Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të identifikojmë bishën dhe kuptimin e numrit të saj

Të identifikojmë bishën dhe kuptimin e numrit të saj

Të identifikojmë bishën dhe kuptimin e numrit të saj

A JU pëlqen të zgjidhni një enigmë? Për ta zgjidhur ju kërkoni të dhëna kyçe që ju ndihmojnë të gjeni së fundi zgjidhjen. Në Fjalën e tij të frymëzuar Perëndia na siguron të dhënat e nevojshme në lidhje me numrin 666, pra emrin ose damkën e bishës së kapitullit të 13-të të Zbulesës.

Në këtë artikull do të shohim katër linja arsyetimi ose të dhëna kyç, të cilat do të na zbulojnë kuptimin e numrit të bishës. Do të shqyrtojmë (1) se si zgjidhen disa herë emrat biblikë, (2) identitetin e bishës, (3) çfarë do të thotë që 666 është «një numër njeriu» dhe (4) domethënien e numrit 6 dhe pse përsëritet tri herë, domethënë 666.​—Zbulesa 13:18.

Emrat biblikë​—Më shumë sesa vetëm emra

Emrat biblikë shpesh kanë domethënie të veçantë, sidomos kur vendosen nga Perëndia. Për shembull, meqë Abrami do të bëhej ati i kombeve, Perëndia ia ndryshoi emrin në Abraham që do të thotë «Atë i një shumice». (Zanafilla 17:5) Perëndia i tha Jozefit dhe Marisë që fëmijën që do të lindte Maria ta quanin Jezu, që do të thotë «Jehovai është shpëtim». (Mateu 1:21; Luka 1:31) Në përputhje me këtë emër domethënës, nëpërmjet shërbimit dhe vdekjes flijuese të Jezuit, Jehovai bëri të mundur shpëtimin tonë.​—Gjoni 3:16.

Si rrjedhim emri-numër 666, i vendosur nga Perëndia, duhet të simbolizojë ato që Perëndia i sheh si karakteristika dalluese të bishës. Natyrisht, që të kuptojmë këto karakteristika duhet të identifikojmë vetë bishën dhe të mësojmë se çfarë gjërash bën ajo.

Bisha identifikohet

Libri biblik i Danielit hedh shumë dritë mbi domethënien e bishave simbolike. Kapitulli i 7-të përmban një tablo të gjallë të ‘katër kafshëve’ ose bishave të stërmëdha: një luan, një ari, një leopard dhe një bishë e tmerrshme me dhëmbë të mëdha prej hekuri. (Danieli 7:2-7) Danieli thotë se këto bisha përfaqësojnë «mbretër» ose mbretëri politike që sundojnë me radhë mbi perandori shumë të mëdha.​—Danieli 7:17, 23.

Në lidhje me bishën e Zbulesës 13:1, 2 një fjalor, The Interpreter’s Dictionary of the Bible, thekson se ajo «ka në vetvete të gjitha karakteristikat e katër bishave të vegimit të Danielit . . . Si rrjedhim bisha e parë [e Zbulesës] përfaqëson të gjitha forcat e mbarë sundimeve politike në botë që janë në kundërshtim me Perëndinë». Ky pohim vërtetohet nga Zbulesa 13:7 e cila thotë për bishën: «Iu dha autoritet mbi çdo fis, popull, gjuhë dhe komb.» *

Pse Bibla përdor bishat si simbole të sundimeve njerëzore? Për të paktën dy arsye. E para, për shkak të gjakderdhjeve të shumta prej bishe që kanë shkaktuar qeveritë gjatë shekujve. Historianët Uill dhe Ariel Durant shkruan: «Luftërat janë një tipar i përhershëm i historisë dhe nuk janë pakësuar me përhapjen e qytetërimit dhe të demokracisë.» Sa e vërtetë është që «njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij»! (Eklisiastiu 8:9, BR) Arsyeja e dytë është se «dragoi [Satanai] i dha bishës fuqinë e tij, fronin e tij dhe autoritet të madh». (Zbulesa 12:9; 13:2) Si rrjedhim sundimet njerëzore janë produkt i Djallit, duke pasqyruar kështu prirjen e tij prej bishe dhe dragoi.​—Gjoni 8:44; Efesianëve 6:12.

