T’i rezistojmë frymës së një bote që po ndryshon
T’i rezistojmë frymës së një bote që po ndryshon
«Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është prej Perëndisë.»—1 Korintasve 2:12.
1. Si u mashtrua Eva?
«GJARPRI më mashtroi.» (Zanafilla 3:13) Me këto pak fjalë gruaja e parë, Eva, u përpoq të shpjegonte përse ishte rebeluar kundër Perëndisë Jehova. Fjalët që tha ishin të vërteta, megjithëse nuk e justifikonin keqbërjen e saj. Apostulli Pavël më vonë u frymëzua të shkruante: «[Eva] u mashtrua plotësisht.» (1 Timoteut 2:14) Ajo u mashtrua duke besuar se një akt mosbindjeje, pra ngrënia e frytit të ndaluar, do t’i sillte dobi duke e bërë atë si Perëndia. Por u mashtrua edhe sepse nuk e kuptoi se kush ishte në të vërtetë personi që e gënjeu. Nuk e dinte se gjarpri ishte thjesht një mjet që Satana Djalli përdori për të folur me të.—Zanafilla 3:1-6.
2. (a) Si i mashtron Satanai njerëzit sot? (b) Çfarë është ‘fryma e botës’? Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë tani?
2 Që nga koha e Adamit dhe e Evës Satanai ka vazhduar t’i mashtrojë njerëzit. Në fakt, ai ‘po mashtron gjithë tokën e banuar’. (Zbulesa 12:9) Taktikat e tij nuk kanë ndryshuar. Ndonëse nuk përdor më një gjarpër të mirëfilltë, ai vazhdon ta fshehë veten. Me anë të industrisë së zbavitjes, të medias dhe të mjeteve të tjera, Satanai i mashtron njerëzit që të besojnë se as nuk kanë nevojë dhe as nuk nxjerrin dobi nga udhëheqja e dashur e Perëndisë. Si pasojë e fushatës së mashtrimeve nga ana e Djallit, njerëzit kudo shfaqin një frymë rebelimi kundër ligjeve dhe parimeve të Biblës. Bibla e quan këtë ‘fryma e botës’. (1 Korintasve 2:12) Kjo frymë ndikon fuqimisht te bindjet, qëndrimet dhe te sjellja e atyre që nuk e njohin Perëndinë. Si shfaqet kjo frymë? Si mund t’i rezistojmë ndikimit të saj korruptues? Le ta shohim.
Vlerat morale në rënie
3. Pse ‘fryma e botës’ është bërë gjithnjë e më e dukshme në kohën tonë?
3 Në kohën tonë, ‘fryma e botës’ është bërë gjithnjë e më e dukshme. (2 Timoteut 3:1-5) Ka shumë mundësi që të keni vënë re se vlerat morale janë në rënie. Shkrimet e shpjegojnë se përse është kështu. Pas vendosjes së Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914, shpërtheu një luftë në qiell. Satanai dhe engjëjt e tij demonë u mundën dhe u flakën në afërsi të tokës. Duke qenë i tërbuar, Satanai e ka fuqizuar fushatën e tij për të mashtruar mbarë botën. (Zbulesa 12:1-9, 12, 17) Ai përpiqet me çdo mënyrë që ‘të mashtrojë, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit’. (Mateu 24:24) Si populli i Perëndisë ne jemi shënjestra e tij kryesore. Ai përpiqet të shkatërrojë gjendjen tonë frymore, në mënyrë që të humbim miratimin e Jehovait dhe mundësinë e jetës së përhershme.
4. Si e shohin Biblën shërbëtorët e Jehovait? Si e sheh bota Biblën?
4 Satanai përpiqet të minojë besimin te Bibla, te ky libër i çmuar që na mëson rreth Krijuesit tonë të dashur. Shërbëtorët e Jehovait e duan dhe e çmojnë Biblën. Ne e dimë se ajo është Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe jo fjalë njerëzish. (1 Selanikasve 2:13; 2 Timoteut 3:16) Por bota e Satanait do që të mendojmë të kundërtën. Për shembull, në parathënien e një libri që sulmon Biblën thuhet: «Nuk ka asgjë ‘të shenjtë’ te Bibla dhe ajo nuk është ‘fjala e Perëndisë’. Ajo nuk u shkrua nga të shenjtët e frymëzuar nga Perëndia, por nga priftërinj që kërkonin pushtet.» Ata që u besojnë pohimeve të tilla mund të bëhen lehtë pre e idesë së gabuar se janë të lirë ta adhurojnë Perëndinë siç u pëlqen ose të mos e adhurojnë fare atë.—Fjalët e urta (Proverbat) 14:12.
