Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbëtorët e Perëndisë janë si pemët: Në ç’kuptim?

Shërbëtorët e Perëndisë janë si pemët: Në ç’kuptim?

Shërbëtorët e Perëndisë janë si pemët: Në ç’kuptim?

KUR flet për një njeri që gjen kënaqësi në parimet e Biblës dhe i zbaton në jetën e tij, psalmisti thotë: «Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.» (Psalmi 1:1-3) Pse ky është një krahasim i goditur?

Pemët mund ta kenë jetën shumë të gjatë. Për shembull thuhet se disa pemë ulliri në rajonin e Mesdheut janë një deri në dymijëvjeçare. Po ashtu, pemët e baobabit në Afrikën Qendrore jetojnë shumë gjatë, kurse për një lloj pishe të Kalifornisë mendohet se është rreth 4.600-vjeçare. Në një pyll, pemët e rritura janë shumë të dobishme për mjedisin përreth. Për shembull, pemët e larta u bëjnë hije filizave të njomë dhe i mbrojnë, kurse gjethet që bien nga pemët bëhen pleh dhe pasurojnë dheun.

Pemët më të gjata në botë normalisht gjenden së bashku nëpër pyje, ku çdo pemë mbështet tjetrën. Meqë mund t’i kenë rrënjët të pleksura me njëra-tjetrën, disa pemë mund t’u rezistojnë stuhive si grup, shumë më mirë se një pemë që gjendet e veçuar në ndonjë lëndinë. Rrënjët e përhapura shumë e ndihmojnë pemën edhe që të thithë sasinë e mjaftueshme të ujit dhe të lëndëve ushqyese nga dheu. Në disa raste, rrënjët mund të depërtojnë në dhé në një thellësi më të madhe se lartësia e pemës ose mund të shtrihen horizontalisht në një zonë më të gjerë se kurora e pemës.

Apostulli Pavël mund të ketë pasur ndër mend pemët kur shpjegoi se të krishterët duhet ‘të vazhdojnë të ecin në unitet me Krishtin, të rrënjosur, duke u ndërtuar në të e duke u stabilizuar në besim’. (Kolosianëve 2:6, 7) Dhe vërtet, të krishterët mund të qëndrojnë të palëkundur vetëm nëse kapen fort pas Krishtit, ashtu si një pemë kapet fort pas tokës me rrënjët e saj të forta.​—1 Pjetrit 2:21.

Në cilin kuptim të mëtejshëm shërbëtorët e Perëndisë mund të krahasohen me pemët? Po ja, ashtu si në një pyll pemët mbështetin njëra-tjetrën, po ashtu ata që qëndrojnë afër kongregacionit të krishterë kanë mbështetjen e bashkëbesimtarëve. (Galatasve 6:2) Të krishterët besnikë dhe të pjekur, meqë kanë rrënjë të thella frymore, ndihmojnë besimtarët e rinj që të qëndrojnë të fortë në besim, edhe përballë kundërshtimit që ngjan si një stuhi. (Romakëve 1:11, 12) Të krishterët e rinj mund të ecin mbarë nën «hijen» mbrojtëse të shërbëtorëve të Perëndisë që kanë më shumë përvojë. (Romakëve 15:1) Gjithashtu, të gjithë pjesëtarët e kongregacionit mbarëbotëror të krishterë nxjerrin dobi nga ushqimi forcues frymor që sigurojnë ‘lisat e drejtësisë’, mbetja e të mirosurve.​—Isaia 61:3.

Sa emocionuese është që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë kanë shpresën të përjetojnë përmbushjen e premtimit që gjendet tek Isaia 65:22, ku thuhet: «Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve.»

[Burimi i figurës në faqen 28]

Godo-Foto