Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ruhemi nga mashtrimet

Të ruhemi nga mashtrimet

Të ruhemi nga mashtrimet

«Ruhuni që ndokush të mos ju bëjë prenë e vet nëpërmjet . . . mashtrimeve boshe.»​—KOLOSIANËVE 2:8.

1-3. (a) Cilët shembuj tregojnë se mashtrimet kanë depërtuar pothuajse në të gjitha fushat e jetës së përditshme? (b) Pse nuk duhet të habitemi nga mashtrimet që bëhen në botë?

«SA PREJ jush nuk i ka gënjyer kurrë ndonjë klient?» Këtë pyetje e bëri disa vite më parë një profesor i juridikut gjatë një sondazhi që drejtoi. Cilat qenë përgjigjet? Ai shpjegon: «Nga mijëra avokatë vetëm njërin nuk e kishte gënjyer kurrë asnjë klient.» Cila ishte arsyeja? «Avokati sapo kishte nisur të bënte praktikën me një firmë të madhe dhe ende nuk kishte folur me një klient.» Kjo përvojë ilustron një të vërtetë të trishtueshme: gënjeshtrat dhe mashtrimet janë të zakonshme në botën e sotme.

2 Mashtrimet bëhen në shumë forma dhe kanë depërtuar pothuajse në të gjitha fushat e jetës. Raportet e medias janë plot me shembuj të tillë, si: politikanë që gënjejnë për veprimet e tyre, llogaritarë dhe avokatë që i ekzagjerojnë fitimet e firmës së tyre, reklamues që mashtrojnë konsumatorët, paditës që mashtrojnë shoqëritë e sigurimeve. Këta janë vetëm disa shembuj. Pastaj janë mashtrimet fetare. Kleri i mashtron njerëzit duke u mësuar doktrina të rreme, siç janë pavdekshmëria e shpirtit, ferri i zjarrtë dhe Triniteti.​—2 Timoteut 4:3, 4.

3 A duhet të habitemi nga gjithë këto mashtrime? Aspak. Në lidhje me «ditët e fundit» Bibla paralajmëroi: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar edhe vetë.» (2 Timoteut 3:1, 13) Si të krishterë duhet të jemi syçelë ndaj ideve mashtruese që mund të na largojnë nga e vërteta. Lindin natyrshëm dy pyetje: Pse janë kaq të përhapura mashtrimet sot? Si mund të ruhemi që të mos mashtrohemi?

Pse bëhen kaq mashtrime sot?

4. Si e shpjegon Bibla se përse mashtrimet janë kaq të përhapura sot në botë?

4 Bibla shpjegon qartë përse mashtrimet janë kaq të përhapura sot në këtë botë. Apostulli Gjon shkroi se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) Ky ‘i lig’ është Satana Djalli. Për të Jezui tha: «Nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur e thotë gënjeshtrën, e thotë në përputhje me natyrën e vet, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.» A është për t’u habitur pra, që kjo botë pasqyron frymën, vlerat dhe vetitë mashtruese të sundimtarit të saj?​—Gjoni 8:44; 14:30; Efesianëve 2:1-3.

5. Si i ka shtuar Satanai përpjekjet e tij mashtruese në këtë kohë të fundit? Cilët janë sidomos nën shënjestrën e tij?

5 Në këtë kohë të fundit Satanai i ka shtuar përpjekjet e tij. Ai është hedhur poshtë në tokë. E di se koha që i ka mbetur është e shkurtër dhe ka «zemërim të madh». Duke qenë i vendosur të shkatërrojë sa më shumë njerëz, ai «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9, 12) Satanai nuk mashtron vetëm ndonjëherë. Përkundrazi bën përpjekje të pareshtura për të mashtruar njerëzimin. * Përdor çdo metodë nga të gjitha metodat e shumta mashtruese që zotëron​—siç janë dredhia dhe pabesia​—për t’ua verbuar mendjen jobesimtarëve dhe për t’i mbajtur larg Perëndisë. (2 Korintasve 4:4) Ky mjeshtër i mashtrimit është sidomos i vendosur që të përpijë ata që po adhurojnë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24; 1 Pjetrit 5:8) Kurrë të mos harrojmë se Satanai ka thënë me pak fjalë: ‘Unë mund të largoj këdo nga Perëndia.’ (Jobi 1:9-12) Le të shqyrtojmë disa nga «intrigat» ose taktikat mashtruese të Satanait dhe se si të ruhemi prej tyre.​—Efesianëve 6:11.

