Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sportet në lashtësi dhe rëndësia e fitores

Sportet në lashtësi dhe rëndësia e fitores

Sportet në lashtësi dhe rëndësia e fitores

«ÇDOKUSH që merr pjesë në një garë, ushtron vetëkontroll në çdo gjë.» «Nëse dikush ndeshet . . . në lojëra, ai nuk kurorëzohet po të mos ndeshet sipas rregullave.»​—1 Korintasve 9:25; 2 Timoteut 2:5.

Lojërat për të cilat fliste apostulli Pavël ishin një tipar themelor i qytetërimit të lashtë grek. Por, çfarë na tregon historia për këto gara dhe për atmosferën që i karakterizonte ato?

Kohët e fundit, në Koloseun e Romës u hap një ekspozitë e lojërave greke, Nike​—Il gioco e la vittoria («Nike​—Loja dhe fitorja»). * Sendet e ekspozuara i dhanë përgjigje pyetjes së mësipërme, si dhe na nxitin të mendojmë se ç’pikëpamje duhet të ketë një i krishterë për sportet.

Një veprimtari e lashtë

Sporti nuk u zhvillua për herë të parë në qytetërimin grek. Megjithatë, ndoshta në shekullin e tetë p.e.s., poeti grek, Homeri, përshkruan një shoqëri e cila gëlonte nga idealet heroike dhe nga fryma e konkurrencës, ku aftësitë luftarake dhe atletizmi vlerësoheshin jashtë mase. Në ekspozitë u tregua se festimet e para greke filluan si ngjarje fetare për të nderuar perënditë në ceremonitë e varrimit të heronjve. Për shembull, Iliada e Homerit, vepra më e vjetër e letërsisë greke që i ka mbijetuar kohës, përshkruan se si luftëtarët fisnikë, shokë të Akilit, ulën armët gjatë riteve të varrimit të Patroklit dhe u ndeshën për të treguar trimërinë e tyre në boks, mundje, hedhje disku e shtize dhe në gara me karroca.

Festime të tilla zhvilloheshin në mbarë Greqinë. Katalogu i ekspozitës thoshte: «Festimet paraqisnin një rast të rëndësishëm në të cilin grekët, për nder të perëndive, linin mënjanë grindjet e pafundme dhe shpesh të dhunshme. Ata arrinin të kthenin frymën e tyre karakteristike të konkurrencës në një arritje paqësore dhe të barabartë, dhe kjo ishte gara atletike.»

Disa qytet-shtete e bënë të tyren këtë praktikë që të mblidheshin rregullisht së bashku për të nderuar perënditë e tyre me anë të garave atletike. Me kalimin e kohës, festa të tilla u bënë shumë të rëndësishme. Kishte katër lloje të rëndësishme: Lojërat Olimpike dhe ato të Nemeut që i kushtoheshin Zeusit, Lojërat Pitike dhe Istmike që i kushtoheshin përkatësisht Apolonit dhe Poseidonit. Ato u quajtën panhelenike sepse ishin të hapura për konkurruesit nga e gjithë bota greke. Këto festime përfshinin flijime dhe lutje.Gjithashtu, nderonin edhe perënditë me anë të garave të pashoqe atletike ose artistike.

Festa më e vjetër dhe më e famshme, që thuhet se daton nga viti 776 p.e.s., mbahej çdo katër vjet për nder të Zeusit, në Olimp. Të dytat, për nga rëndësia, vinin lojërat Pitike që mbaheshin afër orakullit më të njohur të botës së lashtë, në Delfi. Edhe këto përfshinin ushtrime atletike, por, për nder të perëndisë së poezisë dhe muzikës, Apolonit, i jepej më tepër rëndësi këngës dhe kërcimit.

Disiplinat

Në krahasim me atletikën e sotme numri i disiplinave ishte mjaft i kufizuar dhe vetëm burrat mund të merrnin pjesë. Programi i Lojërave të lashta Olimpike nuk përfshinte kurrë më shumë se dhjetë lloje garash. Statujat, relievet, mozaikët dhe pikturat në vazo prej balte që u ekspozuan në Kolose paraqisnin pamje nga këto gara.