Sidoqoftë kjo nuk do të thotë se çdo sundimtar njerëzor është një vegël e drejtpërdrejtë e Satanait. Në të vërtetë, në njëfarë mënyre qeveritë njerëzore shërbejnë si «shërbëtor i Perëndisë» duke i dhënë stabilitet shoqërisë njerëzore. Pa këtë stabilitet do të sundonte kaosi. Po ashtu, disa udhëheqës kanë mbrojtur të drejtat themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për të praktikuar adhurimin e vërtetë, diçka që Satanai nuk e do. (Romakëve 13:3, 4; Ezdra 7:11-27; Veprat 13:7) Megjithatë, për shkak të ndikimit të Djallit asnjë njeri ose institucion njerëzor nuk ka qenë në gjendje t’u sjellë njerëzve paqe dhe siguri të qëndrueshme. *​—Gjoni 12:31.

«Një numër njerëzor»

Çelësi i tretë për të kuptuar domethënien e numrit 666 është se ai është «një numër njeriu» ose, siç thuhet në versionin The Amplified Bible, «një numër njerëzor». Kjo shprehje nuk mund të bëjë fjalë për një njeri, sepse Satanai dhe jo ndonjë njeri, ka autoritet mbi bishën. (Luka 4:5, 6; 1 Gjonit 5:19; Zbulesa 13:2, 18) Përkundrazi, fakti që bisha ka «një numër njerëzor» ose një damkë njerëzore lë të kuptojë se ajo nuk është një qenie frymore ose një demon, por ka natyrë njerëzore, e për këtë arsye shfaq disa karakteristika njerëzore. Cilat janë këto karakteristika? Bibla përgjigjet me fjalët: «Të gjithë [njerëzit] kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Prandaj, fakti që bisha ka «një numër njerëzor» tregon se qeveritë pasqyrojnë gjendjen njerëzore mëkatare, pra damkën e mëkatit dhe të papërsosmërisë.

Historia e dëshmon këtë. Ish-sekretari i shtetit amerikan, Henri Kisinger, tha: «Çdo qytetërim që ka ekzistuar, së fundi është shembur. Historia është një rrëfim i përpjekjeve të dështuara, i aspiratave të parealizuara . . . Prandaj historianëve u duhet të pranojnë që tragjedia është e pashmangshme.» Gjykimi i ndershëm i Kisingerit dëshmon për këtë të vërtetë biblike themelore: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»​—Jeremia 10:23.

Tani që kemi identifikuar bishën dhe kemi kuptuar se si e sheh Perëndia atë, jemi në gjendje të shqyrtojmë pjesën e fundit të enigmës: numrin gjashtë dhe përse përsëritet tri herë, domethënë 666.

Gjashtë e përsëritur tri herë: Pse?

Në Bibël disa numra kanë kuptim simbolik. Numri shtatë për shembull, përdoret shpesh për të simbolizuar diçka të plotë ose të përsosur në sytë e Perëndisë. Për shembull, java krijuese e Perëndisë përfshin shtatë ‘ditë’ ose periudha të gjata kohe, gjatë të cilave Perëndia e përmbushi plotësisht qëllimin e tij për të krijuar gjërat që kishin lidhje me tokën. (Zanafilla 1:3-2:3) «Fjalët» e Perëndisë janë si argjend «i pastruar shtatë herë», pra janë të rafinuara në mënyrë të përsosur. (Psalmi 12:6; Fjalët e urta 30:5, 6) Të lebrosurit Naaman iu tha që të lahej shtatë herë në lumin Jordan dhe pas kësaj ai u shërua plotësisht.​2 Mbretërve 5:10, 14.

Numri gjashtë është një më pak ose i mangët në krahasim me numrin shtatë. A nuk do të ishte një simbol i përshtatshëm i diçkaje të papërsosur ose të mangët në sytë e Perëndisë? Po, vërtet! (1 Kronikave 20:6, 7) Për më tepër, duke përsëritur tri herë gjashtë, pra 666, theksohet me forcë kjo papërsosmëri. Që kjo pikëpamje është e drejtë mbështetet nga fakti se numri 666 është «një numër njerëzor», siç e kemi shqyrtuar. Kështu historia e bishës, ‘numri njerëzor’ i saj dhe vetë numri 666 të çojnë të gjitha në të njëjtin përfundim të pagabueshëm: mangësi dhe dështim i madh në sytë e Jehovait.

Përshkrimi i mangësive të bishës na sjell në mendje atë që u tha për një mbret të Babilonisë së lashtë, Belshazarin. Nëpërmjet Danielit Jehovai i tha atij sundimtari: «Ti je peshuar në kandar dhe ke dalë mangët.» Po atë natë Belshazari u vra dhe perandoria e fuqishme babilonase ra. (Danieli 5:27, 30, BR) Në mënyrë të ngjashme gjykimi nga ana e Perëndisë i bishës politike dhe i atyre që kanë damkën e saj, nënkupton fundin e kësaj bishe dhe të përkrahësve të saj. Megjithatë, në këtë rast Perëndia nuk do të çrrënjosë vetëm një sistem politik, por çdo gjurmë të sundimit njerëzor. (Danieli 2:44; Zbulesa 19:19, 20) Sa e rëndësishme është pra që të mos kemi damkën vdekjeprurëse të bishës!

Damka identifikohet

Menjëherë pasi bën të ditur numrin 666 Zbulesa përmend 144.000 ithtarët e Qengjit, Jezu Krishtit, të cilët kanë të shkruar në ballë emrin e tij dhe të Atit të tij, Jehovait. Këta emra i identifikojnë individët që i mbajnë ata si persona që i përkasin Jehovait dhe Birit të tij, për të cilin japin dëshmi me krenari. Në të njëjtën mënyrë ata që kanë damkën e bishës shpallin se i shërbejnë bishës. Kështu damka, qoftë në dorën e djathtë, qoftë në ballë, në kuptimin e figurshëm, është një simbol që e identifikon personin që e mban atë, si dikë që mbështet me adhurim sistemet politike të botës që janë si bisha. Ata që kanë damkën i japin «Cezarit» atë që me të drejtë i përket Perëndisë. (Luka 20:25; Zbulesa 13:4, 8; 14:1) Në ç’mënyrë? Duke i nderuar si idhuj shtetin, simbolet e tij dhe fuqinë e tij ushtarake, tek e cila shikojnë për shpresë dhe shpëtim. Adhurimi që i bëjnë Perëndisë së vërtetë është thjesht me fjalë.

Në kundërshtim me këtë Bibla na jep nxitjen: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.» (Psalmi 146:3, 4) Ata që i vënë veshin kësaj këshille të mençur nuk zhgënjehen kur qeveritë nuk i mbajnë premtimet ose kur udhëheqësit e shquar bien nga pozita.​—Fjalët e urta 1:33.

Kjo nuk do të thotë se të krishterët e vërtetë rrinë duarkryq dhe nuk bëjnë asgjë për gjendjen e mjerë të njerëzimit. Përkundrazi ata shpallin aktivisht të vetmen qeveri që do të zgjidhë problemet e njerëzimit: Mbretërinë e Perëndisë, të cilën përfaqësojnë.​—Mateu 24:14.

