Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mbështetemi te fryma e Perëndisë kur hasim ndryshime në jetë

Të mbështetemi te fryma e Perëndisë kur hasim ndryshime në jetë

Të mbështetemi te fryma e Perëndisë kur hasim ndryshime në jetë

«Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar.»​—2 TIMOTEUT 2:15.

1. Cilat ndryshime përbëjnë sprova për mirëqenien tonë frymore?

BOTA përreth nesh ndryshon vazhdimisht. Shohim përparime mbresëlënëse shkencore dhe teknologjike, por edhe rënie dramatike të vlerave morale. Siç e shqyrtuam në artikullin e mëparshëm, të krishterët duhet t’i rezistojnë frymës së botës që është në kundërshtim me Perëndinë. Por, ndërkohë që bota ndryshon, edhe ne përjetojmë ndryshime në shumë gjëra. Kalojmë nga fëmijëria në moshë të rritur. Mund të fitojmë ose të humbasim pasuri. Mund të na shfaqen probleme shëndeti. Sot i kemi njerëzit tanë të dashur, nesër mund t’i humbasim. Shumë nga këto ndryshime nuk mund t’i kontrollojmë dhe mund të paraqesin sfida të reja dhe të vështira për mirëqenien tonë frymore.

2. Çfarë ndryshimesh përjetoi Davidi gjatë jetës?

2 Pak njerëz përjetojnë ndryshime kaq të mëdha në jetë sa përjetoi mbreti David, biri i Jeseut. Davidi, nga një bari dhe djalosh i panjohur, fitoi menjëherë famën si hero kombëtar. Më vonë u bë një i arratisur, të cilin e ndiqte si kafshë gjahu një mbret xheloz. Pas kësaj Davidi u bë mbret dhe korri mjaft fitore. Vuajti pasojat e dhembshme të një mëkati të rëndë. Pësoi tragjedi dhe përçarje brenda familjes. Fitoi pasuri, u plak dhe përjetoi sëmundjet e pleqërisë. Por gjatë gjithë jetës, me gjithë ndryshimet e shumta, Davidi shfaqi siguri dhe besim te Jehovai dhe te fryma e Tij. Ai bëri çmos për t’u paraqitur «para Perëndisë i miratuar» dhe Perëndia e bekoi. (2 Timoteut 2:15) Edhe pse rrethanat tona ndryshojnë nga ato të Davidit, mund të mësojmë nga mënyra se si i përballoi gjërat në jetë. Shembulli i tij mund të na ndihmojë të kuptojmë se si të vazhdojmë të kemi ndihmën e frymës së Perëndisë ndërsa hasim ndryshime në jetë.

Përulësia e Davidit​—Një shembull i shkëlqyer

3, 4. Në ç’mënyrë Davidi, nga një bari dhe djalosh i panjohur, fitoi famë kombëtare?

3 Kur ishte fëmijë Davidi nuk shquhej shumë as në familjen e tij. Në kohën kur profeti Samuel erdhi në Betlehem, i ati i Davidit i tregoi atij shtatë nga tetë djemtë e tij. Davidin, djalin më të vogël, e kishin lënë të ruante delet. Megjithatë, Jehovai kishte zgjedhur Davidin që të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit. Davidin e thirrën që të kthehej nga fusha. Më tej në Bibël thuhet: «Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve te tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi.» (1 Samuelit 16:12, 13) Davidi u mbështet tek ajo frymë gjatë gjithë jetës.

4 Shumë shpejt ky djalosh që ishte bari do të fitonte famë kombëtare. Atë e thirrën që t’i shërbente mbretit dhe të luante muzikë për të. Davidi vrau luftëtarin Goliad, një gjigant kaq të dhunshëm, saqë edhe ushtarët më me përvojë të Izraelit kishin frikë që të ndesheshin me të. Kur e caktuan si udhëheqës të luftëtarëve, Davidi luftoi dhe pati sukses kundër filistinëve. Populli e donte. Thuri këngë lavdie për të. Më parë një këshilltar i mbretit Saul e përshkroi të riun David jo vetëm si një ‘që i binte mirë’ harpës, por edhe si ‘një njeri të fortë dhe trim, të shkathët në luftim, gojëtar të hijshëm’.​—1 Samuelit 16:18; 17:23, 24, 45-51; 18:5-7.

