Dëshmia joformale në fushën anglishtfolëse të Meksikës
Dëshmia joformale në fushën anglishtfolëse të Meksikës
TEKSA priste shokët e udhëtimit në Athinë, apostulli Pavël e shfrytëzoi këtë kohë për të dhënë dëshmi joformale. Bibla raporton: «[Ai] nisi të arsyetonte . . . çdo ditë në sheshin e pazarit me ata që qëllonin aty.» (Veprat 17:17) Gjatë udhëtimit nga Judea për në Galile, Jezui i dëshmoi në mënyrë joformale një gruaje samaritane pranë një pusi. (Gjoni 4:3-26) Po ju, a shfrytëzoni çdo rast për të folur për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë?
Dëshmia joformale është veçanërisht e përshtatshme në fushën anglishtfolëse në Meksikë. Shumë të huaj vizitojnë pika turistike. Të huaj të tjerë që kanë shkuar të pushojnë në vende të qeta në Meksikë, frekuentojnë parqet dhe restorantet. Gjithashtu ka gjithnjë studentë që shkojnë e vijnë. Shumë Dëshmitarë të Jehovait që dinë anglisht janë bërë të aftë për të nisur biseda me individë të tillë. Në të vërtetë, ata janë syçelë për të folur me këdo që duket se është i huaj ose flet anglisht. Le të shohim se si veprojnë.
Shumë herë Dëshmitarët e huaj që shërbejnë në fushën angleze thjesht prezantohen me individët që duket se nuk janë nga Meksika dhe i pyesin se nga vijnë. Kjo natyrisht çon në pyetjen se çfarë po bën Dëshmitari në Meksikë dhe kështu Dëshmitari ka mundësi të flasë për bindjet e krishtere. Për shembull, Gloria, e cila po shërben atje ku ka nevojë, në fushën angleze në Oaksakë, vëren se e ka të lehtë të nisë biseda në këtë mënyrë. Teksa po kthehej në shtëpi pasi kishte predikuar në mënyrë joformale në sheshin e qytetit, Glorias iu afrua një çift nga Anglia. Gruaja tha e habitur: «Nuk mund ta besoj që po shoh një grua me ngjyrë duke ecur në rrugët e Oaksakës!» Në vend që ta merrte për fyerje, Gloria qeshi dhe filloi t’i shpjegonte përse ndodhej në Meksikë. Gruaja e ftoi Glorian në shtëpi për një kafe. Pasi lanë takimin Gloria i ofroi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, por gruaja nuk i pranoi duke thënë se ishte ateiste. Gloria iu përgjigj se i pëlqente të fliste me ateistët dhe do të dëshironte të dëgjonte mendimin e saj për artikullin «Vendet e adhurimit: A na nevojiten?» Gruaja pranoi duke thënë: «Nuk ma mbush dot mendjen kollaj se ka një Perëndi.» Kur po pinin kafenë bënë disa biseda interesante. Më vonë çifti u kthye në Angli, por bisedat vazhduan me anë të postës elektronike.
Gjithashtu, Gloria nisi një bisedë me Saronën, një studente nga Uashington D.C. Ajo ndodhej në Oaksakë për të bërë punë vullnetare me gratë vendëse me qëllim që
të merrte një kualifikim të veçantë. Pasi e lavdëroi Saronën për punën që po bënte, Gloria i shpjegoi përse ndodhej në Meksikë. Kjo çoi në një bisedë të këndshme rreth Biblës dhe rreth asaj që do të bëjë Perëndia, jo vetëm për të varfrit, por për të gjithë njerëzit. Sarona tha se ishte një gjë e çuditshme që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishte folur kurrë me Dëshmitarët, por një nga personat e parë që po takonte në Meksikë ishte pikërisht një Dëshmitare e Jehovait! Sarona pranoi një studim biblik dhe menjëherë filloi të ndiqte mbledhjet e krishtere.Shumë të huaj janë transferuar në plazhet e Meksikës, me dëshirën për të gjetur në këtë vend ndonjë lloj parajse. Lorela e përdor këtë temë për të nisur biseda në Akapulko. Ajo i pyet njerëzit nëse Akapulko ngjan më shumë me parajsën sesa vendi i tyre dhe i pyet gjithashtu se çfarë u pëlqen tek Akapulko. Pastaj shpjegon se së shpejti e gjithë toka do të bëhet një parajsë e vërtetë. Lorela përdori këtë metodë me një grua kanadeze të cilën e takoi te veterineri dhe më pas nisi një studim biblik me të. A mund të jetë frytdhënëse një metodë e tillë në vendin tuaj?
‘Në rrugë dhe në sheshe’
Shpesh mund të fillohet një bisedë në rrugë dhe në sheshe duke pyetur: «A flitni anglisht?» Shumë meksikanë flasin për shkak të profesionit ose ngaqë kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara.