5. (a) Çfarë tha një shkrimtar për fetë që e pranojnë Biblën? (b) Si ndryshojnë disa ide të zakonshme të botës nga ajo që thotë Bibla? (Përfshini kutinë në faqen tjetër.)
5 Sulmet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta ndaj Biblës, bashkë me hipokrizinë fetare të atyre që pohojnë se e përkrahin Biblën, kanë sjellë si pasojë një pakënaqësi në rritje ndaj fesë. Kjo pakënaqësi ka përfshirë edhe fetë që e pranojnë Biblën. Në mediat dhe mes individëve shumë të arsimuar, feja është nën sulm. Një shkrimtar vëren: «Pikëpamja që ka shoqëria në përgjithësi për judaizmin dhe krishterimin është negative. Në rastin më të mirë, këto bindje fetare shihen si gjëra antike; në rastin më të keq shihen si bindje të vjetëruara që pengojnë arritjen e pjekurisë intelektuale dhe përparimin shkencor. Vitet e fundit përbuzja ndaj këtyre bindjeve është shndërruar në tallje dhe armiqësi të hapur.» Kjo armiqësi shpesh buron nga ata që mohojnë ekzistencën e Perëndisë dhe janë bërë «mendjelehtë në arsyetimet e tyre».—Romakëve 1:20-22.
6. Çfarë pikëpamje ka bota për praktikat seksuale që Perëndia i dënon?
6 Nuk është për t’u habitur pra që njerëzit po largohen gjithnjë e më shumë nga normat e Perëndisë për sjelljen. Për shembull, Bibla i përshkruan marrëdhëniet homoseksuale si ‘të ndyra’. (Romakëve 1:26, 27) Ajo thotë gjithashtu, se ata që praktikojnë kurvërinë dhe kurorëshkeljen nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. (1 Korintasve 6:9) Megjithatë, në shumë vende këto praktika seksuale jo vetëm shihen si të pranueshme, por nëpër libra, revista, këngë, filma dhe shfaqje televizive përshkruhen si gjëra tërheqëse. Ata që ngrenë zërin kundër këtyre praktikave shihen si jotolerantë, që kanë prirje për të gjykuar të tjerët dhe konsiderohen të prapambetur. Në vend që t’i shohë normat e Perëndisë si shprehje e interesimit të tij të dashur, bota i sheh si pengesa ndaj lirisë dhe kënaqësisë personale.—Fjalët e urta 17:15; Juda 4.
7. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
7 Në mes të një bote që po merr një qëndrim gjithnjë e më të vendosur kundër Perëndisë, do të ishte e mençur të shqyrtonim qëndrimin dhe vlerat tona. Rregullisht duhet të shqyrtojmë veten me ndershmëri dhe duke u lutur, për t’u siguruar se nuk po largohemi dalëngadalë nga normat dhe nga mënyra e të menduarit e Jehovait. Për shembull, mund të pyesim veten: ‘A zbavitem me gjëra nga të cilat do të kisha qëndruar larg disa vite më parë? A jam bërë më tolerant ndaj praktikave që Perëndia i dënon? A kam prirjen që t’i marr çështjet frymore me më pak seriozitet sesa në të kaluarën? A tregon mënyra ime e jetesës se i vë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë?’ (Mateu 6:33) Meditimi për këto gjëra do të na ndihmojë t’i rezistojmë frymës së botës.
«Të mos na marrë kurrë rryma»
8. Si mund të largohet dikush nga Jehovai?
8 Apostulli Pavël u shkroi të bashkëkrishterëve: «E kemi të nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që dëgjuam, që të mos na marrë kurrë rryma.» (Hebrenjve 2:1) Një anije që shmanget nga kursi i duhur, nuk arrin dot në vendin e dëshiruar. Nëse kapiteni nuk i kushton vëmendje erërave dhe rrymave detare, anija e tij fare lehtë mund të shtyhet matanë limanit dhe të ngecë në një breg shkëmbor. Po kështu, nëse nuk u kushtojmë vëmendje të vërtetave të çmuara të Fjalës së Perëndisë, fare lehtë mund të largohemi nga Jehovai dhe të pësojmë anijethyerje frymore. Që të na ndodhë kjo, nuk duhet medoemos të hedhim poshtë të vërtetën tërësisht. Në fakt nuk janë shumë ata që e hedhin poshtë Jehovain papritur dhe qëllimisht. Më shpesh ndodh që ata përfshihen dalëngadalë në diçka që i shpërqendron duke u larguar vëmendjen nga Fjala e Perëndisë. Pothuajse pa e kuptuar shtyhen drejt e në mëkat. Ashtu si një kapiten që e ka zënë gjumi, këta individë zgjohen kur është tepër vonë.
