Sakrifica të vogla na sollën bekime të mëdha
Jetëshkrim
Sakrifica të vogla na sollën bekime të mëdha
TREGUAR NGA XHORXH DHE ANA ALJAN
Gruaja ime dhe unë as që e imagjinonim ndonjëherë që një ditë do të ngatërronim fjalën «mësues» me fjalën «mi». Gjithashtu as nuk na shkonte në mendje që kur të ishim në të 60-at, do të shqyrtonim me kujdes disa germa me forma të çuditshme në përpjekje për të komunikuar me njerëz nga Lindja e Largët. E megjithatë, pikërisht këtë gjë bëmë unë dhe Ana në fund të viteve 80. Ja se si sakrificat e vogla që kemi bërë gjatë viteve, na kanë sjellë shumë bekime.
UNË u rrita në një familje me prejardhje armene, e cila bënte pjesë në Kishën Armene. Ana ishte katolike. Kur u martuam në vitin 1950, që të dy pranuam t’i respektonim bindjet fetare të njëri-tjetrit. Në atë kohë isha 27 vjeç, kurse Ana ishte 24 vjeçe. Vendosëm të banonim në një apartament sipër dyqanit tim të pastrimit kimik, në Xhersi-Siti të Nju-Xhersit, në SHBA. E zhvilloja këtë aktivitet prej rreth katër vjetësh.
Në vitin 1955, blemë një shtëpi të bukur me tri dhoma fjetjeje në qytetin Midëlltaun të Nju-Xhersit. Shtëpia ndodhej 60 kilometra larg dyqanit tim, ku punoja gjashtë ditë në javë. Çdo natë kthehesha vonë në shtëpi. Kontakti i vetëm që kisha me Dëshmitarët e Jehovait ishte kur herë pas here vinin në dyqan dhe më jepnin literaturë biblike. E lexoja literaturën me shumë interes. Megjithëse isha shumë i përqendruar te puna, e cila më hante mjaft kohë, zhvillova respekt të thellë për Biblën.
Shpejt zbulova se stacioni radiofonik WBBR i Shoqatës Watchtower, transmetonte fjalime biblike gjatë kohës që shkoja në dyqan e kur
kthehesha për në shtëpi. I dëgjoja me kujdes këto fjalime dhe m’u shtua kaq shumë interesi për këto gjëra, saqë i kërkova Dëshmitarëve që të më vizitonin. Në nëntor të vitit 1957, Xhorxh Blantoni më vizitoi në shtëpi dhe nisi një studim biblik me mua.Familja jonë bashkohet në adhurimin e pastër
Çfarë mendonte Ana rreth kësaj? Le t’jua tregojë ajo vetë.
«Në fillim e kundërshtoja me zjarr studimin. E ndërprisja kaq shpesh Xhorxhin gjatë studimit, saqë ai vendosi të studionte në një vend tjetër dhe këtë e bëri për tetë muaj. Gjatë kësaj kohe, Xhorxhi filloi të ndiqte mbledhjet të dielave në Sallën e Mbretërisë. E dija se e kishte marrë seriozisht studimin e Biblës, sepse për të kjo ishte e vetmja ditë pushimi gjatë javës. Megjithatë, ai u bë bashkëshort dhe baba edhe më i mirë e unë fillova të ndryshoja qëndrim. Në fakt, disa herë, ndërsa fshija pluhurat nga një tryezë e vogël, kur nuk kishte njeri merrja revistën Zgjohuni! që Xhorxhi e linte aty dhe e lexoja. Herë të tjera Xhorxhi më lexonte artikuj nga Zgjohuni! që nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me doktrinat fetare, por që gjithnjë përqendroheshin te Krijuesi.
