Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kryeje plotësisht shërbimin tënd»

«Kryeje plotësisht shërbimin tënd»

«Kryeje plotësisht shërbimin tënd»

«Bëje shërbimin tënd deri në fund.»​—2 TIMOTEUT 4:5, Byington.

1, 2. Edhe pse të gjithë të krishterët janë ungjillëzues, çfarë kërkohet nga pleqtë sipas Shkrimeve?

A JE një lajmëtar i Mbretërisë? Nëse po, falënderoje Perëndinë Jehova për këtë privilegj të mrekullueshëm. A je një plak në kongregacion? Ky është një tjetër privilegj nga Jehovai. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se as arsimimi botëror, as aftësia për të qenë njeri i gojës, nuk e kualifikon ndonjërin nga ne për shërbimin ose për mbikëqyrjen në kongregacion. Jehovai na kualifikon siç duhet për shërbimin dhe nëse disa burra prej nesh kanë privilegjin që të shërbejnë si mbikëqyrës kjo është sepse plotësojnë disa kërkesa biblike specifike.​—2 Korintasve 3:5, 6; 1 Timoteut 3:1-7.

2 Të gjithë të krishterët e kushtuar e bëjnë punën e ungjillëzuesve, por sidomos mbikëqyrësit, pra pleqtë, duhet të lënë një shembull të mirë në shërbim. Pleqtë «që punojnë pa u lodhur në fjalë dhe në mësimdhënie» janë nën vëzhgimin e Perëndisë e të Krishtit, si edhe të Dëshmitarëve të tjerë të Jehovait. (1 Timoteut 5:17; Efesianëve 5:23; Hebrenjve 6:10-12) Në të gjitha rastet, mësimdhënia e një plaku duhet të jetë e shëndoshë frymësisht, sepse apostulli Pavël i tha mbikëqyrësit Timote: «Do të vijë një periudhë kohe, kur ata njerëz nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët; do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’u kthehen tregimeve të rreme. Kurse ti, ruaj gjykimin në gjithçka, duro të ligën, bëj punën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.»​—2 Timoteut 4:3-5.

3. Çfarë duhet bërë në mënyrë që mësimet e rreme të mos rrezikojnë gjendjen frymore të kongregacionit?

3 Për t’u siguruar që mësimet e rreme të mos rrezikojnë gjendjen frymore të kongregacionit, një mbikëqyrës duhet të përputhet me këshillën e Pavlit: «Ji i matur në gjithçka, . . . bëje shërbimin tënd deri në fund.» (2 Timoteut 4:5, Byington) Po, një plak duhet ‘ta kryejë shërbimin e tij plotësisht’, që do të thotë se ai duhet ta bëjë atë tërësisht, deri në fund ose në një masë të plotë. Një plak që e kryen plotësisht shërbimin e tij u kushton vëmendjen e duhur të gjitha përgjegjësive që ka, duke mos lënë asgjë pas dore ose duke mos e lënë përgjysmë. Një njeri i tillë është i besueshëm edhe në gjëra të vogla.​—Luka 12:48; 16:10.

4. Çfarë mund të na ndihmojë që ta kryejmë shërbimin plotësisht?

4 Që të kryejmë plotësisht shërbimin nuk kërkohet gjithnjë më tepër kohë, por që ta përdorim sa më me efektshmëri kohën që kemi. Po të mbajnë të njëjtin ritëm, kjo mund t’i ndihmojë të gjithë të krishterët që të kryejnë shumë gjëra në shërbim. Për të kaluar më shumë kohë në shërbimin në fushë një plak ka nevojë për një organizim personal të mirë që të drejtpeshojë programin e tij, të dijë se si t’u kalojë të tjerëve disa përgjegjësi dhe të dijë se si ta bëjë këtë. (Hebrenjve 13:17) Natyrisht një plak i respektueshëm bën edhe pjesën e vet, ashtu si Nehemia, i cili mori pjesë personalisht në rindërtimin e mureve të Jerusalemit. (Nehemia 5:16) Dhe të gjithë shërbëtorët e Jehovait duhet të marrin pjesë rregullisht në veprën e predikimit të Mbretërisë.​—1 Korintasve 9:16-18.

5. Si duhet të ndihemi për shërbimin?

5 Çfarë detyre të gëzuar që kemi si lajmëtarë të Mbretërisë qiellore të vendosur! Sigurisht që e çmojmë privilegjin për të marrë pjesë në predikimin e lajmit të mirë në gjithë tokën e banuar përpara se të vijë fundi. (Mateu 24:14) Ndonëse jemi të papërsosur mund të marrim zemër nga fjalët e Pavlit: «Ne e kemi këtë thesar [shërbimin] në enë prej balte, që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne.» (2 Korintasve 4:7) Po, mund të bëjmë një shërbim të pranueshëm, por vetëm me anë të forcës dhe mençurisë që na jep Perëndia.​—1 Korintasve 1:26-31.

Të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë

6. Çfarë dallimi ekzistonte mes Izraelit natyror dhe Izraelit frymor?

6 Duke iu drejtuar të krishterëve të mirosur Pavli thotë se Perëndia «na ka kualifikuar aq sa duhet për të qenë administrues të Fjalës së një besëlidhjeje të re». Apostulli bën dallimin mes besëlidhjes së re që u bë me Izraelin frymor nëpërmjet Jezu Krishtit, dhe besëlidhjes së vjetër të Ligjit që u bë me Izraelin natyror nëpërmjet Moisiut. Pavli thotë më tej se kur Moisiu zbriti nga mali Sinai me pllakat që përmbanin Dhjetë Urdhërimet, fytyra e tij shkëlqente kaq shumë, saqë izraelitët nuk mund ta ngulnin shikimin mbi të. Por me kalimin e kohës ndodhi diçka shumë e rëndë, sepse ‘fuqitë e tyre mendore u mpinë’ dhe mbi zemrat e tyre u vendos një vel. Megjithatë, kur dikush kthehet te Jehovai, duke iu përkushtuar me gjithë zemër, veli hiqet. Duke folur më pas për shërbimin që u është dhënë atyre që bëjnë pjesë në besëlidhjen e re, Pavli thotë: «Të gjithë ne, . . . me fytyrë të zbuluar pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait.» (2 Korintasve 3:6-8, 14-18; Eksodi [Dalja] 34:29-35) Edhe ‘delet e tjera’ të Jezuit sot kanë privilegjin që të pasqyrojnë lavdinë e Jehovait.​—Gjoni 10:16.

7. Si mund të pasqyrojnë njerëzit lavdinë e Perëndisë?

7 Si mund të pasqyrojnë njerëzit mëkatarë lavdinë e Jehovait kur asnjë njeri nuk mund të shohë fytyrën e tij e të jetojë? (Eksodi 33:20) E pra, përveç faktit që Jehovai është një person i lavdishëm, është i lavdishëm edhe qëllimi i tij për të shfajësuar sovranitetin e tij nëpërmjet Mbretërisë. Të vërtetat që lidhen me Mbretërinë janë pjesë e ‘gjërave madhështore të Perëndisë’ që filluan të shpallen nga ata mbi të cilët u derdh fryma e shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. (Veprat 2:11) Me anë të drejtimit të frymës, ata mundën të kryenin plotësisht shërbimin që u ishte besuar.​—Veprat 1:8.

8. Çfarë ishte i vendosur të bënte Pavli për sa i përket shërbimit?

8 Pavli ishte i vendosur që asgjë të mos e pengonte të kryente plotësisht shërbimin e tij. Ai shkroi: «Meqë kemi këtë shërbim sipas mëshirës që na është treguar, ne nuk dorëzohemi; por kemi hequr dorë nga gjërat që bëhen në fshehtësi, për të cilat të na vijë turp, duke mos ecur me dinakëri, as duke bastarduar fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, duke ia rekomanduar veten tonë çdo ndërgjegjeje njerëzore, në sy të Perëndisë.» (2 Korintasve 4:1, 2) Nëpërmjet atij që Pavli e quan «këtë shërbim» shfaqet e vërteta dhe përhapet kudo drita frymore.

9, 10. Si mund ta pasqyrojmë lavdinë e Jehovait?

9 Në lidhje me Burimin e dritës fizike dhe frymore Pavli shkruan: «Perëndia është ai që tha: ‘Le të ndriçojë drita nga errësira.’ Dhe ai ka ndriçuar në zemrat tona, për t’u dhënë dritë me njohurinë e lavdishme të Perëndisë, nëpërmjet fytyrës së Krishtit.» (2 Korintasve 4:6; Zanafilla 1:2-5) Meqenëse na është dhënë privilegji shumë i çmuar që të jemi shërbëtorë të Perëndisë, le të mbahemi të pastër në mënyrë që të pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait.

