Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Skllavi i besueshëm» e kalon me sukses hetimin

«Skllavi i besueshëm» e kalon me sukses hetimin

«Skllavi i besueshëm» e kalon me sukses hetimin

«Është koha e caktuar që gjykimi të fillojë me shtëpinë e Perëndisë.»​—1 Pjetrit 4:17.

1. Çfarë vuri re Jezui kur hetoi ‘skllavin’?

NË FESTËN e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jezui emëroi ‘një skllav’ për të siguruar ushqim në kohën e duhur për «shërbëtorët e shtëpisë» së tij. Në vitin 1914 Jezui u vendos në fron si Mbret, dhe menjëherë pas kësaj ishte koha për të hetuar këtë ‘skllav’. Në përgjithësi ai vuri re se «skllavi» ishte treguar «i besueshëm dhe i matur». Prandaj e emëroi «mbi gjithë zotërimet e tij». (Mateu 24:45-47) Megjithatë kishte edhe një skllav të lig, i cili nuk ishte as i besueshëm dhe as i matur.

«Ai skllav i lig»

2, 3. Nga doli «ai skllav i lig»? Si u shfaq?

2 Jezui foli për skllavin e lig menjëherë pasi foli për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’. Ai tha: «Sikur ai skllav i lig të thoshte në zemër të vet: ‘Zotëria im po vonon’ e të fillonte t’i rrihte shokët e tij të skllavërisë dhe të hante e të pinte me pijanecët e regjur, zotëria i atij skllavi do të vinte në një ditë që ai s’e pret dhe në një orë që ai nuk e di e do ta ndëshkonte atë me ashpërsinë më të madhe dhe do t’i caktonte pjesën e tij me hipokritët. Atje do të jetë e qara e tij dhe kërcëllitja e dhëmbëve.» (Mateu 24:48-51) Shprehja «ai skllav i lig» na e drejton vëmendjen te fjalët e mëparshme të Jezuit për skllavin e besueshëm dhe të matur. Po, ‘skllavi i lig’ doli nga radhët e skllavit të besueshëm. * Si ndodhi kjo?

3 Përpara vitit 1914 shumë pjesëtarë të klasës së skllavit të besueshëm shpresonin me zjarr që atë vit të takoheshin në qiell me Dhëndrin, por shpresat e tyre nuk u përmbushën. Si pasojë e kësaj dhe e zhvillimeve të tjera, shumë u zhgënjyen dhe disa u hidhëruan. Disa prej tyre u kthyen ‘të rrihnin’ me fjalë ish-vëllezërit e vet dhe të shoqëroheshin me «pijanecët e regjur», pra grupet fetare të të ashtuquajturit krishterim.​—Isaia 28:1-3; 32:6.

4. Si veproi Jezui me ‘skllavin e lig’ dhe si ka vepruar me të gjithë ata që kanë treguar të njëjtën frymë?

4 Këta ish-të krishterë u identifikuan së fundi si ‘skllavi i lig’ dhe Jezui i ndëshkoi ata me «ashpërsinë më të madhe». Si? I hodhi poshtë dhe ata e humbën shpresën qiellore. Gjithsesi nuk u shkatërruan menjëherë. Në fillim iu desh të vuanin një periudhë me të qara dhe kërcëllitje dhëmbësh në «errësirën jashtë» kongregacionit të krishterë. (Mateu 8:12) Që nga ajo kohë një numër i kufizuar individësh të tjerë të mirosur kanë shfaqur një frymë të tillë të keqe duke u identifikuar si ‘skllavi i lig’. Edhe disa individë nga ‘delet e tjera’ kanë imituar pabesueshmërinë e tyre. (Gjoni 10:16) Të gjithë këta armiq të Krishtit përfundojnë në të njëjtën ‘errësirë frymore jashtë’.

5. Si reagoi skllavi i besueshëm dhe i matur në ndryshim nga ‘skllavi i lig’?

5 Gjithsesi, skllavi i besueshëm dhe i matur kaloi të njëjtat sprova që kaloi edhe ‘skllavi i lig’. Por, në vend që të hidhëroheshin, pjesëtarët e tij u ndreqën. (2 Korintasve 13:11) Dashuria e tyre për Jehovain dhe për vëllezërit u forcua. Si rrjedhim, ata kanë qenë «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës» gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’ të turbullta.​—1 Timoteut 3:15; 2 Timoteut 3:1.

