjithatë, Perëndia ka premtuar pikërisht lirinë nga frika e nga vështirësitë, dhe qëllimi i tij do të realizohet patjetër me sukses.—Isaia 55:10, 11.
[Figurat në faqen 9]
Nga dëshpërimi në lehtësim