Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia më ka mbështetur, sepse jam kënaqur me aq sa kam

Perëndia më ka mbështetur, sepse jam kënaqur me aq sa kam

Jetëshkrim

Perëndia më ka mbështetur, sepse jam kënaqur me aq sa kam

TREGUAR NGA BENJAMIN IKEÇUKU OSUEKE

Pak kohë pasi kisha filluar shërbimin e krishterë të plotkohor, shkova për vizitë në shtëpinë e prindërve. Sapo më pa, im atë më kapi për këmishe dhe filloi të bërtiste: «Hajdut!» Mori kamën e tij dhe më goditi me pjesën e sheshtë. Të tërhequr nga zhurma, në shtëpinë tonë u mblodhën fshatarë të tjerë. Çfarë kisha vjedhur? Po jua shpjegoj.

LINDA në vitin 1930 në fshatin Umuariam në juglindje të Nigerisë. Isha i pari nga shtatë fëmijët. Më e madhja nga motrat vdiq në moshën 13-vjeçare. Prindërit i kisha anglikanë. Babai ishte bujk, kurse mamaja shiste nga pak. Ajo shkonte më këmbë deri në tregjet e vogla që ishin rreth 30 kilometra larg fshatit tonë, blinte një bidon me vaj palme dhe kthehej po atë ditë vonë. Kurse ditën tjetër, herët në mëngjes, shkonte më këmbë deri në një qytet ku kishte edhe një stacion hekurudhe, rreth 40 kilometra larg, për ta shitur vajin. Po të fitonte diçka (që zakonisht arrinte deri në 15 centë amerikanë), blinte ushqime për familjen dhe kthehej po atë ditë. Këtë punë e bëri për 15 vjet, derisa vdiq në vitin 1950.

Në fshatin e lindjes, fillova të shkoja në një shkollë që kishte hapur kisha anglikane, por, që ta mbaroja shkollën fillore, duhet të qëndroja në një pension rreth 35 kilometra larg. Meqë prindërit nuk kishin para për të më mbështetur, fillova të kërkoja punë. Në fillim punova si shërbyes në shtëpinë e një makinisti treni në Lagos, në pjesën perëndimore të Nigerisë. Pastaj punova për një nëpunës në Kaduna, që ishte në veri të Nigerisë. Në qytetin e Beninit, në pjesën qendrore të Nigerisë e pak më në perëndim, gjeta punë si çirak te një avokat dhe më vonë punova si hamall në një punishte sharrash. Prej andej shkova në Kamerun në vitin 1953 që të rrija me një kushëririn tim nga ana e mamasë, i cili më ndihmoi të gjeja punë në një plantacion kauçuku. Paga mujore ishte rreth nëntë dollarë. Bëja vetëm punë krahu, por isha i kënaqur përderisa kisha për të ngrënë.

Një i varfër shpërndan pasuri

Silvanus Okemiri, një burrë që punonte me mua, ishte Dëshmitar i Jehovait. Silvanusi përdorte çdo mundësi për të më folur për gjërat që dinte rreth Biblës, ndërsa kositnim bar dhe e vendosnim në tokë përqark bimëve të kauçukut. Në atë kohë vetëm e dëgjova, s’bëra ndonjë hap tjetër. Gjithsesi, kur kushëriri mori vesh që po më predikonin Dëshmitarët, bëri çmos që të më pengonte. Më paralajmëroi: «Benji, mos rri me zotin Okemiri. Ai beson te Jehovai dhe është një varfanjak. Kushdo që shoqërohet me të do të bëhet si ai.»

Në fillim të vitit 1954, meqë nuk po i duroja dot më kushtet e vështira të punës aty ku isha, u ktheva në shtëpi. Në ato kohë, kisha anglikane ishte mjaft e rreptë për sa i përket moralit. U rrita me ndjenjën e neverisë për imoralitetin. Megjithatë, shumë shpejt u zhgënjeva nga hipokrizia që shihja te ata që shkonin në kishë. Nga njëra anë thoshin se i përmbaheshin moralit të Biblës, por nga ana tjetër bënin një jetë që binte ndesh me këtë pohim. (Mateu 15:8) Debatoja vazhdimisht me tim atë, dhe kjo e ftohu shumë marrëdhënien ndërmjet nesh. Një natë ika nga shtëpia.