Kishte tre gara vrapimi në distanca të ndryshme. E para, me gjatësi prej 200 metrash, bëhej rreth stadiumit. E dyta, e ngjashme me garat e sotme të 400 metrave, përfshinte dy xhiro rreth stadiumit, dhe e fundit ishte gara prej rreth 4.500 metrash. Atletët vraponin dhe i bënin ushtrimet komplet të zhveshur. Pjesëmarrësit në pesëgarësh konkurronin në pesë disiplina: vrapim, kërcim së gjati, hedhje disku, shtize dhe mundje. Ndeshjet e tjera përfshinin boksin dhe pankratin, që përshkruhet «një sport i dhunshëm, një kombinim i boksit pa doreza me mundjen». Pastaj ishte edhe gara me karroca që përshkonte një distancë prej tetë xhirosh rreth stadiumit. Karrocat ishin të lehta, të hapura nga pas me rrota të vogla dhe tërhiqeshin nga dy apo katër mëza ose kuaj.

Boksi ishte jashtë mase i dhunshëm dhe ndonjëherë vdekjeprurës. Boksierët mbështillnin përreth grushteve rripa lëkure të ashpër ku fusnin copa metalike që të bënin copë e çikë. Është e lehtë të kuptosh pse një boksier me emrin Stratofonte nuk e njohu veten në pasqyrë pasi kishte bërë boks për katër orë rresht. Statujat dhe mozaikët e lashtë dëshmojnë për shpërfytyrimin e tmerrshëm të boksierëve.

Në mundje, sipas rregullave duhej ta kapje kundërshtarin vetëm në pjesën e sipërme të trupit dhe fituesi ishte ai që e rrëzonte tri herë kundërshtarin përtokë. Por, ndryshe nga mundja, në pankrat çdo lloj kapjeje ishte e lejuar. Kundërshtarët mund të shkelmonin, të grushtonin ose t’i ndrydhnin kyçet njëri-tjetrit. Ndalohej vetëm nxjerrja e syve, gërvishtja dhe kafshimi. Qëllimi ishte ta bllokoje kundërshtarin përtokë dhe ta detyroje të dorëzohej. Disa e konsideronin «shfaqja më e mrekullueshme në të gjithë Olimpin».

Ndeshja më e famshme e pankratit në lashtësi thuhet të jetë zhvilluar në finalen e Lojërave Olimpike në vitin 564 p.e.s. Araksioni, në momentin që po e mbyste rivali, ishte aq i kthjellët sa i nxori nga vendi rivalit gishtin e këmbës. Kundërshtari i tij, i mposhtur nga dhimbja, u dorëzua pikërisht çastin para se të vdiste Araksioni. Gjyqtari shpalli fitues kufomën e Araksionit.

Garat me karroca ishin më prestigjozet dhe më të famshmet ndërmjet aristokratëve, pasi fituesi nuk ishte kalorësi, por pronari i karrocës dhe i kuajve. Çastet vendimtare në garë ishin në fillim të saj kur kalorësit duhej të qëndronin në korsi, dhe për më tepër kur merrnin kthesën në fund të korsisë. Gabimet ose shkeljet e rregullave mund të shkaktonin aksidente që e bënin këtë garë të famshme edhe më spektakolare.

Çmimet

«A nuk e dini se në një garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm një e merr çmimin?»​—tha apostulli Pavël. (1 Korintasve 9:24) Gjëja më e rëndësishme ishte të fitoje. Nuk kishte medalje argjendi apo bronzi, vend të dytë apo të tretë. Në ekspozitë shpjegohej: «Fitorja, ‘Nike’, ishte qëllimi përfundimtar i atletit. Vetëm kjo mjaftonte, meqë fitorja ishte pasqyra e vërtetë e karakterit të tij si fizik, ashtu edhe moral, dhe ishte krenaria e qytetit.» Ky qëndrim përmblidhet nga një varg i Homerit: «U mësova gjithnjë të jem kreshnik në krye.»

Çmimi që i jepej fituesit në Lojërat panhelenike ishte thjesht simbolik​—një kurorë gjethesh. Pavli e quajti «një kurorë të prishshme». (1 Korintasve 9:25) Megjithatë çmimi mbartte një domethënie të madhe. Ai përfaqësonte vetë forcën e natyrës që ia jepte fuqinë e saj fituesit. Fitorja, që merrej me vendosmëri dhe përqendrim, s’ishte gjë tjetër veçse shfaqje e mbështetjes hyjnore. Pjesë të ekspozitës dokumentuan se si skulptorët dhe piktorët e lashtë e imagjinonin Niken ose Nikean, perëndeshën greke të fitores të paraqitur me krahë, duke i zgjatur kurorën fituesit. Një fitore në Olimp ishte kulmi i karrierës së çdo atleti.

Kurorat Olimpike bëheshin me gjethe ulliri të egër​—kurorat Istmike me pisha, kurorat Pitike me gjethe dafine dhe kurorat e Nemeut me selino të egër. Në vende të tjera, organizuesit e lojërave ofronin çmime në para ose çmime të tjera për të tërhequr konkurruesit profesionistë. Disa vazo që ishin paraqitur në ekspozitë kishin qenë çmime në Lojërat Panathina, që mbaheshin në Athinë për nder të perëndeshës Athiná. Këto amfora fillimisht mbanin vaj të shtrenjtë nga Atika. Në njërën anë të këtyre vazove është një vizatim i perëndeshës me nënshkrimin «çmimi për garat e Athinasë». Në anën tjetër të vazos paraqitet një garë e veçantë, ka të ngjarë të jetë ajo ku atleti doli fitimtar.

Qyteteve greke u pëlqente të shijonin famën e atletëve të tyre. Këto fitore i kthenin ata në figura heroike në vendin ku banonin. Kthimi i fituesve festohej me parakalime triumfale nëpër rrugë. Ngriheshin statuja për nder të tyre si oferta falënderimi për perënditë​—një nderim që zakonisht nuk i bëhej një të vdekshmi​—dhe poetët i këndonin trimërisë së tyre. Më pas fituesve u jepej vendi i parë në ceremonitë publike dhe merrnin shpërblim nga të ardhurat publike.

Palestrat dhe atletët e tyre.

Gara atletike konsiderohej një element themelor në zhvillimin e shtetasit-ushtar. Të gjitha qytetet greke kishin palestrat e tyre ku stërvitja fizike për të rinjtë ndërthurej me stërvitjen mendore dhe marrjen e mësimeve fetare. Ndërtesat e palestrave ishin vendosur përreth një vendi shumë të hapur për ushtrime, të rrethuar nga portikë dhe ambiente të tjera të mbyllura që përdoreshin si biblioteka dhe klasa. Në institucione të tilla shkonin kryesisht të rinj nga familje të pasura që mund t’ia lejonin vetes të arsimoheshin, pasi nuk e kishin të nevojshme të punonin. Në këto vende, atletët i nënshtroheshin një stërvitjeje intensive dhe të gjatë me ndihmën e trajnerëve që u këshillonin dietat dhe kontrollonin që ata tëpërmbaheshin nga marrëdhëniet seksuale.

Ekspozita në Kolose u jepte vizitorëve mundësinë për të admiruar imazhet e atletëve të lashtë. Këto ishin kryesisht imitime të skulpturave origjinale greke të bëra gjatë perandorisë romake. Meqë, sipas filozofisë klasike, përsosmëria fizike nënkuptonte përsosmërinë morale dhe ishte një tipar që e kishin vetëm aristokratët, atletët fitimtarë truplidhur paraqitnin një model të përkryer filozofik. Romakët i vlerësonin këto skulptura si vepra arti, dhe me shumë prej tyre zbukuronin stadiumet, banjat, vilat dhe pallatet e tyre.