Virgjëreshat e matura dhe mendjelehta

6. (a) Si e ilustroi Jezui maturinë e klasës së skllavit të tij të besueshëm? (b) Çfarë mesazhi shpallën të krishterët e mirosur përpara vitit 1914?

6 Pasi foli për ‘atë skllav të lig’, Jezui rrëfeu dy shëmbëlltyra për të treguar përse disa të krishterë të mirosur do të ishin të besueshëm dhe të matur, kurse disa të tjerë jo. * Për të ilustruar maturinë e skllavit të besueshëm, ai tha: «Mbretëria e qiejve do të bëhet si dhjetë virgjëresha, që morën llambat e tyre dhe dolën për të takuar dhëndrin. Pesë prej tyre ishin mendjelehta dhe pesë ishin të matura. Sepse mendjelehtat i morën llambat e tyre, por nuk morën vaj me vete, ndërsa të maturat, bashkë me llambat, morën vaj në enët e tyre.» (Mateu 25:1-4) Dhjetë virgjëreshat na kujtojnë të krishterët e mirosur përpara vitit 1914. Ata kishin llogaritur se dhëndri, Jezu Krishti, do të shfaqej në atë kohë. Prandaj «dolën» për ta takuar, duke predikuar me guxim se «kohët e caktuara të kombeve» do të përfundonin në vitin 1914.​—Luka 21:24.

7. Kur dhe pse të krishterët e mirosur, si të thuash «i zuri gjumi»?

7 Ata kishin të drejtë. Kohët e caktuara të kombeve mbaruan vërtet në vitin 1914, dhe Mbretëria e Perëndisë nën Krishtin Jezu filloi të vepronte. Por kjo ndodhi në qiejt e padukshëm. Në tokë njerëzimi filloi të përjetonte ‘mjerimin’ e parathënë. (Zbulesa 12:10, 12) Më pas filloi një periudhë sprovash. Ngaqë nuk i kuptonin qartë gjërat, të krishterët e mirosur mendonin se «dhëndri po vonohej». Të pështjelluar dhe meqë hasnin armiqësi nga bota, në përgjithësi ata e ulën ritmin dhe pothuajse e ndalën veprën publike e të organizuar të predikimit. Ashtu si virgjëreshat te shëmbëlltyra, në kuptimin frymor, atyre «iu var koka dhe i zuri gjumi», siç bënë edhe disa të krishterë jobesnikë pasi vdiqën apostujt e Jezuit.​—Mateu 25:5; Zbulesa 11:7, 8; 12:17.

8. Çfarë gjëje çoi në britmën: «Ja, dhëndri!» Çfarë duhej të bënin të krishterët e mirosur në këtë kohë?

8 Pastaj, në vitin 1919, ndodhi diçka e papritur. Në Bibël lexojmë: «Tamam në mes të natës u ngrit një britmë: ‘Ja, dhëndri! Dilni për ta takuar.’ Atëherë, të gjitha ato virgjëresha u ngritën dhe rregulluan llambat.» (Mateu 25:6, 7) Pikërisht atëherë kur gjendja dukej e pashpresë, u bë thirrja për të qenë aktivë. Në vitin 1918 Jezui, «lajmëtari i besëlidhjes», kishte ardhur në tempullin frymor për të hetuar dhe për të pastruar kongregacionin e Perëndisë. (Malakia 3:1, BR) Tani të krishterët e mirosur duhej të dilnin jashtë dhe ta takonin në oborret tokësore të atij tempulli. Ajo ishte një kohë që ‘të shkëlqenin’.​—Isaia 60:1; Filipianëve 2:14, 15.

9, 10. Pse në vitin 1919 disa të krishterë ishin ‘të matur’ dhe disa ‘mendjelehtë’?

