Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë ndodhi gjatë ngjarjes që është dokumentuar tek Eksodi 4:24-26 dhe jeta e kujt ishte në rrezik?

Moisiu ishte duke shkuar në Egjipt me gruan, Ziporën, dhe bijtë e tij, Gershomin dhe Eliezerin, kur ndodhi kjo ngjarje: «Ndërsa ishin udhës, në vendin ku po rrinin, Jehovai shkoi ta takonte dhe kërkonte një mënyrë për ta vrarë. Së fundi, Zipora mori një strall, preu lafshën e të birit, bëri që ajo të prekte këmbët e tij dhe tha: ‘Sepse për mua je dhëndër gjaku.’ Prandaj, ai e la të ikte. Atëherë ajo tha: ‘Një dhëndër gjaku’, për shkak të rrethprerjes.» (Dalja [Eksodi] 4:20, 24-26, BR) Ndonëse ky fragment është i vështirë dhe është e pamundur të jemi të sigurt për kuptimin e tij, Shkrimet hedhin paksa dritë mbi këto vargje.

Tregimi nuk thotë drejtpërdrejt se jeta e kujt ishte në rrezik. Megjithatë në mënyrë të logjikshme mund të arrijmë në përfundimin se nuk ishte jeta e Moisiut, sepse ai sapo kishte marrë një detyrë nga Perëndia që të udhëhiqte izraelitët jashtë Egjiptit. (Eksodi 3:10) Duket e pamundur që ndërsa Moisiu ishte udhës për të përmbushur këtë caktim, jeta e tij të jetë vënë në rrezik nga engjëlli i Perëndisë. Prandaj duhet të ketë qenë në rrezik jeta e njërit prej djemve të tij. Ligji që i ishte dhënë më parë Abrahamit në lidhje me rrethprerjen, thoshte: «Mashkulli i parrethprerë, që nuk është rrethprerë në mishin e prepucit të tij, do të hidhet jashtë popullit të tij, sepse ka shkelur besëlidhjen time.» (Zanafilla 17:14) Me sa duket Moisiu e kishte lënë pas dore rrethprerjen e të birit dhe kështu jeta e djalit u vu në rrezik nga engjëlli i Jehovait.

Këmbët e kujt u prekën kur Zipora preu lafshën e birit të saj me qëllim që ta ndreqte këtë çështje? Ishin këmbët e engjëllit të Jehovait, i cili kishte autoritetin për ta vrarë birin e parrethprerë. Logjikisht, pra, Zipora duhet të ketë bërë që lafsha të prekte këmbët e engjëllit, duke ia paraqitur atij si një provë se ishte përputhur me besëlidhjen.

Shprehja e Ziporës «për mua je dhëndër gjaku» është pazakonshme. Çfarë tregon kjo shprehje për Ziporën? Duke u përputhur me kërkesat e besëlidhjes së rrethprerjes Zipora pranoi një marrëdhënie besëlidhjeje me Jehovain. Besëlidhja e Ligjit e bërë më vonë me izraelitët tregonte se në një marrëdhënie besëlidhjeje Jehovai mund të shihet si një burrë dhe pala tjetër si një grua. (Isaia 54:1, 5) Prandaj, duke iu drejtuar Jehovait (nëpërmjet engjëllit të tij përfaqësues) si «dhëndër gjaku», Zipora duket se po pranonte nënshtrimin e saj ndaj kushteve të kësaj besëlidhjeje. Ishte sikur ajo të kishte pranuar një pozitë gruaje në besëlidhjen e rrethprerjes, në të cilën Perëndia Jehova ishte burri. Sido që të ketë qenë, për shkak të veprimit të saj vendimtar e që tregonte bindje ndaj kërkesës së Perëndisë, jeta e të birit nuk ishte më në rrezik.