5. Çfarë mund ta kishte bërë fodull Davidin? Si e dimë që ai nuk u bë fodull?

5 Davidi dukej se kishte gjithçka: famën, bukurinë, rininë, gojëtarinë. Përveç kësaj ishte muzikant dhe luftëtar i aftë dhe kishte miratimin e Perëndisë. Cilado nga këto gjëra mund ta kishte bërë fodull Davidin, por asnjëra prej tyre nuk e bëri të tillë. Vini re përgjigjen e Davidit ndaj mbretit Saul, i cili i dha vajzën për grua. Me përulësi të vërtetë Davidi tha: «Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?» (1 Samuelit 18:18) Duke komentuar rreth këtij vargu një studiues shkroi: «Kuptimi i fjalëve të Davidit ishte se as për shkak të aftësive të tij, as për shkak të pozitës shoqërore, as për shkak të prejardhjes, ai nuk mund të pretendonte sadopak që të kishte nderin të bëhej dhëndri i mbretit.»

6. Pse duhet të kultivojmë përulësi?

6 Përulësia e Davidit bazohej në faktin që ai e pranonte se Jehovai në çdo drejtim është jashtëzakonisht më i lartë se njerëzit e papërsosur. Davidi mrekullohej se si Perëndia madje kujdeset për njeriun. (Psalmi 144:3) Gjithashtu, e dinte se sado i shquar që të ishte, kjo vinte vetëm ngaqë Jehovai kishte shfaqur përulësi duke e mbështetur, duke e mbrojtur dhe duke u kujdesur për të. Davidi këndoi: «Përulësia jote do të më bëjë të madh.» (Psalmi 18:35, BR) Ç’mësim i bukur për ne! Talentet, arritjet dhe privilegjet që kemi nuk duhet të na bëjnë fodullë. Apostulli Pavël shkroi: «Në fakt, ç’gjë ke ti që nuk e more? Tani, nëse në të vërtetë e more, përse mburresh sikur nuk e more?» (1 Korintasve 4:7) Për të pasur frymën e shenjtë të Perëndisë dhe për të gëzuar miratimin e tij duhet të kultivojmë përulësi dhe të vazhdojmë ta shfaqim atë.​—Jakovi 4:6.

‘Të mos hakmerremi për veten’

7. Çfarë rasti për të vrarë mbretin Saul iu dha Davidit?

7 Fama që kishte nuk e bëri Davidin të krekosej. Por nga kjo famë, mbreti Saul që nuk e kishte më frymën e Perëndisë, u bë xheloz saqë donte ta vriste. Megjithëse Davidi nuk kishte bërë asgjë të keqe, për të shpëtuar jetën e tij, ai iku dhe banoi në shkretëtirë. Në një rast, kur po ndiqte pa pushim Davidin, mbreti Saul hyri në një shpellë, pa e ditur që Davidi dhe shokët e tij ishin të fshehur atje. Njerëzit e Davidit e nxitën atë që të përfitonte nga ai që dukej si një rast i dhënë nga Perëndia për të vrarë Saulin. Mund t’i përfytyrojmë ata në errësirën e shpellës duke i pëshpëritur Davidit: «Kjo është dita gjatë së cilës Zoti të thotë: ‘Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç’të duash.’»​—1 Samuelit 24:2-6.

8. Pse Davidi nuk mori hak?

8 Davidi nuk pranoi t’i bënte gjë Saulit. Duke ushtruar besim dhe durim ai ishte i kënaqur t’i linte gjërat në dorën e Jehovait. Pasi mbreti u largua nga shpella, Davidi i thirri duke i thënë: «Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje.» (1 Samuelit 24:12) Edhe pse e dinte se Sauli po vepronte keq, Davidi nuk mori hak dhe as nuk e shau Saulin ose nuk foli keq për të me të tjerët. Edhe në disa raste të tjera Davidi nuk i zgjidhi gjërat sipas mënyrës së vet. Përkundrazi, u mbështet te Jehovai që Ai t’i ndreqte gjërat.​—1 Samuelit 25:32-34; 26:10, 11.

