Megjithëse i verbër, sytë e mi panë dritën
Jetëshkrim
Megjithëse i verbër, sytë e mi panë dritën
TREGUAR NGA EGON HAUZER
Pas dy muajsh në verbëri të mirëfilltë, e vërteta biblike, që e kisha shpërfillur gjatë gjithë jetës, më hapi sytë.
KUR mendoj për më shumë se shtatëdhjetë vitet e kaluara të jetës sime, shumë gjëra që kam bërë më japin mjaft kënaqësi. Nëse do të kisha mundësi të ndryshoja ndonjë gjë nga jeta ime, do të kisha zgjedhur të njihja Perëndinë Jehova shumë kohë më parë.
Kam lindur në vitin 1927, në Uruguai. Ky shtet i vogël në formë dardhe gjendet midis Argjentinës dhe Brazilit. Peizazhi i tij i bukur shtrihet për kilometra të tërë përgjatë bregut të Atlantikut. Popullsia përbëhet kryesisht nga pasardhës të imigrantëve italianë dhe spanjollë. Ndërsa prindërit e mi ishin imigrantë hungarezë dhe, kur isha i vogël, jetonim në një lagje me njerëz të thjeshtë. Megjithatë ishim të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Dyert nuk kishin kyçe dhe hekurat në dritare nuk ishin të nevojshme. Dallimi racial nuk ekzistonte midis nesh. Të huaj dhe vendas, me ngjyrë dhe të bardhë, ishim të gjithë miq.
Prindërit e mi praktikonin fenë katolike dhe, kur isha dhjetë vjeç, u bëra ndihmës i priftit gjatë shërbesave në kishë. Kur u rrita, punoja në famulli dhe isha anëtar i një grupi këshilltar që punonte pranë peshkopit në dioqezë. Meqë kisha zgjedhur profesionin e mjekut, më ftuan të merrja pjesë në një seminar të organizuar nga kisha katolike në Venezuelë. Në kohën që po specializoheshim për gjinekologji, grupit tonë iu
caktua një studim për kontraceptivët oralë që po hidheshin në treg në atë kohë.Përshtypjet e para si student i mjekësisë
Kur isha ende student, sa më shumë mësoja për trupin e njeriut, aq më shumë më bënte përshtypje mençuria me të cilën ishte krijuar. Për shembull, mahnitesha nga aftësia e trupit për t’u shëruar e për të marrë veten pas një traume, siç ishte përtëritja e mëlçisë ose e disa brinjëve në përmasat e mëparshme pasi u kanë hequr një pjesë.
Në këtë kohë, shihja shumë viktima të aksidenteve të rënda dhe dëshpërohesha kur vdisnin për shkak se kishin bërë transfuzion gjaku. E mbaj mend si sot se sa e vështirë ishte të flisje me të afërmit e pacientëve që kishin vdekur nga ndërlikimet si pasojë e transfuzionit të gjakut. Në shumicën e rasteve, nuk u tregohej fare që transfuzioni i gjakut u kishte shkaktuar vdekjen e të dashurve të tyre. Në vend të kësaj jepeshin arsye të tjera. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet, ende kujtoj se sa i trazuar ndihesha në lidhje me transfuzionin e gjakut dhe arrita në përfundimin se kishte diçka që nuk shkonte në këtë praktikë. Ah, sikur ta dija në atë kohë ligjin e Jehovait për shenjtërinë e gjakut! Po ta dija, nuk do ta kisha pasur atë pasiguri për bërjen e transfuzionit.—Veprat 15:19, 20.
Ndiej kënaqësi duke ndihmuar njerëzit
Më vonë u bëra kirurg dhe drejtor në qendrën e ndihmës mjekësore në Santa Luçia. Gjithashtu punoja edhe në Institutin Kombëtar të Biologjisë. Kjo punë më jepte shumë kënaqësi. Ndihmoja të sëmurët, u lehtësoja dhembjet, në shumë raste u shpëtoja jetën, dhe sillja në jetë shumë fëmijë ndërsa ndihmoja nënat gjatë lindjes. Për shkak të përvojës sime të mëparshme me transfuzionin e gjakut, e shmanga dhënien e gjakut dhe bëra me mijëra operacione pa gjak. Mendoja se hemorragjia është si një fuçi që pikon. Zgjidhja është të riparosh të çarën e jo të vazhdosh të mbushësh fuçinë.