9 Por, le të ndalemi pak këtu. Në shëmbëlltyrë disa nga vajzat kishin një problem. Jezui vazhdoi: «Mendjelehtat u thanë të maturave: ‘Na jepni ca nga vaji juaj, sepse llambat tona pas pak do të fiken.’» (Mateu 25:8) Pa vaj, llambat nuk do të lëshonin dritë. Kështu vaji i llambave na kujton Fjalën e vërtetë të Perëndisë dhe frymën e tij të shenjtë, e cila i fuqizon adhuruesit e vërtetë që të jenë dritëdhënës. (Psalmi 119:130; Danieli 5:14) Përpara vitit 1919 të krishterët e mirosur të matur kishin kërkuar me zell që të kuptonin se cili ishte vullneti i Perëndisë për ta, megjithëse ishin përkohësisht të dobët frymësisht. Prandaj, kur u bë thirrja për të lëshuar dritë, ata ishin gati.​—2 Timoteut 4:2; Hebrenjve 10:24, 25.

10 Por disa të mirosur nuk ishin të përgatitur për të bërë sakrifica ose për të bërë përpjekje të zellshme, edhe pse dëshironin me zjarr të ishin me Dhëndrin. Kështu kur erdhi koha për të qenë aktivë në predikimin e lajmit të mirë, ata nuk ishin gati. (Mateu 24:14) Madje u përpoqën t’i ngadalësonin shokët e tyre të zellshëm, duke u kërkuar që t’u jepnin vaj. Si u përgjigjën virgjëreshat e matura në shëmbëlltyrën e Jezuit? Ato thanë: «Mbase nuk mjafton për ne dhe për ju. Më mirë, shkoni tek ata që e shesin dhe blini për vete.» (Mateu 25:9) Po kështu të krishterët e mirosur besnikë në vitin 1919 nuk pranuan të bënin asgjë që do t’i bënte më pak të aftë për të lëshuar dritë. Në këtë mënyrë ata e kaluan me sukses hetimin.

11. Çfarë ndodhi me virgjëreshat mendjelehta?

11 Jezui përfundon: «Ndërsa [virgjëreshat mendjelehta] po shkonin për të blerë, dhëndri mbërriti dhe virgjëreshat që ishin gati hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll. Më pas, erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: ‘Imzot, imzot, na e hap!’ Duke u përgjigjur, ai tha: ‘Po ju them të vërtetën: unë nuk ju njoh.’» (Mateu 25:10-12) Po, disa nuk ishin të përgatitur për ardhjen e Dhëndrit. Prandaj nuk e kaluan me sukses hetimin dhe humbën mundësinë për të marrë pjesë në dasmën qiellore. Sa tragjike!

Shëmbëlltyra e talentave

12. (a) Çfarë përdori Jezui për të ilustruar besueshmërinë e skllavit? (b) Kush ishte njeriu që «shkoi në dhe të huaj»?

12 Pasi ilustroi maturinë e skllavit të besueshëm, Jezui vazhdoi duke ilustruar besueshmërinë e këtij skllavi. Ai tha: «Është tamam si kur një njeri, që pas pak do të udhëtonte në dhe të huaj, thërriti skllevërit e tij dhe u besoi atyre zotërimet e tij. Dhe njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri akoma një, secilit sipas aftësive të veta, dhe shkoi në dhe të huaj.» (Mateu 25:14, 15) Njeriu te shëmbëlltyra është vetë Jezui, i cili «shkoi në dhe të huaj» kur u ngjit në qiell, në vitin 33 të e.s. Por përpara se të ngjitej, Jezui ua besoi «zotërimet e tij» dishepujve besnikë. Si?

13. Si përgatiti Jezui një fushë të gjerë aktiviteti? Si i autorizoi «skllevërit» e tij që të bënin tregti?

13 Gjatë shërbimit në tokë Jezui filloi të përgatiste një fushë të gjerë aktiviteti, duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë anembanë vendit të Izraelit. (Mateu 9:35-38) Përpara se ‘të shkonte në dhe të huaj’, ai ua besoi këtë fushë aktiviteti dishepujve besnikë kur u tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:18-20) Me këto fjalë Jezui i autorizoi «skllevërit» e tij që derisa të kthehej ai, të bënin tregti, ‘secili sipas aftësive të veta’.

