Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përpiqemi të shfaqim mirëdashje në një botë jomiqësore

Të përpiqemi të shfaqim mirëdashje në një botë jomiqësore

Të përpiqemi të shfaqim mirëdashje në një botë jomiqësore

«Gjë e dëshirueshme është te njeriu mirëdashja e tij.»​—PROVERBAT 19:22, BR.

1. Pse mund të jetë e vështirë të shfaqim mirëdashje?

A MENDON se je mirëdashës? Nëse po, të jetosh në botën e sotme mund të jetë e vështirë. Vërtet që Bibla tregon se mirëdashja është pjesë e ‘frytit të frymës’, por përse është kaq e vështirë të shfaqësh mirëdashje madje edhe në vendet e ashtuquajtura të krishtere? (Galatasve 5:22) Siç e vumë re në artikullin e mëparshëm, përgjigjja mund të gjendet pjesërisht në atë që shkroi apostulli Gjon: e gjithë bota është nën kontrollin e një personi frymor mosmirëdashës, Satana Djallit. (1 Gjonit 5:19) Jezu Krishti e identifikoi Satanain si «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 14:30) Prandaj kjo botë priret t’i ngjajë sundimtarit të saj rebel, qëndrimi i të cilit karakterizohet nga një sjellje e egër.​—Efesianëve 2:2.

2. Cilat gjëra mund të ndikojnë në shfaqjen e mirëdashjes nga ana jonë?

2 Kur të tjerët na trajtojnë pa mirëdashje kjo nuk ndikon për mirë në jetën tonë. Mungesa e mirëdashjes mund të shfaqet nga fqinjë keqdashës, nga të huaj jomiqësorë e madje edhe nga miq dhe pjesëtarë të familjes që ndonjëherë veprojnë pa u menduar. Presioni që shkaktohet duke qenë në kontakt me njerëz që janë të vrazhdë dhe që bërtasin e shajnë njëri-tjetrin, shpesh na trishton shumë. Një mungesë e tillë mirëdashjeje nga ana e të tjerëve mund të na bëjë jomiqësorë dhe mund të mendojmë që t’ua kthejmë edhe ne me të njëjtën monedhë. Kjo madje mund të çojë në probleme frymore ose fizike.​—Romakëve 12:17.

3. Çfarë problemesh serioze hasin njerëzit, që mund t’ua bëjnë të vështirë të shfaqin mirëdashje?

3 Edhe kushtet stresuese të botës mund të na e bëjnë të vështirë të shfaqim mirëdashje. Për shembull, njerëzit në përgjithësi janë nën stres për shkak të akteve terroriste që ndodhin ose që mund të ndodhin. Po ashtu janë nën stres edhe për shkak të mundësisë së përdorimit të armëve biologjike ose bërthamore nga grupe të ndryshme nacionaliste. Përveç kësaj, miliona njerëz janë varfëruar dhe mbijetojnë me gjërat minimale përsa i përket ushqimit, strehimit, veshjes dhe kujdesit mjekësor. Të përpiqemi të shfaqim mirëdashje bëhet e vështirë kur situata duket e pashpresë.​—Predikuesi (Eklisiastiu) 7:7.

4. Çfarë përfundimi të gabuar mund të nxjerrin disa kur mendojnë nëse duhet të shfaqin apo jo mirëdashje ndaj të tjerëve?

4 Një njeri mund të nxjerrë shpejt përfundimin se të shfaqësh mirëdashje nuk është një gjë shumë e rëndësishme dhe madje mund të jetë një shenjë dobësie. Ai mund të ndihet i shfrytëzuar, sidomos kur të tjerët e trajtojnë me ashpërsi. (Psalmi 73:2-9) Megjithatë, Bibla na siguron drejtimin e duhur kur thotë: «Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.» (Fjalët e urta [Proverbat] 15:1) Butësia dhe mirëdashja janë dy veçori të frytit të frymës që lidhen ngushtë mes tyre dhe na ndihmojnë kur përballojmë rrethana të vështira.