Një çift Dëshmitarësh iu afrua një zonje të moshuar të cilën po e shtynte në një karrocë invalidësh një infermiere. Çifti e pyeti zonjën nëse fliste anglisht. Ajo u përgjigj po, sepse kishte jetuar shumë vite në Shtetet e Bashkuara. Pranoi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, të cilat nuk i kishte lexuar kurrë më parë. Zonja tha se quhej Konsuelo dhe u dha adresën. Kur katër ditë më pas po shkonin në vendin ku banonte Konsueloja, zbuluan se ishte një azil që administrohej nga murgeshat katolike. Në fillim e patën të vështirë të flitnin me Konsuelon, sepse murgeshat dyshuan te çifti dhe thanë se Konsueloja nuk mund t’i priste. Çifti u kërkoi murgeshave që të njoftonin Konsuelon se kishin ardhur për ta takuar dhe se donin ta përshëndetnin. Konsueloja e mirëpriti çiftin. Që nga ajo kohë, kjo grua 86-vjeçare po bën një studim biblik të rregullt, pavarësisht nga komentet negative që bëjnë murgeshat. Gjithashtu, ka ndjekur disa mbledhje të krishtere.
Te Fjalët e urta 1:20 thuhet se mençuria «bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe». Vini re se si ndodhi kjo në sheshin e San-Migel de Ajendes. Një ditë herët në mëngjes, Ralfi iu afrua një mesoburri që ishte ulur në një stol. Burri u habit shumë kur Ralfi i ofroi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe i tregoi Ralfit historinë e jetës së vet.
Ai ishte veteran i luftës së Vietnamit. Si pasojë e stresit emocional që kishte përjetuar duke parë kaq shumë vrasje, kishte pësuar çrregullime mendore gjatë shërbimit ushtarak. Atë e kishin dërguar nga fronti i luftës në një kamp. Atje e caktuan të lante trupat e ushtarëve të vrarë që t’i përgatitnin për t’i dërguar më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani, 30 vjet më pas, ai ende vuante nga
makthe të vazhdueshme dhe nga tmerret që kishte përjetuar. Atë mëngjes, teksa rrinte ulur në sheshin e qytetit, po lutej në heshtje për ndihmë.Veterani pranoi literaturën, si edhe ftesën për në Sallën e Mbretërisë. Pasi ndoqi mbledhjen ai tha se gjatë dy orëve në Sallën e Mbretërisë, për herë të parë pas 30 vjetësh kishte provuar paqe. Ky burrë ndodhej në San-Migel de Ajende vetëm për dy javë, por bëri disa herë studim biblik dhe ndoqi të gjitha mbledhjet derisa u kthye në shtëpi. U morën masa që të vazhdonte studimin në vendin e tij.
Dëshmi joformale në punë dhe në shkollë
A identifikoheni si Dëshmitarë të Jehovait në vendin ku punoni? Adriani, i cili ka si punë të japë me qira apartamente pushimi në Kepin San-Lukas, vepron në këtë mënyrë. Si rezultat, shoqja e tij e punës, Xhudi, tregon: «Vetëm tri vite më parë, nëse dikush do të më kishte thënë që të bëhesha Dëshmitare e Jehovait, do t’i isha përgjigjur: ‘As për një milion vjet!’ Por vendosa të lexoja Biblën. Mendova: ‘Nuk mendoj se do të jetë një gjë e vështirë, meqenëse më pëlqen të lexoj!’ E pra, nuk mendoja që pasi të kisha lexuar gjashtë faqe do të kisha nevojë për ndihmë. I vetmi person që mendoja se mund të më ndihmonte ishte një shok pune që quhej Adrian. Më pëlqente të flisja me të, sepse ishte i vetmi individ në punë që kishte një sjellje të dëlirë.» Menjëherë Adriani u tregua i gatshëm të shkonte me të fejuarën, Kejtin, dhe t’u përgjigjej të gjithë pyetjeve të Xhudit. Kejti filloi një studim biblik me të dhe jo shumë kohë më vonë Xhudi u bë një Dëshmitare e pagëzuar.
A mund të jepni dëshmi joformale në shkollë? Dy Dëshmitare merrnin leksione të gjuhës spanjolle në universitet. Një ditë munguan, sepse morën pjesë në një asamble të krishtere. Kur u kthyen, iu kërkua të tregonin në spanjisht se çfarë kishin bërë atje. Motrat përfituan nga ky rast që të jepnin dëshmi sa më mirë që të kishin mundësi, në spanjisht. Mësuesja, Silvia, ishte shumë e interesuar për profecitë e Biblës. Ajo pranoi një studim biblik në anglisht dhe tani është një lajmëtare e lajmit të mirë. Edhe disa pjesëtarë të familjes së saj po studiojnë. Silvia thotë: «Gjeta atë që po kërkoja gjatë gjithë jetës.» Po, dëshmia joformale mund të sjellë fryte të shkëlqyera.
