Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e tregojmë dashurinë për Perëndinë?

Si e tregojmë dashurinë për Perëndinë?

Si e tregojmë dashurinë për Perëndinë?

DASHURIA për Perëndinë s’mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet njohurisë. Siç mund ta thonë edhe vetë shërbëtorët e Perëndisë anembanë botës, dashuria e vërtetë për Perëndinë rritet ndërsa njeh më nga afër personalitetin e tij. Ajo bëhet më e fortë ndërsa mësohesh me gjërat që ai i do, me gjërat që urren, me gjërat që i pëlqejnë dhe me kërkesat e tij.

Me dashuri Jehovai na ka dhënë Fjalën e tij, Biblën, ku zbulon çfarë personaliteti ka. Nga Bibla mësojmë se si ka vepruar Jehovai në situata të ndryshme. Ashtu siç kënaqemi shumë me një letër nga një njeri i dashur, po kështu kënaqemi kur në Bibël gjejmë aspekte të reja të personalitetit të Jehovait.

Mirëpo, siç e vëmë re nganjëherë në shërbim, jo gjithnjë ata që marrin njohuri për Perëndinë zhvillojnë dashuri për të. Jezui u tha disa judenjve mosmirënjohës të ditëve të tij: «Ju po shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se me anë të tyre do të keni jetë të përhershme; . . . por e di mirë se dashurinë e Perëndisë nuk e keni brenda jush.» (Gjoni 5:39, 42) Disa veta kalojnë vite të tëra duke mësuar për veprat e dashura të Jehovait, e prapëseprapë nuk kanë dashuri për të. Përse? Nuk arrijnë të meditojnë se si lidhen me njëra-tjetrën gjërat që mësojnë. Ndryshe nga këta, miliona njerëz të sinqertë, me të cilët studiojmë Biblën, shohin se dashuria e tyre për Perëndinë vazhdon të rritet. Përse? Sepse, si kemi bërë edhe ne, ata ndjekin shembullin e Asafit. Si e bëjnë këtë?

Meditimi me çmueshmëri

Asafi ishte i vendosur të zhvillonte në zemrën e tij dashurinë për Jehovain. Ai shkroi: «Mendoj thellë në zemrën time . . . Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.» (Psalmi 77:6, 11, 12) Në qoftë se një njeri mendon thellë për veprat e Jehovait siç bënte psalmisti, në zemrën e tij do të lindë dashuria për Perëndinë.

Veç kësaj, marrëdhënia jonë me Jehovain do të forcohet ndërsa kujtojmë përvojat që kemi pasur duke i shërbyer atij. Apostulli Pavël tha se ne jemi «bashkëpunëtorë» të Perëndisë, dhe lidhja që mund të krijohet midis bashkëpunëtorëve është shumë e veçantë. (1 Korintasve 3:9) Kur i shprehim dashurinë tonë Jehovait, ai e vlerëson këtë dhe i gëzohet zemra. (Fjalët e urta 27:11) Pastaj, kur i kërkojmë Jehovait ndihmë dhe ai na udhëheq për të kapërcyer ndonjë vështirësi, e dimë se është me ne, dhe kjo na e thellon dashurinë për të.

Miqësia midis dy njerëzve zhvillohet kur ata ia shprehin ndjenjat njëri-tjetrit. Po kështu, kur i themi Jehovait pse i jemi kushtuar atij, na forcohet dashuria që ndiejmë për të. Kështu pasqyrojmë fjalët e Jezuit: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30) Ç’mund të bëjmë për t’u siguruar se do të vazhdojmë ta duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë?

Ta duam Jehovain me gjithë zemër

Në Shkrime flitet për zemrën figurative, e cila përfaqëson botën e brendshme të njeriut, pra dëshirat, qëndrimet dhe ndjenjat tona. Atëherë, të duam Jehovain me gjithë zemër do të thotë që më shumë se çdo gjë tjetër, të dëshirojmë t’i pëlqejmë Perëndisë. (Psalmi 86:11) Tregojmë se kemi këtë dashuri duke bërë ndryshime në personalitet, që t’i pëlqejmë atij. Përpiqemi ta imitojmë Perëndinë ‘duke urryer thellësisht atë që është e ligë dhe duke u ngjitur pas asaj që është e mirë’.​—Romakëve 12:9.

Dashuria jonë për Perëndinë ndikon në ndjenjat që kemi për gjithçka. Për shembull, mund të na duket interesante ose tërheqëse puna që bëjmë, por a e kemi zemrën aty? Jo. Meqë e duam Jehovain me gjithë zemër, pikësëpari jemi shërbëtorë të Perëndisë. Po ashtu, duam t’u pëlqejmë prindërve, bashkëshortit dhe punëdhënësit, por e tregojmë dashurinë me gjithë zemër për Jehovain duke kërkuar para së gjithash t’i pëlqejmë atij. Në fund të fundit, ai meriton vendin e parë në zemrën tonë.​—Mateu 6:24; 10:37.

