A duhet të përfshihet kleri në politikë?
A duhet të përfshihet kleri në politikë?
«‘DUKE u përfshirë në politikë mund të ndihmojmë të varfrit’,—u tha pelegrinëve një kryepeshkop kanadez. . . . Edhe sikur sistemi politik të mos jetë në përputhje me vullnetin e Perëndisë, ‘duhet të përfshihemi në çështjet politike, me qëllim që t’u sjellim drejtësi të varfërve’.»—Gazeta Catholic News.
Raportet për klerikë të lartë që flasin në favor të përfshirjes në politikë nuk janë të pazakonshme dhe as nuk është një gjë e rrallë që udhëheqësit fetarë kanë poste politike. Disa janë përpjekur të reformojnë politikën. Të tjerë admirohen dhe kujtohen për fushatat e tyre në lidhje me çështje të tilla si barazia raciale dhe heqja e skllavërisë.
Megjithatë, shumë laikë nuk ndihen rehat kur predikuesit e fesë së tyre marrin anën e palëve në çështjet politike. «Ishin protestantët ata që ndonjëherë e vinin në dyshim faktin nëse ishte e drejtë që kleri i tyre të aktivizohej në politikë»,—thuhej në një artikull rreth teologjisë politike, të revistës Christian Century. Shumë njerëz fetarë mendojnë se feja është diçka e shenjtë dhe nuk duhet të përzihet me politikën.
Përfshirja e klerit në politikë bën që të ngrihen disa pyetje interesante që shqetësojnë të gjithë ata që duan një botë më të mirë. A mund ta reformojnë politikën klerikët e krishterimit? * A është përfshirja e klerit në politikë mënyra që përdor Perëndia për të sjellë një qeveri dhe një botë më të mirë? A ishte qëllimi fillestar i krishterimit që të paraqiste një mënyrë të re për të bërë politikë?
Si filluan klerikët të përfshihen në politikë?
Historiani Henri Çaduik thotë në librin Kisha e hershme (anglisht) se kongregacioni i krishterë i hershëm njihej për faktin se «nuk interesohej për të pasur pushtet në këtë botë». Ai ishte «një bashkësi jopolitike, e qetë dhe paqësore». Në librin Historia e krishterimit (anglisht) thuhet: «Të krishterët në përgjithësi, kishin bindjen se askush prej tyre nuk duhej të zinte një post qeveritar . . . Hipoliti tha se deri në fillim të shekullit të tretë, sipas zakonit të hershëm të krishterë, një njeri në pushtet duhej të hiqte dorë nga posti i tij nëse donte të bëhej pjesëtar i Kishës.» Megjithatë, dalëngadalë njerëz që lakmonin pushtetin morën drejtimin në shumë kongregacione, duke u vënë vetes tituj pompozë. (Veprat 20:29, 30) Disa donin të ishin edhe udhëheqës fetarë, edhe politikanë. Një ndryshim i papritur në qeverisjen romake u dha këtyre klerikëve rastin që donin.
Në vitin 312 të e.s., perandori pagan romak Kostandini mori një qëndrim të favorshëm ndaj besimit të të ashtuquajturit krishterim. Për çudi peshkopët e kishës qenë të gatshëm të bënin një marrëveshje me perandorin pagan në këmbim të privilegjeve që u dha ai. «Kisha u përfshi gjithnjë e më shumë në marrjen e vendimeve politike të rëndësishme»,—shkroi Henri Çaduik. Çfarë ndikimi pati te klerikët përfshirja në politikë?
Si ndikoi politika te klerikët?
Ideja se Perëndia do të përdorte klerikët si politikanë u përhap sidomos nga Agustini, një teolog katolik me influencë, i shekullit të pestë. Ai mendonte se një ditë kisha do të sundonte mbi kombet dhe do t’i sillte paqe njerëzimit. Por historiani H. G. Uells shkroi: «Historia e Evropës nga shekulli i pestë e deri në shekullin e pesëmbëdhjetë është në pjesën më të madhe historia e dështimit të realizimit të këtij ideali të madh për një qeveri mbarëbotërore hyjnore.» I ashtuquajturi krishterim nuk solli paqe madje as në Evropë, e jo më në botë. Ai nuk shihej më me të njëjtin sy nga shumë njerëz. Çfarë shkoi keq?