Kujdesem për pacientë Dëshmitarë
Për herë të parë i njoha Dëshmitarët e Jehovait në vitet 60, kur filluan të vinin në klinikën tonë për ndërhyrje kirurgjikale pa gjak. Nuk do ta harroj kurrë rastin e një pacienteje, një pioniere, (shërbëtore në kohë të plotë) që quhej Mercedes Gonzalez. Ishte kaq anemike sa mjekët në spitalin universitar nuk rrezikonin që ta operonin pasi ishin të sigurt se nuk do të mbijetonte. Megjithëse po humbiste gjak, e operuam në klinikën tonë. Operacioni doli me sukses dhe ajo vazhdoi të shërbente si pioniere për më shumë se tridhjetë vjet, derisa vdiq kohët e fundit në moshën 86-vjeçare.
Gjithmonë më bënte përshtypje dashuria dhe interesi me të cilin Dëshmitarët kujdeseshin për vëllezërit e tyre të krishterë që ishin të shtruar në spital. Kur kisha radhën e vizitave, më pëlqente t’i dëgjoja kur flisnin për besimin e tyre dhe i pranoja botimet që më jepnin. Nuk më shkonte kurrë në mend që shumë shpejt unë do të isha jo vetëm mjeku, por edhe vëllai i tyre frymor.
U lidha më tepër me Dëshmitarët kur u martova me Beatrisën, vajzën e një pacienti.
Në atë kohë, pjesa më e madhe e familjes së saj po shoqërohej me Dëshmitarët dhe, pasi u martuam, edhe ajo u bë Dëshmitare. Ndërsa mua, nga ana tjetër, më kishte përpirë puna plotësisht dhe deri diku isha bërë i famshëm në fushën e mjekësisë. Dukej se jeta po më shkonte për mrekulli. Nuk e imagjinoja kurrë që shumë shpejt e gjithë kjo do të shembej.Më ndodh një fatkeqësi
Një nga gjërat më të këqija që mund t’i ndodhë një kirurgu është humbja e shikimit. Pikërisht kjo gjë më ndodhi mua. Papritur pësova çarje në të dyja retinat dhe u verbova. Nuk e dija nëse do të më kthehej apo jo shikimi. Pasi më operuan, duke qëndruar në shtrat me sytë e fashuar, rashë në depresion. Më dukej vetja plotësisht i padobishëm dhe i pashpresë, deri në atë pikë sa vendosa t’i jepja fund jetës. Meqë isha në katin e katërt, u ngrita nga shtrati dhe eca anës murit në përpjekje për të gjetur dritaren. Doja të hidhesha dhe të vdisja. Por përfundova në korridorin e spitalit dhe një infermiere më ktheu përsëri në shtrat.
Nuk u përpoqa ta bëja më. Por, brenda në botën time të errët, vazhdoja të isha i dëshpëruar dhe i pezmatuar. Gjatë kohës që isha i verbër, i premtova Perëndisë se po të më kthehej shikimi, nuk do të lija germë të Biblës pa lexuar. Në fakt, shikimi më erdhi pjesërisht dhe mund të lexoja. Punën si kirurg nuk mund ta vazhdoja më. Sidoqoftë, në Uruguai ka një thënie të famshme «No hay mal que por bien no venga» që do të thotë: «Asgjë nuk është aq e keqe sa të mos sjellë diçka të mirë.» Shumë shpejt do ta vërtetoja në jetën time këtë thënie.