14. Pse nuk pritej që të gjithë të bënin tregti në të njëjtën masë?

14 Shprehja e fundit tregon se jo të gjithë të krishterët e shekullit të parë kishin rrethana ose mundësi të njëjta. Disa, si Pavli dhe Timoteu, ishin të lirë që të merrnin pjesë plotësisht në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Të tjerë, për shkak të rrethanave, mund të kenë qenë shumë të kufizuar për të vepruar. Për shembull, disa të krishterë ishin skllevër, ndërsa të tjerë ishin të sëmurë, të moshuar ose kishin përgjegjësi familjare. Natyrisht disa privilegje në kongregacion nuk ishin për të gjithë dishepujt. Gratë e mirosura dhe disa burra të mirosur nuk mësonin në kongregacion. (1 Korintasve 14:34; 1 Timoteut 3:1; Jakovi 3:1) Megjithatë, cilado që të ishte gjendja e tyre, të gjithë dishepujt e mirosur të Krishtit, burra e gra, u caktuan të merreshin me tregti, domethënë t’i shfrytëzonin mirë mundësitë dhe rrethanat e tyre në shërbimin e krishterë. Edhe dishepujt e sotëm të mirosur bëjnë të njëjtën gjë.

Fillon koha e hetimit

15, 16. (a) Kur ishte koha për të bërë llogaritë? (b) Cilat mundësi të reja ‘për të bërë tregti’ iu dhanë të besueshmëve?

15 Shëmbëlltyra vazhdon: «Pas një kohe të gjatë, zotëria i atyre skllevërve erdhi dhe bëri llogaritë me ta.» (Mateu 25:19) Në vitin 1914, kur patjetër kishte kaluar një kohë e gjatë që nga viti 33 i e.s., filloi prania e Krishtit Jezu si mbret. Tre vjet e gjysmë më vonë, në vitin 1918, ai erdhi në tempullin frymor të Perëndisë dhe përmbushi fjalët e Pjetrit: «Është koha e caktuar që gjykimi të fillojë me shtëpinë e Perëndisë.» (1 Pjetrit 4:17; Malakia 3:1) Ajo ishte një kohë për të bërë llogaritë.

16 Çfarë kishin bërë skllevërit, pra vëllezërit e mirosur të Jezuit, me «talentat» e Mbretit? Që nga viti 33 i e.s. e deri në vitin 1914, shumë veta kishin punuar fort në ‘tregtinë’ e Jezuit. (Mateu 25:16) Madje edhe gjatë Luftës së Parë Botërore ata kishin shfaqur një dëshirë të madhe për t’i shërbyer Zotërisë. Tani ishte e përshtatshme që këtyre të besueshmëve t’u jepeshin mundësi të reja ‘për të bërë tregti’. Kishte ardhur koha e fundit të këtij sistemi. Lajmi i mirë duhej predikuar në mbarë botën. «E korra e tokës» duhej korrur. (Zbulesa 14:6, 7, 14-16) Duheshin gjetur pjesëtarët e fundit të klasës së grurit dhe duhej mbledhur «një shumicë e madhe» e deleve të tjera.​—Zbulesa 7:9; Mateu 13:24-30.

17. Si ‘hynë në gëzimin e zotërisë së tyre’ të krishterët e mirosur të besueshëm?

17 Koha e korrjes është një periudhë e gëzuar. (Psalmi 126:6) Prandaj me arsye të vlefshme në vitin 1919, kur Jezui u besoi vëllezërve të mirosur të besueshëm më shumë përgjegjësi, ai tha: «Ti ishe i besueshëm në pak gjëra. Do të të emëroj mbi shumë gjëra. Hyr në gëzimin e zotërisë tënd.» (Mateu 25:21, 23) Gëzimi i Zotërisë si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, i sapovendosur në fron, është aq i madh saqë nuk arrijmë ta përfytyrojmë dot. (Psalmi 45:1, 2, 6, 7) Klasa e skllavit të besueshëm e përjeton këtë gëzim duke përfaqësuar Mbretin dhe duke i shtuar interesat e tij në tokë. (2 Korintasve 5:20) Gëzimi i tyre shihet në fjalët profetike të Isaisë 61:10: «Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim. Sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit.»

