Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Darka e Zotërisë: Si kremtohet?

Darka e Zotërisë: Si kremtohet?

Darka e Zotërisë: Si kremtohet?

DUKE përshkruar kremtimin e Darkës së Zotërisë, apostulli i krishterë, Pavli, shkruan: «Unë mora nga Zotëria atë që ju transmetova edhe juve, se Zotëria Jezu, natën që do të tradhtohej, mori një bukë dhe pasi dha falënderime, e theu dhe tha: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që është për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.’ Ai bëri po ashtu edhe me kupën, pasi hëngri darkën, duke thënë: ‘Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim. Vazhdoni ta bëni këtë, sa herë që ta pini, në përkujtimin tim.’ Sepse, sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.»​—1 Korintasve 11:23-26.

Siç thotë Pavli, Jezui e themeloi Darkën e Zotërisë «natën që do të tradhtohej» nga Juda Iskarioti dhe do t’u dorëzohej udhëheqësve fetarë judenj të cilët u bënë presion romakëve që ta vinin në shtyllë Krishtin. Ajo darkë u mbajt të enjten në mbrëmje, më 31 mars të vitit 33 të e.s., ndërsa Jezui vdiq mbi një shtyllë torture të premten pasdite, më 1 prill. Meqë ditët e kalendarit judaik fillojnë në mbrëmjen e një dite dhe mbarojnë në mbrëmjen e ditës tjetër, si Darka e Zotërisë, ashtu edhe vdekja e Jezu Krishtit ndodhën në të njëjtën ditë, pra më 14 nisan të vitit 33 të e.s.

Ata që merrnin bukën dhe verën duhej ‘të vazhdonin ta bënin këtë në përkujtimin’ e Jezuit. (1 Korintasve 11:24) Darka e Zotërisë quhet edhe Përkujtimi i vdekjes së Krishtit.

Pse të përkujtojmë vdekjen e Jezuit?

Përgjigjen mund ta marrim nëse kuptojmë domethënien e vdekjes së Jezuit. Jezui vdiq si përkrahësi kryesor i sovranitetit të Jehovait. Në këtë mënyrë tregoi se Satanai ishte një gënjeshtar kur hodhi akuzën se njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm për arsye egoiste. (Jobi 2:1-5; Fjalët e urta 27:11) Gjithashtu me anë të vdekjes së tij si njeri i përsosur Jezui ‘dha shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave’. (Mateu 20:28) Kur Adami mëkatoi kundër Perëndisë ai humbi jetën njerëzore të përsosur bashkë me mundësitë që vinin prej saj. Por «Perëndia e deshi botën [e njerëzimit] aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Në fakt «paga që paguan mëkati është vdekja, por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë».​—Romakëve 6:23.

Kështu vdekja e Jezu Krishtit lidhet me dy shprehjet më të mëdha të dashurisë: me dashurinë e madhe që Jehovai shfaqi për njerëzimin kur dha Birin e tij dhe me dashurinë vetëflijuese që Jezui shfaqi për njerëzimin duke dhënë vullnetarisht jetën e tij njerëzore. Përkujtimi i vdekjes së Jezuit lartëson këto dy shprehje dashurie. Meqë kjo dashuri shfaqet ndaj nesh, a nuk duhet të tregojmë mirënjohjen tonë për të? Një mënyrë për ta bërë këtë është duke qenë të pranishëm në kremtimin e Darkës së Zotërisë.

Domethënia e bukës dhe e verës

Kur po themelonte Darkën e Zotërisë Jezui përdori një bukë dhe një kupë me verë të kuqe si simbole. Jezui mori një bukë dhe «pasi dha falënderime, e theu dhe tha: ‘Kjo [bukë] përfaqëson trupin tim, që është për ju.’» (1 Korintasve 11:24) Që të shpërndahej dhe të hahej, buka duhej thyer, sepse ishte një bukë paksa e brishtë e bërë me miell e ujë dhe pa maja. Në Shkrime majaja simbolizon mëkatin. (Mateu 16:11, 12; 1 Korintasve 5:6, 7) Jezui nuk ishte mëkatar. Prandaj trupi i tij i përsosur njerëzor shërbeu si një flijim i përshtatshëm shpërblyes për njerëzimin. (1 Gjonit 2:1, 2) Sa me vend është që buka e përdorur për të përfaqësuar trupin mishor pa mëkate të Jezuit, të jetë pa maja!

Po ashtu, Jezui dha falënderime për kupën me verë të kuqe të papërzier dhe tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim.» (1 Korintasve 11:25) Vera e kuqe në kupë përfaqëson gjakun e Jezuit. Ashtu si gjaku i demave dhe i cjepve të flijuar e bëri të vlefshme besëlidhjen e Ligjit që lidhi Perëndia me kombin e Izraelit në vitin 1513 p.e.s, po kështu gjaku i Jezuit që u derdh kur vdiq e bëri të vlefshme besëlidhjen e re.