Një mbrëmje, kur im shoq kishte dalë për të bërë studimin biblik me vëlla Blantonin, mora një botim që djali ynë dyvjeçar Xhorxhi kishte vendosur mbi tryezën pranë shtratit tim. Botimi trajtonte diçka në lidhje me shpresën për të vdekurit. Ndonëse isha e lodhur fillova ta lexoja, sepse nga pak kohë më kishte vdekur gjyshja dhe isha shumë e dëshpëruar. Menjëherë pashë dhe kuptova të vërtetën biblike se të vdekurit nuk po vuajnë në ndonjë vend dhe se do të rikthehen në jetë gjatë ringjalljes së ardhshme. Pak çaste më pas po rrija ulur në krevat, duke lexuar me etje dhe duke nënvizuar disa pika që doja t’ia tregoja burrit tim kur të kthehej nga studimi.
Tim shoqi nuk i besohej që isha i njëjti person. Kur u largua nga shtëpia unë e kisha kundërshtuar, kurse tani po flisja plot entuziazëm për të vërtetat e mrekullueshme biblike që kisha mësuar. Qëndruam zgjuar deri në orët e para të mëngjesit duke folur për Biblën. Xhorxhi më shpjegoi se cili ishte qëllimi i Perëndisë për tokën. I kërkova po atë natë nëse mund ta bënte studimin e tij në shtëpi me qëllim që të merrja pjesë edhe unë.
Vëlla Blantoni na këshilloi që edhe fëmijët të merrnin pjesë në studim. Mendonim se ata ishin shumë të vegjël, vetëm dy dhe katër vjeç. Por vëlla Blantoni na tregoi Ligjin e përtërirë 31:12 që thotë: «Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë . . . , që të dëgjojnë dhe të mësojnë.» E vlerësuam këtë këshillë e madje vendosëm që fëmijët të komentonin gjatë studimit. I përgatitnim komentet bashkë, por kurrë nuk u tregonim se çfarë të thoshin. Mendojmë se kjo i ndihmoi fëmijët që ta bënin të tyren të vërtetën. Do t’i jemi gjithnjë mirënjohës vëlla Blantonit për drejtimin që na dha që familja jonë të rritej frymësisht.»
Sfida që kërkojnë sakrifica
Edhe pse tani ishim të bashkuar për të studiuar Biblën kishim sfida të reja për të përballuar. Meqë dyqani im ndodhej larg, zakonisht nuk kthehesha në shtëpi para orës nëntë të darkës. Për këtë arsye nuk arrija t’i ndiqja mbledhjet gjatë javës, megjithëse mund t’i ndiqja të dielave. Në atë kohë, Ana po ndiqte të gjitha mbledhjet dhe po bënte përparim të shpejtë. Edhe unë doja të merrja pjesë në të gjitha mbledhjet dhe të bëja një studim familjar frytdhënës. E dija se duhej të bëja disa sakrifica. Kështu, vendosa të punoja më pak, megjithëse mund të humbitja disa klientë.
Ky qe vendim shumë i mirë. E shikonim studimin familjar po me kaq seriozitet sa edhe pesë mbledhjet javore në Sallën e Mbretërisë. E quajtëm mbledhja e gjashtë. Kështu caktuam ditën dhe orën e studimit: çdo të mërkurë në orën 8 të mbrëmjes. Disa herë pas darke, kur mbaronim së lari enët, njëri nga ne thoshte: «Erdhi ora e ‘mbledhjes’!» Kur unë vonohesha Ana fillonte të drejtonte studimin dhe unë e vazhdoja me të mbërritur.
Një gjë tjetër që na mbajti të fortë e të bashkuar si familje ishte leximi i shkrimit të ditës së bashku çdo mëngjes. Por patëm një problem për ta organizuar këtë. Secili çohej në orare të ndryshme. E diskutuam dhe vendosëm të çoheshim të gjithë në të njëjtën kohë, të hanim mëngjes në orën 6:30 dhe të shqyrtonim shkrimin e ditës bashkë. Ky organizim qe shumë dobiprurës. Kur djemtë u rritën, vendosën të shërbenin në Bethel. Mendojmë se këto biseda të përditshme kontribuan në gjendjen e tyre frymore.
