Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Asnjanësia​—Një pengesë për të shfaqur dashuri të krishterë?

Asnjanësia​—Një pengesë për të shfaqur dashuri të krishterë?

Asnjanësia​—Një pengesë për të shfaqur dashuri të krishterë?

TË JESH i krishterë përfshin më shumë sesa vetëm të lexosh Biblën, të lutesh dhe të këndosh këngë fetare të dielave. Ajo nënkupton që të kryesh vepra, si për Perëndinë, ashtu edhe për njerëzit. Bibla thotë: «Le të duam, jo me fjalë e as me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.» (1 Gjonit 3:18) Jezui interesohej me gjithë zemër për të tjerët dhe të krishterët duan ta imitojnë atë. Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët që gjithnjë të kenë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Korintasve 15:58) Por, çfarë është vepra e Zotërisë? A nënkupton gjithashtu ajo që të përpiqemi të ndryshojmë politikën e qeverive për dobinë e të varfërve dhe të të shtypurve? A veproi Jezui kështu?

Ndonëse Jezuin e nxitën të ndërhynte në çështjet politike ose të merrte anën e ndonjë pale të caktuar, ai nuk pranoi të vepronte në këtë mënyrë. Ai e hodhi poshtë ofertën e Satanait për të pasur pushtet mbi të gjithë mbretëritë e botës, nuk pranoi të përfshihej në debate në lidhje me pagimin e taksave dhe u tërhoq kur pjesëtarët e një lëvizjeje popullore donin ta bënin mbret. (Mateu 4:8-10; 22:17-21; Gjoni 6:15) Por qëndrimi i tij asnjanës nuk e pengoi atë që të punonte për të mirën e të tjerëve.

Jezui u përqendrua në gjërat që do t’u sillnin dobi të përhershme njerëzve. Duke ushqyer pesë mijë veta dhe duke shëruar të sëmurët, ai u solli lehtësim të përkohshëm disa njerëzve, por nëpërmjet mësimeve të tij i ofroi bekime të përhershme të gjithë njerëzimit. Jezui u bë i njohur, jo si një organizator i fushatave për shpërndarjen e ndihmave, por thjesht si «Mësuesi». (Mateu 26:18; Marku 5:35; Gjoni 11:28) Ai tha: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.»​—Gjoni 18:37.

Predikojnë diçka më të mirë se politika

E vërteta që u mësoi Jezui të tjerëve nuk ishte teori politike. Përkundrazi, ajo përqendrohej te Mbretëria, Mbret i së cilës do të ishte ai vetë. (Luka 4:43) Kjo Mbretëri është një qeveri qiellore dhe ajo do të zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore dhe do t’i sjellë paqe të përhershme njerëzimit. (Isaia 9:5, 6; 11:9; Danieli 2:44) Prandaj, ajo është shpresa e vetme e vërtetë e njerëzimit. A nuk është një gjë më e dashur t’u flasësh njerëzve për këtë shpresë të sigurt për të ardhmen, sesa t’i nxitësh që të besojnë se njeriu do të sjellë një të ardhme të sigurt? Bibla thotë: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken. Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij.» (Psalmi 146:3-5) Kështu, në vend që t’i dërgonte dishepujt që të predikonin rreth një forme më të mirë qeverisjeje, Jezui u mësoi atyre që të predikonin ‘lajmin e mirë të mbretërisë’.​—Mateu 10:6, 7; 24:14.

Kjo pra, është ‘vepra e Zotërisë’ që u është ngarkuar të krishterëve të kryejnë. Meqenëse nga nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë kërkohet që ta duan njëri-tjetrin, Mbretëria do të arrijë të zhdukë varfërinë duke i shpërndarë të mirat materiale në mënyrë të drejtpeshuar. (Psalmi 72:8, 12, 13) Ky është një lajm i mirë dhe sigurisht meriton të predikohet.

Sot Dëshmitarët e Jehovait janë organizuar në 235 vende për të kryer këtë ‘vepër të Zotërisë’. Në përputhje me urdhrin e Jezuit ata i respektojnë të gjitha qeveritë. (Mateu 22:21) Por gjithashtu u binden këtyre fjalëve që Jezui u tha ithtarëve të tij: «Nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota.»​—Gjoni 15:19.