Shkova në Omoba, një qytet i vogël me një stacion hekurudhe. Atje takova përsëri Dëshmitarët e Jehovait. Prishila Isioka, të cilën e njihja që në fshatin tim, më dha broshurat «Ky lajm i mirë i Mbretërisë» dhe Pas Harmagedonit, bota e re e Perëndisë. * I përpiva këto broshura dhe u binda se kisha gjetur të vërtetën. Në kishën ku kisha shkuar nuk e studionim Biblën, por përqendroheshim te traditat njerëzore. Kurse në literaturën e Dëshmitarëve kishte shumë shpesh shkrime nga Bibla.

Rreth një muaj më vonë, pyeta vëllanë dhe motrën Isioka se kur shkonin në kishën e tyre. Herën e parë që ndoqa një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait s’kuptova gjë. Artikulli i Kullës së Rojës fliste për sulmin e ‘Gogut të Magogut’ që përmendet në librin profetik të Ezekielit. (Ezekieli 38:1, 2) Shumë shprehje s’i kuptoja, por më bëri përshtypje mirëseardhja e përzemërt që më dhanë, prandaj vendosa të shkoja prapë të dielën tjetër. Gjatë mbledhjes së dytë që ndoqa, dëgjova për predikimin, prandaj e pyeta Prishilën se kur do të dilnin të predikonin. Të dielën e tretë i shoqërova, duke mbajtur në dorë një Bibël të vogël. S’kisha as çantë, as literaturë biblike. Megjithatë u bëra lajmëtar i Mbretërisë dhe në fund të atij muaji bëra raportin e parë të shërbimit.

Nuk bëra studim biblik me askënd, por sa herë që shkoja te familja Isioka, dëgjoja shprehje besimi dhe inkurajimi nga Shkrimet, si edhe merrja literaturë biblike. Më 11 dhjetor 1954, në një kongres krahinor të mbajtur në Aba, e simbolizova kushtimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar në ujë. Jetoja bashkë me një kushëri nga babai dhe punoja si çirak për të. Që prej asaj kohe nuk më dha më ushqim e zanat. Madje nuk më pagoi fare për shërbimet që i kisha bërë. Megjithatë nuk i mbajta mëri. Isha mirënjohës që kisha një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, dhe kjo më ngushëlloi e më dha paqe mendore. Dëshmitarët vendës më erdhën në ndihmë. Çifti Isioka më dha ushqim dhe të tjerët më dhanë para hua që të filloja të merresha pak me tregti. Aty nga mesi i vitit 1955 bleva një biçikletë të përdorur dhe në mars të vitit 1956 fillova shërbimin si pionier i rregullt. Pak kohë më pas arrita t’i paguaja borxhet. Fitimet që nxirrja nga shitja ishin shumë të vogla, por megjithatë tani mund të kujdesesha për veten. Ajo që më siguronte Jehovai më mjaftonte.

«Vjedh» vëllezërit e motrat e mia

Sapo dola më vete me shtëpi, mendimi i parë ishte të ndihmoja frymësisht vëllezërit e motrat e mia që ishin akoma te babai. Nga paragjykimet dhe nga dyshimet e mëdha, babai nuk kishte dashur që të bëhesha Dëshmitar. Atëherë, si t’i ndihmoja vëllezërit e motrat që të mësonin të vërtetën e Biblës? I propozova babait të kujdesesha për vëllanë e vogël, Ernestin, kështu që ai e la të rrinte me mua. Ernesti e përqafoi shpejt të vërtetën dhe u pagëzua në vitin 1956. Ky ndryshim bëri që babai të më kundërshtonte edhe më fort. Megjithatë, njëra nga motrat e mia, që ishte e martuar, hyri në të vërtetën së bashku me të shoqin. Kur mora masa që motra e dytë, Felisja, të kalonte pushimet e shkollës tek unë, babai pranoi, por pa shumë qejf. Shumë shpejt edhe Felisja u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait.