Shfaqjet e dhunshme ishin gjithmonë të preferuara për publikun e gjerë romak, kështu që nga të gjitha sportet greke që zhvilloheshin në Romë boksi, mundja dhe pankrati pëlqeheshin më tepër. Romakët nuk i konsideronin këto sporte si një garë që nxirrte në pah meritat e secilit atlet, por thjesht si zbavitje. Ideja fillestare, ku pjesëmarrja në sporte e të gjithë atletëve më të shquar luftëtarë shihej si pjesë e arsimimit, nuk ekzistonte më. Në vend të kësaj, romakët ia ulën vlerat lojërave greke duke i kthyer në ushtrime për shëndetin para se të bënin banjë ose në një shfaqje sportive, ku merrnin pjesë profesionistë të shtresave të ulëta, që i ngjanin më tepër ndeshjeve me gladiatorë.

Të krishterët dhe lojërat

Për të krishterët e shekullit të parë, natyra fetare e lojërave ishte një arsye për t’i shmangur. Në fakt, «ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt»? (2 Korintasve 6:14, 16) Ç’mund të themi për sportet sot?

Është e qartë që sportet moderne nuk zhvillohen për nder të perëndive pagane. Por, a nuk është e vërtetë që disa sporte karakterizohen nga një entuziazëm gati fetar, ngjashëm me atë që ekzistonte në kohët e lashta? Për më tepër, siç raportohet këto vitet e fundit, disa atletë, me qëllim që të fitojnë, me vullnet kanë marrë droga që rritin efektshmërinë, por duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre.

Për të krishterët, arritjet në fushën e sportit kanë një vlerë shumë të kufizuar. Vlerat frymore të ‘njeriut të fshehtë të zemrës’ janë ato që na bëjnë të bukur në sytë e Perëndisë. (1 Pjetrit 3:3, 4) Kuptohet që jo të gjithë ata që marrin pjesë në sporte kanë një frymë të dhunshme konkurruese, por shumica e kanë. A do të na ndihmojë shoqërimi me këta persona të ndjekim këshillën e shkrimeve që ‘të mos bëjmë asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por të kemi përulësi mendjeje’? A nuk do të na çojë ky shoqërim tek «armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet»?​—Filipianëve 2:3; Galatasve 5:19-21.

Shumë sporte moderne ku përfshihet ndeshja me kundërshtarin kanë prirjen për të qenë të dhunshme. Çdokush që tërhiqet nga sporte të tilla duhet të kujtojë fjalët e Psalmit 11:5: «Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.»

Kur zë vendin e duhur, sporti mund të jetë i këndshëm dhe apostulli Pavël në të vërtetë tha që «stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë». (1 Timoteut 4:7-10) Megjithatë, kur foli për lojërat greke, Pavli iu referua atyre thjesht për të ilustruar rëndësinë që të krishterët të kenë cilësi të tilla, si vetëkontrolli dhe durimi. Ajo për të cilën përpiqej më shumë Pavli ishte të merrte nga Perëndia «kurorën» e jetës së përjetshme. (1 Korintasve 9:24-27; 1 Timoteut 6:12) Pikërisht për këtë na la një shembull.

[Shënimi]

^ par. 4 Nike në greqisht do të thotë «fitore».

[Kutia dhe figurat në faqen 31]

Boksieri në pushim

Kjo medalje bronzi e shekullit të katërt p.e.s. tregon pasojat shkatërrimtare të boksit në kohët e lashta. Sipas katalogut të ekspozitës së Romës, në këtë sport «rezistenca e boksierit . . . që merrte pjesë në ndeshjet sfilitëse me parimin ‘plagë për plagë’, lartësohej si një shembull i shkëlqyer». Shpjegimi i katalogut vazhdonte: «Plagët e ndeshjes së sapopërfunduar thjesht u bashkëngjiteshin atyre të ndeshjeve të mëparshme.»

[Figura në faqen 29]

Garat me karroca ishin ngjarjet sportive më prestigjoze në garat e lashta

[Figura në faqen 30]

Artistët e lashtë e imagjinonin Nikean, perëndeshën me krahë të fitores, duke kurorëzuar fituesin