Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Liberi: Predikim i frytshëm, pavarësisht nga lufta

Liberi: Predikim i frytshëm, pavarësisht nga lufta

Liberi: Predikim i frytshëm, pavarësisht nga lufta

KA MË shumë se dhjetë vjet që lufta civile bën kërdinë në Liberi. Nga mesi i vitit 2003, rebelët arritën ta pushtonin kryeqytetin e saj, Monrovia. Shumë Dëshmitarë të Jehovait detyroheshin të iknin nga shtëpitë, ndonjëherë kjo ndodhte në mënyrë të përsëritur. Plaçkitjet ishin të zakonshme.

Mjerisht, mijëra njerëz u vranë gjatë luftimeve në kryeqytet. Ndërmjet të vrarëve ishin edhe dy Dëshmitarë të Jehovait, një vëlla dhe një motër. Si i përballuan vëllezërit këto vështirësi? Çfarë u bë për t’i ndihmuar ata?

Ndihma për ata në nevojë

Gjatë gjithë krizës zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Liberi, mundësoi ndihma për ata që kishin nevojë. Këto ndihma përfshinin ushqime, pajisje kryesore shtëpiake dhe ndihma mjekësore. Gjatë kohës që rebelët mbanin nën kontroll zonën e portit, ushqimi u pakësua. Dega e kishte parashikuar këtë dhe i kishte gati ndihmat për dymijë Dëshmitarët që ishin strehuar në Sallat e Mbretërisë në qytet. Vëllezërit e racionuan ushqimin kështu që rezervat mjaftuan deri në hapjen e portit. Dega e Belgjikës dhe ajo në Sierra-Leone dërguan ndihma mjekësore në rrugë ajrore, ndërsa ajo e Britanisë dhe e Francës dërguan veshmbathje në rrugë detare.

Pavarësisht nga situata e vështirë, vëllezërit tanë qëndruan optimistë dhe të gëzuar. Një vëlla, që kishte ikur tri herë prej shtëpisë, komentoi njësoj si shumë të tjerë duke thënë: «Për këto kushte flasim gjatë predikimit; po jetojmë në ditët e fundit.»

Reagojnë pozitivisht ndaj lajmit të mirë

Me gjithë trazirën mbarëkombëtare, Dëshmitarët vazhdojnë të kenë rezultate të shkëlqyera në shërbim. Në janar të 2003-it, u arrit një maksimum i ri prej 3.879 lajmëtarësh dhe në shkurt u drejtuan 15.227 studime biblike.

Njerëzit reagojnë shpejt ndaj lajmit të mirë. Një përvojë që e tregon këtë na vjen nga një fshat në pjesën juglindore të vendit. Një kongregacion planifikoi të mbante Përkujtimin e vdekjes së Krishtit në fshatin e madh të Buanit, që ndodhet pesë orë në këmbë nga vendi ku mblidhen zakonisht. Para se vëllezërit të shkonin në fshat për t’i ftuar njerëzit në Përkujtim, i dhanë një ftesë kryetarit të komunës së Buanit. Pasi e pranoi ftesën, ai mori Biblën e tij, shkoi te fshatarët dhe u lexoi një shkrim që ishte në ftesë, duke i inkurajuar të ishin të pranishëm në Përkujtim. Kështu, kur lajmëtarët erdhën në fshat, zbuluan që puna e tyre ishte bërë. Kryetari i komunës, së bashku me fëmijët dhe dy gratë e tij, erdhën në Përkujtim. Gjithsej ishin 27 të pranishëm. Që nga ai moment, kryetari i komunës nuk shkoi më në kishën metodiste. Ai filloi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait dhe u dha tokë për të ndërtuar një Sallë Mbretërie.

Ndryshojnë qëndrim

Sjellja e vëllezërve tanë ka bërë që disa kundërshtarë të së vërtetës të ndryshojnë pikëpamje. Shqyrtoni rastin e një burri që quhej Opoku. Një pionier special e takoi gjatë shërbimit dhe i ofroi atij një revistë Kulla e Rojës. Opokut i interesonte një nga artikujt në revistë, por nuk kishte para. Pasi pionieri shpjegoi që nuk duhej të paguante, i dha revistën dhe e lanë që të takoheshin përsëri. Gjatë rivizitës, Opoku e pyeti pionierin: «A e di se kush jam unë? Shumica nga ju në qytetin e Harperit më njohin. Unë i përjashtoja fëmijët tuaj nga shkolla.» Më pas, shpjegoi që ishte drejtori i një shkolle të mesme në qytet dhe i kishte përndjekur fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait, sepse nuk nderonin flamurin.

Megjithatë, tri rastet ku Dëshmitarët e Jehovait kishin shfaqur dashuri të krishterë, e bënë të shqyrtonte edhe një herë qëndrimin e tij. Në fillim kishte parë disa Dëshmitarë të kujdeseshin për një të bashkëkrishterë, i cili ishte i sëmurë rëndë. Madje e kishin çuar për t’u kuruar në një nga vendet fqinjë. Opoku kishte menduar që i sëmuri ishte një «njeri me rëndësi» ndër Dëshmitarët, por mësoi që ishte vetëm një Dëshmitar i thjeshtë. Rasti i dytë ndodhi gjatë viteve 90, kur Opoku ishte refugjat në Bregun e Fildishtë. Një ditë, ishte i etur dhe shkoi të blinte ujë tek një djalë. Opoku kishte vetëm një kartëmonedhë që ai nuk mund t’ia thyente, kështu që ia dha ujin pa para. Ndërsa po ia jepte, i riu e pyeti: «A mendoni se do të vijë një kohë kur njerëzit si ti dhe unë do t’i japin njeri-tjetrit pa kërkuar para?» Opokut ia mori mendja që ai ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe djali e pohoi këtë gjë. Bujaria dhe dashamirësia e këtij Dëshmitari i bëri përshtypje. Dhe rasti i tretë, gatishmëria e pionierit special për t’i lënë revistën pa pagesë, e bindi Opokun që pikëpamja e tij ndaj Dëshmitarëve ishte e gabuar dhe duhej të ndryshonte qëndrimin ndaj tyre. Tani ka bërë përparim frymor dhe është një lajmëtar i papagëzuar.

Në Liberi, vëllezërit vazhdojnë të përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira. Megjithëkëtë, ata mbështeten te Perëndia dhe me besim shpallin lajmin e mirë për kohë më të mira nën sundimin e drejtë të Mbretërisë së Perëndisë. Jehovai nuk do ta harrojë kurrë veprën e tyre dhe dashurinë që tregojnë për emrin e tij.​—Hebrenjve 6:10.

[Hartat në faqen 30]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

MONROVIA

[Figurat në faqen 31]

Gjatë kohës së krizës, populli i Jehovait u jep ndihmë frymore dhe materiale atyre që janë në nevojë