18. Pse disa nuk e kaluan me sukses hetimin? Cili ishte përfundimi i tyre?

18 Mjerisht, disa nuk e kaluan me sukses hetimin. Në Bibël lexojmë: «Doli përpara ai që kishte marrë një talentë dhe tha: ‘Zotëri, unë e dija se ti je një njeri kërkues, që korr atje ku nuk mbolle dhe mbledh atje ku nuk shpërndave. Prandaj, pata frikë e shkova dhe e fsheha talentën tënde në tokë. Ja, ku e ke atë që është e jotja.’» (Mateu 25:24, 25) Në të njëjtën mënyrë disa të krishterë të mirosur nuk ishin marrë me «tregti». Përpara vitit 1914 ata nuk kishin folur me entuziazëm me të tjerët për shpresën e tyre dhe nuk donin të fillonin ta bënin këtë në vitin 1919. Si reagoi Jezui ndaj sjelljes së tyre arrogante? Ai ua mori të gjitha privilegjet. Ata ‘u flakën jashtë në errësirë ku do të ishte e qara e tyre dhe kërcëllitja e dhëmbëve’.​—Mateu 25:28, 30.

Hetimi vazhdon

19. Pse themi që hetimi vazhdon? Çfarë janë të vendosur të bëjnë të gjithë të krishterët e mirosur?

19 Sigurisht që shumica e atyre që gjatë kohës së fundit do të bëheshin skllevër të mirosur të Krishtit nuk po i shërbenin ende Jehovait në vitin 1918, kur Jezui filloi hetimin. Mos vallë humbën mundësinë për t’u hetuar? Aspak. Hetimi vetëm sa filloi në vitet 1918/1919 kur skllavi i besueshëm dhe i matur si klasë e kaloi me sukses hetimin. Të krishterët e mirosur, si individë vazhdojnë të jenë nën hetim derisa vulosja e tyre të jetë përfundimtare. (Zbulesa 7:1-3) Meqë e kuptojnë këtë, vëllezërit e mirosur të Krishtit janë të vendosur që me besnikëri të vazhdojnë ‘të bëjnë tregti’. Ata janë të vendosur të jenë të matur, duke mbajtur një rezervë të bollshme me vaj, me qëllim që drita të ndriçojë sa më shumë. E dinë se kur secili të arrijë në fund të jetës së tij me besueshmëri, Jezui do ta marrë në vendbanimin e tij qiellor.​—Mateu 24:13; Gjoni 14:2-4; 1 Korintasve 15:50, 51.

20. (a) Çfarë janë të vendosura të bëjnë delet e tjera sot? (b) Për çfarë janë të vetëdijshëm të krishterët e mirosur?

20 Shumica e madhe e deleve të tjera kanë imituar vëllezërit e tyre të mirosur. Ata janë të vetëdijshëm për faktin që njohuria që kanë për qëllimet e Perëndisë sjell një përgjegjësi të madhe. (Ezekieli 3:17-21) Prandaj me ndihmën e Fjalës së Jehovait dhe të frymës së shenjtë edhe ata mbajnë një rezervë të bollshme vaji. Këtë e bëjnë nëpërmjet studimit dhe mbledhjeve. Gjithashtu e lënë dritën e tyre të ndriçojë duke marrë pjesë në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies e ‘duke bërë kështu tregti’ bashkë me vëllezërit e tyre të mirosur. Sidoqoftë të krishterët e mirosur e kanë shumë të qartë se talentat u lanë në duart e tyre. Ata duhet të japin llogari për mënyrën se si administrohen zotërimet e Zotërisë në tokë. Ndonëse janë pak në numër, nuk mund t’ia lënë këtë përgjegjësi shumicës së madhe. Me këtë në mendje, skllavi i besueshëm dhe i matur vazhdon të marrë drejtimin për t’u kujdesur për ‘tregtinë’ e Mbretit, duke qenë mirënjohës për mbështetjen e pjesëtarëve të përkushtuar të shumicës së madhe. Këta të fundit e pranojnë përgjegjësinë që kanë vëllezërit e tyre të mirosur dhe ndihen të privilegjuar që punojnë nën mbikëqyrjen e tyre.