Disa që e përkrahnin politikën, kanë ndryshuar pasi kanë bërë një studim të kujdesshëm të Biblës. Një politikan italian, i cili ishte pjesëtar i Aksionit Katolik, një organizatë nën kontrollin e kishës, tha: «U përfshiva në politikë duke menduar se çdo njeri duhet të kontribuojë aktivisht në zhvillimin politik dhe social të shoqërisë.» Ai dha dorëheqjen si kryetar i bashkisë së një qyteti, me qëllim që të predikonte Mbretërinë e Perëndisë si Dëshmitar i Jehovait. Pas kësaj ai shpjegoi përse dështojnë përpjekjet që bëjnë njerëzit e sinqertë në fushën politike. «Bota është në këtë gjendje, jo sepse njerëz të ndershëm nuk janë përpjekur të përmirësojnë kushtet shoqërore, por përkundrazi, sepse përpjekjet e sinqerta të disa njerëzve janë mposhtur nga ligësia e shumë njerëzve të tjerë.»

Mospërfshirja në politikë me qëllim që të predikojnë të vetmen shpresë të vërtetë të njerëzimit nuk i pengon të krishterët e vërtetë që t’i ndihmojnë të tjerët në mënyra praktike. Njerëzit që ata i ndihmojnë të bëhen nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë mësojnë të sillen mirë, të respektojnë autoritetin, të përmirësojnë jetën familjare dhe të kenë një pikëpamje të drejtpeshuar për pasurinë. Diçka edhe më e rëndësishme është që Dëshmitarët e Jehovait i ndihmojnë njerëzit që të kenë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.

Predikuesit e Mbretërisë së Perëndisë janë të dobishëm për shoqërinë në të cilën jetojnë. Por më shumë se kaq, ata i mësojnë njerëzit që të kenë besim te një qeveri që është reale dhe që do t’u sjellë paqe të përhershme të gjithë atyre që e duan Perëndinë. Duke qenë asnjanës, të krishterët janë të lirë t’i ndihmojnë njerëzit sot në një mënyrë sa më praktike e me dobi afatgjata.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Nga politikan në një predikues të Mbretërisë së Perëndisë

Kur ishte i ri, Atila mësoi teologjinë e çlirimit, nga priftërinjtë e zonës së tij në Belem të Brazilit. Atij i pëlqente të dëgjonte për çlirimin përfundimtar të njerëzimit nga shtypja dhe prandaj u bë pjesëtar i një grupi aktivistësh. Aty mësoi si të organizonte marshime protestash dhe fushata për të mos iu bindur ligjeve.

Por Atilës i pëlqente edhe që të mësonte fëmijët e pjesëtarëve të grupit, duke përdorur një libër që i kishin dhënë dhe që titullohej Dëgjoni Mësuesin e Madh. * Libri mësonte sjelljen e mirë dhe bindjen ndaj autoriteteve. Kjo e bëri Atilën të mendonte se përse ata që përkrahin teologjinë e çlirimit nuk ndjekin normat e larta morale të Jezuit dhe përse disa pasi marrin pushtetin i harrojnë njerëzit e shtypur. Ai u largua nga grupi i aktivistëve. Më vonë, Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën e tij dhe i folën për Mbretërinë e Perëndisë. Jo shumë kohë më pas, Atila po studionte Biblën dhe po mësonte se cila është zgjidhja e vërtetë e shtypjes që përjeton njerëzimi.

Rreth asaj kohe Atila ndoqi një seminar të organizuar nga kisha katolike, ku flitej për fenë dhe politikën. «Këto janë dy anët e së njëjtës monedhë»,​—shpjeguan instruktorët. Gjithashtu, Atila ndoqi një mbledhje në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Çfarë ndryshimi! Pikësëpari aty nuk pihej duhan ose pije alkoolike dhe as nuk thuheshin shaka të pista. Ai vendosi të bashkohej me Dëshmitarët e Jehovait në veprën e predikimit dhe pak kohë më pas u pagëzua. Tani e kupton përse teologjia e çlirimit nuk është zgjidhja e vërtetë e problemeve të të varfërve.

[Shënimi]

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 6]

Fakti që shërbëtorët e krishterë qëndrojnë asnjanës nuk i pengon që të ndihmojnë të tjerët