9. Në cilat mënyra e bekoi Jehovai Solomonin?
9 Mendoni për jetën e Solomonit. Jehovai i besoi atij mbretërimin mbi Izraelin. Perëndia e lejoi Solomonin të ndërtonte tempullin dhe e udhëzoi të shkruante pjesë të Biblës. Jehovai foli me të në dy raste dhe i dha atij pasuri, famë dhe paqe gjatë mbretërimit të tij. Mbi të gjitha, Jehovai e bekoi Solomonin me shumë mençuri. Bibla thotë: «Perëndia i dha Salomonit dituri [mençuri, BR], zgjuarsi të madhe dhe një mendje të hollë si rëra që është në bregun e detit. Dhe dituria e Salomonit ia kaloi diturisë të të gjithë bijve të Lindjes dhe tërë diturisë të egjiptasve.» (1 Mbretërve 4:21, 29, 30; 11:9) Sigurisht, dikush mund të mendojë që nëse do të kishte një njeri i cili do të mund t’i qëndronte besnik Perëndisë, ai do të ishte Solomoni. Megjithatë, Solomoni ra në apostazi. Si ndodhi kjo?
10. Cilit urdhër nuk iu bind Solomoni? Cila qe pasoja?
10 Solomoni e njihte dhe e kuptonte plotësisht Ligjin e Perëndisë. Pa dyshim ai duhet të ketë shfaqur interesim të veçantë ndaj urdhërimeve që jepeshin për ata që bëheshin mbretër të Izraelit. Mes këtyre urdhërimeve ishte një që thoshte: «[Mbreti] nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret.» (Ligji i përtërirë 17:14, 17) Pavarësisht nga ky urdhër i qartë, Solomoni mori shtatëqind gra dhe treqind konkubina. Shumë prej këtyre grave adhuronin perëndi të huaja. Nuk e dimë pse Solomoni mori kaq shumë gra dhe as nuk dimë se çfarë justifikimesh nxori për këtë gjë. Ajo që dimë me siguri është se ai nuk iu bind urdhrit të qartë të Perëndisë. Pasoja ishte pikërisht ajo që kishte paralajmëruar Jehovai. Në Bibël lexojmë: «Bashkëshortet [e Solomonit] ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera.» (1 Mbretërve 11:3, 4) Pak nga pak mençuria e tij hyjnore u venit. Ai u largua nga udha e drejtë. Me kalimin e kohës, dëshira e Solomonit për t’u pëlqyer grave të tij pagane i zuri vendin dëshirës për t’iu bindur dhe për t’i pëlqyer Perëndisë. Sa tragjike qe për Solomonin, i cili më parë kishte shkruar vetë këto fjalë: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.»—Fjalët e urta 27:11.
Fryma e botës është e fuqishme
11. Në ç’mënyrë, gjërat që futim në mendje ndikojnë në mënyrën tonë të të menduarit?
11 Shembulli i Solomonit na mëson që është e rrezikshme të arsyetojmë se meqë njohim të vërtetën, bota nuk mund të ndikojë në mënyrën tonë të të menduarit. Ashtu si ushqimi fizik ndikon në trupin tonë, ushqimi mendor ndikon në mendjen tonë. Gjërat me të cilat e ushqejmë mendjen, u japin formë mënyrës sonë të të menduarit dhe qëndrimeve tona. Duke e ditur këtë gjë, firmat e mëdha tregtare harxhojnë miliarda dollarë çdo vit për të reklamuar produktet e tyre. Në reklamat e suksesshme përdoren me zgjuarsi fjalë dhe pamje që u bëjnë thirrje dëshirave dhe fantazive të konsumatorit. Reklamuesit e dinë gjithashtu se një reklamë që shihet një ose dy herë, zakonisht nuk do t’ua mbushë mendjen njerëzve që të vrapojnë për të blerë produktet e tyre. Sidoqoftë, me kalimin e kohës shikimi i përsëritur i reklamave shpesh bën që konsumatorët ta shohin një produkt me sy të mirë. Reklamat kanë sukses, përndryshe askush nuk do të investonte para për to. Reklamat ushtrojnë një ndikim të fuqishëm te mënyra e të menduarit dhe te qëndrimet e njerëzve.