5. Cilat janë disa fusha në jetë në të cilat nevojitet të shfaqim mirëdashje?

5 Meqë shfaqja e frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë është kaq e rëndësishme për ne si të krishterë, duhet të mendojmë se si mund të shfaqim njërën nga këto cilësi të këtij fryti: mirëdashjen. A është e mundur që të shfaqim mirëdashje në një botë jomiqësore? Në rast se po, cilat janë disa fusha në të cilat mund të tregojmë se nuk e lejojmë ndikimin e Satanait të na frenojë të shfaqim mirëdashje, veçanërisht në rrethana stresuese? Le të shqyrtojmë se si të shfaqim mirëdashje në familje, në punë, në shkollë, me fqinjët, në shërbim dhe mes bashkëbesimtarëve.

Mirëdashje brenda familjes

6. Pse mirëdashja brenda familjes është kaq e rëndësishme? Si mund të shfaqet ajo?

6 Në qoftë se duam që Jehovai të na bekojë e të na drejtojë, është jetësore të kemi frytin e frymës dhe ta zhvillojmë plotësisht atë. (Efesianëve 4:32) Le të përqendrohemi te nevoja e veçantë që kanë pjesëtarët e familjes për të shfaqur mirëdashje mes tyre. Në marrëdhëniet e përditshme burri dhe gruaja duhet të shfaqin një frymë mirëdashjeje dhe kujdes të dashur ndërmjet tyre dhe ndaj fëmijëve. (Efesianëve 5:28-33; 6:1, 2) Një mirëdashje e tillë duhet të bëhet e dukshme në mënyrën se si pjesëtarët e familjes flasin me njëri-tjetrin: fëmijët i nderojnë dhe i respektojnë prindërit dhe prindërit i trajtojnë siç duhet fëmijët. Të jemi të shpejtë për të lavdëruar, të ngadaltë për të kritikuar.

7, 8. (a) Ç’lloj sjelljeje duhet të shmangim nëse duam të shfaqim mirëdashje të vërtetë në familje? (b) Si na ndihmon një komunikim i mirë për të pasur lidhje familjare të forta? (c) Si mund të shfaqni mirëdashje në familjen tuaj?

7 Të jemi mirëdashës ndaj pjesëtarëve të familjes përfshin që të ndjekim këshillën e apostullit Pavël: «Flakini vërtet prej jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe të folurin e ndyrë nga goja juaj.» Çdo ditë pjesëtarët e familjeve të krishtere duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin me respekt. Pse? Sepse komunikimi i mirë është elementi kryesor i familjeve të forta e të shëndetshme. Kur lindin mosmarrëveshje, për t’i zbutur fërkimet le të përpiqemi të zgjidhim problemin, në vend që të kërkojmë të na dalë e jona. Pjesëtarët e familjeve të lumtura bëjnë përpjekje të zellshme që të nxitin një frymë mirëdashjeje dhe të tregojnë kujdes të dashur për njëri-tjetrin.​—Kolosianëve 3:8, 12-14.

8 Mirëdashja është një cilësi pozitive dhe na nxit që t’u bëjmë mirë të tjerëve. Për këtë arsye me pjesëtarët e familjes përpiqemi që të jemi të dobishëm, të gjindshëm dhe të tregojmë kujdes të dashur, dhe këtë e bëjmë në mënyrë të këndshme. Kërkohen përpjekje individuale dhe të përbashkëta për të shfaqur atë lloj mirëdashjeje që e nderon familjen. Si pasojë pjesëtarët e familjes jo vetëm do të kenë bekimin e Perëndisë, por në kongregacion dhe në zonën ku banojnë, do të nderojnë Perëndinë e mirëdashjes, Jehovain.​—1 Pjetrit 2:12.

Mirëdashje në punë

9, 10. Përshkruani disa probleme që mund të dalin në punë. Komentoni se si mund të zgjidhen ato me mirëdashje.