Në vitin 1959 shkova në shtëpi për të marrë Bernisën, motrën e tretë, që të qëndronte me Ernestin. Ky ishte rasti kur babai më sulmoi duke më akuzuar se po i vidhja fëmijët. Ai nuk arrinte të kuptonte se ata kishin vendosur vetë t’i shërbenin Jehovait. Babai u betua se nuk do ta linte kurrë Bernisën të vinte me mua. Por dora e Jehovait nuk ishte e shkurtër, pasi vitin tjetër, Bernisa shkoi tek Ernesti për të kaluar pushimet e shkollës. Ashtu si motrat e tjera, edhe ajo e përqafoi të vërtetën dhe u pagëzua.

‘Mësoj sekretin’

Në shtator të vitit 1957 fillova të shërbeja si pionier special, duke kaluar rreth 150 orë në muaj në veprën e predikimit. Së bashku me shokun e shërbimit, Sandej Irobelakin, shërbyem në territorin e madh të Akpu-na-Obuos, në Eçe. Në asamblenë e parë qarkore që ndoqëm kur ishim atje, nga grupi ynë u pagëzuan 13 veta. Sa të kënaqur jemi tani kur shohim 20 kongregacione në atë zonë!

Në vitin 1958 njoha Kristjana Azuiken, një pioniere të rregullt që shërbente në kongregacionin Aba Lindja. E admiroja zellin e saj. U martuam në dhjetor të atij viti. Në fillim të vitit 1959 u emërova mbikëqyrës udhëtues për të vizituar e për të forcuar kongregacionet e vëllezërve tanë frymorë. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1972, unë dhe ime shoqe vizituam pothuajse të gjitha kongregacionet e shërbëtorëve të Jehovait në lindje e në perëndim afër pjesës qendrore të Nigerisë.

Kongregacionet ishin larg njëri-tjetrit dhe fillimisht si mjet udhëtimi kishim biçikletën. Kur ishim në kongregacionet e qyteteve të mëdha, vëllezërit merrnin një taksi që të na çonte në kongregacionin tjetër. Në disa raste, dhomat ku qëndronim ishin me dysheme balte dhe pa tavan. Flinim në krevate të bërë nga trungu i një lloj palme. Disa krevate kishin dyshek prej bari të mbuluar me një pëlhurë, kurse të tjerë s’kishin fare dyshek. Sasia dhe cilësia e ushqimit s’ishte problem për ne. Meqë në të kaluarën ishim mësuar të kënaqeshim me pak gjëra, na pëlqente çfarëdo ushqimi që na jepnin, dhe vëllezërit që na mikpritnin e çmonin këtë. Në disa qytete ato ditë s’kishte energji elektrike, prandaj merrnim me vete llamba me vajgur. Por, pavarësisht nga kushtet e vështira, kaluam kohë të bukura me kongregacionet.

Gjatë atyre viteve e kuptuam sa e vlefshme është këshilla e apostullit Pavël: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:8) Nga vështirësitë që kaloi, Pavli mësoi një sekret që e ndihmoi të ishte gjithnjë i kënaqur. Cili ishte ky sekret? Ai shpjegoi: «Në të vërtetë, di të jem ngushtë dhe, në fakt, di të kem me bollëk. Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar sekretin edhe si të jem i ngopur, edhe si të jem i uritur, edhe si të kem me bollëk, edhe si të jem në nevojë.» Edhe ne e mësuam këtë sekret. Pavli tha edhe: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij [Perëndisë] që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:12, 13) Sa e vërtetë doli kjo në rastin tonë! U kënaqëm me atë që kishim, me aktivitete të shumta ndërtuese të krishtere dhe me paqe mendore.