Cilët duhet të marrin pjesë?

Për të përcaktuar se cilët me të drejtë duhet të marrin simbolet e Përkujtimit, duhet të kuptojmë se çfarë është besëlidhja e re dhe cilët janë palët e besëlidhjes. Bibla thotë: «‘Ja do të vijnë ditët’, thotë Zoti, ‘në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës . . . Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. . . . Unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.’»​—Jeremia 31:31-34.

Besëlidhja e re bën të mundur një lloj të veçantë marrëdhënieje me Perëndinë Jehova. Nëpërmjet kësaj besëlidhjeje një grup i caktuar individësh bëhet populli i Tij dhe Ai bëhet Perëndia i tyre. Ligji i Jehovait është i shkruar brenda tyre, mbi zemrën e tyre e madje edhe ata që nuk janë judenj të rrethprerë mund të hyjnë në marrëdhënien me Perëndinë të bazuar në besëlidhjen e re. (Romakëve 2:29) Shkrimtari biblik Luka flet për qëllimin e Perëndisë ‘që të kthejë vëmendjen e Tij drejt kombeve, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij’. (Veprat 15:14) Sipas 1 Pjetrit 2:10 këta individë ‘dikur nuk ishin një popull, por tani janë populli i Perëndisë’. Shkrimet i quajnë ‘Izraeli i Perëndisë’, domethënë Izraeli frymor. (Galatasve 6:16; 2 Korintasve 1:21) Pra, besëlidhja e re është një besëlidhje mes Perëndisë Jehova dhe Izraelit frymor.

Natën e fundit me dishepujt e tij edhe vetë Jezui bëri një besëlidhje tjetër me ta. «Unë bëj me ju një besëlidhje»,​—u tha ai atyre,​—ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri.» (Luka 22:29) Kjo është besëlidhja e Mbretërisë. Numri i njerëzve të papërsosur që marrin pjesë në besëlidhjen e Mbretërisë është 144.000 veta. Pasi të ringjallen në qiell ata do të sundojnë me Krishtin si mbretër dhe priftërinj. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1-4) Kështu, ata që bëjnë pjesë në besëlidhjen e re me Perëndinë Jehova bëjnë pjesë gjithashtu edhe në besëlidhjen e Mbretërisë me Jezu Krishtin. Ata janë të vetmit që me të drejtë i marrin simbolet në Darkën e Zotërisë.

Si e dinë ata që janë të autorizuar të marrin simbolet e Përkujtimit, se ndodhen në një marrëdhënie të pashoqe me Perëndinë dhe janë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin? Pavli shpjegon: «Vetë fryma [e shenjtë] jep dëshmi me frymën tonë [prirjen tonë mendore] se jemi fëmijë të Perëndisë. Nëse, pra, jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, por bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.»​—Romakëve 8:16, 17.

Nëpërmjet frymës së tij të shenjtë ose forcës aktive, Perëndia i miros bashkëtrashëgimtarët e Krishtit. Kjo i bën ata të sigurt se janë trashëgimtarë të Mbretërisë. Ajo bën të lindë te të krishterët e mirosur një shpresë qiellore. Ata ia zbatojnë vetes gjithçka që thotë Bibla për jetën qiellore. Për më tepër janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka që lidhet me jetën tokësore, përfshirë jetën në tokë dhe gjithë marrëdhëniet njerëzore. Megjithëse të krishterët e mirosur nga fryma e dinë se jeta në parajsën në tokë do të jetë e mrekullueshme, ata nuk kanë këtë shpresë. (Luka 23:43) Jo për shkak të pikëpamjeve të rreme fetare, por si pasojë e veprimit të frymës së Perëndisë ata kanë një shpresë të pandryshueshme qiellore dhe për këtë arsye me të drejtë marrin simbolet e Përkujtimit.

Ta zëmë se një njeri nuk është plotësisht i sigurt se bën pjesë në besëlidhjen e re dhe në besëlidhjen e Mbretërisë. Po sikur të mos ketë edhe dëshminë e frymës së Perëndisë se është bashkëtrashëgimtar me Krishtin? Atëherë do të ishte e gabuar të merrte simbolet e Përkujtimit. Po, Perëndisë nuk do t’i pëlqente nëse një njeri me dashje do të hiqej si një që ka marrë thirrjen për të qenë mbret dhe prift qiellor kur në të vërtetë nuk e ka marrë këtë thirrje.​—Romakëve 9:16; Zbulesa 22:5.

Sa shpesh duhet kremtuar?