9. Pse nuk duhet të hakmerremi nëse hasim kundërshtim ose përndjekje?

9 Ashtu si Davidi edhe ti mund të gjendesh në rrethana të vështira. Ndoshta ke kundërshtim ose përndjekje nga shokët e shkollës, kolegët e punës, pjesëtarët e familjes ose nga persona të tjerë që nuk kanë të njëjtin besim si ty. Mos u hakmerr ndaj tyre! Prit Jehovain duke i kërkuar frymë të shenjtë që të të ndihmojë. Ndoshta këtyre jobesimtarëve do t’u bëjë përshtypje sjellja jote e mirë dhe do të bëhen besimtarë. (1 Pjetrit 3:1) Çfarëdo që të ndodhë, ji i sigurt se Jehovai e sheh gjendjen tënde dhe do të veprojë në kohën e duhur. Apostulli Pavël shkroi: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë; sepse është shkruar: ‘Hakmarrja është e imja; unë do të shpaguaj,’​—thotë Jehovai.»​—Romakëve 12:19.

‘Të dëgjojmë disiplinën’

10. Si mëkatoi Davidi? Si u përpoq ta mbulonte mëkatin?

10 Kaluan vite. Davidi u bë një mbret i dashur e me famë shumë të madhe. Jeta e tij e karakterizuar nga një besnikëri e jashtëzakonshme, si edhe psalmet e bukura që shkroi për t’i dhënë lavdi Jehovait, mund të krijonin lehtë përshtypjen se ai ishte një njeri që nuk mund të kryente kurrë një mëkat të rëndë. E megjithatë ai mëkatoi rëndë. Një ditë mbreti vuri re nga tarraca një grua të bukur që po lahej. Ai pyeti rreth gruas. Pasi mësoi se gruaja ishte Betsheba dhe se i shoqi, Uriahu, kishte shkuar në luftë, Davidi dërgoi njerëz që ta merrnin dhe pati marrëdhënie me të. Më vonë, mori vesh se ajo ishte shtatzënë. Çfarë skandali që do të ishte, nëse kjo gjë do të zbulohej! Sipas Ligjit të Moisiut kurorëshkelja ishte një krim që dënohej me vdekje. Mbreti me sa duket mendoi se ndoshta ky mëkat mund të mbulohej. Prandaj dërgoi fjalë në ushtri duke urdhëruar që Uriahu të kthehej në Jerusalem. Davidi shpresonte se Uriahu do ta kalonte natën me Betshebën, por kjo nuk ndodhi. I dëshpëruar, Davidi e dërgoi përsëri në luftë Uriahun duke i dhënë një letër për Joabin, komandantin ushtarak. Në letër urdhërohej që Uriahu të vihej në një rrethanë të tillë gjatë betejës që do të çonte në vrasjen e tij. Joabi u bind dhe Uriahu u vra. Pasi Betsheba sipas zakonit mbajti zi për një farë kohe, Davidi e mori për grua.​—2 Samuelit 11:1-27.

11. Çfarë historie i tregoi Natani Davidit? Si reagoi Davidi?

11 Plani u duk sikur pati sukses, edhe pse Davidi duhet ta ketë ditur se e gjithë kjo ishte e zbuluar në sytë e Jehovait. (Hebrenjve 4:13) Kaluan disa muaj dhe fëmija lindi. Atëherë i urdhëruar nga Perëndia profeti Natan shkoi te Davidi. Profeti i tregoi mbretit një histori sipas së cilës një njeri i pasur, që kishte shumë dele, i mori dhe ia theri një njeriu të varfër delen e vetme e që e kishte për zemër. Kjo histori ngjalli te Davidi ndjenjën e drejtësisë, por ai nuk dyshoi aspak për kuptimin që fshihej pas kësaj historie. Davidi dha gjykim të shpejtë kundër njeriut të pasur. Me zemërim të madh i tha Natanit: «Ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë!»​—2 Samuelit 12:1-6.

12. Çfarë gjykimi dha Jehovai kundër Davidit?

