Një kremtim që ndikon te ty
Një kremtim që ndikon te ty
KUR ishte në tokë Jezu Krishti themeloi një kremtim që nderon Perëndinë. Kjo ishte e vetmja ceremoni fetare për të cilën i urdhëroi drejtpërdrejt ithtarët e tij ta kremtonin. Ishte Darka e Zotërisë, e njohur si Darka e Fundit.
Përfytyro sikur je një vëzhgues i padukshëm i ngjarjeve që çuan në atë rast. Jezui dhe apostujt janë mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem për të kremtuar Pashkën judaike. Ata kanë ngrënë darkën e zakonshme të Pashkës, e cila përbëhej nga një qengj i pjekur, barishte të hidhura, bukë pa maja dhe verë të kuqe. Apostullit të pabesë, Juda Iskariotit, i është kërkuar të largohet dhe së shpejti ai do ta tradhtojë Zotërinë. (Mateu 26:17-25; Gjoni 13:21, 26-30) Jezui është vetëm me 11 apostujt besnikë. Mateu është një prej tyre.
Sipas tregimit të Mateut, i cili ishte vetë i pranishëm, ja se si e themeloi Jezui Darkën e Zotërisë: «Jezui mori një bukë [pa maja] dhe pasi tha një bekim, e theu dhe duke ua dhënë dishepujve, tha: ‘Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.’ Mori, gjithashtu, një kupë [me verë] dhe pasi dha falënderime, ua dha atyre, duke thënë: ‘Pini prej saj, të gjithë ju; sepse kjo përfaqëson «gjakun tim të besëlidhjes», që ka për t’u derdhur në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.’»—Mateu 26:26-28.
Pse e themeloi Jezui Darkën e Zotërisë? Pse përdori në këtë rast bukë pa maja dhe verë të kuqe? A duhet t’i merrnin këto simbole të gjithë ithtarët e Krishtit? Sa shpesh duhej kremtuar kjo darkë? Dhe a ka vërtet rëndësi për ty?