A duhet kremtuar vdekja e Jezuit çdo javë ose ndoshta edhe çdo ditë? E pra, Krishti e themeloi Darkën e Zotërisë dhe u vra padrejtësisht ditën e Pashkës. Pashka, e cila mbahej një herë në vit, më 14 nisan, përkujtonte çlirimin e Izraelit nga skllavëria egjiptiane. (Eksodi 12:6, 14; Levitiku 23:5) Kështu vdekja e ‘Krishtit, pashkës sonë’ duhet përkujtuar vetëm një herë në vit, dhe jo çdo javë ose çdo ditë. (1 Korintasve 5:7) Kur kremtojnë Darkën e Zotërisë të krishterët ndjekin të njëjtin model që la Jezui kur themeloi këtë Darkë.

Atëherë, çfarë nënkuptohet nga fjalët e Pavlit: «Sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.» (1 Korintasve 11:26) Ai po thoshte se sa herë që të krishterët e mirosur merrnin simbolet, ata shpallnin besimin e tyre te flijimi shpërblyes i Jezuit.

Të krishterët e mirosur do të përkujtonin vdekjen e Krishtit ‘derisa ai të mbërrinte’. Ky kremtim do të vazhdonte derisa Jezui të vinte për të marrë në qiell ithtarët e tij të mirosur nëpërmjet një ringjalljeje në jetën frymore gjatë ‘pranisë’ së tij. (1 Selanikasve 4:14-17) Kjo përputhet me fjalët e Krishtit drejtuar 11 apostujve besnikë: «Nëse shkoj e ju përgatit një vend, do të vij prapë e do t’ju marr në shtëpi tek unë, që ku jam unë, të jeni edhe ju.»​—Gjoni 14:3.

Ç’domethënie ka për ty?

A është e domosdoshme të marrësh simbolet e Përkujtimit në mënyrë që të nxjerrësh dobi nga flijimi i Jezuit dhe të marrësh jetën e përhershme në tokë? Jo. Në Bibël nuk ka asgjë që të lërë të kuptojë se njerëz me frikë Perëndie të tillë, si Noeja, Abrahami, Sara, Isaku, Rebeka, Jozefi, Moisiu dhe Davidi do t’i marrin ndonjëherë këto simbole pasi të ringjallen në tokë. Megjithatë ata dhe të gjithë të tjerët që dëshirojnë jetë të pafundme në tokë duhet të ushtrojnë besim te Perëndia e te Krishti. Gjithashtu, duhet të ushtrojnë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit, që është një masë që ka marrë Jehovai. (Gjoni 3:36; 14:1) Për të fituar jetën e përhershme edhe ti duhet të ushtrosh një besim të tillë. Prania jote në kremtimin e përvitshëm të vdekjes së Krishtit do të të kujtojë atë flijim të madh dhe duke qenë i pranishëm do të të rritet mirënjohja për këtë flijim.

Apostulli Pavël theksoi rëndësinë e flijimit të Jezuit kur tha: «Po jua shkruaj [të mirosur] këto gjëra që të mos kryeni mëkat. Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, një që është i drejtë, Jezu Krishtin. E ai është një flijim pajtues për mëkatet tona, madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.» (1 Gjonit 2:1, 2) Të mirosurit mund të thonë se flijimi i Jezuit është një flijim pajtues për mëkatet e tyre. Megjithatë, ai është gjithashtu një flijim edhe për mëkatet e të gjithë botës, duke e bërë të mundur jetën e përhershme për njerëzimin e bindur.

A do të jesh i pranishëm më 4 prill 2004 për të kremtuar vdekjen e Jezuit? Ky kremtim do të mbahet anembanë botës nga Dëshmitarët e Jehovait në vendet ku ata mblidhen. Në qoftë se merr pjesë, do të përfitosh duke dëgjuar një fjalim biblik shumë të rëndësishëm. Aty do të të kujtohet se sa shumë kanë bërë për ne Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Gjithashtu, do të mbetesh i kënaqur të mblidhesh me ata që kanë respekt të thellë për Perëndinë dhe Krishtin, si dhe për flijimin shpërblyes të Jezuit. Ky rast do të ta shtojë edhe më shumë dëshirën që të jesh pjesëmarrës i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, e cila të çon në jetën e përhershme. Mos lejo të të pengojë asgjë. Merr pjesë në këtë kremtim inkurajues që nderon dhe i sjell kënaqësi Atit tonë qiellor, Perëndisë Jehova.

[Figura në faqen 5]

Vdekja e Jezuit lidhet me dy shprehjet më të mëdha të dashurisë

[Figura në faqen 6]

Buka pa maja dhe vera janë simbole të përshtatshme të trupit pa mëkat të Jezuit dhe të gjakut të tij të derdhur