12 «Ti je ai njeri!»​—iu përgjigj profeti. Davidi kishte gjykuar veten. Pa dyshim nga i indinjuar që ishte, Davidi ndjeu turp dhe brengë të madhe. I shtangur, ai dëgjoi teksa Natani tha gjykimin e pashmangshëm të Jehovait. Nuk kishte fjalë ngushëllimi. Davidi e kishte përbuzur fjalën e Jehovait duke bërë atë që ishte e keqe. A nuk kishte vrarë Uriahun me shpatën e armikut? Shpata nuk do të largohej nga shtëpia e Davidit. A nuk kishte marrë fshehurazi gruan e Uriahut? Një e keqe si kjo do t’i ndodhte atij, jo fshehurazi, por botërisht.​—2 Samuelit 12:7-12.

13. Si reagoi Davidi ndaj disiplinës së Jehovait?

13 Një gjë e mirë te Davidi qe se ai nuk e mohoi fajin. Ai nuk shpërtheu me zemërim kundër profetit Natan dhe as nuk fajësoi të tjerë ose nuk nxori justifikime për atë që kishte bërë. Kur u gjend përballë dëshmisë për mëkatet e tij, Davidi e pranoi se ishte përgjegjës duke thënë: «Kam mëkatuar kundër Zotit.» (2 Samuelit 12:13) Psalmi 51 përshkruan brengën që i shkaktoi ky faj Davidit dhe pendimin e tij të thellë. Ai iu lut Jehovait: «Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.» Davidi besonte se Jehovai me mëshirën e tij nuk do ta përçmonte «zemrën e thyer» nga mëkati. (Psalmi 51:11, 17) Davidi vazhdoi të mbështetej te fryma e Perëndisë. Ndonëse Jehovai nuk e mbrojti Davidin nga pasojat e hidhura të mëkatit, Ai e fali atë.

14. Si duhet të reagojmë ndaj disiplinës së Jehovait?

14 Të gjithë jemi të papërsosur dhe të gjithë mëkatojmë. (Romakëve 3:23) Ndonjëherë mund të kryejmë një mëkat të rëndë si Davidi. Ashtu si një atë i dashur i disiplinon fëmijët e vet, po kështu Jehovai i korrigjon ata që përpiqen t’i shërbejnë atij. Edhe pse disiplina është e dobishme, ajo nuk është e lehtë për t’u pranuar. Në fakt disa herë sjell «hidhërim». (Hebrenjve 12:6, 11) Por në qoftë se e ‘dëgjojmë disiplinën’, mund të pajtohemi me Jehovain. (Proverbat [Fjalët e urta] 8:33, BR) Që të gëzojmë bekimin e vazhdueshëm të frymës së Jehovait duhet të pranojmë korrigjimin dhe të punojmë për të marrë miratimin e Perëndisë.

Të mos shpresojmë në pasuritë e pasigurta

15. (a) Në cilat mënyra i përdorin disa njerëz pasuritë e tyre? (b) Si dëshironte Davidi ta përdorte pasurinë e tij?

15 Nuk tregohet askund se Davidi vinte nga një shtresë shoqërore e ngritur ose që familja e tij ishte e pasur. Megjithatë, gjatë mbretërimit të tij Davidi fitoi pasuri të jashtëzakonshme. Siç e dimë, shumë veta grumbullojnë pasuri, përpiqen me lakmi për ta shtuar atë ose e shpenzojnë me egoizëm. Të tjerë i përdorin paratë për t’i dhënë lavdi vetes. (Mateu 6:2) Por Davidi e përdori ndryshe pasurinë e tij. Ai dëshironte me zjarr të nderonte Jehovain. Davidi i shprehu Natanit dëshirën që të ndërtonte një tempull për Jehovain ku të vendosej arka e besëlidhjes, e cila në atë kohë ‘ndodhej poshtë një çadre’ në Jerusalem. Jehovai ishte i kënaqur me qëllimet e Davidit, por i tha atij nëpërmjet Natanit, se tempullin do ta ndërtonte biri i Davidit, Solomoni.​—2 Samuelit 7:1, 2, 12, 13.

16. Çfarë përgatitjesh bëri Davidi për ndërtimin e tempullit?