Një fillim jo i mbarë
Doja të blija një Bibël me format të madh, The Jerusalem Bible, por mësova që Dëshmitarët e Jehovait kishin një Bibël më pak të shtrenjtë dhe një Dëshmitar në moshë të re u tregua i gatshëm të ma sillte në shtëpi. Mëngjesin tjetër, ai ishte te dera ime me Biblën në dorë. Gruaja hapi derën dhe foli me të. Nga brenda shtëpisë, me ashpërsi, i bërtita gruas sime se nëse e kishte paguar për Biblën, ai nuk ishte i mirëpritur në shtëpinë time e duhej të ikte. Kuptohet që ai iku menjëherë. As ma merrte mendja që pikërisht ky djalë do të luante një rol të rëndësishëm në jetën time.
Një ditë i bëra gruas një premtim që nuk e mbajta dot. Prandaj për të shlyer gabimin dhe për t’i bërë qejfin, i thashë se do të shkoja me të në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Kur erdhi ajo ditë, shkova bashkë me të. Më bënë përshtypje atmosfera miqësore dhe mikpritja e ngrohtë që m’u bë. Kur filloi fjalimi, u habita pasi oratori që mbante fjalimin ishte i njëjti djalë të cilin e kisha përzënë nga shtëpia. Fjalimi më preku thellë dhe u ndjeva keq që e kisha trajtuar në atë mënyrë. Si mund ta shlyeja këtë gabim?
I thashë gruas ta ftonte për darkë, por ajo sugjeroi: «A nuk mendon që do të ishte më e përshtatshme ta ftoje ti? Ti rri këtu se afrohet vetë ai.» Ajo kishte të drejtë. Vëllai erdhi për të na përshëndetur dhe e pranoi ftesën me kënaqësi.
Biseda e asaj mbrëmjeje kur erdhi për vizitë ishte fillimi i shumë ndryshimeve për mua. Ai më tregoi librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme (anglisht), * ndërsa unë i tregova 6 kopje të të njëjtit libër. M’i kishin dhënë pacientë të ndryshëm që ishin Dëshmitarë, por nuk i kisha lexuar kurrë. Gjatë dhe pas darkës, deri natën vonë, i bëra pyetje njëra pas tjetrës dhe çdo përgjigje e mora me anë të Biblës. Diskutimi zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Para se të largohej, më tha se ishte i gatshëm të studionte Biblën me mua me anë të librit E vërteta. Studimin e këtij libri e mbaruam për tre muaj dhe vazhduam me librin «Babilonia e madhe ra!» Mbretëria e Perëndisë sundon! * Pas kësaj, ia kushtova jetën Perëndisë Jehova dhe u pagëzova.
Ndihem përsëri i dobishëm
Edhe pse nuk shihja, ‘sytë e zemrës’ filluan të shihnin të vërtetën biblike që unë e kisha shpërfillur deri në atë kohë. (Efesianëve 1:18) Që nga çasti që njoha Jehovain dhe qëllimin e tij të mrekullueshëm, jeta ime ka ndryshuar tërësisht. Ndihem përsëri i dobishëm dhe i gëzuar. I ndihmoj njerëzit si fizikisht, ashtu edhe frymësisht duke u treguar si ta zgjasin jetën disa vjet më shumë në këtë sistem dhe të kenë jetë të përhershme në sistemin e ri.
Jam përpjekur të përditësohem vazhdimisht në fushën e mjekësisë dhe kam bërë kërkime për rreziqet e gjakut, për mjekimet alternative, për të drejtat e pacientit dhe për bioetikën. Këto informacione kam pasur mundësi t’i shkëmbej me mjekët e vendit kur më kanë ftuar të mbaj fjalime me këtë temë nëpër seminare. Më 1994 ndoqa kongresin e parë për terapinë pa gjak në Rio-de-Zhanejro, Brazil, dhe mbajta një fjalim se si të ndalojmë një hemorragji. Një pjesë të këtij informacioni e përfshiva edhe në një artikull që shkrova me temë: «Una propuesta: Estrategias para el Tratamiento de las Hemorragias» («Një propozim: Strategjitë për kurimin e hemorragjisë»), që u botua në revistën mjekësore Hemoterapia.