12. (a) Si ushtron ndikim Satanai te mënyra e të menduarit të njerëzve? (b) Çfarë e tregon se edhe të krishterët mund të ndikohen prej tij?
12 Ashtu si një reklamues, Satanai përhap idetë e tij duke i paraqitur në mënyra tërheqëse. E bën këtë sepse e di që me kalimin e kohës mund t’ua mbushë mendjen njerëzve që të pranojnë mënyrën e tij të të menduarit. Nëpërmjet zbavitjeve dhe mënyrave të tjera, Satanai i mashtron njerëzit që të besojnë se e mira është e keqe dhe Isaia 5:20) Madje edhe të krishterët e vërtetë kanë rënë pre e fushatës së informacioneve të gënjeshtërta të Satanait. Bibla paralajmëron: «Shprehja e frymëzuar e thotë shkoqur se në periudha të mëvonshme kohe disa do të bien nga besimi, duke u kushtuar vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese dhe mësimeve të demonëve, prej hipokrizisë së njerëzve që thonë gënjeshtra, të damkosur në ndërgjegjen e tyre si me hekur të nxehtë.»—1 Timoteut 4:1, 2; Jeremia 6:15.
e keqja është e mirë. (13. Cilat janë shoqëri të këqija? Si ndikojnë te ne shoqëritë që kemi?
13 Askush nga ne nuk është i paprekshëm nga fryma e botës. Erërat dhe rrymat e sistemit të Satanait janë të fuqishme. Bibla na këshillon me mençuri: «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Shoqëritë e këqija mund të përfshijnë çdo gjë ose çdo njeri, madje edhe brenda kongregacionit, që pasqyron frymën e botës. Në qoftë se mendojmë se shoqëritë e këqija nuk mund të na dëmtojnë, atëherë duhet të nxjerrim gjithashtu përfundimin se shoqëritë e mira nuk mund të na ndërtojnë. Sa e gabuar do të ishte kjo! Bibla e shpjegon qartë këtë gjë kur thotë: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.»—Fjalët e urta 13:20.
14. Në cilat mënyra mund t’i rezistojmë frymës së botës?
14 Për t’i rezistuar frymës së botës duhet të shoqërohemi me njerëz të mençur, pra me ata që i shërbejnë Jehovait. Duhet ta mbushim mendjen me gjëra që na ndërtojnë besimin. Apostulli Pavël shkroi: «Çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston dhe çdo gjë e denjë për lëvdim që ekziston, këto gjëra vazhdoni të konsideroni.» (Filipianëve 4:8) Duke pasur vullnet të lirë, ne mund të zgjedhim se çfarë gjërash të konsiderojmë ose për të cilat të mendojmë thellë. Le të mendojmë gjithmonë për gjëra që do të na afrojnë më shumë me Jehovain!
Fryma e Perëndisë është më e fuqishme
15. Si ndryshonin të krishterët në Korintin e lashtë nga banorët e tjerë të këtij qyteti?
15 Ndryshe nga ata që janë të mashtruar nga fryma e botës, të krishterët e vërtetë udhëhiqen nga fryma e shenjtë e Perëndisë. Kongregacionit në Korint Pavli i shkroi: «Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është prej Perëndisë, që të njohim gjërat që Perëndia na i ka dhënë me dashamirësi.» (1 Korintasve 2:12) Korinti i lashtë ishte një qytet ku sundonte fryma e botës. Shumica e banorëve të tij ishin kaq të shthurur, saqë shprehja «të sillesh si korintas» mori kuptimin «të jesh imoral». Satanai ua kishte verbuar mendjet njerëzve. Si pasojë ata dinin pak ose nuk dinin asgjë rreth Perëndisë së vërtetë. (2 Korintasve 4:4) Megjithatë, nëpërmjet frymës së tij të shenjtë Jehovai ua hapi sytë disa korintasve duke u dhënë mundësinë që të fitonin njohuri për të vërtetën. Fryma e tij i nxiti dhe i drejtoi ata që të bënin ndryshime të mëdha në jetë, me qëllim që të merrnin miratimin dhe bekimin e tij. (1 Korintasve 6:9-11) Ndonëse fryma e botës ishte e fuqishme, fryma e Jehovait ishte edhe më e fuqishme.
