Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mbajmë dëlirësinë morale duke ruajtur zemrën

Të mbajmë dëlirësinë morale duke ruajtur zemrën

Të mbajmë dëlirësinë morale duke ruajtur zemrën

«Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.»​—FJALËT E URTA 4:23.

1-3. (a) Si e tregojnë shpesh njerëzit se nuk e vlerësojnë dëlirësinë morale? Ilustrojeni. (b) Pse është e rëndësishme të shqyrtojmë vlerën e dëlirësisë morale?

PIKTURA ka të ngjarë të dukej jashtë mode. Ndoshta nuk shkonte me zbukurimet e shtëpisë. Sido që të ishte, pronarit të saj me sa duket nuk i hynte në punë. Piktura përfundoi në mes të sendeve të përdorura që shiteshin për bamirësi dhe iu vu një çmim prej 29 dollarësh. Por disa vjet më vonë u zbulua se vlente gati një milion dollarë. Po, ajo doli se ishte një kryevepër e rrallë. Përfytyroni se si është ndier ish-pronari i saj që e kishte nënvlerësuar këtë thesar.

2 Diçka e ngjashme ndodh shpesh me dëlirësinë morale, pra me pastërtinë morale të individit. Shumë njerëz sot e nënvlerësojnë dëlirësinë morale. Disa e shohin si diçka jashtë mode, e cila nuk shkon me mënyrën moderne të jetesës. Prandaj heqin dorë prej saj në këmbim të një përfitimi të vogël. Disa e këmbejnë dëlirësinë e tyre morale me ca çaste kënaqësie seksuale. Të tjerë e humbasin me shpresë që të shihen me sy të mirë nga bashkëmoshatarët ose individët e seksit tjetër.​—Fjalët e urta [Proverbat] 13:20.

3 Shumë veta e zbulojnë tepër vonë se sa gjë e vlefshme ishte në të vërtetë dëlirësia morale. Humbja që pësojnë është shpesh tragjike. Siç e thotë Bibla, pasojat e imoralitetit mund të jenë si helm, ‘të hidhura si pelini’. (Fjalët e urta 5:3, 4) Meqë klima e sotme morale është e korruptuar, si mund ta mbani si një gjë të çmuar dhe si mund ta ruani dëlirësinë morale? Do të përqendrohemi në tre hapa që mund të ndërmarrim.

Të ruajmë zemrën

4. Çfarë është zemra e figurshme? Pse duhet ta ruajmë?

4 Çelësi për të mbajtur dëlirësinë morale është që të ruajmë zemrën. Bibla thotë: «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.» (Fjalët e urta 4:23) Për çfarë bëhet fjalë në shprehjen «zemrën tënde»? Nuk bëhet fjalë për zemrën e mirëfilltë, por për zemrën e figurshme. Bëhet fjalë për njeriun e brendshëm, përfshirë mendimet, ndjenjat dhe motivet e tij. Bibla thotë: «Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5) Jezui e quajti këtë, urdhërimin më të madh nga të gjithë. (Marku 12:29, 30) Pa dyshim zemra jonë ka vlerë tejet të madhe. Ia vlen që ta ruajmë.

5. Si mund të jetë zemra e dobishme, por dhe e rrezikshme njëkohësisht?

5 Megjithatë Bibla thotë gjithashtu se «zemra është më tradhtare se çdo gjë tjetër dhe është vështirë të kontrollohet». (Jeremia 17:9, BR) Si mund të jetë zemra tradhtare, pra një rrezik për ne? Po ja një automjet për shembull, është i dobishëm, madje edhe jetëshpëtues në një rast urgjence. Por, në qoftë se shoferi nuk e mban në kontroll makinën, duke e drejtuar vazhdimisht timonin, po ky automjet mund të bëhet fare lehtë një armë vdekjeprurëse. Po kështu, në rast se nuk e ruajmë zemrën do të jemi plotësisht të nënshtruar nga çdo dëshirë dhe nxitje e saj e brendshme duke pasur pasoja katastrofike. Fjala e Perëndisë thotë: «Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.» (Fjalët e urta 28:26) Po, mund të ecni me urtësi ose mençuri nëse përdorni Fjalën e Perëndisë për t’ju drejtuar, pak a shumë siç do të shikonit një hartë rrugore përpara se të nisnit një udhëtim.​—Psalmi 119:105.

