A merrni forcë nga Fjala e Perëndisë?
A merrni forcë nga Fjala e Perëndisë?
SI IA bëni kur keni probleme? Kur Jezui u gjend përballë sprovave të Satanait, ai ia doli mbanë duke sjellë ndër mend shkrimin e duhur. (Mateu 4:1-11) Po ashtu, kur mbreti David hasi sprova, u forcua nga Fjala e Perëndisë. Davidi tha: «Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.»—Psalmi 94:19.
Në të njëjtën mënyrë, kur hasim probleme, mund të ngushëllohemi ose të forcohemi nëse kujtojmë një shkrim që na pëlqen në mënyrë të veçantë. Për shembull, Reksi, i cili tani është 89 vjeç, ka shërbyer si Dëshmitar i Jehovait në kohë të plotë që prej vitit 1931. Megjithatë ai thotë: «Shpesh ndihesha i paaftë kur më jepnin ndonjë caktim të veçantë në shërbim.» Si ia bënte? Ai shpjegon: «Kujtoja shkrimin që më pëlqente më shumë, Fjalët e urta 3:5 që thotë: ‘Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.’ Duke mbajtur ndër mend këtë shkrim dhe duke e zbatuar, ia dola mbanë që t’i kryeja me sukses caktimet e mia.»
Edhe të vegjlit nxjerrin dobi nga ndonjë shkrim që u pëlqen më shumë. Xheki gjashtëvjeçar thotë se shkrimi që i pëlqen më shumë është Mateu 24:14. Ky shkrim e nxit që të shkojë të predikojë bashkë me prindërit. Ai thotë: «Më pëlqen të predikoj çdo të shtunë me mamin, babin dhe motrën.»
Po ju, a hasni ndonjëherë sprova të drejtpërdrejta besimi, ashtu si Jezui? Nëse po, atëherë shkrimi i Filipianëve 4:13 mund të bëhet një nga shkrimet tuaja më të pëlqyera. Mos vallë si Davidi keni ‘një numër të madh shqetësimesh’? Atëherë duke sjellë ndër mend shkrimin e Filipianëve 4:6, 7 mund të merrni forcë për t’i përballuar. A shqetësoheni ndonjëherë ngaqë mendoni se shërbimi që po i bëni Perëndisë nuk është i frytshëm? Atëherë duke kujtuar 1 Korintasve 15:58 do të merrni forcë.
Duke mbajtur mend shkrimet e duhura lejojmë që Fjala e Perëndisë të ushtrojë fuqi në jetën tonë. (Hebrenjve 4:12) Shkrime të tilla mund të na japin forcë dhe ngushëllim.—Romakëve 15:4.