Të ruhemi nga mashtrimet e apostatëve

6, 7. (a) Çfarë mund të pohojnë apostatët? (b) Si e tregojnë qartë Shkrimet se çfarë duan apostatët?

6 Satanai ka përdorur prej kohësh apostatët në përpjekje për të joshur shërbëtorët e Perëndisë. (Mateu 13:36-39) Apostatët mund të pohojnë se adhurojnë Jehovain dhe besojnë te Bibla, por ata hedhin poshtë pjesën e dukshme të organizatës së tij. Disa madje rikthehen te doktrinat e ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme, të cilat e çnderojnë Perëndinë. (Zbulesa 17:5; 2 Pjetrit 2:19-22) Nën frymëzimin hyjnor shkrimtarët e Biblës përdorën fjalë të fuqishme për të demaskuar motivet dhe metodat e apostatëve.

7 Çfarë duan apostatët? Shumica e tyre nuk kënaqen vetëm duke u larguar nga besimi që ndoshta dikur e shihnin si të vërtetë. Shpesh duan të marrin me vete të tjerë. Në vend që të kërkojnë e të bëjnë dishepuj të tyre jashtë kongregacionit të krishterë, shumë apostatë përpiqen «për të tërhequr pas vetes dishepujt [domethënë dishepujt e Krishtit]». (Veprat 20:29, 30) Në lidhje me mësuesit e rremë apostulli Pavël shpalli këtë paralajmërim urgjent: «Ruhuni që ndokush të mos ju bëjë prenë e vet.» (Kolosianëve 2:8) A nuk përshkruan kjo atë që shumë apostatë përpiqen të bëjnë? Ashtu si një rrëmbyes njerëzish që ia rrëmben viktimën familjes, ndërkohë që viktima nuk ka fare dyshime te rrëmbyesi, apostatët bëjnë pre pjesëtarë mosdyshues të kongregacionit dhe kështu përpiqen t’ia rrëmbejnë kopesë.

8. Çfarë metodash përdorin apostatët për të arritur qëllimin e tyre?

8 Çfarë metodash përdorin apostatët për të arritur qëllimin e tyre? Shpesh përdorin shtrembërime, thënie gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra të drejtpërdrejta. Jezui e dinte se ithtarët e tij do të binin viktimë e atyre që ‘do të thoshin çdo lloj gënjeshtre të ligë kundër’ tyre. (Mateu 5:11, Today’s English Version) Këta kundërshtarë keqdashës do të thoshin gjëra të pavërteta me qëllim që të mashtronin të tjerët. Apostulli Pjetër paralajmëroi se apostatët do të përdornin «fjalë të shtira», do të përhapnin ‘mësime mashtruese’ dhe ‘do të shtrembëronin Shkrimet’ për të arritur qëllimin e tyre. (2 Pjetrit 2:3, 13; 3:16) Mjerisht apostatët arrijnë ‘të minojnë besimin e disave’.​—2 Timoteut 2:18.

9, 10. (a) Si mund të ruhemi që të mos mashtrohemi nga apostatët? (b) Pse nuk shqetësohemi nëse kuptueshmëria që kemi rreth qëllimit të Perëndisë ka nevojë të rafinohet?

9 Si mund të ruhemi që të mos mashtrohemi nga apostatët? Duke i vënë veshin këshillës nga Fjala e Perëndisë, e cila thotë: ‘Jini vigjilentë ndaj atyre që shkaktojnë përçarje dhe raste për pengesë në kundërshtim me mësimin që keni marrë dhe shmangini ata.’ (Romakëve 16:17) ‘I shmangim ata’ duke mos u kushtuar vëmendje arsyetimeve që bëjnë, qoftë drejtpërdrejt, qoftë në formë të shtypur ose në Internet. Pse marrim një qëndrim të tillë? Së pari, sepse Fjala e Perëndisë na urdhëron të veprojmë kështu dhe ne kemi besim se Jehovai gjithnjë na do të mirën.​—Isaia 48:17, 18.

10 Së dyti, e duam organizatën që na ka mësuar të vërtetat e çmuara që na ndajnë kaq qartë nga Babilonia e Madhe. Njëkohësisht e pranojmë se njohuria jonë rreth qëllimit të Perëndisë nuk është e përsosur; kuptueshmëria jonë është rafinuar gjatë viteve. Të krishterët besnikë janë të lumtur të presin që Jehovai ta bëjë gjithë këtë rafinim. (Fjalët e urta 4:18) Ndërkohë nuk do ta braktisim organizatën që Perëndia ka kënaqësi ta përdorë, sepse shohim dëshmi të qarta të bekimit të tij ndaj saj.​—Veprat 6:7; 1 Korintasve 3:6.

