Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paqja e Vestfalisë​—Një pikë kthese në historinë e Evropës

Paqja e Vestfalisë​—Një pikë kthese në historinë e Evropës

Paqja e Vestfalisë​—Një pikë kthese në historinë e Evropës

«PËR kaq shumë kryetarë shtetesh evropiane sigurisht që është një ngjarje e rrallë të mblidhen bashkë si sot.» Këtë deklaratë e bëri në tetor të vitit 1998, Roman Hercog, ish-presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë. Kur i tha këto fjalë ishin të pranishëm katër mbretër, katër mbretëresha, dy princa, një dukë dhe disa presidentë. Ngjarja, e cila u mbështet nga Këshilli i Evropës, ishte me rëndësi të madhe në historinë 50-vjeçare të shtetit të sotëm të Gjermanisë. Për cilin rast ishin mbledhur?

Në tetor të vitit 1998 ishte 350-vjetori i Traktatit të Paqes të Vestfalisë. Shpesh marrëveshjet e paqes shënojnë pika kthese në histori dhe nga ky këndvështrim Traktati i Vestfalisë ishte diçka e veçantë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në vitin 1648, i dha fund Luftës Tridhjetëvjeçare dhe shënoi lindjen e Evropës moderne si një kontinent me shtete sovrane.

Tronditet një rend i vjetër

Gjatë Mesjetës institucionet më të fuqishme në Evropë ishin Kisha Katolike e Romës dhe Perandoria e Shenjtë Romake. Perandoria përbëhej nga qindra shtete të mëdha e të vogla dhe përfshinte një sipërfaqe në të cilën tani bëjnë pjesë Austria, Republika Çeke, Franca Lindore, Gjermania, Zvicra, Vendet e Ulëta dhe disa pjesë të Italisë. Meqë shtetet gjermane përbënin pjesën më të madhe të perandorisë, ajo u bë e njohur si Perandoria e Shenjtë Romake e Kombit Gjerman. Çdo shtet qeverisej nga një princ duke mos pasur autonomi të plotë. Vetë perandori ishte katolik nga familja austriake e Habsburgëve. Prandaj, meqë papa dhe perandoria kishin pushtetin, Evropa ishte plotësisht në duart e katolikëve.

Megjithatë, në shekullin e 16-të dhe të 17-të, rendi i vjetër u trondit. Anembanë Evropës kishte pakënaqësi të përgjithshme ndaj teprimeve të Kishës Katolike të Romës. Reformues fetarë të tillë si Martin Luteri dhe Xhon Kalvini folën për një rikthim në vlerat biblike. Luteri dhe Kalvini gjetën mbështetje të gjerë dhe nga kjo lëvizje lindi Reforma dhe fetë protestante. Reforma e ndau perandorinë në tri besime: në besimin katolik, luteran dhe kalvinist.

Katolikët i shihnin me mosbesim protestantët dhe protestantët i përbuznin rivalët e tyre katolikë. Kjo gjendje çoi në formimin e Bashkimit Protestant dhe të Lidhjes Katolike në fillim të shekullit të 17-të. Disa princa të perandorisë u bashkuan me Lidhjen, të tjerë me Bashkimin. Evropa, dhe perandoria në veçanti, ishte mbushur me dyshime dhe situata i ngjante një fuçie baruti së cilës i mjaftonte vetëm një shkëndijë për të hedhur në erë gjithçka. Kur së fundi kjo shkëndijë u ndez, ajo shkaktoi një konflikt që zgjati 30 vjet.

Një shkëndijë vdekjeprurëse i vë flakën Evropës

Sundimtarët protestantë u përpoqën të ushtronin ndikim te Habsburgët katolikë me qëllim që t’u lejonin më shumë liri adhurimi. Por lëshimet nuk bëheshin me shumë gatishmëri. Në vitet 1617-1618 dy kisha luterane në Bohemi (Republika Çeke) u mbyllën me forcë. Kjo zemëroi parinë e protestantëve të cilët u sulën në një ndërtesë në Pragë, kapën tre zyrtarë katolikë dhe i hodhën nga dritarja e një kati të sipërm. Ky veprim ishte shkëndija që i vuri flakën Evropës.

Ndonëse ishin gjoja ithtarë të Princit të Paqes, Jezu Krishtit, pjesëtarët e feve kundërshtare tani po kacafyteshin me njëri-tjetrin. (Isaia 9:5) Në betejën e Malit të Bardhë, Lidhja i shkaktoi një disfatë dërrmuese Bashkimit i cili u shpërbë. Fisnikë protestantë u ekzekutuan në sheshin e pazarit në Pragë. Anembanë Bohemisë, pronat e protestantëve që nuk mohonin besimin e tyre konfiskoheshin dhe ndaheshin mes katolikëve. Libri 1648: Lufta dhe paqja në Evropë (gjermanisht) e përshkruan këtë konfiskim si «një nga ndryshimet më të mëdha të pronësisë në Evropën Qendrore».