6, 7. (a) Çfarë është shenjtëria? Pse është e rëndësishme për shërbëtorët e Jehovait? (b) Si e dimë se njerëzit e papërsosur mund të pasqyrojnë shenjtërinë e Jehovait?

6 Zemra jonë nuk priret natyrshëm drejt dëlirësisë morale. Duhet ta drejtojmë në atë rrugë. Një mënyrë për ta bërë këtë është që të mendojmë thellë për vlerën e vërtetë të dëlirësisë morale. Kjo cilësi është e lidhur ngushtë me shenjtërinë, e cila do të thotë pastërti, të jesh i ndarë nga mëkatet. Shenjtëria është një cilësi e çmuar dhe është veti themelore e Perëndisë Jehova. Qindra vargje biblike e lidhin këtë cilësi me Jehovain. Në fakt Bibla thotë se «Shenjtëria i përket Jehovait». (Dalja [Eksodi] 28:36, BR) Por, ç’lidhje ka kjo cilësi shumë e lartë me ne njerëzit e papërsosur?

7 Në Fjalën e tij Jehovai na thotë: «Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.» (1 Pjetrit 1:16) Po, ne mund ta imitojmë shenjtërinë e Jehovait; mund të jemi të pastër para tij, duke mbajtur dëlirësinë morale. Kështu kur përmbahemi nga veprat e papastra dhe që të ndotin, po synojmë një privilegj shumë të lartë dhe të mrekullueshëm, privilegjin që të pasqyrojmë një veti të shkëlqyer të Perëndisë Më të Lartë. (Efesianëve 5:1) Nuk duhet të mendojmë se kjo është e pamundur, sepse Jehovai është një Zotëri i mençur dhe i arsyeshëm që kurrë nuk kërkon nga ne më shumë sesa jemi në gjendje të bëjmë. (Psalmi 103:13, 14; Jakovit 3:17) Vërtet, kërkohen përpjekje që të qëndrojmë të dëlirë frymësisht dhe moralisht. Gjithsesi apostulli Pavël theksoi se «sinqeriteti dhe dëlirësia . . . i takojnë Krishtit». (2 Korintasve 11:3) A nuk i detyrohemi Krishtit dhe Atit të tij që të bëjmë çdo përpjekje për të qëndruar të dëlirë moralisht? Në fund të fundit ata na kanë treguar dashuri më shumë sesa mund të tregojmë ne ndaj tyre. (Gjoni 3:16; 15:13) Është një privilegj që ta shprehim mirënjohjen tonë duke bërë një jetë të pastër moralisht. Kur e shohim në këtë mënyrë dëlirësinë morale do ta çmojmë atë, duke ruajtur zemrën.

8. (a) Si mund ta ushqejmë zemrën e figurshme? (b) Çfarë mund të zbulojnë bisedat tona për ne?

8 E ruajmë zemrën edhe nëpërmjet mënyrës se si ushqehemi. Kemi nevojë të ushqejmë rregullisht mendjen dhe zemrën me ushqim të mirë frymor dhe të përqendrohemi te lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë. (Kolosianëve 3:2) Edhe bisedat tona duhet të tregojnë se përqendrohemi te ky lajm. Në rast se njihemi si persona që flasim për gjëra imorale dhe të mishit, po zbulojmë diçka për gjendjen e zemrës sonë. (Luka 6:45) Në vend të kësaj le të njihemi se flasim për gjëra frymore dhe ndërtuese. (Efesianëve 5:3) Për të ruajtur zemrën duhet të shmangim disa rreziqe serioze. Le të shqyrtojmë dy prej tyre.

Të ikim nga kurvëria

9-11. (a) Pse ata që shpërfillin këshillën e 1 Korintasve 6:18 ka më të ngjarë që të kryejnë imoralitet të rëndë? Ilustrojeni. (b) Nëse po ikim nga kurvëria, çfarë duhet të shmangim? (c) Çfarë shembulli pozitiv na la Jobi besnik?