Të ruhemi nga vetëmashtrimi

11. Pse njerëzit e papërsosur kanë prirjen për të mashtruar vetveten?

11 Njerëzit e papërsosur kanë një prirje që Satanai e shfrytëzon menjëherë: vetëmashtrimin. «Zemra është më tradhtare se çdo gjë tjetër dhe është vështirë të kontrollohet»,​—thuhet te Jeremia 17:9, BR. Gjithashtu Jakovi shkroi: «Secili sprovohet, duke u tërhequr dhe joshur nga dëshira e vet.» (Jakovit 1:14) Nëse zemra jonë joshet, ajo në të vërtetë mund të na bëjë për vete nëpërmjet dëshirave mëkatare, duke i bërë ato të duken tërheqëse e të padëmshme. Por kjo gjë është mashtruese, sepse po t’i dorëzohemi mëkatit kjo në fund do të na çojë drejt shkatërrimit.​—Romakëve 8:6.

12. Në cilat mënyra mund të biem në lakun e vetëmashtrimit?

12 Vetëmashtrimi mund të na zërë lehtë në lak. Një zemër tradhtare mund të gjejë justifikime për një të metë serioze të personalitetit ose për një mëkat të rëndë. (1 Samuelit 15:13-15, 20, 21) Gjithashtu, zemra jonë, e cila është vështirë të kontrollohet, mund të kërkojë mënyra për të justifikuar një sjellje të diskutueshme. Të marrim për shembull, çështjen e zbavitjes. Disa zbavitje janë të shëndetshme dhe të këndshme. Megjithatë shumë prej gjërave që ofron kjo botë​—në filmat, në programet televizive dhe në faqet e Internetit​—janë të ndyra dhe imorale. Është e lehtë që ta bindim veten se mund të shohim zbavitje të degraduara pa pësuar asnjë dëm. Disa madje arsyetojnë: «Kjo gjë nuk më trazon ndërgjegjen, prandaj çfarë problemi mund të ketë?!» Por këta individë ‘po gënjejnë’ ose po mashtrojnë ‘veten me arsyetime të rreme’.​—Jakovit 1:22.

13, 14. (a) Cili shembull biblik tregon se ndërgjegjja nuk është gjithnjë një udhëheqje e sigurt? (b) Si mund të ruhemi nga vetëmashtrimi?

13 Si mund të jemi vigjilentë ndaj vetëmashtrimit? Para së gjithash duhet të kujtojmë se ndërgjegjes njerëzore nuk mund t’i zihet besë gjithnjë. Shqyrtoni rastin e apostullit Pavël. Para se të bëhej një i krishterë ai i përndiqte ithtarët e Krishtit. (Veprat 9:1, 2) Në atë kohë ndërgjegjja e tij ndoshta nuk e trazonte. Sidoqoftë, pa dyshim ajo ishte mashtruar. «Isha në padije dhe veproja me mungesë besimi»,​—tha Pavli. (1 Timoteut 1:13) Pra vetëm fakti se një lloj zbavitjeje nuk na e trazon ndërgjegjen nuk është një garanci se po veprojmë drejt. Vetëm një ndërgjegje e shëndetshme e stërvitur siç duhet nëpërmjet Fjalës së Perëndisë mund të jetë një udhëheqje e sigurt.

14 Që të shmangim vetëmashtrimin ka disa këshilla të dobishme të cilat duhet t’i mbajmë mend. Të shqyrtojmë vetveten me anë të lutjes. (Psalmi 26:2; 2 Korintasve 13:5) Një vetëshqyrtim i ndershëm mund të na zbulojë se kemi nevojë të bëjmë disa ndryshime në pikëpamjen tonë ose në mënyrën se si veprojmë. Të dëgjojmë të tjerët. (Jakovit 1:19) Meqenëse vetëshqyrtimi priret që të ndikohet nga pikëpamjet tona personale është e mençur të dëgjojmë mendimin e paanshëm të të bashkëkrishterëve të pjekur. Nëse po marrim vendime ose po veprojmë në mënyra që janë të diskutueshme në sytë e bashkëbesimtarëve të matur e me përvojë mund të pyesim veten: ‘A mos vallë ndërgjegjja ime nuk është stërvitur siç duhet ose a mos vallë po më mashtron zemra?’ Të ushqehemi rregullisht me Biblën dhe me botimet e bazuara në të. (Psalmi 1:2) Po të veprojmë kështu, mendimet, qëndrimet dhe ndjenjat tona do të jenë në përputhje me parimet hyjnore.