Ajo që nisi si një konflikt fetar në Bohemi u shndërrua në një betejë për të fituar epërsi politike mbi vendet e tjera. Gjatë tridhjetë viteve më pas, Danimarka, Franca, Holanda, Spanja dhe Suedia u përfshinë në luftime. Sundimtarë katolikë dhe protestantë, shpesh të nxitur nga lakmia dhe etja për pushtet, luftuan kundër njëri-tjetrit për të siguruar epërsi politike dhe fitime tregtare. Lufta Tridhjetëvjeçare është ndarë në disa faza, ku secila u quajt sipas emrit të kundërshtarëve më të mëdhenj të perandorit. Disa vepra referimi përmendin katër faza: lufta e Bohemisë dhe e Palatinës, lufta Danimarkë-Saksonia e ulët, lufta e Suedisë dhe lufta Francë-Suedi. Shumica e luftimeve u zhvilluan në territorin e perandorisë.

Ndër armët e asaj kohe përfshiheshin pistoletat, mushqetat, murtajat dhe topat. Suedia ishte furnizuesja kryesore e armëve. Katolikë dhe protestantë u përfshinë në konflikt. Ushtarët shkonin në betejë duke thirrur ose «Shën Maria», ose «Perëndia është me ne». Trupat zhvatnin dhe plaçkitnin kur kalonin përmes shteteve gjermane duke i trajtuar si kafshë kundërshtarët dhe civilët. Kështu lufta u karakterizua nga akte barbare. Sa e ndryshme ishte kjo me profecinë biblike: «Një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë.»​—Mikea 4:3.

U rrit një brez gjermanësh që nuk njihnin gjë tjetër veçse luftë dhe njerëzit të cilët ishin të lodhur me luftën, dëshironin me zjarr paqen. Me sa duket paqja do të kishte qenë e mundur po të mos ekzistonin interesat e kundërta politike të sundimtarëve. Lufta mori gjithnjë e më shumë karakter politik dhe nuk ishte më një konflikt fetar mes katolikëve dhe protestantëve. Si për ironi, njëri nga ata që shkaktuan këtë ndryshim ishte një zyrtar i lartë i Kishës Katolike.

Kardinali Risheljë përdor skeptrin

Titulli zyrtar i Armand-Zhan dy Plesisë ishte Kardinali Risheljë. Ai ishte edhe kryeministër i Francës nga viti 1624 deri në vitin 1642. Risheljë synonte ta bënte Francën fuqinë më të madhe të Evropës. Për këtë qëllim, u përpoq të gërryente pushtetin e Habsburgëve, të cilit ishin katolikë si ai. Si e bëri këtë? Duke financuar ushtritë protestante të shteteve gjermane, të Danimarkës, të Holandës dhe të Suedisë, të cilat që të gjitha po luftonin kundër Habsburgëve.

Në vitin 1635 Risheljë dërgoi për herë të parë në luftë trupa franceze. Libri Rroftë paqja! (gjermanisht) shpjegon se në fazën e fundit «Lufta Tridhjetëvjeçare nuk ishte më një konflikt mes palëve fetare. . . . Lufta u bë një betejë për epërsi politike në Evropë». Ajo që nisi si një konflikt fetar mes katolikëve dhe protestantëve, përfundoi në një luftë ku katolikët bashkë me protestantët, luftonin kundër katolikëve të tjerë. Lidhja Katolike, e cila tashmë ishte dobësuar në fillim të viteve 30 të shekullit të 17-të, u shpërbë në vitin 1635.

Konferenca e Paqes në Vestfali

Evropa ishte rrënuar nga plaçkitjet, vrasjet, përdhunimet dhe nga sëmundjet. Dalëngadalë u shtua dëshira e zjarrtë për paqe, sepse njerëzit u bënë të vetëdijshëm që kjo ishte një luftë të cilën nuk mund ta fitonte askush. Libri Rroftë paqja! vëren se «nga fundi i viteve 30 princat që ishin në pushtet e kuptuan më në fund se fuqia ushtarake nuk do t’i ndihmonte më të arrinin synimin e tyre». Por nëse të gjithë dëshironin paqen, si do të arrihej ajo?

Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake, Ferdinandi III, mbreti i Francës Luigji XIII dhe mbretëresha e Suedisë, Kristina, ranë dakord për të mbajtur një konferencë ku të mblidheshin të gjithë palët e luftës dhe të bisedonin për kushtet e paqes. Për të zhvilluar bisedimet, u zgjodhën dy vende: qytetet Osnabruk dhe Munster në provincën gjermane të Vestfalisë. U zgjodhën këto qytete, sepse ndodheshin në largësi të barabartë nga kryeqytetet e Suedisë dhe të Francës. Duke filluar nga viti 1643 rreth 150 delegacione, disa prej të cilave me grupe të mëdha këshilltarësh, mbërritën në dy qytetet: delegatët katolikë në Munster, kurse delegatët protestantë në Osnabruk.