U shërbejmë kongregacioneve familjarisht

Nga fundi i vitit 1959 na lindi djali i parë, Joeli, dhe në vitin 1962 patëm përsëri një djalë, Samuelin. Unë dhe Kristjana vazhduam në veprën udhëtuese, duke vizituar kongregacionet së bashku me fëmijët. Në vitin 1967 në Nigeri shpërtheu lufta civile. Shkollat u mbyllën për shkak të bombardimeve ajrore që vazhdonin pa pushim. Ime shoqe kishte punuar si mësuese para se të bashkohej me mua në veprën udhëtuese, prandaj gjatë luftës i mësoi fëmijët në shtëpi. Në moshën gjashtëvjeçare, Samueli tashmë dinte të shkruante e të lexonte. Kur hyri në shkollë pas luftës, ishte dy vite shkollore përpara shokëve të tij.

Atëherë nuk i kuptonim plotësisht vështirësitë e rritjes së fëmijëve ndërsa ishim në veprën udhëtuese. Mirëpo, pasi u caktuam si pionierë specialë në vitin 1972, e kuptuam se ky ndryshim ishte i dobishëm për ne. Na dha mundësi të qëndronim në një vend, që t’i kushtonim vëmendjen e duhur gjendjes frymore të familjes. Që kur djemtë ishin në moshë të vogël, i mësuam se sa e vlefshme është të kënaqen me atë që kanë. Samueli u pagëzua në vitin 1973, kurse Joeli filloi të shërbente si pionier i rregullt po atë vit. Që të dy djemtë tanë u martuan me të krishtere shumë të mira dhe tani po rritin familjet e tyre në të vërtetën.

Mjerimi i luftës civile

Kur shpërtheu lufta civile isha në një kongregacion në Oniça si mbikëqyrës qarkor, së bashku me familjen. Ajo luftë na e nguliti më qartë në mendje sa e kotë është të grumbullosh gjëra materiale ose t’u besosh atyre si i verbër. Pashë njerëz që vraponin për të shpëtuar jetën, duke i hedhur nëpër rrugë gjërat me vlerë që kishin.

Me keqësimin e luftës, filluan të rekrutoheshin gjithë burrat e shëndetshëm. Shumë vëllezër që nuk pranuan të rekrutoheshin u torturuan. Nuk mund të lëviznim lirisht. Mungesat e ushqimit bënë kërdinë në vend. Çmimi për një gjysmë kilogrami maniokë u rrit nga 7 centë në 14 dollarë (amerikanë) dhe, për një filxhan kripë, çmimi u rrit nga 8 dollarë në 42 dollarë (amerikanë). Qumështi, gjalpi dhe sheqeri u zhdukën fare nga qarkullimi. Për të mbijetuar, grinim papaja të papjekur dhe e përzienim me pak miell manioke. Hanim edhe karkaleca, lëkura manioke, gjethe trëndafili të egër, mel afrikan, me pak fjalë çfarëdo bime që mund të gjenim. Mishi ishte luks, kështu që fëmijëve u zija hardhuca për të ngrënë. Megjithatë, sado keq që të ishin gjërat, Jehovai na mbështeti gjithnjë.

Por pasoja më e rrezikshme që shkaktoi lufta ishte mungesa e gjërave frymore. Shumica e vëllezërve ikën nga zonat e luftimeve dhe u fshehën në xhungël ose në fshatra të tjera. Në ikje e sipër, humbën shumicën ose edhe të gjitha botimet biblike. Gjithashtu, bllokada ushtarake që bëri qeveria pengonte futjen e literaturës biblike në zonën e Biafrës. Ndonëse shumica e kongregacioneve përpiqeshin të mbanin mbledhje, gjendja frymore e vëllezërve u rrezikua, pasi s’arrinin dot të lidheshin me zyrën e degës për të marrë udhëzime.

