Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë po ndodh me kishat?

Çfarë po ndodh me kishat?

Çfarë po ndodh me kishat?

«NJERËZIT në Britani ende besojnë te Perëndia, por s’duan t’i zotohen Krishtit»,​—thotë Stiven Tiromue, një klerik ugandas. Rreth 20 vjet më parë, ai kishte mbijetuar nga spastrimet e dhunshme që iu bënë kishës së tij në Ugandë. Tani predikon në klubet për burra në Lids, Angli, ku mban një fjalim prej dhjetë minutash para se auditori i tij të fillojë të luajë bingo.

Në anën tjetër të Oqeanit Atlantik, Misioni Anglikan në Amerikë, i krijuar kohët e fundit, po përballon një krizë të ngjashme frymore. «Tani Shtetet e Bashkuara kanë popullsinë më të madhe anglishtfolëse në botë që s’i përket ndonjë kishe e që s’do t’ia dijë për gjërat fetare,​—thotë siti zyrtar në Internet i këtij misioni.​—Po bëhemi territor që ka nevojë për misionarë.» I zhgënjyer nga dështimi i përpjekjeve për ta reformuar kishën, ky mision i ri nuk ndoqi më traditën, por u bashkua me udhëheqësit aziatikë e afrikanë për të filluar «një fushatë të re misionare në Shtetet e Bashkuara».

Por, përse duhet të vijnë misionarë afrikanë, aziatikë dhe amerikano-latinë që ‘të shpëtojnë shpirtra’ në vendet e konsideruara të krishtere të Evropës e të Amerikës së Veriut?

Kë po shpëtojnë dhe kush po i shpëton?

Për më shumë se katërqind vjet, një vërshim i vazhdueshëm misionarësh të devotshëm evropianë ndoqën hap pas hapi zgjerimin kolonial në Afrikë, Azi, në Paqësor dhe në Amerikën e Jugut. Ata kishin si synim t’u çonin fenë e tyre të ashtuquajturve banorë paganë në këto vende. Me kalimin e kohës, misionarët e kolonive amerikane, teorikisht të formuara mbi bazën e parimeve të krishtere, u bashkuan me kolegët e tyre misionarë evropianë e me kalimin e kohës ua kaluan atyre, duke krijuar misionet e tyre ungjillëzuese në gjithë botën. Por tani rrjedha ka ndryshuar drejtim.

«Qendra [e krishterimit formal] ka ndryshuar»,​—thotë Endrju Uollsi, themelues dhe drejtues i Qendrës për Studimin e Krishterimit në Vendet Joperëndimore. Në vitin 1900, 80 për qind e atyre që pohonin se ishin të krishterë ishin ose evropianë, ose amerikano-veriorë. Kurse sot 60 për qind e të gjithë atyre që thonë se janë të krishterë jetojnë në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine. Një lajm i shtypit të kohëve të fundit thotë: «Kishat katolike në Evropë funksionojnë me priftërinj nga Filipinet dhe nga India», e po ashtu «një në gjashtë priftërinj që shërbejnë në famullitë katolike amerikane tani vjen nga jashtë shtetit». Evangjelistët afrikanë në Holandë, kryesisht me origjinë ganeze, e shohin veten si «një kishë misionare në një kontinent të pafe». Po ashtu, evangjelistë nga Brazili tani kanë pushtuar pjesë të ndryshme të Britanisë. Një shkrimtar komenton: «‘Trafiku’ i misionarëve të krishterë po kthehet në kahun e kundërt.»

Afrohet një stuhi

Mund të jetë më se e vërtetë që nevojiten misionarë në kontinentet evropiane dhe amerikano-veriore, gjithnjë e më të shkëputura nga feja. «Në Skoci më pak se 10 për qind e të krishterëve shkojnë rregullisht në kishë»,​—thotë një revistë. Në Gjermani e në Francë shifra është edhe më e ulët. Kur anketuan, «rreth 40 për qind e amerikanëve dhe 20 për qind e kanadezëve thonë se shkojnë rregullisht në kishë»,​—komenton një lajm tjetër për shtyp. Në dallim me këtë, në Filipine thuhet se rreth 70 për qind shkojnë në kishë, e një gjë e ngjashme ndodh në vende të tjera në zhvillim.

Por një gjë edhe më domethënëse është se banorët e hemisferës jugore që shkojnë në kishë janë më besnikë ndaj traditës se ata të hemisferës veriore. Për shembull, kur anketohen katolikët në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, vazhdimisht ata shprehin mosbesim për autoritetin e klerikëve dhe argumentojnë që të ketë një pjesëmarrje më të madhe të të gjithë besimtarëve dhe për barazinë e grave. Kurse katolikët në hemisferën jugore mbështetin më shumë pikëpamjen tradicionale të kishës për këto çështje. Meqë zhvendosja demografike e kishës vazhdon në drejtim të jugut, tashmë po vendosen themelet për një konflikt të ardhshëm. Filip Xhenkinsi, studiues historie dhe feje, parashikon: «Ka shumë të ngjarë që brenda një ose dy dhjetëvjeçarëve, midis të krishterëve asnjë grup nuk do ta pranojë tjetrin si plotësisht të krishterë.»

Duke pasur parasysh këto prirje, Uollsi thotë se një pyetje e ngutshme është: «Sa të krishterë afrikanë, aziatikë, amerikano-latinë, amerikano-veriorë dhe evropianë mund të jetojnë së bashku në të njëjtën kishë, duke shfaqur me sinqeritet të njëjtin besim?» Ju si mendoni? A mund të mbijetojnë kishat në këtë botë të përçarë? Cila është baza për unitetin e vërtetë të krishterë? Artikulli vijues do të tregojë përgjigjet nga Shkrimet, si edhe dëshmi të qarta se tashmë ka një grup të krishterësh që po lulëzon në mbarë botën.

[Figura në faqen 4]

Më parë kjo ishte kishë, tani është restorant ku luhet muzikë

[Burimi]

AP Photo/Nancy Palmieri