9 Jehovai e frymëzoi apostullin Pavël që të shkruante disa këshilla të cilat i kanë ndihmuar shumë veta të ruajnë zemrën dhe të mbajnë dëlirësinë morale. Pavli tha: «Ikni nga kurvëria.» (1 Korintasve 6:18) Vini re se ai nuk tha vetëm: «Shmangni kurvërinë.» Të krishterët duhet të bëjnë diçka më shumë, duhet të ikin larg veprave të tilla imorale pikërisht ashtu siç do të largoheshin me vrap nga një rrezik kërcënues për jetën. Nëse e shpërfillim këtë këshillë e rritim edhe më shumë mundësinë që të kryejmë imoralitet të rëndë dhe të humbim miratimin e Perëndisë.

10 Të bëjmë një ilustrim: Një nënë ka larë dhe ka veshur djalin e saj të vogël që ta bëjë gati për një rast të rëndësishëm. Ai e pyet nëse mund të luajë jashtë përpara se familja të niset dhe mamaja pranon, por me një kusht. Ajo i thotë: «Mos shko pranë atij pellgut jashtë. Po u bëre me baltë do të të ndëshkoj.» Por brenda disa minutave ajo e sheh djalin duke u lëkundur në majë të gishtave pikërisht buzë pellgut. Nuk është bërë me baltë ende. Megjithatë po e shpërfill paralajmërimin e saj për të mos shkuar pranë pellgut dhe është pothuajse e sigurt se do të ketë telashe. (Fjalët e urta 22:15) Shumë të rinj​—si edhe persona të rritur që duhet të jenë më të kujdesshëm​—bëjnë të njëjtin gabim. Si ka mundësi?

11 Në këto kohë kur kaq shumë njerëz jepen pas ‘urisë së turpshme seksuale’, ka lindur një industri e tërë e cila shet materiale rreth marrëdhënieve seksuale të paligjshme. (Romakëve 1:26, 27) Murtaja e pornografisë është përhapur nëpër revista, libra, videokaseta dhe në Internet. Ata që vendosin të futin në mendje pamje të tilla nuk po ikin aspak nga kurvëria. Po luajnë me të, si të thuash po lëkunden dhe janë në prag të kryerjes së kurvërisë, duke shpërfillur paralajmërimin e Biblës. Në vend që ta ruajnë zemrën, po e helmojnë atë me pamje tronditëse që mund të duhen vite për t’i fshirë nga kujtesa. (Fjalët e urta 6:27) Le të mësojmë nga Jobi besnik, i cili bëri një besëlidhje me sytë e tij për të mos parë gjëra që vetëm sa do ta tundonin të bënte të keqen. (Jobi 31:1) Sot ky është një shembull për t’u ndjekur.

12. Si mund ‘të ikin nga kurvëria’ të krishterët gjatë periudhës së njohjes?

12 Është veçanërisht e rëndësishme që ‘të ikim nga kurvëria’ gjatë periudhës së njohjes. Kjo duhet të jetë një periudhë e gëzueshme plot shpresë, por disa të rinj e ndotin atë duke luajtur me imoralitetin. Duke vepruar kështu nuk i lënë njëri-tjetrit mundësinë që të hedhin themelin më të mirë për një martesë të suksesshme​—një marrëdhënie të bazuar në dashurinë altruiste, në vetëkontrollin dhe në bindjen ndaj Perëndisë Jehova. Dy të krishterë u përfshinë në sjellje imorale gjatë periudhës së njohjes. Pasi u martuan gruaja pranoi se e mundonte ndërgjegjja, madje duke ia hequr edhe gëzimin e ditës së dasmës. Ajo tha: «I kam kërkuar shumë herë Jehovait që të më falë, por edhe pse kanë kaluar shtatë vjet që nga ajo kohë, ndërgjegjja vazhdon të më akuzojë.» Është jetësore që ata të cilët kryejnë mëkate të tilla të kërkojnë ndihmë nga pleqtë e krishterë. (Jakovit 5:14, 15) Megjithatë shumë të krishterë veprojnë me mençuri dhe i shmangin këto rreziqe gjatë periudhës së njohjes. (Fjalët e urta 22:3) Ata i kufizojnë shprehjet e përzemërsisë ndaj njëri-tjetrit. Qëndrojnë bashkë në praninë e një personi të tretë dhe tregojnë kujdes që të mos rrinë vetëm në vende të veçuara.

