Kur vullneti i Perëndisë të bëhet mbi tokë
Kur vullneti i Perëndisë të bëhet mbi tokë
KUR Jezui i mësoi dishepujt të luteshin «U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë», po fliste nga përvoja e tij, sepse kishte jetuar më parë në qiell me Atin. (Mateu 6:10; Gjoni 1:18; 3:13; 8:42) Gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore, Jezui jetonte në një kohë kur gjithçka që ndodhte në qiell dhe në tokë ishte në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Ajo ishte një periudhë e këndshme dhe gjatë së cilës u kryen vepra të jashtëzakonshme.—Fjalët e urta 8:27-31.
Krijesat e para të Perëndisë ishin krijesa frymore, ‘engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bënin atë që thoshte ai’. Ata ishin dhe janë shërbëtorët e tij ‘që zbatojnë vullnetin e tij’. (Psalmi 103:20, 21) A kishte çdo engjëll vullnet të lirë? Po, dhe kur u krijua toka, këta ‘bij të Perëndisë lëshonin britma gëzimi’ ose brohoritnin. (Jobi 38:7) Brohoritjet e tyre pasqyronin kënaqësinë për vullnetin e Perëndisë dhe ata e pranuan plotësisht këtë vullnet.
Pasi krijoi tokën Perëndia e përgatiti atë si banesë për njerëzit dhe në fund krijoi burrin dhe gruan e parë. (Zanafilla, kapitulli 1) A ishte edhe kjo një gjë që meritonte brohoritje? Tregimi i frymëzuar thotë: «Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» Po, gjithçka ishte pa të meta, e përsosur.—Zanafilla 1:31.
Cili ishte vullneti i Perëndisë për prindërit tanë të parë dhe për pasardhësit e tyre? Sipas Zanafillës 1:28 Ai donte më të mirën për ta. Në këtë varg thuhet: «Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.’» Për ta përmbushur këtë detyrë të mrekullueshme, prindërit tanë të parë duhej të jetonin përgjithmonë. Po ashtu duhej të jetonin përgjithmonë edhe pasardhësit e tyre. Asgjë nuk të bënte të mendoje se do të ndodhnin tragjedi, do të kishte padrejtësi, brenga ose vdekje.
Kjo ishte një kohë kur vullneti i Perëndisë po bëhej si në qiell, ashtu edhe në tokë. Ata që jetonin sipas vullnetit të tij gjenin shumë kënaqësi. Çfarë shkoi keq?
Papritur dikush vuri në dyshim vullnetin e Perëndisë. Kjo nuk ishte një situatë e pazgjidhshme. Megjithatë, i dha shkas fillimit të një periudhe të gjatë me brenga dhe pikëllime, që do ta bënte shumë të paqartë se cili ishte vullneti i Perëndisë për njerëzimin. Të gjithë jemi viktima të këtyre brengave dhe pikëllimeve. Si u vu në dyshim vullneti i Perëndisë?
Vullneti i Perëndisë gjatë një kohe rebelimi
Një nga «bijtë» frymorë të Perëndisë mendoi se mund ta pengonte realizimin e vullnetit të Perëndisë për njerëzimin, me qëllim që të nxirrte ndonjë dobi për vete. Sa më shumë që e bluante në mendje këtë mundësi, aq më e arritshme dukej dhe aq më tërheqëse bëhej ajo. (Jakovi 1:14, 15) Ai mund të ketë arsyetuar që, në qoftë se do ta bënte çiftin e parë që të dëgjonte atë në vend të Perëndisë, atëherë Perëndia do të detyrohej të lejonte një rival ndaj sovranitetit të tij. Mund të ketë menduar se Perëndia nuk do t’i ekzekutonte ata, sepse kjo do të nënkuptonte dështimin e qëllimit të Perëndisë. Në vend të kësaj Perëndia Jehova do të detyrohej të bënte ndryshime në qëllimin e tij, duke pranuar pozitën e këtij biri frymor, të cilit tani krijesat e Tij njerëzore do t’i bindeshin. Në mënyrë të përshtatshme ky rebel më pas u quajt Satana, domethënë «Kundërshtar».—Jobi 1:6.
Duke vepruar në përputhje me dëshirën e tij, Satanai iu afrua gruas. Ai e nxiti që ta shpërfillte vullnetin e Perëndisë dhe të bëhej e pavarur nga Perëndia në lidhje me normat morale. Satanai tha: «Ju s‘keni për të vdekur aspak. . . . Do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:1-5) Kjo iu duk gruas si një gjë që do t’i jepte liri të pakufizuar dhe besoi se duke e dëgjuar Satanain do të bënte një jetë më të mirë. Më vonë ajo ia mbushi mendjen edhe burrit që të bashkohej me të.—Zanafilla 3:6.