Shumë veta që pohonin se predikonin krishterimin u përfshinë në politikë me qëllime të mira, por më pas morën pjesë në kryerjen e veprave të liga. Martin Luteri, një predikues dhe përkthyes i Biblës, është i famshëm për përpjekjet që bëri për të reformuar kishën katolike. Megjithatë, qëndrimi i tij i guximshëm kundër doktrinave të kishës bëri që të fitonte popullaritet tek ata që rebeloheshin ndaj kishës për arsye politike. Luteri humbi respektin e shumë njerëzve kur edhe ai filloi të fliste për çështje politike. Në fillim, ai i përkrahu fshatarët që u rebeluan kundër fisnikëve që i shtypnin. Më pas, kur rebelimi u bë i dhunshëm, i nxiti fisnikët që ta shtypnin atë. Ata vepruan kështu duke masakruar mijëra veta. Nuk është për t’u habitur që fshatarët e quajtën tradhtar. Gjithashtu, Luteri u dha zemër fisnikëve kur ngritën krye kundër perandorit katolik. Në fakt protestantët, siç u bënë të njohur ithtarët e Luterit, formuan një lëvizje politike që në fillim të rebelimit. Si ndikoi pushteti te Luteri? E korruptoi. Për shembull, ndonëse në fillim ai e kundërshtoi përdorimin e forcës kundër atyre që nuk pranonin bindjet e tij fetare, më vonë i nxiti miqtë e tij politikanë që të ekzekutonin, duke i djegur, të gjithë ata që kundërshtonin pagëzimin e foshnjave.
Zhan Kalvini ishte një klerik i famshëm në Gjenevë, por më pas edhe ai ushtroi ndikim të madh në politikë. Kur Migel Serveto shpjegoi se Triniteti nuk ka asnjë bazë biblike, Kalvini përdori ndikimin e tij politik për të mbështetur ekzekutimin e Servetos, të cilin e dogjën në turrën e druve. Çfarë shmangieje e tmerrshme nga mësimet e Jezuit!
Ndoshta këta burra harruan atë që thotë Bibla te 1 Gjonit 5:19: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» A kishin ata dëshirë të sinqertë që të reformonin politikën e kohës së tyre apo i tërhiqte mundësia që të kishin pushtet dhe miq me pozita të larta? Sido që të ketë qenë, duhej të kishin kujtuar fjalët e frymëzuara të Jakovit, një dishepull i Jezuit: «A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kushdo që dëshiron të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.» (Jakovi 4:4) Jakovi e dinte se Jezui kishte thënë për ithtarët e tij: «Nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»—Gjoni 17:14.
Gjithsesi, edhe pse e pranojnë se të krishterët nuk duhet të marrin pjesë në gjërat e liga që
bëhen në këtë botë, shumë veta nuk janë dakord me asnjanësinë politike, pra me idenë që të krishterët të mos jenë vërtet «pjesë e botës». Ata pohojnë se një asnjanësi e tillë i pengon të krishterët që të shfaqin aktivisht dashuri për të tjerët. Besojnë se udhëheqësit fetarë duhet ta ngrenë zërin dhe të luajnë një rol në luftën kundër korrupsionit dhe padrejtësive. Por, të jesh asnjanës, siç mësoi Jezui, dhe të interesohesh aktivisht për të tjerët a janë vërtet dy gjëra të papajtueshme me njëra-tjetrën? A mundet një i krishterë të mos përfshihet në çështjet politike që shkaktojnë përçarje dhe në të njëjtën kohë t’i ndihmojë në mënyrë praktike të tjerët? Artikulli vijues analizon këto pyetje.[Shënimi]
^ par. 5 Politika është përkufizuar si tërësia e veprimtarive që lidhen me qeverisjen e një vendi ose të një zone, sidomos debati ose konflikti mes individëve ose partive që kanë ose që shpresojnë të kenë pushtet.
[Figura në faqen 4]
Për të marrë pushtet politik, udhëheqës fetarë bënë marrëveshje me sundimtarë të tillë, si perandori Kostandin
[Burimi]
Muzeu i Luvrit në Paris
[Figurat në faqen 5]
Pse u përfshinë në politikë udhëheqës fetarë të famshëm?
Agustini
Luteri
Kalvini
[Burimet]
Agustini: Fotografi e ICCD-së; Kalvini: Portret nga Holbajn, i marrë nga libri Historia e Protestantizmit (anglisht, vëll. II)