16 Davidi grumbulloi materiale që do të përdoreshin për realizimin e këtij projekti të madh ndërtimi. Ai i tha Solomonit: «Unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë; dhe ti mund t’i shtosh edhe më.» Nga pasuria e tij Davidi dha një kontribut prej 3.000 talentash ari dhe 7.000 talentash argjendi. * (1 Kronikave 22:14; 29:3, 4) Dhënia bujare e Davidit nuk ishte për t’u dukur, por ishte një shfaqje e besimit dhe e përkushtimit ndaj Perëndisë Jehova. Duke qenë i vetëdijshëm për Burimin e pasurive të tij, ai i tha Jehovait: «Të gjitha gjërat vijnë nga ti dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.» (1 Kronikave 29:14) Duke qenë bujar nga zemra, Davidi u nxit të bënte gjithçka që mundej për të çuar përpara adhurimin e pastër.

17. Si zbatohet edhe për të pasurit, edhe për të varfrit këshilla që gjendet te 1 Timoteut 6:17-19?

17 Po kështu edhe ne, le t’i përdorim pasuritë tona materiale për të bërë të mirën. Në vend që të ndjekim një mënyrë jetese materialiste, është më mirë të kërkojmë miratimin e Perëndisë. Në fakt, të kërkojmë miratimin e Perëndisë do të thotë të ndjekim udhën e mençurisë dhe të lumturisë së vërtetë. Pavli shkroi: «Atyre që janë të pasur në sistemin e tanishëm jepu urdhër të mos jenë kryelartë e të mos e varin shpresën në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë; të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët, duke mbledhur për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokin jetën e vërtetë.» (1 Timoteut 6:17-19) Cilado qoftë gjendja jonë ekonomike, le të mbështetemi te fryma e Perëndisë dhe le të ndjekim një mënyrë jetese që do të na bëjë ‘të pasur kundrejt Perëndisë’. (Luka 12:21) Asgjë nuk ka më shumë vlerë sesa një qëndrim i miratuar përpara Atit tonë të dashur qiellor.

Të paraqitemi para Perëndisë të miratuar

18. Në ç’mënyrë Davidi la një shembull të shkëlqyer për të krishterët?

18 Gjatë gjithë jetës Davidi kërkoi miratimin e Jehovait. Në një këngë ai i bëri këtë kërkesë Perëndisë: «Jepmë hir, o Perëndi, jepmë hir, sepse te ti është strehuar shpirti im.» (Psalmi 57:1, BR) Besimi i tij te Jehovai doli se nuk ishte i kotë. Davidi u plak duke qenë «i velur me ditë». (1 Kronikave 23:1) Megjithëse Davidi bëri gabime të rënda, ai kujtohet si një prej shumë dëshmitarëve të Perëndisë që shfaqën një besim të jashtëzakonshëm.​—Hebrenjve 11:32.

19. Si mund të paraqitemi para Perëndisë të miratuar?

19 Ndërsa hasni ndryshime në jetë kujtoni që ashtu si Jehovai e mbështeti, e forcoi dhe e korrigjoi Davidin, po kështu mund të veprojë edhe me ju. Apostulli Pavël, ashtu si Davidi, hasi shumë ndryshime në jetë. Por edhe ai qëndroi besnik duke u mbështetur te fryma e Perëndisë. Pavli shkroi: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:12, 13) Nëse mbështetemi te Jehovai ai do të na ndihmojë t’ia dalim mbanë me sukses. Ai do që t’ia dalim mbanë. Në rast se e dëgjojmë dhe i afrohemi, ai do të na japë forcën për të bërë vullnetin e tij. Dhe nëse vazhdojmë të mbështetemi te fryma e Perëndisë do të mund ‘të paraqitemi para Perëndisë të miratuar’ tani dhe për gjithë përjetësinë.​—2 Timoteut 2:15.

[Shënimi]

^ par. 16 Vlera e kontributit të Davidit sipas përllogaritjeve të sotme arrin një shumë prej më tepër se 1.200.000.000 dollarë.

Si do të përgjigjeshit?

• Si mund të ruhemi nga krenaria?

• Pse nuk duhet të hakmerremi?

• Si duhet ta shohim disiplinën?

• Pse duhet të besojmë te Perëndia dhe jo te pasuritë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 16]

Davidi u mbështet te fryma e Perëndisë dhe kërkoi miratimin e tij. A po veproni edhe ju kështu?

[Figura në faqen 18]

«Të gjitha gjërat vijnë nga ti dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote»