Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Pas Përmbytjes Noeja dërgoi jashtë arkës një pëllumb i cili u kthye me «një gjethe ulliri». Ku e gjeti gjethen pëllumbi?
Bibla thotë se «ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan». (Zanafilla 7:19) Kur ujërat e përmbytjes u tërhoqën, çdo javë Noeja dërgoi jashtë për tri javë rresht një pëllumb. Herën e dytë pëllumbi u kthye dhe kishte «në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka».—Zanafilla 8:8-11.
Sigurisht tani nuk mund të dimë se për sa kohë mbeti e përmbytur një pjesë e caktuar e tokës, sepse pa dyshim sipërfaqja e tokës ndryshoi për shkak të Përmbytjes. Megjithatë ka të ngjarë që ujërat mbuluan pjesën më të madhe të rajoneve të tokës për një kohë aq të gjatë saqë shumë pemë u kalbën. Mirëpo disa me sa duket mbijetuan dhe kështu nxorën filiza të rinj kur ujërat u tërhoqën.
Në lidhje me pemën e ullirit një fjalor (The New Bible Dictionary) thotë: «Nëse pritet, nga rrënjët dalin filiza të rinj dhe mund të rriten kështu deri edhe pesë pemë të reja. Edhe ullinjtë që janë pothuajse të vdekur zakonisht zhvillohen në këtë mënyrë.» Siç thotë një enciklopedi (The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge), është «sikur aftësia e tij për të jetuar të ishte e pashkatërrueshme». Asnjë njeri sot nuk di hollësira të tilla të ujërave të Përmbytjes siç janë kripësia dhe temperatura e tyre. Prandaj nuk mund të jemi të sigurt për ndikimin e mundshëm që kanë pasur te pemët e ullirit dhe te bimët e tjera.
Sidoqoftë ulliri i egër nuk mund të mbijetojë në temperatura të ulëta, si ato që gjenden në malet e larta. Zakonisht ai rritet në zona nën lartësinë 1.000 metra ku temperatura mesatare është mbi 10° celsius. «Prandaj,—thotë libri Rishqyrtimi i Përmbytjes (anglisht),—nga gjethja e sapokëputur e ullirit Noeja mundi të nxirrte përfundimin se uji po tërhiqej nga luginat e ulëta.» Kur Noeja e lëshoi pëllumbin një javë më vonë, ai nuk u kthye më dhe kjo tregonte se kishte më shumë bimësi dhe më shumë vende ku pëllumbi mund të ulej.—Zanafilla 8:12.