Shfrytëzojnë mundësi të tjera
Kur tregohemi mikpritës, mund të krijohen rrethana të favorshme për të dhënë dëshmi. Xhimi dhe Gejla, që po shërbejnë në San-Karlos të Sonorës, panë se kjo është e vërtetë. Një grua që po shëtiste qentë në orën 6 të mëngjesit ndali për të soditur oborrin e tyre. Xhimi dhe Gejla e ftuan të pinte një kafe. Për herë të parë gjatë 60 vjetëve të jetës ajo dëgjoi për
Jehovain dhe për shpresën e jetës së përhershme. Me të u fillua një studim biblik.Edhe Adriana sillet me mirëdashje me të huajt. Ajo po hante në një restorant në Kankun kur një djalosh iu afrua dhe e pyeti nëse ishte nga Kanadaja. Kur iu përgjigj po, ai tha se bashkë me mamanë po përpiqeshin të ndihmonin motrën e tij që të përgatiste një detyrë shtëpie rreth kanadezëve. Mamaja, e cila fliste anglisht, u ul pranë Adrianës. Pasi iu përgjigj me durim pyetjeve të tyre rreth kanadezëve, Adriana tha: «Por ka një arsye shumë të rëndësishme përse erdha nga Kanadaja këtu. Erdha t’i ndihmoj njerëzit që të mësojnë rreth Biblës. Po juve, a ju intereson të mësoni?» Gruaja u përgjigj se i interesonte. Ajo e kishte lënë kishën e saj para dhjetë vjetësh dhe ishte përpjekur ta studionte vetë Biblën. I dha Adrianës numrin e telefonit e adresën dhe me të u fillua një studim biblik i këndshëm.
«Hidh bukën tënde mbi ujërat»
Të flasësh për të vërtetën biblike në çdo rast, shpesh çon në dhënien e dëshmisë njerëzve që kanë pasur pak ose nuk kanë pasur asnjë mundësi për të dëgjuar mesazhin e Mbretërisë. Në një lokal në qytetin-port të Ziuatanehos, i cili ishte plot me njerëz, një Dëshmitare ftoi një çift të huajsh që të uleshin në tryezën e saj, meqë nuk kishin ku të uleshin. Çifti kishte lundruar nga njëri vend në tjetrin prej shtatë vitesh. Ata shprehën mendimet e tyre negative për Dëshmitarët e Jehovait. Pas takimit në lokal, Dëshmitarja e vizitoi çiftin në barkën e tyre dhe i ftoi në shtëpinë e saj. Ata pranuan më tepër se 20 revista dhe 5 libra dhe premtuan se do të kontaktonin me Dëshmitarët kur të ndaleshin në portin tjetër.
Xhefi dhe Debi vunë re një familje me një foshnjë të bukur në një qendër tregtare në Kankun. Kur Xhefi dhe Debi thanë disa fjalë rreth foshnjës, prindërit e saj i ftuan që të hanin pica së bashku. Morën vesh se familja ishte nga India. Ata nuk kishin dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait dhe as nuk kishin parë ndonjëherë literaturën tonë. Kur u larguan nga qendra tregtare, me vete morën disa botime të Dëshmitarëve.
Diçka e ngjashme ndodhi në një ishull pranë bregut të Jukatanit. Një çift kinez i sapomartuar i kërkoi Xhefit që t’u bënte disa foto dhe ai ua bëri me kënaqësi. Xhefi mësoi që ndonëse ata jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 12 vjetësh, nuk kishin parë ose dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait. U bë një bisedë e këndshme. Xhefi i nxiti që kur të ktheheshin në shtëpi të kontaktonin Dëshmitarët.
Në zonën tuaj mund të ketë ndonjë ngjarje të veçantë që mund të krijojë mundësinë për të dhënë dëshmi joformale. Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës erdhi të vizitonte presidentin e Meksikës në fermën e tij pranë Guanajuatos, për të pasqyruar atë ngjarje erdhën reporterë nga e gjithë bota. Një familje Dëshmitarësh vendosën të përfitonin nga ky rast për të predikuar në anglisht. Reagimi ishte pozitiv. Për shembull, një reporter kishte bërë reportazhe në lidhje me disa luftëra, si në Kosovë dhe në Kuvajt. Një koleg i kishte vdekur në krahë, sepse e kishte qëlluar një snajper. Kur dëgjoi për shpresën e ringjalljes, reporteri me lot në sy e falënderoi Perëndinë që i bëri të njohur se jeta ka një qëllim. Ai tha që ndonëse nuk do ta shihte përsëri çiftin e Dëshmitarëve, do ta mbante në zemër këtë lajm të mirë nga Bibla.
Siç mund të shihet, rezultati përfundimtar i një dëshmie të tillë shpesh nuk dihet. Megjithatë mbreti i mençur Solomon tha: «Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri.» Gjithashtu tha: «Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy.» (Predikuesi 11:1, 6) Po, ‘le ta hedhim bukën tonë’ me zell mbi ujërat dhe ‘le ta mbjellim farën tonë’ me bujari, ashtu siç bëri Pavli e Jezui dhe siç bëjnë këta Dëshmitarë të kohëve të sotme në fushën anglishtfolëse të Meksikës.