A duhet t’u lutemi engjëjve për ndihmë?
A duhet t’u lutemi engjëjve për ndihmë?
A ËSHTË e përshtatshme t’u lutemi engjëjve kur jemi në hall? Shumë njerëz mendojnë se po. Në fakt në New Catholic Encyclopedia thuhet: «Një njeri u lutet . . . engjëjve . . . por vetëm që ata të mund të ndërmjetësojnë për të përpara Perëndisë.» A duhet t’u lutemi engjëjve që të ndërmjetësojnë për ne?
Fjala e Perëndisë jep emrat e vetëm dy engjëjve besnikë ndaj Perëndisë, të Mikaelit dhe të Gabrielit. (Danieli 8:16; 12:1; Luka 1:26; Juda 9) Meqenëse këta emra përmenden në Bibël, kuptojmë se çdo engjëll është një person frymor me një emër, dhe jo thjesht energji ose forcë pa personalitet. Megjithatë, engjëjt e tjerë nuk pranuan të tregonin emrat e tyre. Për shembull, kur Jakobi e pyeti për emrin e tij një engjëll që e vizitoi, engjëlli nuk pranoi ta tregonte emrin. (Zanafilla 32:29; Gjyqtarët 13:17, 18) Në Bibël nuk jepet asnjë listë me emra të engjëjve, duke mos i lejuar kështu njerëzit që t’u kushtojnë atyre vëmendje të papërshtatshme.
Midis detyrave që kanë engjëjt është edhe detyra që t’u përcjellin njerëzve lajme nga Perëndia. Në fakt fjalët origjinale hebraike dhe greke të përkthyera «engjëll» fjalë për fjalë do të thonë «lajmëtar». Megjithatë, engjëjt nuk shërbejnë si ndërmjetës që përcjellin lutjet e njerëzve te froni i Më të Lartit. Perëndia ka vendosur që lutjet t’i drejtohen atij në emër të Birit të tij, Jezu Krishtit i cili tha: ‘Pavarësisht se çfarë i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë.’—Gjoni 15:16; 1 Timoteut 2:5.
Perëndia Jehova nuk është kurrë tepër i zënë për të na dëgjuar, nëse i lutemi atij në mënyrë të përshtatshme. Bibla jep këtë siguri: «Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.»—Psalmi 145:18.