10 Individët që janë në errësirë frymore nuk mund ta shohin lavdinë e Jehovait ose pasqyrimin e saj nga Jezu Krishti, Moisiu Më i Madh. Por si shërbëtorë të Jehovait ne marrim dritën e lavdishme nga Shkrimet dhe ua pasqyrojmë atë të tjerëve. Ata që tani janë në errësirë frymore, për të shpëtuar nga shkatërrimi kanë nevojë për dritë nga Perëndia. Prandaj, me gëzim dhe zell të madh i bindemi urdhrit hyjnor që ta lëmë dritën të ndriçojë në këtë errësirë, për lavdi të Jehovait.

Lëreni dritën tuaj të ndriçojë në studimet biblike në shtëpi

11. Çfarë tha Jezui për mënyrën se si ta lëmë dritën tonë të ndriçojë? Cila është një mënyrë për ta bërë këtë në shërbimin tonë?

11 Jezui u tha ithtarëve të tij: «Ju jeni drita e botës. Një qytet nuk mund të fshihet, kur ndodhet mbi një mal. Një llambë nuk ndizet për t’u vendosur nën shinik, por mbi mbajtësen e vet dhe ndriçon mbi të gjithë ata që gjenden në shtëpi. Po ashtu le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:14-16) Sjellja jonë e shkëlqyer mund t’i nxitë të tjerët që t’i japin lavdi Perëndisë. (1 Pjetrit 2:12) Kurse aspektet e ndryshme të veprës sonë të ungjillëzimit na japin shumë mundësi që ta lëmë dritën tonë të ndriçojë. Një nga synimet tona kryesore është që të pasqyrojmë dritën frymore nga Fjala e Perëndisë, duke drejtuar studime biblike frytdhënëse. Kjo është një mënyrë shumë e rëndësishme për ta kryer shërbimin tonë plotësisht. Çfarë këshillash mund të na ndihmojnë që të drejtojmë studime biblike të cilat u prekin zemrën individëve që po kërkojnë të vërtetën?

12. Si lidhet lutja me drejtimin e studimeve biblike në shtëpi?

12 Kur i lutemi Jehovait për drejtimin e studimeve biblike tregojmë se kemi një dëshirë të madhe për ta bërë këtë. Gjithashtu, tregojmë se e kuptojmë sa e rëndësishme është që t’i ndihmojmë të tjerët të fitojnë njohurinë për Perëndinë. (Ezekieli 33:7-9) Jemi të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona dhe do t’i bekojë përpjekjet tona të ndërgjegjshme në shërbim. (1 Gjonit 5:14, 15) Por ne nuk lutemi vetëm që të gjejmë dikë me të cilin të drejtojmë një studim biblik. Pasi kemi nisur një studim, lutja dhe meditimi për nevojat specifike të studentit të Biblës do të na ndihmojnë që ta drejtojmë çdo herë studimin në mënyrë frytdhënëse.​—Romakëve 12:12.

13. Çfarë mund të na ndihmojë që të drejtojmë studime biblike frytdhënëse?

13 Për të drejtuar studime biblike frytdhënëse duhet të përgatitemi mirë çdo herë. Në qoftë se nuk ndihemi të aftë, mund të jetë shumë dobiprurëse që të vëzhgojmë se si e trajton gjatë mbledhjes mësimin e çdo jave mbikëqyrësi i Studimit të Librit të Kongregacionit. Ndonjëherë, mund të shoqërojmë në studime lajmëtarë të Mbretërisë që kanë pasur rezultate të mira në drejtimin e studimeve biblike në shtëpi. Por patjetër, ato që meritojnë të shqyrtojmë në veçanti janë qëndrimi dhe metodat e mësimdhënies së Jezu Krishtit.

14. Si mund t’ia prekim zemrën një studenti të Biblës?

14 Jezui kënaqej kur bënte vullnetin e Atit të tij qiellor dhe kur u fliste të tjerëve për Perëndinë. (Psalmi 40:8) Ai ishte me natyrë të butë dhe arrinte t’u prekte zemrën atyre që e dëgjonin. (Mateu 11:28-30) Prandaj le të përpiqemi t’u prekim zemrën studentëve tanë të Biblës. Për ta bërë këtë, duhet të përgatitemi për çdo studim duke pasur në mendje rrethanat e veçanta të studentit. Për shembull, nëse ai i përket një kulture ku Bibla nuk njihet ose nuk pranohet, ndoshta duhet ta bindim që Bibla është e besueshme. Në këtë rast, natyrisht duhet t’i lexojmë shumë shkrime dhe t’ia shpjegojmë ato.