16. Si mund ta marrim dhe ta ruajmë frymën e Perëndisë?
16 E njëjta gjë është e vërtetë edhe sot. Fryma e shenjtë e Jehovait është forca më e fuqishme në univers dhe ai ua jep këtë frymë bujarisht dhe lirisht të gjithë atyre që ia kërkojnë me besim. (Luka 11:13) Por për të pasur frymën e Perëndisë nuk duhet vetëm sa t’i rezistojmë frymës së botës. Duhet edhe që rregullisht të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe ta zbatojmë në jetën tonë në mënyrë që fryma jonë, pra prirja jonë mendore, të jetë në përputhje me mënyrën e Tij të të menduarit. Nëse veprojmë kështu, Jehovai do të na forcojë që t’i qëndrojmë çdo taktike që Satanai mund të përdorë për të shkatërruar gjendjen tonë frymore.
17. Në cilat mënyra mund të na ngushëllojë përvoja e Lotit?
17 Edhe pse të krishterët nuk janë pjesë e botës ata janë në botë. (Gjoni 17:11, 16) Askush nga ne nuk mund t’i shmanget plotësisht frymës së botës, sepse mund të punojmë, e madje të jetojmë me njerëz që nuk kanë dashuri për Perëndinë ose për udhët e tij. A ndihemi si Loti i cili ishte «shumë i brengosur», madje i munduar nga veprat e paligjshme të njerëzve të Sodomës, mes të cilëve jetonte? (2 Pjetrit 2:7, 8) Nëse po, mund të marrim ngushëllim. Jehovai e mbrojti dhe e çliroi Lotin dhe mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ne. Ati ynë i dashur i sheh dhe i di rrethanat tona dhe mund të na japë ndihmën dhe forcën që na nevojitet për të ruajtur gjendjen tonë frymore. (Psalmi 33:18, 19) Në rast se mbështetemi dhe besojmë tek ai, si dhe i lutemi atij, ai do të na ndihmojë që t’i rezistojmë frymës së botës, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë situata jonë.—Isaia 41:10.
18. Pse duhet ta çmojmë shumë marrëdhënien tonë me Jehovain?
18 Në një botë që është larguar nga Perëndia dhe është e mashtruar nga Satanai, ne si populli i Jehovait jemi të bekuar me njohurinë e së vërtetës. Për këtë arsye përjetojmë një gëzim dhe paqe të tillë që bota nuk e ka. (Isaia 57:20, 21; Galatasve 5:22) Kemi shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme në parajsë, ku nuk do të jetë më fryma e kësaj bote që po vdes. Prandaj, le ta çmojmë shumë marrëdhënien tonë të shtrenjtë me Perëndinë dhe le të jemi vigjilentë për të ndrequr çdo prirje që të mos na marrë rryma. Le t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Jehovait dhe ai do të na ndihmojë që t’i rezistojmë frymës së botës!—Jakovi 4:7, 8.
A mund të shpjegoni?
• Në cilat mënyra Satanai i ka mashtruar dhe gënjyer njerëzit?
• Çfarë mund të bëjmë që të mos largohemi nga Jehovai?
• Çfarë gjëje tregon se fryma e botës është e fuqishme?
• Si mund ta marrim dhe ta ruajmë frymën e Perëndisë?
[Pyetjet]
[Tabela në faqen 11]
MENÇURIA E BOTËS NË KUNDËRSHTIM ME MENÇURINË E PERËNDISË
E vërteta është relative—njerëzit e përcaktojnë vetë të vërtetën.
«Fjala [e Perëndisë] është e vërteta.»—Gjoni 17:17.
Për të përcaktuar se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, besoju ndjenjave të tua.
«Zemra është më tradhtare se çdo gjë tjetër dhe është vështirë të kontrollohet.»—Jeremia 17:9, BR.
Bëji gjërat si të pëlqen.
«Njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»—Jeremia 10:23.
Pasuria është çelësi i lumturisë.
«Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme.»—1 Timoteut 6:10.
[Figura në faqen 10]
Solomoni u largua nga adhurimi i vërtetë dhe iu drejtua perëndive të rreme
[Figura në faqen 12]
Satanai nxit frymën e botës ashtu siç bën një reklamues me produktet e tij. A po i rezistoni kësaj fryme?