Privilegjet pas pagëzimit kërkojnë më shumë sakrifica
U pagëzova në vitin 1962 dhe shita dyqanin që e kisha prej 21 vjetësh. Pas kësaj, fillova një punë afër vendit ku banonim, me qëllim që të isha më pranë familjes dhe t’i shërbenim Jehovait së bashku. Një gjë e tillë u hapi rrugën shumë bekimeve. Vumë si synim që të fillonim të gjithë shërbimin në kohë të plotë. Kjo ndodhi në fillim të viteve 70 kur djali më i madh, Eduardi, u bë shërbëtor në kohë të plotë ose pionier i rregullt, sapo mbaroi shkollën e mesme. Pak kohë më vonë, djali tjetër, Xhorxhi, filloi shërbimin si pionier e më pas edhe Ana. Inkurajohesha shumë nga të tre, sepse më tregonin përvojat e tyre në shërbim. Si familje diskutuam se si ta thjeshtonim jetën në mënyrë që të shërbenim të gjithë në kohë të plotë. Vendosëm të shitnim shtëpinë. Kishim jetuar në atë shtëpi për 18 vjet me radhë dhe aty kishim rritur fëmijët. E donim shumë atë shtëpi, por Jehovai na bekoi që morëm vendimin për ta shitur.
Eduardi mori ftesën për të shërbyer në Bethel në vitin 1972 dhe Xhorxhi në vitin 1974. Megjithëse Ana dhe unë e ndiem mungesën e tyre, nuk ndenjëm duke menduar se sa bukur do të ishte sikur t’i kishim djemtë në të njëjtën lagje, të martoheshin e të kishin fëmijë. Përkundrazi, u gëzuam që djemtë po i shërbenin Jehovait në Bethel. * Jemi në një mendje me atë që thuhet te Fjalët e urta 23:15: «Biri im, nëse zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë.»
Shërbejmë si pionierë specialë
Ndërsa dy djemtë shërbenin në Bethel, ne vazhduam të shërbenim si pionierë. Më pas, një ditë të vitit 1975 morëm një letër në të cilën na bëhej ftesa për të shërbyer si pionierë specialë në një territor të pacaktuar, në krahinën Klinton, në Ilinois. Çfarë surprize që ishte! Kjo do të thoshte se duhej të iknim nga Nju-Xhersi ku kishim pranë djemtë në Nju-Jork dhe ku kishim miq e të afërm. Gjithsesi, e pamë këtë si një caktim nga Jehovai dhe sakrifica që bëmë na solli shumë bekime.
Pasi kishim predikuar prej disa muajsh në territor, filluam të mbanim mbledhjet në një sallë publike në qytetin Karlil të Ilinoisit. Por donim një vend të përhershëm ku të zhvillonim mbledhjet. Një vëlla vendës dhe gruaja e tij gjetën një pronë me një shtëpi shumë të vogël, të cilën mundëm ta merrnim me qira. E pastruam tërë shtëpinë bashkë me banjën që ndodhej jashtë dhe e shndërruam në një vend të vogël për të mbajtur mbledhjet. Kujtojmë me kënaqësi një kalë që ishte kureshtar. Shpesh gjatë mbledhjes fuste kokën në dritare që të shihte se çfarë po bëhej brenda.
Me kalimin e kohës u formua kongregacioni i Karlilit dhe ndiheshim të lumtur që kishim bërë pjesën tonë në këtë drejtim. Na ndihmoi edhe një çift i ri pionierësh, Stiv dhe Karila Tompson, të cilët kishin ardhur gjithashtu për të predikuar në atë territor. Çifti Tompson qëndroi atje për disa vjet dhe më vonë ndoqi Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Pasi mbaruan shkollën u transferuan në një caktim misionar në Afrikën Lindore ku shërbejnë në veprën udhëtuese.