Të ruhemi nga gënjeshtrat e Satanait

15, 16. (a) Çfarë gënjeshtrash përdor Satanai për të na mashtruar? (b) Si të mos mashtrohemi nga këto gënjeshtra?

15 Satanai përdor shumë lloje gënjeshtrash në përpjekje për të na mashtruar. Ai përpiqet të na bindë se gjërat materiale na sjellin lumturi dhe kënaqësi, megjithatë shpesh del e vërtetë e kundërta. (Predikuesi [Eklisiastiu] 5:10-12) Ai do që të besojmë se kjo botë e ligë do të vazhdojë përgjithmonë, megjithëse ka dëshmi të qarta se po jetojmë në «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5) Satanai përhap idenë se nuk ka asgjë të dëmshme të ndjekim një mënyrë jetese imorale, edhe pse ata që jepen pas këtyre kënaqësive shpesh korrin pasoja të hidhura. (Galatasve 6:7) Si të mos mashtrohemi nga këto gënjeshtra?

16 Të nxjerrim dobi nga shembujt biblikë. Bibla përmban shembuj paralajmërues të individëve që u mashtruan nga gënjeshtrat e Satanait. Ata deshën gjërat materiale, nuk u kushtuan vëmendje kohëve në të cilat po jetonin ose u dhanë pas imoralitetit, dhe për të gjitha këto patën pasoja të këqija. (Mateu 19:16-22; 24:36-42; Luka 16:14; 1 Korintasve 10:8-11) Të mësojmë nga shembujt e ditëve të sotme. Mjerisht ndonjëherë disa të krishterë e humbasin ndjenjën e urgjencës dhe mendojnë se duke i shërbyer Perëndisë po humbin diçka të mirë. Ndoshta e lënë të vërtetën për të ndjekur një jetë me të ashtuquajtura kënaqësi. Por këta individë janë «në vende të rrëshqitshme», sepse herët a vonë do të korrin pasojat e sjelljes së tyre të paperëndishme. (Psalmi 73:18, 19) Jemi të mençur po të mësojmë nga gabimet e të tjerëve.​—Fjalët e urta 22:3.

17. Pse Satanai përhap gënjeshtrën që Jehovai as nuk na do dhe as nuk na çmon?

17 Është edhe një gënjeshtër tjetër që Satanai përdor me efektshmëri​—gënjeshtra se Jehovai as nuk na do dhe as nuk na çmon. Satanai ka pasur mundësi që të studiojë prej mijëra vjetësh njerëzit e papërsosur. Ai e di mirë se shkurajimi mund të na dobësojë. (Fjalët e urta 24:10) Prandaj përhap gënjeshtrën se jemi të pavlefshëm në sytë e Perëndisë. Nëse ndihemi «të hedhur poshtë» dhe bindemi se Jehovai nuk interesohet për ne, mund të tundohemi për t’u dorëzuar. (2 Korintasve 4:9) Pikërisht këtë do Mashtruesi i madh. Atëherë, si mund të ruhemi që të mos mashtrohemi nga kjo gënjeshtër satanike?

18. Si na siguron Bibla për dashurinë e Jehovait?

18 Të besojmë vërtet atë që thotë Bibla për dashurinë që ka Perëndia për ne. Fjala e Perëndisë përdor disa ilustrime prekëse për të na siguruar se Jehovai na kushton vëmendje dhe e do secilin prej nesh. Ai i vë lotët tanë në «calikun» e tij, domethënë sheh dhe kujton lotët që derdhim në luftën për të qëndruar besnikë. (Psalmi 56:8) Ai e di kur e kemi «zemrën të thyer» dhe është pranë nesh në këto çaste. (Psalmi 34:18) Di çdo hollësi për ne, përfshirë edhe numrin e ‘fijeve të flokëve të kokës sonë’. (Mateu 10:29-31) Mbi të gjitha, Perëndia «dha Birin e tij të vetëmlindur» për secilin prej nesh. (Gjoni 3:16; Galatasve 2:20) Ndonjëherë mund ta kemi të vështirë të besojmë se këto shkrime zbatohen për ne si individë. Por duhet t’i besojmë fjalës së Jehovait. Ai dëshiron që të besojmë se na do jo vetëm si grup, por edhe individualisht.