T’i ndihmojmë studentët që të kuptojnë ilustrimet

15, 16. (a) Si mund ta ndihmojmë një student që nuk e kupton një ilustrim që është përdorur në Bibël? (b) Çfarë mund të bëjmë në rast se në një nga botimet tona përdoret një ilustrim që është i vështirë për t’u kuptuar nga një student i Biblës?

15 Për një student të Biblës mund të mos jetë e thjeshtë të kuptojë një ilustrim të caktuar që është përdorur në Shkrime. Për shembull, ai mund të mos e kuptojë se çfarë donte të thoshte Jezui kur tha se një llambë vihet mbi një mbajtëse llambe. (Marku 4:21, 22) Jezui e kishte fjalën për një llambë me vaj dhe me fitil që përdorej në kohën e lashtë. Një llambë e tillë vihej në një mbajtëse të veçantë dhe kështu mund të ndriçonte një pjesë të shtëpisë. Për ta bërë të qartë ilustrimin e Jezuit mund të nevojitet që të bëhet një kërkim rreth temave «llambë» dhe «mbajtëse llambe» në botimet tona të krishtere. Por çfarë kënaqësie është që të shkojmë në studimin biblik duke pasur një shpjegim që kuptohet dhe vlerësohet nga studenti!

16 Në ndonjë botim ndihmës për studimin e Biblës mund të përdoret një ilustrim që është i vështirë për t’u kuptuar nga një student. Të lëmë kohë për ta shpjeguar atë ose të përdorim një ilustrim tjetër që provon të njëjtën gjë. Ndoshta në një botim theksohet se në martesë janë të rëndësishme një bashkëshort i mirë dhe përpjekje të përbashkëta. Për ta ilustruar këtë mund të përmendet shembulli i një akrobati që lëkundet fort në ajër teksa është kapur te një shufër horizontale. Ai e lëshon shufrën dhe kapet në duart e një akrobati tjetër. Ndoshta si një mundësi tjetër, nevoja për një bashkëshort të mirë dhe për të bërë përpjekje të përbashkëta mund të ilustrohet me anë të mënyrës se si punëtorët bashkëpunojnë duke ia kaluar njëri-tjetrit kutitë kur janë duke shkarkuar një anije.

17. Çfarë mund të mësojmë nga Jezui për sa u përket ilustrimeve?

17 Që të përdorim një ilustrim tjetër kërkohet një përgatitje e mëparshme. Por kjo është një mënyrë për të treguar interesimin tonë ndaj një studenti të Biblës. Jezui përdori ilustrime të thjeshta për të sqaruar tema të vështira. Predikimi i tij në Mal jep shembuj të kësaj dhe Bibla tregon se mësimdhënia e tij kishte një ndikim të mirë te ata që e dëgjonin. (Mateu 5:1-7:29) Jezui i shpjegonte me durim gjërat, sepse interesohej me gjithë zemër për të tjerët.​—Mateu 16:5-12.

18. Çfarë këshillohet në lidhje me shkrimet e përmendura në botimet tona?

18 Interesimi ynë ndaj të tjerëve do të na nxitë që ‘të arsyetojmë nga Shkrimet’. (Veprat 17:2, 3) Kjo kërkon që ta bëjmë me gjithë zemër studimin dhe duke u lutur, si edhe të përdorim me mençuri botimet që sigurohen nëpërmjet ‘kujdestarit të besueshëm’. (Luka 12:42-44) Për shembull, në librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, ka shumë shkrime. * Ngaqë libri nuk është shumë i madh, disa shkrime vetëm sa janë përmendur. Gjatë një studimi biblik është e rëndësishme që të lexojmë dhe të shpjegojmë të paktën disa nga këto shkrime të përmendura. Në fund të fundit, mësimdhënia jonë bazohet te Fjala e Perëndisë e cila ka shumë fuqi. (Hebrenjve 4:12) Le t’i drejtohemi Biblës gjatë çdo studimi, duke përdorur shpesh shkrimet që gjenden nëpër paragrafë. Ta ndihmojmë studentin që të shohë se çfarë thotë Bibla për një temë të caktuar ose për një veprim të caktuar. Të përpiqemi t’i tregojmë atij se si do të nxjerrë dobi duke iu bindur Perëndisë.​—Isaia 48:17, 18.

Të bëjmë pyetje që të futin në mendime

19, 20. (a) Kur drejtojmë një studim biblik në shtëpi, pse duhet t’i bëjmë studentit pyetje për të ditur pikëpamjen e tij? (b) Çfarë duhet të bëjmë nëse një temë e veçantë duhet shqyrtuar më shumë?

