A po bëhet vullneti i Perëndisë?
A po bëhet vullneti i Perëndisë?
«U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.»—Mateu 6:10.
HULIO dhe Kristina shihnin të llahtarisur ndërsa katër fëmijët e tyre po i përpinin flakët. Një shofer i dehur kishte goditur makinën e tyre të parkuar dhe ajo kishte shpërthyer e kishte marrë flakë. Markosi, fëmija i pestë, shpëtoi nga ky tmerr, por flaka ia kishte djegur trupin duke e shfytyruar përgjithmonë. Markosi ishte nëntë vjeç. I ati ishte i pikëlluar. Ai ngushëlloi veten dhe familjen me fjalët: «Ky është vullneti i Perëndisë, duhet ta pranojmë këtë, qoftë e mirë, qoftë e keqe.»
Përballë një ngjarjeje tragjike si kjo, shumë njerëz reagojnë në mënyrë të ngjashme. Ata arsyetojnë: ‘Nëse Perëndia është i plotfuqishëm dhe interesohet për ne, gjithçka që ndodh duhet të jetë në ndonjë farë mënyre për të mirën tonë, megjithëse mund të jetë shumë e vështirë për t’u kuptuar.’ A jeni dakord me këtë?
Ky mendim se çfarëdo që ndodh, e mirë ose e keqe, është vullneti i Perëndisë, shpesh bazohet te fjalët e Jezuit që gjenden në lutjen e përmendur më sipër të quajtur «Ati ynë». Vullneti i Perëndisë po bëhet në qiell, apo jo? Atëherë kur lutemi ‘u bëftë vullneti yt mbi tokë’, a nuk po pranojmë se çfarëdo që ndodh në tokë është vullneti i Perëndisë?
Shumë veta nuk i qetëson ky mendim. Për ta ky mendim e përshkruan Perëndinë si të pandjeshëm ndaj krijesave të tij njerëzore. Ata pyesin: ‘Si mund të dëshirojë një Perëndi i dashur një gjë të tmerrshme për njerëzit e pafajshëm? Në qoftë se Perëndia do të na japë ndonjë mësim, cili është ky mësim?’ Ndoshta kështu ndiheni edhe ju.
Në lidhje me këtë vëllai i Jezuit nga nëna, dishepulli Jakov, shkroi: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po sprovohem nga Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Perëndia nuk është burimi i së keqes. Prandaj është e qartë se jo çdo gjë që ndodh në tokë sot, është vullneti i Perëndisë. Shkrimet flasin edhe për vullnetin e njeriut, vullnetin e kombeve e madje edhe për vullnetin e Djallit. (Gjoni 1:13; 2 Timoteut 2:26; 1 Pjetrit 4:3) A jeni dakord se ajo që i ndodhi familjes së Hulios dhe të Kristinës nuk mund të ketë qenë vullneti i një Ati të dashur qiellor?
Atëherë, çfarë donte të thoshte Jezui kur i mësoi dishepujt të luteshin: ‘U bëftë vullneti yt?’ A mos ishte thjesht një kërkesë që Perëndia të ndërhynte në raste të veçanta apo Jezui po mësonte që të luteshim për diçka shumë më të rëndësishme e më të mirë, pra për një ndryshim tek i cili të shpresojnë të gjithë? Le të shqyrtojmë më tej se çfarë thuhet në Bibël.
[Burimet e figurave në faqen 3]
Makina: Dominique Faget-STF/AFP/Getty Images; fëmija: fotografi nga FAO/B. Imevbore