9 Për një të krishterë, në rutinën e përditshme të punës mund të jetë e vështirë shfaqja e mirëdashjes ndaj kolegëve të punës. Për shkak të rivalitetit mes punëtorëve dikush mund të rrezikojë të humbasë punën ngaqë një koleg vepron me mashtrim ose me dinakëri, duke hedhur baltë mbi emrin e mirë që ka para punëdhënësit. (Predikuesi 4:4) Nuk është e lehtë të shfaqësh mirëdashje në këto raste. Por, një shërbëtor i Jehovait duhet të sjellë në mendje se të shfaqë mirëdashje është zakonisht mënyra e drejtë për të vepruar. Prandaj, ai duhet të përpiqet sa më shumë që të jetë e mundur që t’i bëjë për vete ata me të cilët nuk mund të jetë e lehtë të ketë një marrëdhënie miqësore. Shfaqja e interesimit ndaj këtyre personave mund të ndihmojë në këtë drejtim. Ndoshta ai mund të interesohet në rast se një koleg është sëmurë ose ka pjesëtarë të familjes të sëmurë. Madje edhe sikur vetëm të pyesë se si është personi ose pjesëtarët e familjes së tij, mund të ketë ndikim pozitiv tek ky person. Po, të krishterët duhet të përpiqen të nxitin harmoninë dhe paqen për aq sa varet prej tyre. Ndonjëherë mund të ndihmojë edhe vetëm një fjalë mirëdashëse që tregon vëmendje dhe interesim për personat.

10 Në raste të tjera një punëdhënës mund t’u imponojë punëtorëve mendimet e tij duke u kërkuar që të gjithë ata të marrin pjesë në ndonjë ngjarje patriotike ose në ndonjë festë që është në kundërshtim me parimet biblike. Kur ndërgjegjja nuk e lejon një të krishterë të marrë pjesë, kjo mund të çojë në një konflikt me punëdhënësin. Në atë çast mund të mos jetë e mençur që një i krishterë të shpjegojë me hollësi se sa e gabuar do të ishte të vepronte sipas asaj që dëshiron punëdhënësi. Në fund të fundit, pjesëmarrja në atë ngjarje mund t’u duket një gjë e drejtë atyre që nuk kanë të njëjtat bindje me të krishterin. (1 Pjetrit 2:21-23) Ndoshta i krishteri mund të shpjegojë me mirëdashje arsyet pse nuk do që të marrë pjesë. Nëse ata flasin me sarkazëm, ai nuk duhet të përgjigjet me sarkazëm. Është mirë që një i krishterë të ndjekë këshillën e shkëlqyer që gjendet te Romakëve 12:18: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.»

Mirëdashje në shkollë

11. Çfarë vështirësish hasin të rinjtë për të shfaqur mirëdashje ndaj shokëve të shkollës?

11 Mund të jetë vërtet e vështirë për të rinjtë që të shfaqin mirëdashje ndaj nxënësve të tjerë. Të rinjtë shpesh dëshirojnë me zjarr të pranohen nga shokët e klasës. Disa djem sillen në mënyrë të ashtuquajtur burrërore me qëllim që të tjerët t’i admirojnë dhe ata arrijnë deri aty sa të sillen me prepotencë ndaj të rinjve të tjerë në shkollë. (Mateu 20:25) Disa të rinjve të tjerë u pëlqen të shesin mend për aftësitë e tyre në mësime, në sporte ose në veprimtari të tjera. Duke u kapardisur për aftësitë e tyre shpesh i trajtojnë pa mirëdashje shokët e klasës ose nxënësit e tjerë, sepse gabimisht mendojnë që për shkak të aftësive janë disi më të lartë se të tjerët. Një i krishterë ose e krishtere duhet të ketë kujdes që të mos i imitojë këta individë. (Mateu 20:26, 27) Apostulli Pavël tha se «dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse» dhe se dashuria «nuk mbahet me të madh, nuk krekoset». Prandaj, një i krishterë është nën detyrimin që të mos ndjekë shembullin e keq të atyre që veprojnë pa mirëdashje, por të sillet sipas këshillës biblike në marrëdhëniet me shokët e shkollës.​—1 Korintasve 13:4.

12. (a) Pse mund të jetë e vështirë për të rinjtë që të jenë mirëdashës ndaj mësuesve? (b) Te kush mund të kërkojnë ndihmë të rinjtë kur janë nën presion për t’u sjellë pa mirëdashje?