19 Përdorimi me mjeshtëri i pyetjeve nga ana e Jezuit i ndihmoi njerëzit që të arsyetonin. (Mateu 17:24-27) Nëse i bëjmë studentit pyetje për të ditur pikëpamjen e tij pa e vënë atë në siklet, përgjigjet e tij mund të zbulojnë se çfarë mendon për një temë të caktuar. Mund të zbulojmë se ai ka ende disa pikëpamje jobiblike. Për shembull, ndoshta beson te Triniteti. Në kapitullin e 3-të të librit Njohuria theksohet se fjala «Trinitet» nuk përmendet në Bibël. Libri citon dhe përmend shkrime që tregojnë se Jehovai është i ndarë nga Jezui dhe se fryma e shenjtë është forca aktive e Perëndisë, e jo një person. Leximi dhe diskutimi i këtyre vargjeve biblike mund të mjaftojë. Por, çfarë të bëjmë nëse nevojitet diçka më shumë? Ndoshta, pasi të bëjmë studimin herën tjetër, mund të kalojmë ca kohë duke bërë një diskutim dobiprurës të kësaj teme, të trajtuar në një botim tjetër të Dëshmitarëve të Jehovait, siç është broshura A duhet të besosh në Trinitet? Më pas, mund të bëjmë një përmbledhje të studimit duke përdorur librin Njohuria.

20 Ta zëmë se përgjigjja e studentit për një pikëpamje është befasuese ose madje zhgënjyese. Në rast se bëhet fjalë për pirjen e duhanit ose për ndonjë çështje tjetër delikate, mund t’i themi që të vazhdojmë studimin dhe ta diskutojmë këtë çështje pas disa kohësh. Duke e ditur se studenti vazhdon ende të pijë duhan, mund të gjejmë informacione të botuara që mund ta ndihmojnë atë të bëjë përparim frymor. Ndërsa përpiqemi të prekim zemrën e studentit, mund të lutemi që Jehovai ta ndihmojë atë të rritet frymësisht.

21. Çfarë mund të ndodhë nëse i përshtatim metodat e mësimdhënies me nevojat specifike të studentit të Biblës?

21 Me anë të një përgatitjeje të mirë dhe me ndihmën e Jehovait, pa dyshim do të jemi në gjendje t’i përshtatim metodat e mësimdhënies me nevojat specifike të studentit të Biblës. Ndërsa koha kalon mund të arrijmë ta ndihmojmë studentin që të zhvillojë një dashuri të thellë për Perëndinë. Gjithashtu, mund të arrijmë që të zhvillojmë tek ai respekt dhe çmueshmëri për organizatën e Jehovait. Dhe sa e këndshme është kur studentët e Biblës e pranojnë se ‘Perëndia është vërtet mes nesh’! (1 Korintasve 14:24, 25) Le të drejtojmë pra, studime biblike frytdhënëse dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar të tjerët që të bëhen dishepuj të Jezuit.

Një thesar që duhet çmuar

22, 23. Çfarë nevojitet që ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë?

22 Për ta kryer shërbimin tonë plotësisht duhet të mbështetemi te forca që na jep Perëndia. Duke folur për shërbimin Pavli u shkroi të bashkëkrishterëve të mirosur: «Ne e kemi këtë thesar në enë prej balte, që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne.»​—2 Korintasve 4:7.

23 Pavarësisht nëse jemi nga të mirosurit ose nga ‘delet e tjera’, jemi si enë të brishta prej balte. (Gjoni 10:16) Megjithatë, Jehovai mund të na japë forcën që na nevojitet për të përmbushur caktimet tona pavarësisht nga presionet që hasim. (Gjoni 16:13; Filipianëve 4:13) Atëherë, le të besojmë plotësisht te Jehovai, le ta çmojmë thesarin e shërbimit dhe le ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë!

[Shënimi]

^ par. 18 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë mund të bëjnë pleqtë që ta kryejnë plotësisht shërbimin e tyre?

• Si mund të drejtojmë studime biblike më frytdhënëse?

• Çfarë do të bënit nëse një student i Biblës nuk do ta kuptonte një ilustrim ose do të kishte nevojë për më shumë informacione rreth një teme të caktuar?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 16]

Pleqtë e krishterë mësojnë në kongregacion dhe ndihmojnë për t’i stërvitur bashkëbesimtarët në shërbim

[Figura në faqen 18]

Të drejtojmë studime biblike frytdhënëse është një mënyrë që ta lëmë dritën tonë të ndriçojë