Kapërcehet problemi i të mosushqyerit frymësisht

Mbikëqyrësit udhëtues bënë çmos të vazhdonin të vizitonin secilin kongregacion. Meqë shumë vëllezër kishin ikur nga qytetet, i kërkoja kudo ku mund t’i gjeja. Një herë, e lashë gruan me fëmijët në një vend të sigurt dhe udhëtova i vetëm për gjashtë javë, duke shkuar në fshatra të ndryshëm dhe në disa pjesë të xhunglës për të kërkuar vëllezërit.

Kur po shërbeja në një kongregacion në Ogbunka, mora vesh se kishte një grup të madh Dëshmitarësh në zonën e Isuoçit, në krahinën Okigue. Prandaj, kërkova që t’u çonin fjalë vëllezërve në atë zonë e të mblidheshin në një plantacion me shqeme që ndodhej në fshatin Umuaku. Së bashku me një vëlla të moshuar udhëtuam me biçikletë për nja 15 kilometra deri te plantacioni, ku ishin mbledhur rreth 200 Dëshmitarë, përfshirë gra e fëmijë. Me ndihmën e një pioniereje arrita të gjeja edhe një grup tjetër me rreth njëqind Dëshmitarë, të cilët ishin strehuar në pyllin e Lomarës.

Lorenc Uguegbu së bashku me një grup vëllezërish të guximshëm jetonin në qytetin Ouerri, të shkretuar nga lufta. Ai më tha se në zonën e Ohajit kishte shumë Dëshmitarë që nuk lëviznin dot lirisht, pasi atë zonë e kishin pushtuar ushtarët. Të dy udhëtuam natën me biçikletë për të arritur atje dhe takuam rreth 120 Dëshmitarë në oborrin e shtëpisë së një vëllai. E përdorëm këtë mundësi për të vizituar edhe disa Dëshmitarë të tjerë në vendet ku fshiheshin.

Vëlla Isak Nuagu rrezikoi jetën e tij për të më ndihmuar që të gjeja disa vëllezër të tjerë të shpërngulur. Ai më çoi me kanoe në anën tjetër të lumit Otamiri, ku u takova me më shumë se 150 Dëshmitarë të mbledhur në Egbu-Eçe. Një vëlla atje tha: «Kjo është dita më e bukur e jetës sime. S’besoja se do të arrija të takoja përsëri një mbikëqyrës qarkor sa të isha gjallë. Edhe sikur të vdes tani në furinë e kësaj lufte, jam i kënaqur!»

Mundësia e rekrutimit përbënte një rrezik për mua, por vazhdimisht ndjeva mbrojtjen e Jehovait. Një pasdite, kur po kthehesha në shtëpinë ku banoja pasi isha takuar me nja 250 vëllezër, më ndaluan në një postbllok një grup ushtarësh. «Pse s’ke hyrë në ushtri?»​—më pyetën. U shpjegova se isha misionar dhe predikoja Mbretërinë e Perëndisë. E kuptova që e kishin ndarë mendjen të më arrestonin. Pasi bëra një lutje të shpejtë në heshtje, i thashë kreut të tyre: «Të lutem, më lër të shkoj.» Çuditërisht ai m’u përgjigj: «Ti po thua që duhet të të lëmë të lirë?» «Po,​—i thashë,​—më lini të shkoj.» «Je i lirë, shko»,​—më tha. Asnjë nga ushtarët s’foli.​—Psalmi 65:1, 2.

Bekime të mëtejshme sepse jam kënaqur me aq sa kam

Pasi përfundoi lufta në vitin 1970, vazhdova të shërbeja në veprën qarkore. Kisha privilegjin të ndihmoja në riorganizimin e kongregacioneve. Pastaj, së bashku me Kristjanën shërbyem si pionierë specialë deri në vitin 1976, kur më caktuan përsëri mbikëqyrës qarkor. Aty nga mesi i atij viti, më caktuan në veprën krahinore. Shtatë vjet më vonë, bashkë me time shoqe na ftuan të shërbenim në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri, ku jetojmë aktualisht. Këtu në degë, gjithnjë gëzohemi kur takojmë përsëri vëllezërit dhe motrat që takuam gjatë luftës civile e në periudha të tjera, të cilët po i shërbejnë ende me besnikëri Jehovait.