Ruaj integritetin edhe nën presion
Në fillim dyshimet e mia për transfuzionin e gjakut bazoheshin në njohurinë shkencore. Megjithatë, kur isha vetë pacient në spital, ishte tjetër gjë të refuzoje transfuzionin e gjakut dhe të ruaje besimin përballë presionit të madh të mjekëve. Në një rast, pas një infarkti të rëndë të zemrës m’u deshën më shumë se dy orë për t’i shpjeguar qëndrimin tim një kirurgu. Ai ishte djali i dy miqve të mi dhe tha se, nëse mendonte se një transfuzion gjaku mund të më shpëtonte jetën, nuk do të më linte të vdisja. Iu luta në heshtje Jehovait që ta ndihmonte mjekun të kuptonte dhe të respektonte qëndrimin tim, edhe pse nuk ishte dakord. Më në fund më premtoi se do ta respektonte dëshirën time.
Në një rast tjetër duhej të më hiqnin një masë të madhe tumori nga gjëndra e prostatës. Kisha hemorragji. Ky ishte një rast tjetër ku më duhej të shpjegoja arsyet pse e refuzoja transfuzionin e gjakut. Megjithëse humba dy të tretat e gjakut, personeli mjekësor e respektoi vendimin tim.
Ndryshojnë mendim
Si anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Bioetikës, kam pasur kënaqësinë të shoh ndryshimin e qëndrimit të personelit mjekësor dhe të autoriteteve ligjore ndaj të drejtave të pacientëve. Qëndrimi autoritar i mjekëve është zëvendësuar nga respekti për atë që quhet miratim i informuar. Tani i lejojnë pacientët që të marrin pjesë në zgjedhjen e mjekimit që duan. Dëshmitarët e Jehovait nuk shihen më si fanatikë që nuk e meritojnë kujdesin mjekësor. Përkundrazi, ata konsiderohen si pacientë të mirinformuar, të drejtat e të cilëve duhen respektuar. Në seminaret mjekësore dhe programet televizive, profesorë të njohur kanë thënë: «Falë përpjekjeve të Dëshmitarëve të Jehovait, tani e kuptojmë . . .», «Kemi mësuar nga Dëshmitarët . . .» dhe «Ata na kanë mësuar si të përmirësojmë».
Thuhet që jeta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, pasi liria, pavarësia dhe dinjiteti nuk do të kishin kuptim pa të. Tani, shumë janë dakord me një koncept ligjor shumë më të lartë. Ata pranojnë se çdo individ është pronar i të drejtave të tij dhe është i vetmi që mund të vendosë se cila nga këto të drejta duhet të ketë përparësi në rrethana të caktuara. Në këtë mënyrë i jepet përparësi dinjitetit, lirisë së zgjedhjes dhe bindjeve fetare. Çdo pacient ka të drejtën për të vendosur vetë. Shërbimi i Informacioneve Shëndetësore të Dëshmitarëve të Jehovait ka ndihmuar shumë mjekë të fitojnë më tepër kuptueshmëri në këto çështje.
Mbështetja e vazhdueshme e familjes më ka lejuar të jem i dobishëm në shërbimin e Jehovait dhe gjithashtu të shërbej si plak në kongregacionin e krishterë. Siç e thashë edhe më sipër, ajo për të cilën më vjen keq më tepër është që nuk e njoha më parë Jehovain. Megjithatë i jam shumë mirënjohës që më bëri të shoh shpresën e mrekullueshme për të jetuar në Mbretërinë e Perëndisë, ku «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’»—Isaia. 33:24. *
[Shënimet]
^ par. 24 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 24 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 34 Kur po përgatitej ky artikull, vëlla Egon Hauzer vdiq. Ai vdiq besnik prandaj na gëzon siguria që shpresa e tij do të realizohet.
[Figura në faqen 24]
Kur isha rreth tridhjetë vjeç, duke punuar në spitalin Santa Luçia
[Figura në faqen 26]
Me gruan, Beatrisën, në vitin 1995