12 Gjithashtu të rinjtë duhet të trajtojnë me mirëdashje edhe mësuesit. Shumë nxënës argëtohen duke i zemëruar mësuesit. Ata mendojnë se janë të zgjuar kur i ulin mësuesit në sytë e të tjerëve duke bërë gjëra që shkelin rregullat e shkollës. Nëpërmjet kërcënimeve ndoshta mund të përfshijnë në këto gjëra edhe të rinj të tjerë. Kur një i krishterë ose e krishtere nuk pranon t’u shkojë pas fijes, mund ta tallin ose ta shajnë. Kur përballon këto situata gjatë gjithë vitit shkollor, kjo mund ta vërë në provë vendosmërinë e një të krishteri për të shfaqur mirëdashje. Megjithatë, mos harro se sa e rëndësishme është të jesh një shërbëtor besnik i Jehovait. Ji i sigurt se në këto momente të vështira të jetës, Perëndia do të të mbështetë me anë të frymës së tij.​—Psalmi 37:28.

Mirëdashje ndaj fqinjëve

13-15. Cilat gjëra mund ta pengojnë dikë që të shfaqë mirëdashje ndaj fqinjëve? Si mund të përballohen këto vështirësi?

13 Pavarësisht nëse banon në një shtëpi private, në një apartament ose diku tjetër, mund të mendosh se në cilat mënyra të shfaqësh mirëdashje dhe interesim për mirëqenien e fqinjëve. Edhe kjo nuk është gjithnjë e lehtë për t’u bërë.

14 Po sikur fqinjët e tu të kenë paragjykime ndaj teje për shkak të racës, kombësisë ose fesë tënde? Po sikur ndonjëherë të jenë të vrazhdë me ty ose të mos të përfillin fare? Duke qenë një shërbëtor i Jehovait, do të jetë dobiprurëse për ty të shfaqësh mirëdashje aq sa të jetë e mundur. Do të dallohesh si i ndryshëm në kuptimin e mirë të fjalës. Kjo do të jetë vërtet në lavdi të Jehovait i cili është shembulli më i madh i mirëdashjes. Nuk mund ta dish se kur një fqinj mund të ndryshojë qëndrim si pasojë e mirëdashjes tënde. Madje ai mund të bëhet edhe një lavdërues i Jehovait.​—1 Pjetrit 2:12.

15 Si mund të shfaqësh mirëdashje? Së pari, nëpërmjet sjelljes brenda familjes ndërsa të gjithë pjesëtarët shfaqin frytin e frymës. Fqinjët mund ta vërejnë këtë. Ndonjëherë mund t’i bësh ndonjë nder fqinjit tënd. Kujto se mirëdashja do të thotë të interesohesh thellësisht për mirëqenien e të tjerëve.​—1 Pjetrit 3:8-12.

Mirëdashje në shërbim

16, 17. (a) Pse mirëdashja është e rëndësishme në shërbim? (b) Si mund të shfaqet mirëdashje në aspektet e ndryshme të shërbimit?

16 Mirëdashja duhet të karakterizojë shërbimin tonë të krishterë teksa bëjmë përpjekje të organizuara për t’u folur njerëzve në shtëpitë e tyre, në vendet ku punojnë dhe në vende publike. Duhet të kujtojmë se përfaqësojmë Jehovain i cili është gjithnjë mirëdashës.​—Eksodi [Dalja] 34:6.

17 Çfarë përfshihet në përpjekjet që duhet të bësh për të shfaqur mirëdashje në shërbim? Për shembull, kur je duke marrë pjesë në dëshminë rrugore mund të shfaqësh mirëdashje duke folur shkurt dhe duke treguar kujdes ndaj njerëzve të tjerë. Në trotuare zakonisht ka shumë njerëz, prandaj ki kujdes të mos pengosh kalimin. Gjithashtu, kur dëshmon në territorin tregtar shfaq mirëdashje duke folur shkurt dhe kujto se shitësit duhet të presin klientët.

18. Çfarë roli luan aftësia dalluese për të shfaqur mirëdashje në shërbim?