21. Cila nxitje zbatohet për të gjithë të krishterët, që përpara vitit 1919 e deri në ditët tona?

21 Pra, edhe pse këto dy shëmbëlltyra hedhin dritë mbi ngjarjet e vitit 1919 ose rreth kësaj kohe, parimet e tyre zbatohen për të gjithë të krishterët e vërtetë gjatë gjithë ditëve të fundit. Në këtë mënyrë, ndërkohë që nxitja që dha Jezui në fund të shëmbëlltyrës për dhjetë virgjëreshat zbatohet së pari për të krishterët e mirosur përpara vitit 1919, prapëseprapë parimet e saj zbatohen ende për çdo të krishterë. Atëherë, të gjithë ne le t’u kushtojmë vëmendje fjalëve të Jezuit: «Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk dini as ditën, as orën.»​—Mateu 25:13.

[Shënimet]

^ par. 2 Në mënyrë të ngjashme pas vdekjes së apostujve, nga radhët e pleqve të krishterë të mirosur dolën ‘ujqër që shtypnin’.​—Veprat 20:29, 30.

^ par. 6 Për një trajtim të mëtejshëm të shëmbëlltyrës së Jezuit, shih librin Siguri mbarëbotërore nën «Princin e Paqes», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, kapitujt e 5-të dhe të 6-të, anglisht.

A mund të shpjegoni?

• Kur i hetoi Jezui ithtarët e tij? Çfarë vuri re ai?

• Pse disa të krishterë të mirosur zhvilluan frymën e ‘atij skllavi të lig’?

• Si mund të tregojmë se jemi të matur frymësisht?

• Si mund të vazhdojmë ‘të bëjmë tregti’, duke imituar kështu vëllezërit e mirosur të besueshëm të Jezuit?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 16]

KUR VJEN JEZUI?

Në kapitujt 24 dhe 25 të Mateut thuhet në kuptime të ndryshme se Jezui «vjen». Ai nuk ka nevojë të zhvendoset fizikisht që ‘të vijë’. Përkundrazi «vjen» në kuptimin që drejton vëmendjen ndaj njerëzimit ose ithtarëve të tij, shpesh për gjykim. Kështu, në vitin 1914 ai ‘erdhi’ që të shënonte fillimin e pranisë së tij si Mbret i vendosur në fron. (Mateu 16:28; 17:1; Veprat 1:11) Në vitin 1918 ‘erdhi’ si lajmëtari i besëlidhjes dhe filloi të gjykonte ata që pohonin se i shërbenin Jehovait. (Malakia 3:1-3; 1 Pjetrit 4:17) Në Harmagedon ai ‘do të vijë’ për të ekzekutuar gjykimin ndaj armiqve të Jehovait.​—Zbulesa 19:11-16.

Ardhja që përmendet disa herë në Mateun 24:29-44 dhe 25:31-46 ndodh në ‘shtrëngimin e madh’. (Zbulesa 7:14) Nga ana tjetër, ardhja që përmendet disa herë nga Mateu 24:45 deri te 25:30 ka të bëjë me gjykimin e të ashtuquajturve dishepuj që nga viti 1918 e më pas. Nuk do të ishte e arsyeshme të thuhej për shembull, se shpërblimi i skllavit të besueshëm, gjykimi i virgjëreshave mendjelehta dhe gjykimi i skllavit të plogësht që fshehu talentën e Zotërisë, do të ndodhin kur Jezui ‘të vijë’ në shtrëngimin e madh. Se po të ishte kështu, atëherë shumë të mirosur nuk do të gjendeshin të besueshëm në atë kohë, dhe si pasojë do të duhej të zëvendësoheshin. Mirëpo Zbulesa 7:3 tregon se të gjithë skllevërit e mirosur të Krishtit do të jenë «vulosur» përfundimisht në atë kohë.

[Figura në faqen 14]

‘Skllavi i lig’ nuk mori bekime në vitin 1919

[Figura në faqen 15]

Virgjëreshat e mençura ishin gati kur erdhi dhëndri

[Figura në faqen 17]

Skllevërit e besueshëm ishin marrë me «tregti»

Skllavi i plogësht nuk ishte marrë me «tregti»

[Figurat në faqen 18]

Të mirosurit dhe ‘shumica e madhe’ vazhdojnë ta lënë dritën e tyre të ndriçojë