Mbretëria e Perëndisë​—Shpresa e vetme e njerëzimit

Kur Jezui ishte në tokë, tema kryesore e predikimit të tij ishte Mbretëria e Perëndisë. (Luka 4:43) Në lutjen e tij model, e cila ndonjëherë quhet «Ati ynë», Jezui i mësoi ithtarët e tij që të luteshin të vinte kjo Mbretëri dhe të bëhej vullneti i Perëndisë këtu në tokë. (Mateu 6:9, 10) Mbretëria është një qeveri që do të sundojë mbi krejt tokën, jo nga ndonjë kryeqytet tokësor, por nga qiejtë. Prandaj Jezui e quajti atë «mbretëria e qiejve».​—Mateu 11:12.

Kush është më i kualifikuar për të qenë Mbret i asaj Mbretërie, përveçse Jezu Krishti, ai që vdiq për nënshtetasit e tij të ardhshëm? (Isaia 9:5, 6; Gjoni 3:16) Së shpejti ky sundimtar i përsosur, i cili tani është një person i fuqishëm frymor, do ta hedhë bishën, mbretërit dhe ushtritë e saj në «liqenin e zjarrtë që digjet me squfur», një simbol i shkatërrimit të plotë. Por nuk do të mbarojë me kaq. Jezui do të zhdukë edhe Satanain, diçka që asnjë njeri nuk mund ta bëjë.​—Zbulesa 11:15; 19:16, 19-21; 20:2, 10.

Mbretëria e Perëndisë do t’u sjellë paqe të gjithë nënshtetasve të saj të bindur. (Psalmi 37:11, 29; 46:8, 9) Madje edhe pikëllim, dhembje dhe vdekje nuk do të ketë më. Çfarë e ardhme e lavdishme për ata që nuk lejojnë të marrin damkën e bishës!​—Zbulesa 21:3, 4.

[Shënimet]

^ par. 9 Për një trajtim të hollësishëm të këtyre vargjeve shih kapitullin e 28-të të librit Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

^ par. 11 Ndonëse e dinë se sundimet njerëzore shpesh janë si bisha, të krishterët e vërtetë u nënshtrohen «autoriteteve më të larta» qeveritare, siç urdhëron Bibla. (Romakëve 13:1) Gjithsesi, kur këto autoritete i urdhërojnë që të veprojnë në kundërshtim me ligjin e Perëndisë, ata ‘i binden Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve’.​—Veprat 5:29.

[Kutia në faqen 5]

Të dhëna kyç për të kuptuar domethënien e numrit 666

1. Emrat biblikë shpesh zbulojnë diçka rreth karakteristikave ose jetës së individit me atë emër, siç është rasti i Abrahamit, i Jezuit dhe i shumë individëve të tjerë. Po kështu emri-numër i bishës simbolizon karakteristikat e saj.

2. Në librin biblik të Danielit, bishat e ndryshme që përmenden aty përfaqësojnë mbretëri ose perandori njerëzore që pasojnë njëra-tjetrën. Bisha që përshkruhet te Zbulesa 13:1, 2 e cila ka karakteristikat e të gjithë bishave të Danielit, simbolizon sistemin politik mbarëbotëror të cilit i jepet fuqi nga Satanai dhe është nën kontrollin e tij.

3. Fakti që bisha ka «një numër njeriu» ose «një numër njerëzor» tregon se ajo nuk është një demon, por ka natyrë njerëzore. Për këtë arsye, pasqyron mangësitë njerëzore që vijnë si pasojë e mëkatit dhe e papërsosmërisë.

4. Në sytë e Perëndisë numri gjashtë nënkupton papërsosmëri, meqë është më i vogël ose i mangët në krahasim me numrin shtatë që në kuptimin biblik është i plotë ose i përsosur. Numri 666 e thekson këtë mangësi duke e përsëritur shifrën 6 tri herë.

[Figurat në faqen 6]

Sundimi njerëzor ka dalë se është një dështim i plotë, siç simbolizohet me vend nga numri 666

[Burimi]

Fëmijë që po vdes nga uria: KOMBET E BASHKUARA/Fotografi nga F. GRIFFING

[Figurat në faqen 7]

Jezu Krishti do të sjellë në tokë një sundim të përsosur