Së pari, u formulua një kod sjelljeje për të rregulluar çështje të tilla si titulli dhe rangu i delegatëve, radha ku do të uleshin dhe procedurat. Pastaj, filluan fjalimet e paqes, me propozimet që kaloheshin nga njëri delegacion te tjetri me anë të ndërmjetësve. Pas pothuajse pesë vjetësh, ndërsa lufta vazhdonte, u arritën kushtet e paqes. Traktati i Vestfalisë përbëhej nga më shumë se një dokument. U firmos një marrëveshje në Osnabruk mes perandorit Ferdinandi III dhe Suedisë dhe një marrëveshje tjetër në Munster mes perandorit dhe Francës.

Ndërsa lajmi i traktatit përhapej, filluan festimet. Lufta që filloi me një shkëndijë vdekjeprurëse përfundoi me fishekzjarrë të mirëfilltë. Ata ndriçuan qiellin e shumë qyteteve. Ranë këmbanat e kishave, gjëmuan topat dhe njerëzit kënduan nëpër rrugë. A mund të priste tani Evropa paqe të qëndrueshme?

A është e mundur paqja e qëndrueshme?

Traktati i Vestfalisë njohu parimin e sovranitetit. Kjo do të thoshte se çdo palë në traktat pranoi të respektonte të drejtat territoriale të palëve të tjera dhe të mos ndërhynte në punët e tyre të brendshme. Lindi kështu Evropa moderne si një kontinent shtetesh sovrane. Disa nga këto shtete përfituan nga traktati më shumë se të tjerat.

Franca u vendos si një fuqi kryesore dhe Holanda e Zvicra fituan pavarësinë. Për shtetet gjermane, shumë nga të cilat ishin rrënuar nga lufta, traktati pati anët e tij negative. E ardhmja e Gjermanisë u vendos në një farë mase nga kombet e tjera. Në The New Encyclopædia Britannica raportohet: «Fitimet dhe humbjet e princave gjermanë u përcaktuan nga ajo që ishte më e leverdishme për fuqitë kryesore, pra Franca, Suedia dhe Austria.» Në vend që të afroheshin me njëri-tjetrin e të bashkoheshin në një komb të vetëm, shtetet gjermane u ndanë si më parë. Për më tepër disa territore u lanë nën kontrollin e sundimtarëve të huaj, siç ishin disa pjesë të lumenjve kryesorë të Gjermanisë si Reni, Elba dhe Oderi.

Fetë katolike, luterane dhe kalviniste u njohën me të drejta të barabarta. Kjo nuk i pëlqeu kujtdo. Papa Inocenti X iu kundërvu me zjarr traktatit duke e shpallur të pavlefshëm dhe të kotë. Megjithatë, kufijtë fetarë që u përcaktuan mbetën për pjesën më të madhe të pandryshuar për tre shekuj. Ndonëse ende nuk ishte arritur të garantohej liria fetare e individit, u bë një hap më shumë në këtë drejtim.

Traktati i dha fund Luftës Tridhjetëvjeçare dhe me të shumica e konflikteve pushuan. Kjo ishte lufta fetare më e madhe dhe e fundit në Evropë. Luftërat nuk pushuan, por shkaku i tyre kryesor nuk ishte më feja, por politika ose tregtia. Kjo nuk do të thotë se feja nuk pati më ndikim në konfliktet evropiane. Në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, ushtarët gjermanë kishin të shkruar në tokëzat e rripave një mbishkrim me një shprehje të njohur: «Perëndia është me ne.» Gjatë këtyre konflikteve të tmerrshme përsëri katolikë dhe protestantë u rreshtuan për të luftuar kundër katolikëve dhe protestantëve të palës kundërshtare.

Është e qartë se Traktati i Vestfalisë nuk solli paqe të qëndrueshme. Gjithsesi, këtë lloj paqeje do ta përjetojë së shpejti njerëzimi i bindur. Perëndia Jehova do të sjellë paqe të përhershme për njerëzimin nëpërmjet Mbretërisë Mesianike të Birit të tij, Jezu Krishtit. Nën sundimin e asaj qeverie feja e vetme e vërtetë do të jetë një forcë bashkuese, jo përçarëse. Askush nuk do të shkojë të luftojë për ndonjë arsye, qoftë fetare, qoftë për çfarëdo arsye tjetër. Çfarë lehtësimi do të jetë kur Mbretëria të ketë nën kontroll gjithë tokën dhe ‘paqja nuk do të ketë të sosur’!​—Isaia 9:5, 6.

[Diçitura në faqen 21]

Ajo që nisi si një konflikt mes katolikëve dhe protestantëve, përfundoi në një luftë ku katolikët bashkë me protestantët, luftonin kundër katolikëve të tjerë

[Diçitura në faqen 22]

Ushtarët shkonin në betejë duke thirrur ose «Shën Maria», ose «Perëndia është me ne»

[Figura në faqen 21]

Kardinali Risheljë

[Figura në faqen 23]

Pikturë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë që përshkruan debatin e ashpër mes Luterit, Kalvinit dhe papës

[Burimi i figurës në faqen 20]

Nga libri Spamers Illustrierte Weltgeschichte VI

[Burimet e figurave në faqen 23]

Udhëheqës fetarë duke debatuar: Nga libri Wider die Pfaffenherrschaft; harta: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck