Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ti je më i madhërishëm se malet’

‘Ti je më i madhërishëm se malet’

Madhështia e krijimit të Jehovait

‘Ti je më i madhërishëm se malet’

TË SODITËSH se si lind dielli në majën e malit Fuxhi është një përvojë e paharrueshme. Dielli i përflakur ngrihet në horizont duke ndriçuar borën e bardhë dhe shkëmbinjtë gri prej lave. Teksa fillon një ditë e re, hija e errët e malit përhapet me shpejtësi për kilometra të tëra mbi kodra dhe lugina.

Ashtu si mali Fuxhi, një emër i cili dikur shkruhej me simbole që kishin kuptimin «i pashoq», malet e madhërishme na mahnitin gjithnjë. Në të vërtetë, mund të ndihemi të papërfillshëm para përmasave të tyre gjigante. Madhështia e maleve është e tillë saqë shumë njerëz kanë besuar se majat më të larta, shpesh të mbuluara nga një vel mjegulle dhe resh, ishin vendbanimi i perëndive.

I vetmi Perëndi që merr vërtet lavdi nga majat e maleve është Krijuesi i tyre i fuqishëm, Jehovai. Vetëm Jehovai është «ai që formon malet». (Amosi 4:13) Pothuajse një e katërta e tokës përbëhet nga malet dhe kur Perëndia krijoi planetin tonë ai vuri në veprim disa forca që përfundimisht formuan maja dhe vargmale mbresëlënëse. (Psalmi 95:4) Për shembull, mendohet se masivet e Himalajës dhe të Andeve u formuan nga ngritja titanike e kores së tokës që nga thellësitë e saj dhe nga lëvizja e pjesëve të kores së tokës.

Ne njerëzit nuk e kuptojmë plotësisht se si dhe përse u krijuan malet. Vërtet, nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve që iu bënë njeriut të drejtë, Jobit: «Ku ishe kur unë [Jehovai] hidhja themelet e tokës? . . . Ku janë vendosur themelet e saj?»​—Jobi 38:4-6.

Megjithatë, dimë se jeta jonë varet nga malet. Ato janë quajtur depo uji natyrore, meqë të gjithë lumenjtë më të mëdhenj ushqehen nga burimet malore dhe gjysma e njerëzve në tokë varen nga uji që vjen prej maleve. (Psalmi 104:13) Sipas revistës New Scientist, «6 nga 20 bimët ushqimore më të rëndësishme në botë, rriten në male». Në kushtet e një ekuilibri ekologjik, në botën e re të premtuar të Perëndisë, «do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve».​—Psalmi 72:16; 2 Pjetrit 3:13.

Shumë veta kur dëgjojnë për malet, mendja u shkon tek Alpet e Evropës. Këto male të larta, përfshirë malin Çiveta që tregohet këtu, japin dëshmi të mrekullueshme për Krijuesin e tyre. (Psalmi 98:8) Ato i japin lavdi Jehovait, që ‘me fuqinë e tij i ka bërë malet të patundshme’.​—Psalmi 65:6. *

Është vërtet mahnitëse madhështia e Alpeve me kreshtat dhe majat e akullta, me shpatet e mbuluara nga dëbora, me luginat dhe liqenet, si edhe me livadhet e tyre. Mbreti David e quajti Jehovain Ai që «bën që të rritet bari në male».​—Psalmi 147:8.

Vargmalet e rrëpirëta, si këto që ndodhen në Kuei-lin të Kinës, mund të duken më pak mbresëlënëse se Alpet, por ato kanë një bukuri të pashoqe. Përgjatë lumit Li, vargje të tëra majash me përbërje gëlqerore u lënë mbresë vizitorëve me bukurinë e tyre. Duke vëzhguar ujërat e kthjellëta që rrjedhin midis këtyre maleve me mjegull, të vijnë në mendje fjalët e psalmistit: «Ai [Jehovai] bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve.»​—Psalmi 104:10.

Me të drejtë na lënë mbresë malet, sepse e dimë që janë ndër gjërat e madhërishme që ka përgatitur me dashuri Krijuesi ynë për mirëqenien dhe kënaqësinë e njerëzimit. Por sado madhështore që mund të jenë, malet nuk mund të krahasohen aspak me madhështinë e Jehovait. Ai është vërtet «më i madhërishëm se malet».​—Psalmi 76:4, BR.

[Shënimi]

^ par. 8 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2004, mars/prill.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Dhjetë për qind e popullsisë së botës jeton në vende malore. Por kjo nuk është një pengesë e pakapërcyeshme për ata që shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Këta shërbëtorë të krishterë predikojnë me zell në shumë rajone të larta. Dhe «sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira, që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin»!​—Isaia 52:7.

«Malet e larta janë për dhitë e egra»,​—këndoi psalmisti. (Psalmi 104:18) Dhitë e maleve, siç është dhia e egër nubiane me brirë mbresëlënës, janë ndër banorët e maleve që nuk rrëzohen lehtë. Ato ecin përgjatë të dalave të shkëmbinjve të cilat janë kaq të ngushta, saqë duken të pakalueshme. Dhia e egër është mëse e pajisur për të jetuar në vende të tilla të paarritshme. Kjo i detyrohet pjesërisht ndërtimit të thundrave të saj. E çara në thundër mund të zgjerohet nga pesha e trupit, duke bërë që kafsha të ngulet fort kur rri ose kur lëviz në të dalat e ngushta të shkëmbinjve. Po, dhia e egër është një kryevepër e krijimit!

[Figura në faqen 9]

Mali Fuxhi, Honsju, Japoni