13. Pse të krishterët nuk duhet të fillojnë një periudhë njohjeje me dikë që nuk i shërben Jehovait?

13 Të krishterët që fillojnë një periudhë njohjeje me ata që nuk i shërbejnë Jehovait ka të ngjarë të hasin probleme të mëdha. Për shembull, si mund të bashkoheni me dikë që nuk e do Perëndinë Jehova? Është jetësore që të krishterët të futen nën një zgjedhë ose të bashkohen vetëm me ata që e duan Jehovain dhe i respektojnë normat e tij të dëlirësisë morale. Fjala e Perëndisë na thotë: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse, ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën?»​—2 Korintasve 6:14.

14, 15. (a) Çfarë pikëpamje të gabuar kanë disa për kuptimin e fjalës «kurvëri»? (b) Ç’lloj aktesh përfshin «kurvëria»? Si mund ‘të ikin të krishterët nga kurvëria’?

14 Edhe njohuria është thelbësore. Nuk mund të ikim plotësisht nga kurvëria në rast se nuk e dimë saktësisht se çfarë është. Disa njerëz në botën e sotme kanë një ide të gabuar për kuptimin e fjalës «kurvëri». Mendojnë se mund të kënaqin impulset e tyre seksuale pa qenë të martuar, mjafton që të mos kryejnë faktikisht marrëdhënie seksuale. Madje edhe disa institucione shëndetësore të respektueshme që përpiqen të zvogëlojnë numrin e shtatzënive të padëshirueshme tek adoleshentet, i kanë nxitur të rinjtë që të përfshihen në sjellje seksuale të papranueshme që nuk çojnë në shtatzëni. Këto këshilla të çojnë në një drejtim krejtësisht të gabuar. Të shmangësh shtatzëninë jashtë martesës nuk është njësoj si të mbash dëlirësinë morale dhe përkufizimi i vërtetë i fjalës «kurvëri» nuk është kaq i kufizuar ose i ngushtë.

15 Fjala greke porneia, e përkthyer «kurvëri», ka një kuptim shumë të gjerë. Ajo ka lidhje me marrëdhëniet seksuale mes individëve që nuk janë të martuar me njëri-tjetrin. Kuptimi i kësaj fjale përqendrohet kryesisht te keqpërdorimi i organeve seksuale. Porneia përfshin akte të tilla si seksi oral, seksi anal dhe masturbimi i një personi tjetër, sjellje që zakonisht lidhen me vendet e prostitucionit. Njerëzit që mendojnë se këto akte nuk janë «kurvëri» po mashtrojnë vetveten dhe kanë rënë viktimë e një prej grackave të Satanait. (2 Timoteut 2:26) Për më tepër të mbash dëlirësinë morale do të thotë më shumë sesa vetëm të mos kryesh asnjë vepër që është kurvëri. Që ‘të ikim nga kurvëria’ duhet të shmangim çdo lloj forme të papastërtisë seksuale dhe të sjelljes së shthurur, të cilat mund të na çojnë në mëkatin e rëndë të porneias. (Efesianëve 4:19) Në këtë mënyrë e mbajmë dëlirësinë.

Të shmangim rreziqet që vijnë nga flirtimi

16. Në cilin rast është e përshtatshme sjellja romantike? Cili shembull biblik e ilustron këtë?

16 Në qoftë se duam të mbajmë dëlirësinë morale një rrezik tjetër nga i cili duhet të ruhemi është flirtimi. Disa mund të ngulin këmbë se flirtimi është zbavitje e pafajshme dhe e padëmshme mes individëve të sekseve të ndryshme. Pa dyshim ka një kohë dhe një vend për sjellje romantike. Isakun dhe Rebekën i panë ‘duke përkëdhelur’ njëri-tjetrin dhe për ata që i vëzhguan, ata të dy nuk ishin thjesht vëlla e motër. (Zanafilla 26:7-9) Ata ishin burrë e grua. Shprehjet e përzemërsisë ndërmjet tyre ishin të përshtatshme. Por flirtimi është një gjë tjetër.

17. Çfarë është flirtimi? Si mund të zgjidhet ky problem?

17 Flirtimi mund të përcaktohet në këtë mënyrë: të tregosh interes romantik kur në të vërtetë nuk ke ndër mend të martohesh. Njerëzit janë krijesa të ndërlikuara, prandaj pa dyshim ka shumë mënyra flirtimi, disa prej të cilave nuk bien në sy menjëherë. (Fjalët e urta 30:18, 19) Prandaj vendosja e rregullave të prera të sjelljes nuk është një zgjidhje. Përkundrazi kërkohet diçka më e lartë​—një vetëshqyrtim i ndershëm dhe zbatimi i ndërgjegjshëm i parimeve biblike.