Kristjana ka qenë gjithnjë një përkrahje e mrekullueshme dhe një shoqe besnike për mua. Fryma e saj pozitive dhe e vendosur, pavarësisht nga problemet e vazhdueshme shëndetësore që ka pasur që nga viti 1978, më kanë ndihmuar të vazhdoj të përmbush përgjegjësitë e mia. Kemi provuar sa të vërteta janë fjalët e psalmistit: «Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes.»​—Psalmi 41:3.

Kur mendoj për gjithë këto vite me veprimtari teokratike, e falënderoj me gjithë zemër Jehovain për bekimet e tij të mrekullueshme. Duke qenë i kënaqur me gjërat që siguron ai, mund të them me të vërtetë se kam gjetur shumë lumturi. Gëzimi që ndiej kur shoh që vëllezërit dhe motrat e mia, fëmijët e mi dhe familjet e tyre po i shërbejnë që të gjithë Jehovait përkrah meje dhe gruas sime, është tepër i madh. Jehovai më ka kënaqur duke më dhënë një jetë të plotë e me kuptim. Asnjë nga dëshirat e mia nuk ka mbetur pa u plotësuar.

[Shënimi]

^ par. 10 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Tani nuk shtypen më.

[Kutia në faqen 27]

Një veprim në kohën e duhur ndihmon vëllezërit

Aty nga mesi i viteve 60, urrejtja ndërmjet grupeve etnike në veri e në lindje të Nigerisë çoi në trazira, kryengritje, krime dhe dhunë etnike. Këto ngjarje ua vështirësuan shumë jetën Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët ishin të vendosur të qëndronin krejtësisht asnjanës në këtë konflikt. Rreth 20 Dëshmitarë u vranë. Shumica humbën çdo gjë që kishin.

Më 30 maj 1967 shtetet lindore të Nigerisë u shkëputën nga federata dhe formuan Republikën e Biafrës. U mobilizua ushtria federale dhe u vendos një bllokadë e plotë për zonën e Biafrës. Pas kësaj, vijoi një luftë civile e përgjakshme dhe e dhunshme.

Meqë Dëshmitarët e Jehovait në zonën e Biafrës qëndruan asnjanës, kjo i bëri objekt sulmesh. Gazetat botonin komente patriotike, duke e nxitur opinionin publik kundër Dëshmitarëve. Megjithatë, Jehovai bëri të mundur që shërbëtorët e tij të merrnin ushqimin frymor. Si e bëri këtë?

Në fillim të vitit 1968 një nëpunës u caktua në një detyrë në Evropë dhe një nëpunës tjetër u caktua në aeroportin e Biafrës. Që të dy këta ishin Dëshmitarë. Puna që bënin i vuri në dy skajet e lidhjes së vetme që ekzistonte ndërmjet Biafrës dhe botës së jashtme. Këta dy Dëshmitarë dolën vullnetarë që të kryenin detyrën e rrezikshme për të futur ushqim frymor në Biafër. Gjithashtu, ndihmuan për t’u dhënë ndihmë materiale vëllezërve në vështirësi. Të dy vëllezërit arritën t’i mbanin këto vende pune të domosdoshme për ushqimin frymor gjatë gjithë luftës, e cila mbaroi në vitin 1970. Njëri prej tyre më vonë tha: «Diçka e tillë ishte përtej asaj që mund të kishin planifikuar njerëzit.»

[Figura në faqen 23]

Në vitin 1956

[Figura në faqen 25]

Në vitin 1965, me djemtë tanë, Joelin dhe Samuelin

[Figura në faqen 26]

Sa bekim i madh është t’i shërbejmë Jehovait si familje!

[Figura në faqen 27]

Sot, unë dhe Kristjana shërbejmë në degën e Nigerisë