Ta duam Jehovain me gjithë shpirt

Në Shkrime, fjala «shpirt» në thelb ka të bëjë me gjithë personin tonë, si edhe me jetën që kemi. Prandaj ta duam Jehovain me gjithë shpirt do të thotë që ta përdorim jetën për t’i sjellë lavdi atij dhe për t’i treguar sa e duam.

Sigurisht, mund të kemi edhe interesa të tjera në jetë, si për shembull të mësojmë një punë të re, të merremi me tregti ose të krijojmë familje. Por në të njëjtën kohë tregojmë se e duam me gjithë shpirt Jehovain duke i bërë gjërat sipas mënyrës së tij dhe duke i mbajtur gjërat e tjera në vendin e duhur në jetën tonë, pra duke ‘kërkuar më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij’. (Mateu 6:33) Adhurimi me gjithë shpirt do të thotë edhe të jemi të zellshëm. I tregojmë Jehovait se e duam, duke predikuar me zell mesazhin e Mbretërisë, duke bërë komente inkurajuese në mbledhje ose duke ndihmuar vëllezërit e krishterë dhe motrat e krishtere. Në çdo gjë, vazhdojmë ‘të bëjmë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt’.​—Efesianëve 6:6.

Jezui tregoi se e donte me gjithë shpirt Perëndinë duke mohuar veten. E vuri vullnetin e Perëndisë në vend të parë, kurse nevojat e veta në vend të dytë. Jezui na ftoi të ndjekim shembullin e tij. Ai tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e tij të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mateu 16:24, 25) Të mohojmë veten do të thotë t’i kushtohemi Perëndisë. Do të thotë se e duam kaq shumë Perëndinë, saqë e vëmë jetën tonë në duart e tij, duke e bërë atë pronar, ashtu si një izraelit në kohët biblike kur e donte shumë zotërinë e tij, pranonte të bëhej përgjithnjë skllavi i tij. (Ligji i përtërirë 15:16, 17) Në qoftë se ia kushtojmë jetën Jehovait, po japim dëshmi bindëse se e duam.

Ta duam Jehovain me gjithë mendjen

Ta duam Jehovain me gjithë mendjen tonë do të thotë të bëjmë çdo përpjekje të nevojshme për të kuptuar personalitetin, qëllimet dhe kërkesat e Tij. (Gjoni 17:3; Veprat 17:11) E shprehim dashurinë për Jehovain duke i përdorur të gjitha aftësitë mendore për të ndihmuar edhe të tjerët që ta duan atë, si edhe duke përmirësuar artin e mësimdhënies. «Mblidhni forcat mendore për aktivitet»,​—na nxiti apostulli Pjetër. (1 Pjetrit 1:13) Gjithashtu bëjmë përpjekje që të interesohemi për të tjerët, e sidomos për shërbëtorët e Perëndisë. Përpiqemi të mësojmë cilat janë rrethanat e tyre dhe vëmë re kur mund t’i lavdërojmë ata ose kur kanë nevojë për ngushëllim.

I tregojmë Jehovait se e duam me gjithë mendjen tonë, duke iu nënshtruar mendërisht. Përpiqemi t’i shohim gjërat sipas mënyrës së tij, e mbajmë parasysh kur marrim vendime dhe kemi besim se rruga e tij është më e mira. (Fjalët e urta 3:5, 6; Isaia 55:9; Filipianëve 2:3-7) Por, si mund ta përdorim forcën tonë ndërsa vazhdojmë të tregojmë dashuri për Perëndinë?

Ta duam Jehovain me gjithë forcën

Shumë të rinj në kongregacionin e krishterë e përdorin forcën e tyre për të lavdëruar Jehovain. (Fjalët e urta 20:29; Predikuesi 12:1) Një mënyrë se si shumë të rinj të krishterë tregojnë se e duan Jehovain me gjithë forcën e tyre është duke shërbyer si pionierë, pra në kohë të plotë. Edhe shumë nëna marrin pjesë në këtë lloj shërbimi ndërsa fëmijët e tyre janë në shkollë. Pleqtë besnikë që bëjnë vizita baritore, edhe pse kanë për t’u kujdesur për mirëqenien e familjeve të tyre, tregojnë se e duan Jehovain me gjithë forcën e tyre. (2 Korintasve 12:15) Jehovai u jep fuqi atyre që shpresojnë tek ai, që të mund ta tregojnë dashurinë duke e lavdëruar atë e duke përdorur gjithë forcën që kanë.​—Isaia 40:29; Hebrenjve 6:11, 12.

Dashuria do të rritet nëse e zhvillojmë siç duhet. Prandaj gjithnjë gjejmë kohë për të medituar. Mbajmë në mendje atë që ka bërë Jehovai për ne dhe arsyet pse e meriton përkushtimin tonë. Si pasardhës të papërsosur të Adamit, asnjëherë s’mund të jemi të denjë për «gjërat që Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan», por mund të tregojmë se e duam Jehovain me gjithë qenien tonë. Atëherë, le të vazhdojmë të veprojmë kështu!​—1 Korintasve 2:9.

[Figura në faqen 20]

Dashurinë për Perëndinë e shprehim me veprime