Ky nuk ishte vullneti i Perëndisë për çiftin e parë. Ai ishte vullneti i tyre dhe do të sillte pasoja shkatërrimtare. Perëndia tashmë u kishte thënë se një mosbindje e tillë do t’i çonte në vdekje. (Zanafilla 3:3) Ata nuk ishin krijuar që t’ia dilnin mbanë në jetë, të pavarur nga Perëndia. (Jeremia 10:23) Përveç kësaj do të bëheshin të papërsosur dhe papërsosmërinë dhe vdekjen tani do ta trashëgonin pasardhësit e tyre. (Romakëve 5:12) Satanai nuk mund t’i zhdukte këto pasoja.
A e ndryshoi njëherë e përgjithmonë e gjithë kjo qëllimin ose vullnetin e Perëndisë për njerëzimin dhe tokën? Jo. (Isaia 55:9-11) Por për shkak të asaj që ndodhi, u ngritën disa çështje që duheshin zgjidhur: A mundet njeriu të jetë ‘si Perëndia duke njohur të mirën dhe të keqen’, siç kishte pohuar Satanai? Me fjalë të tjera, po të na jepet kohë e mjaftueshme, a mund ta përcaktojmë vetë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar, çfarë është e dobishme dhe çfarë është e dëmshme, në të gjitha fushat e jetës? A meriton Perëndia bindje të plotë, sepse mënyra e tij e të sunduarit është më e mira? A meriton t’i bindemi plotësisht vullnetit të tij? Si do të përgjigjeshit?
Kishte vetëm një mënyrë për t’i zgjidhur këto çështje përpara gjithë krijesave me aftësi për të arsyetuar: të lejoheshin ata që kërkuan pavarësi nga Perëndia që të jetonin të pavarur. Vetëm duke shkaktuar vdekjen e tyre nuk do të zgjidheshin çështjet e ngritura. Duke i lënë njerëzit që të jetonin të pavarur për një kohë të mjaftueshme, do të zgjidheshin çështjet që përfshiheshin, sepse rezultatet do të shiheshin qartë. Perëndia tregoi se do t’i zgjidhte çështjet në këtë mënyrë kur i tha gruas se do të lindte fëmijë. Kështu filloi familja njerëzore. Falë kësaj ne jetojmë sot.—Zanafilla 3:16, 20.
Por kjo nuk do të thoshte se Perëndia do t’i lejonte njerëzit dhe birin e tij frymor rebel që të bënin si të donin pa pasur asnjë kufizim. Perëndia nuk hoqi dorë nga sovraniteti i tij dhe as nuk e braktisi qëllimin e tij. (Psalmi 83:18) Këtë e bëri të qartë duke parathënë shkatërrimin e nxitësit të rebelimit dhe fshirjen e të gjitha pasojave të këqija. (Zanafilla 3:15) Pra, që në fillim, familjes njerëzore iu premtua çlirimi.
Ndërkohë prindërit tanë të parë nuk ishin më nën sundimin e Perëndisë dhe po në këtë gjendje ishin edhe pasardhësit e tyre. Që t’i parandalonte të gjitha pasojat e trishtueshme të vendimit të tyre, duhej që Perëndia t’ua impononte atyre vullnetin e tij për çdo gjë që do të bënin. Por kjo do të ishte njësoj sikur të mos i
lejonte që të provonin për të jetuar të pavarur prej tij.Sigurisht individët mund të vendosnin të pranonin sundimin e Perëndisë. Ata mund të mësonin se cili ishte vullneti i Perëndisë për njerëzimin gjatë kësaj periudhe dhe të përputheshin sa më shumë me këtë vullnet. (Psalmi 143:10) Megjithatë, nuk do të ishin të paprekshëm nga problemet për sa kohë çështja e pavarësisë së plotë të njeriut nga Perëndia të mbetej e pazgjidhur.
Pasojat e pavarësisë nga Perëndia u bënë të dukshme që në fillimet e historisë së njerëzimit. I parëlinduri i familjes njerëzore, Kaini, vrau të vëllanë, Abelin, sepse «veprat e veta ishin të liga, por ato të vëllait të tij ishin të drejta». (1 Gjonit 3:12) Ky nuk ishte vullneti i Perëndisë, sepse Perëndia e paralajmëroi Kainin dhe më pas e ndëshkoi për atë që bëri. (Zanafilla 4:3-12) Kaini kishte zgjedhur pavarësinë morale që i ofroi Satanai dhe për këtë arsye «vinte nga i ligu». Njerëz të tjerë vepruan po njësoj.
