A i mbyll sytë Perëndia përpara dobësive tona?
A i mbyll sytë Perëndia përpara dobësive tona?
‘Unë s’jam i lig! Jam përpjekur shumë që të heq dorë nga veprimet e këqija, por jam shumë i dobët!’
A PASQYROJNË këto fjalë ndjenjat e tua ose të dikujt tjetër që njihni? Shumë veta nxjerrin përfundimin se është pothuajse e pamundur të mposhtin dobësi që janë të rrënjosura. Disa janë nën varësinë e alkoolit, të duhanit ose të drogës. Në jetën e shumë të tjerëve mbizotëron lakmia. Gjithashtu, ka njerëz që janë dhënë pas sjelljeve seksuale të gabuara me justifikimin se janë nën varësinë e impulseve seksuale pa asnjë shpresë për t’u çliruar prej tyre.
Siç tregohet te Mateu 26:41, Jezui tregoi me dashamirësi se i kuptonte dobësitë njerëzore. * Në fakt në të gjithë Biblën tregohet qartë se si Perëndia Jehova, ashtu edhe Jezui janë vërtet të mëshirshëm ndaj njerëzve. (Psalmi 103:8, 9) Por, a mund të presim që Perëndia t’i mbyllë sytë përpara të gjithë të metave tona?
Moisiu dhe Davidi
Mendo për përshkrimin që i bëhet Moisiut. Ai njihej si «një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen dheut» dhe u përpoq ta ruante këtë cilësi të mirë. (Numrat 12:3) Kur izraelitët po udhëtonin nëpër shkretëtirë, shpesh ata vepruan në mënyrë të paarsyeshme dhe treguan mungesë respekti për Perëndinë dhe për përfaqësuesit e tij. Gjatë gjithë kësaj periudhe Moisiu kërkoi me përulësi drejtimin hyjnor.—Numrat 16:12-14, 28-30.
Mirëpo sapo udhëtimi i gjatë e i lodhshëm po mbaronte ai humbi vetëkontrollin përpara tërë kombit dhe nuk iu bind udhëzimeve të Perëndisë. Perëndia e fali, por a i mbylli sytë para kësaj ngjarjeje? Jo. Ai i tha Moisiut dhe Aaronit: «Meqenëse nuk më besuat . . . , ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre.» Moisiu nuk do të hynte në Tokën e Premtuar. Pas 40 viteve përpjekjesh për të arritur këtë privilegj të shkëlqyer, një e metë njerëzore serioze bëri që ta humbiste atë shpërblim.—Numrat 20:7-12.
2 Samuelit 11:2-27) Më pas ndjeu keqardhje të thellë për krimet e tij dhe Perëndia e fali. Por Davidi kishte prishur një familje dhe Jehovai nuk e mbrojti nga fatkeqësitë e rënda që i ndodhën më vonë. Fëmija i vogël i Davidit u sëmur rëndë dhe Jehovai nuk ndërhyri megjithëse Davidi iu lut për të birin. Fëmija vdiq dhe më pas ndodhën një sërë tragjedish në shtëpinë e Davidit. (2 Samuelit 12:13-18; 18:33) Davidi pagoi një çmim shumë të lartë për shkak se u dorëzua përpara dobësisë së tij.
Edhe mbreti David ishte një njeri i perëndishëm me një dobësi. Në një rast ai u dha pas pasioneve dhe kreu marrëdhënie seksuale me gruan e një tjetri. Pastaj u përpoq ta mbulonte këtë gjë duke bërë të vritej burri i saj. (Këta shembuj tregojnë se Perëndia i quan njerëzit përgjegjës për sjelljen e tyre. Ata që duan t’i shërbejnë atij duhet të forcojnë pikat e dobëta në karakterin e tyre frymor dhe të bëhen të krishterë më të mirë. Në shekullin e parë shumë veta vepruan kështu.
Lufta për t’u çliruar nga mëkati
Apostulli Pavël është quajtur me të drejtë një model i jetesës së krishterë. Por a e dije se ai bënte një luftë të vazhdueshme kundër dobësive të tij? Te Romakëve 7:18-25 përshkruhet gjallërisht ky konflikt, ose siç thotë vargu 23, kjo ‘luftë’. Pavli luftoi pareshtur, sepse e dinte që mëkati vazhdon pareshtur.—1 Korintasve 9:26, 27.
Disa pjesëtarë të kongregacionit të krishterë në Korintin e lashtë, më parë kishin qenë keqbërës të rëndomtë. Bibla thotë se kishin qenë, ‘kurvarë, kurorëshkelës, burra që shkonin me burra, hajdutë, lakmitarë, pijanecë’. Por thotë edhe se ata ‘u lanë’. (1 Korintasve 6:9-11) Si? Morën forcë për të mos kryer më praktika të liga, nëpërmjet njohurisë së saktë, shoqërisë së krishterë dhe frymës së Perëndisë. Përfundimisht u shpallën të drejtë nga Perëndia në emër të Krishtit. Po, Perëndia i fali duke u dhënë kështu një ndërgjegje të pastër.—Veprat 2:38; 3:19.
Pavli dhe të krishterët e Korintit nuk i panë si të parëndësishme prirjet e tyre mëkatare. Përkundrazi i luftuan ato dhe me ndihmën e Perëndisë triumfuan. Ata adhurues të shekullit të parë u bënë të bukur nga ana morale, pavarësisht nga mjedisi që i rrethonte dhe nga prirjet e papërsosura. Ç’të themi për ne?
Perëndia pret që t’i luftojmë dobësitë tona
Të luftosh një dobësi mund të mos çojë në zhdukjen e plotë të saj. Ndonëse duhet që të mos dorëzohemi përpara papërsosmërisë sonë, ne nuk mund ta zhdukim atë. Ajo shkakton dobësi që mund të ushtrojnë vazhdimisht ndikim të fuqishëm te ne. Megjithatë nuk duhet të dorëzohemi përpara dobësive tona. (Psalmi 119:11) Pse është kaq e rëndësishme kjo?
Sepse Perëndia nuk lejon që papërsosmëria të jetë një justifikim i vazhdueshëm për sjellje të keqe. (Juda 4) Jehovai do që njerëzit të pastrohen, të bëjnë një jetë të mirë morale. Bibla thotë: «Urreni thellësisht atë që është e ligë.» (Romakëve 12:9) Pse mban një qëndrim kaq të vendosur Perëndia?
Një arsye është se të dorëzohemi përpara dobësive është një gjë e dëmshme. «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë»,—thotë Bibla te Galatasve 6:7. Ata që jepen pas veseve, lakmisë dhe sjelljes së shthurur shpesh korrin pasoja të tmerrshme në jetë. Por ka edhe një arsye më të rëndësishme.
Mëkati e fyen Perëndisë. Ai shkakton «një ndarje» midis nesh dhe Jehovait. (Isaia 59:2) Meqë ata që praktikojnë mëkatin nuk mund të marrin miratimin e Perëndisë, ai i nxit këta njerëz: «Lahuni, pastrohuni, . . . mos bëni më keq.»—Isaia 1:16.
Krijuesi ynë është i dashur dhe i mëshirshëm. Ai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Po të dorëzohemi vazhdimisht përpara dobësive kjo na pengon që të marrim miratimin e Perëndisë. Meqenëse Perëndia nuk i mbyll sytë para dobësive tona, as ne nuk duhet ta bëjmë këtë.
[Shënimi]
^ par. 4 Jezui tha: «Fryma është gati, por mishi është i dobët.»