19, 20. (a) Pse është e rëndësishme që ta kuptojmë dhe të mos e pranojmë gënjeshtrën satanike se Jehovai nuk na do? (b) Si i ka ndihmuar një mbikëqyrës udhëtues zemërlëshuarit?

19 Ta kuptojmë dhe të mos e pranojmë gënjeshtrën. Në qoftë se e dimë se dikush po na gënjen mund të mbrohemi që të mos mashtrohemi. Po kështu vetëm duke e ditur se Satanai dëshiron që të besojmë gënjeshtrën se Jehovai nuk na do, mund të jetë në vetvete një ndihmë e fuqishme. Pasi lexoi një artikull të Kullës së Rojës që paralajmëronte kundër taktikave të Satanait një e krishtere tha: «Kurrë nuk e mendoja se Satanai përpiqet të përdorë ndjenjat e mia negative për të më shkurajuar. Tani që e di këtë kam një motiv për t’i luftuar këto ndjenja.»

20 Shqyrtoni përvojën e një mbikëqyrësi udhëtues në një vend të Amerikës së Jugut. Kur bën vizita baritore te bashkëbesimtarët që janë zemërlëshuar shpesh i pyet: ‘A beson te Triniteti?’ I shkurajuari zakonisht përgjigjet: ‘Patjetër që jo’, sepse e di që kjo është një nga gënjeshtrat e Satanait. Mbikëqyrësi e pyet pastaj: ‘A beson te ferri i zjarrtë?’ Individi përgjigjet përsëri: ‘Patjetër që jo!’ Atëherë mbikëqyrësi i thotë se ekziston një tjetër gënjeshtër satanike që zakonisht nuk njihet si e tillë. Ai drejton vëmendjen te faqja 249, paragrafi 21 i librit T’i afrohemi Jehovait, * ku demaskohet gënjeshtra se Jehovai nuk na do si individë. Mbikëqyrësi udhëtues raporton se ka pasur rezultate pozitive duke i ndihmuar me këtë mënyrë të shkurajuarit që ta kuptojnë dhe të mos e pranojnë këtë gënjeshtër të Satanait.

Të ruhemi nga mashtrimet

21, 22. Pse nuk jemi në errësirë në lidhje me taktikat mashtruese të Satanait? Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

21 Gjatë kësaj pjese përfundimtare të ditëve të fundit e presim që Satanai të vazhdojë të përhapë me bollëk gënjeshtra dhe mashtrime. Lumturisht Jehovai nuk na ka lënë në errësirë në lidhje me taktikat mashtruese të Satanait. Bibla dhe botimet e bazuara në të të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ demaskojnë qartë metodat e liga të Djallit. (Mateu 24:45) Duke qenë të paralajmëruar mund të përgatitemi për t’u mbrojtur prej tyre.​—2 Korintasve 2:11.

22 Le të ruhemi pra nga arsyetimet e apostatëve. Le të jemi të vendosur që të shmangim lakun tinëzar të vetëmashtrimit. Dhe le të kuptojmë e të mos pranojmë asnjë gënjeshtër të Satanait. Po të veprojmë kështu do të ruajmë marrëdhënien tonë me ‘Perëndinë e së vërtetës’ i cili ndien neveri ndaj mashtrimeve.​—Psalmi 31:5; Fjalët e urta 3:32.

[Shënimet]

^ par. 5 Në lidhje me formën e foljes të përkthyer «mashtron» te Zbulesa 12:9 një vepër referimi thotë se ajo «tregon një veprim të vazhdueshëm që është bërë pjesë përbërëse e karakterit të një personi».

^ par. 20 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Pse ka kaq shumë mashtrime në botë sot?

• Si të ruhemi që të mos mashtrohemi nga apostatët?

• Si mund të ruhemi kundër çdo prirjeje për t’u vetëmashtruar?

• Si të mos mashtrohemi nga gënjeshtrat satanike?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Mos e mashtroni veten në lidhje me zbavitjen

[Figurat në faqen 18]

Për t’u ruajtur nga vetëmashtrimi shqyrtoni vetveten me anë të lutjes, dëgjoni të tjerët dhe ushqehuni rregullisht me Fjalën e Perëndisë