Shumë shpejt vendi i vogël ku bënim mbledhjet po mbushej gjithnjë e më shumë me njerëz dhe kishim nevojë për një sallë më të madhe. Përsëri i njëjti vëlla vendës dhe gruaja e tij e zgjidhën problemin duke blerë një pronë që ishte më e përshtatshme për Sallë Mbretërie. Sa të lumtur ishim kur disa vite më pas u ftuam në kushtimin e një Salle Mbretërie të sapondërtuar në Karlil! Pata privilegjin që të mbaja fjalimin e kushtimit. Caktimi atje qe për ne një përvojë e mrekullueshme. Ishte një bekim nga Jehovai.
Para nesh hapet një fushë e re
Në vitin 1979, morëm një caktim të ri në qytetin Harison të Nju-Xhersit. Shërbyem atje për rreth 12 vjet. Gjatë asaj kohe filluam një studim biblik me një grua kineze dhe kjo gjë çoi në shumë studime të tjera me kinezë. Ndërkohë morëm vesh se në zonën tonë banonin mijëra studentë dhe familje kineze. Për këtë arsye, u inkurajuam të mësonim gjuhën kineze. Kjo do të thoshte të harxhonim kohë
çdo ditë duke studiuar këtë gjuhë. Megjithatë, si rezultat i kësaj, filluam shumë studime biblike të mrekullueshme me kinezë.Gjatë atyre viteve përjetuam shumë situata humoristike, sidomos kur përpiqeshim të flitnim në gjuhën kineze. Një ditë Ana u prezantua duke thënë se ishte «një mi» biblik në vend që të thoshte «një mësuese» e Biblës. Këto fjalë janë shumë të ngjashme. E zonja e shtëpisë buzëqeshi dhe tha: «Ejani ju lutem! Nuk kam folur kurrë më parë me një mi biblik.» Ende kemi vështirësi me gjuhën.
Më pas u caktuam në një vend tjetër në Nju-Xhersi ku mundëm të vazhdonim të predikonim në territorin ku flitej gjuha kineze. Më vonë morëm ftesën për t’u transferuar në Boston, në Masaçusets, ku prej tre vjetësh ekzistonte një grup kinez. Patëm privilegjin që ta mbështetnim këtë grup për shtatë vjet dhe kishim kënaqësinë që ta shihnim grupin të bëhej kongregacion më 1 janar të vitit 2003.
Bekime nga një jetë vetësakrifikuese
Te Malakia 3:10 lexojmë ftesën që i bën Jehovai popullit të tij që të sjellë ofertat dhe flijimet me qëllim që të derdhë bekimet e tij derisa të mos ketë më nevojë. Hoqëm dorë nga një aktivitet për të cilin isha shumë i dhënë. Shitëm shtëpinë që na pëlqente shumë dhe hoqëm dorë edhe nga gjëra të tjera. Megjithatë, në krahasim me bekimet që patëm, sakrificat ishin shumë të vogla.
Vërtet, çfarë bekimesh të mëdha që ka derdhur Jehovai mbi ne! Kemi pasur kënaqësinë të shohim fëmijët tanë që të reagojnë pozitivisht ndaj së vërtetës, kemi provuar gëzimin e pjesëmarrjes në shërbimin jetëshpëtues në kohë të plotë dhe kemi parë se si Jehovai është kujdesur për nevojat tona. Po, sakrificat tona të vogla na kanë sjellë bekime të mëdha!
[Shënimi]
^ par. 20 Ata po shërbejnë ende me besnikëri në Bethel. Eduardi dhe e shoqja, Koni, shërbejnë në Paterson, kurse Xhorxhi bashkë me të shoqen, Grejsin, shërbejnë në Bruklin.
[Figura në faqen 25]
Luis dhe Xhorxh Blantoni me Anën, në vitin 1991
[Figura në faqen 26]
Salla e Mbretërisë në Karlil, e cila u kushtua më 4 qershor 1983
[Figura në faqen 27]
Me kongregacionin kinez i sapoformuar në Boston
[Figura në faqen 28]
Me Eduardin, Konin, Xhorxhin dhe Grejsin