18. Çfarë i shtyn disa që të flirtojnë? Pse është i dëmshëm flirtimi?

18 Nëse jemi të ndershëm me veten, shumica prej nesh ndoshta do ta pranojë se kur ndiejmë që dikush i seksit tjetër shfaq interes romantik ndaj nesh, ndihemi të lajkatuar. Kjo është e natyrshme. Por a flirtojmë me qëllim që të zgjojmë interes romantik te një person, vetëm për të rritur vlerësimin për veten ose për ta bërë edhe personin tjetër që të ndihet në të njëjtën mënyrë? Nëse është kështu, a kemi menduar për dhembjen që mund të jemi duke shkaktuar? Për shembull, Fjalët e urta 13:12 thotë: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën.» Në rast se flirtojmë qëllimisht me dikë, ndoshta nuk e dimë saktësisht se si ndikohet personi tjetër. Ai ose ajo mund të presë që të fillojmë një periudhë njohjeje me të e madje së fundi edhe të martohemi. Zhgënjimi që mund të provojë personi më pas mund të jetë shkatërrimtar. (Fjalët e urta 18:14) Të luajmë qëllimisht me ndjenjat e të tjerëve është një gjë mizore.

19. Si mund të vërë në rrezik flirtimi martesat e krishtere?

19 Është e rëndësishme sidomos që të ruhemi nga flirtimi me të martuarit. Është e gabuar të shfaqim interes romantik ndaj një personi të martuar ose që një person i martuar të shfaqë interes të tillë ndaj dikujt që nuk është bashkëshorti i vet. Mjerisht disa të krishterë kanë pasur bindjen e gabuar se është diçka e pranueshme të kultivojnë ndjenja romantike ndaj personave të seksit tjetër përveç bashkëshortit të tyre. Disa ia zbulojnë shqetësimet e tyre të brendshme një «miku» të tillë, madje duke i shprehur mendime personale që nuk ia thonë bashkëshortit të vet. Si pasojë ndjenjat romantike zhvillohen duke krijuar një varësi emocionale që mund të minojë e madje të shkatërrojë një martesë. Të krishterët e martuar bëjnë mirë të kujtojnë paralajmërimin e mençur të Jezuit për kurorëshkeljen: ajo fillon nga zemra. (Mateu 5:28) Prandaj, le ta ruajmë zemrën dhe të shmangim rrethana që mund të çojnë në pasoja të tilla shkatërrimtare.

20. Si duhet të jemi të vendosur që ta shohim dëlirësinë morale?

20 Patjetër, nuk është e lehtë të qëndrojmë të dëlirë në botën e sotme imorale. Por le të kujtojmë se është shumë më e lehtë të mbajmë dëlirësinë morale sesa ta rifitojmë atë pasi e kemi humbur. Natyrisht Jehovai mund ‘të falë bujarisht’ dhe është në gjendje të pastrojë ata që pendohen vërtet për mëkatet. (Isaia 55:7) Megjithatë, Jehovai nuk i mbron nga pasojat e veprimeve të tyre ata që kryejnë imoralitet. Pasojat mund të zgjasin për vite të tëra, madje për gjithë jetën. (2 Samuelit 12:9-12) Mbajeni me çdo kusht dëlirësinë morale duke ruajtur zemrën. Shikojeni qëndrimin tuaj të dëlirë e të pastër përpara Jehovait si një thesar të çmuar dhe kurrë mos e humbitni dëlirësinë morale!

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë është dëlirësia morale? Pse është kaq e rëndësishme?

• Si mund ta ruajmë zemrën?

• Çfarë nënkupton të ikim nga kurvëria?

• Pse duhet të shmangim flirtimin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 11]

Një makinë mund të jetë e rrezikshme, nëse nuk e ngasim siç duhet

[Figurat në faqen 12]

Çfarë mund të ndodhë në qoftë se shpërfillim paralajmërimet?

[Figura në faqen 13]

Një periudhë njohjeje e dëlirë është e gëzueshme dhe nderon Perëndinë