Pas më shumë se 1.500 vjetësh të historisë njerëzore «toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë». (Zanafilla 6:11) Kërkohej një veprim i prerë për të mos e lejuar tokën të rrënohej. Perëndia veproi, duke sjellë një përmbytje globale dhe duke e mbrojtur të vetmen familje të drejtë që të vazhdonte të jetonte, pra Noenë, të shoqen, djemtë dhe gratë e tyre. (Zanafilla 7:1) Të gjithë ne jemi pasardhësit e tyre.
Që nga ajo kohë e më tej, gjatë gjithë historisë së njerëzimit Perëndia ka siguruar drejtim për ata që dëshirojnë me gjithë zemër të njohin vullnetin e tij. Ai frymëzoi njerëz besnikë që të dokumentonin mesazhet e tij për këdo që do të kërkonte drejtimin e tij. Këto mesazhe janë të shkruara në Bibël. (2 Timoteut 3:16) Me dashuri Perëndia lejoi njerëz besnikë që të kishin një marrëdhënie me të, duke u bërë madje miq të tij. (Isaia 41:8) Gjithashtu, u dha forcën e nevojshme për të duruar sprovat e vështira që ka kaluar njerëzimi gjatë këtyre mijëvjeçarëve duke qenë i pavarur nga Perëndia. (Psalmi 46:1; Filipianëve 4:13) Sa mirënjohës mund të jemi për të gjitha këto!
Vullneti i Perëndisë do të bëhet plotësisht
Gjithçka që ka bërë deri tani Perëndia, nuk përbën tërë vullnetin e tij për njerëzimin. Pjetri, një apostull i krishterë, shkroi: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Ky varg i shkruar me një gjuhë simbolike, flet për një qeveri të re që do të sundojë mbi njerëzimin dhe për një shoqëri të re njerëzore nën këtë qeveri.
Duke përdorur një gjuhë më të drejtpërdrejtë profeti Daniel shkroi: «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri. . . . do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.» (Danieli 2:44) Kjo profeci parathotë fundin e sistemit të sotëm të pasuksesshëm dhe zëvendësimin e tij me Mbretërinë ose qeverinë e Perëndisë. Çfarë lajmi i mirë që është ky! Konfliktet dhe egoizmi, që kanë sjellë një botë plot me dhunë dhe kërcënojnë përsëri të rrënojnë tokën, një ditë do t’i përkasin së shkuarës.
Kur do të ndodhin këto gjëra? Dishepujt e Jezuit pyetën: «Kur do të jenë këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» Njëra pjesë e përgjigjes së Jezuit ishte: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:3, 14.
Dihet mirë nga të gjithë se kjo vepër predikimi po kryhet tani anembanë tokës. Ndoshta e keni vënë re edhe në lagjen tuaj. Në librin e tij Edhe këta besojnë (anglisht), profesori Çarlz S. Brejdën shkruan: «Dëshmitarët e Jehovait e kanë mbuluar tokën në kuptimin e vërtetë të fjalës me dëshminë e tyre. . . . Asnjë grup i vetëm fetar në botë nuk ka shfaqur më shumë zell dhe këmbëngulje në përpjekje për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë, sesa Dëshmitarët e Jehovait.» Dëshmitarët po e shpallin
aktivisht këtë lajm të mirë në më tepër se 230 vende dhe në pothuajse 400 gjuhë. Kjo vepër e parathënë nuk ishte kryer kurrë më parë në një nivel të tillë mbarëbotëror. Ajo është një prej dëshmive të shumta që tregojnë se po afrohet koha kur kjo Mbretëri do të zëvendësojë qeveritë njerëzore.Mbretëria që Jezui tha se do të predikohej është e njëjta Mbretëri për të cilën na mësoi të lutemi në lutjen e tij model: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Po, kjo Mbretëri është mjeti që do të përdorë Perëndia për të plotësuar qëllimin ose vullnetin e tij për njerëzimin dhe tokën.
Çfarë do të thotë kjo? Le të na e japë përgjigjen Zbulesa 21:3, 4: «Dëgjova një zë të fortë nga froni të thoshte: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.’» Atëherë vullneti i Perëndisë do të bëhet vërtet plotësisht edhe mbi tokë, edhe në qiell. * A dëshironi ta shihni me sytë tuaj kur të ndodhë kjo?
[Shënimi]
^ par. 26 Nëse dëshironi të mësoni më shumë për Mbretërinë e Perëndisë, ju lutemi kontaktoni Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose na shkruani në një nga adresat e renditura në faqen 2 të kësaj reviste.
[Figura në faqen 5]
Pavarësia nga vullneti i Perëndisë solli tragjedi