18 Në shërbimin nga shtëpia në shtëpi përdor maturi. Mos qëndro tepër në një derë, sidomos kur moti është i keq. A mund ta dallosh kur një njeri po e humbet durimin ose po mërzitet nga prania jote? Ndoshta në vendin ku jetoni, si Dëshmitarë të Jehovait i vizitoni shpesh njerëzit. Në rast se është kështu shfaq mirëkuptim të veçantë, duke qenë gjithnjë mirëdashës dhe i këndshëm. (Fjalët e urta 17:14) Përpiqu ta pranosh arsyen përse një individ nuk do që të të dëgjojë atë ditë. Kujto se ka shumë të ngjarë që në një të ardhme të afërt atë shtëpi do ta vizitojë një vëlla ose një motër tjetër. Nëse ndesh dikë që është i vrazhdë, bëj një përpjekje të veçantë për të shfaqur mirëdashje. Mos e ngri zërin ose mos u ngrys në fytyrë, por fol me qetësi. Një i krishterë mirëdashës nuk duhet të ngjallë një debat me të zotin e shtëpisë. (Mateu 10:11-14) Ndoshta një ditë ai person do ta dëgjojë lajmin e mirë.

Mirëdashje në mbledhjet e kongregacionit

19, 20. Pse nevojitet mirëdashje në kongregacion? Si mund ta shfaqim?

19 Po kaq e rëndësishme është të shfaqim mirëdashje edhe ndaj bashkëbesimtarëve. (Hebrenjve 13:1) Meqenëse jemi pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare, mirëdashja është thelbësore në marrëdhëniet me njëri-tjetrin.

20 Në qoftë se një kongregacion i bën mbledhjet në të njëjtën Sallë Mbretërie me një ose më shumë kongregacione të tjera, është e rëndësishme të sillemi me mirëdashje me vëllezërit e kongregacioneve të tjera, duke i trajtuar me dinjitet. Fryma e rivalitetit nuk çon në bashkëpunim kur bëhet fjalë për të vendosur në lidhje me oraret e mbledhjeve dhe për nevoja të tilla si pastrimi ose restaurimi i Sallës. Le të jemi mirëdashës dhe mirëkuptues, edhe pse mund të kemi mendime të ndryshme. Në këtë mënyrë do të triumfojë mirëdashja dhe Jehovai do të na bekojë vërtet për interesimin që tregojmë për mirëqenien e të tjerëve.

Të vazhdojmë të shfaqim mirëdashje

21, 22. Në përputhje me Kolosianëve 3:12, për çfarë duhet të jemi të vendosur?

21 Mirëdashja është një cilësi që ndikon në çdo aspekt të jetës. Prandaj duhet ta bëjmë atë pjesë përbërëse të personalitetit tonë të krishterë. Shfaqja e mirëdashjes ndaj të tjerëve duhet të na bëhet një zakon.

22 Le të jemi të gjithë mirëdashës me të tjerët çdo ditë dhe për këtë qëllim secili prej nesh le të zbatojë fjalët e apostullit Pavël: «Si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë e të dashur, vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë.»​—Kolosianëve 3:12.

A ju kujtohet?

• Çfarë e bën të vështirë që një i krishterë të shfaqë mirëdashje?

• Pse është e rëndësishme që një njeri të shfaqë mirëdashje në familje?

• Cilat janë disa vështirësi për të shfaqur mirëdashje në shkollë, në punë dhe me fqinjët?

• Shpjegoni se si të krishterët mund të shfaqin mirëdashje në shërbimin e tyre publik.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Kur të gjithë në familje shfaqin mirëdashje, kjo nxit unitetin dhe bashkëpunimin

[Figura në faqen 19]

Mund të shfaqësh mirëdashje kur sëmuret një koleg pune ose dikush nga familja e tij

[Figura në faqen 20]

Jehovai i mbështet ata që me besnikëri shfaqin mirëdashje pavarësisht nga talljet

[Figura në faqen 21]

T’i ofrosh ndihmë një fqinji në nevojë është një veprim mirëdashës