Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të forcojmë njëri-tjetrin

Të forcojmë njëri-tjetrin

Të forcojmë njëri-tjetrin

«Këta kanë qenë për mua një ndihmë fuqizuese.»​—KOLOSIANËVE 4:11.

1, 2. Pse e vizituan Pavlin në burg miqtë e tij, me gjithë rreziqet?

MUND të jetë një gjë e rrezikshme të jeni mik i dikujt që dergjet në burg, edhe pse miku juaj mund të jetë burgosur padrejtësisht. Rojat e burgut mund t’ju shohin me dyshim, duke vëzhguar çdo lëvizje tuajën për t’u siguruar që të mos kryeni ndonjë krim. Prandaj, kërkohet guxim që të mbani lidhje të ngushta me mikun tuaj dhe ta vizitoni në burg.

2 Megjithatë, pikërisht këtë gjë bënë disa miq të apostullit Pavël, rreth 1.900 vjet më parë. Ata nuk ngurruan ta vizitonin Pavlin në burg, që t’i jepnin ngushëllimin dhe inkurajimin e nevojshëm dhe që ta forconin frymësisht. Kush ishin këta miq besnikë? Çfarë mund të mësojmë nga guximi, besnikëria dhe miqësia e tyre?​—Fjalët e urta (Proverbat) 17:17.

«Një ndihmë fuqizuese»

3, 4. (a) Cilët janë pesë miqtë e Pavlit? Çfarë u bënë ata për Pavlin? (b) Çfarë është ‘ndihma fuqizuese’?

3 Le të kthehemi rreth vitit 60 të e.s. Apostulli Pavël është burgosur në Romë nën akuzën e sajuar të nxitjes për kryengritje. (Veprat 24:5; 25:11, 12) Pavli përmendi pesë të krishterë që i qëndruan pranë: Tikiku, i dërguari i tij nga rajoni i Azisë dhe «shok i skllavërisë në Zotërinë»; Onesimi, ‘një vëlla i besueshëm e i dashur’ nga Kolosea; Aristarku, një maqedonas nga Selaniku dhe dikur ‘shok robërie’ me Pavlin; Marku, kushëriri i Barnabës, shokut misionar të Pavlit dhe shkrimtari i Ungjillit që mban emrin e tij; dhe Justi, një nga bashkëpunëtorët e apostujve «për mbretërinë e Perëndisë». Pavli thotë për këta të pestë: «Këta kanë qenë për mua një ndihmë fuqizuese.»​—Kolosianëve 4:7-11.

4 Pavli tha një pohim të fuqishëm për ndihmën që i dhanë këta miq besnikë. Ai përdori një fjalë greke (paregoria), e përkthyer «ndihmë fuqizuese», e cila në Bibël gjendet vetëm në këtë varg. Kjo fjalë ka shumë kuptime dhe përdorej sidomos kur flitej për gjërat mjekësore. * Ajo mund të përkthehet ‘ngushëllim, lehtësim ose çlirim’. Pavli kishte nevojë për këtë lloj ndihme dhe këta pesë burra ia dhanë.

Pse Pavli kishte nevojë për «ndihmë fuqizuese»?

5. Për çfarë pati nevojë Pavli, megjithëse ishte një apostull? Për çfarë kemi nevojë të gjithë ne herët a vonë?

5 Mund të na duket e çuditshme kur mendojmë se Pavli, një apostull, kishte nevojë për t’u forcuar. E megjithatë ai pati nevojë. Vërtet që Pavli kishte një besim të fortë dhe kishte mbijetuar nga shumë keqtrajtime fizike, nga «goditje jashtë mase, shpesh në prag të vdekjes» dhe nga dhembje të tjera. (2 Korintasve 11:23-27) Gjithsesi, ai ishte njeri dhe të gjithë njerëzit herët a vonë kanë nevojë për ngushëllim dhe që të forcojnë besimin me ndihmën e të tjerëve. Kjo ishte e vërtetë madje edhe për Jezuin. Gjatë natës së tij të fundit, një engjëll iu shfaq në Getsemani dhe «e forcoi».​—Luka 22:43.

6, 7. (a) Cilët e zhgënjyen dhe cilët i dhanë zemër Pavlit në Romë? (b) Çfarë shërbimesh kryen për Pavlin vëllezërit në Romë, duke qenë në këtë mënyrë «një ndihmë fuqizuese» për të?

6 Pra, nëse Jezui kishte nevojë për t’u forcuar, është e kuptueshme përse edhe Pavli kishte nevojë për t’u forcuar. Kur mbërriti në Romë si i burgosur, bashkëkombësit e tij nuk e pritën ngrohtë. Në përgjithësi këta judenj u treguan indiferentë ndaj mesazhit të Mbretërisë. Pasi të parët e judenjve vizituan Pavlin në vendin e izolimit, tregimi te Veprat thotë: «Disa filluan t’i besonin gjërat që thuheshin, të tjerë nuk i besonin. Kështu, meqenëse ishin në mospajtim me njëri-tjetrin, filluan të iknin.» (Veprat 28:17, 24, 25) Sa dhembje do t’i ketë shkaktuar Pavlit mungesa e tyre e çmueshmërisë për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait! Ndjenjat e tij të forta për këtë gjë ishin të dukshme në letrën që i kishte shkruar disa vite më parë kongregacionit në Romë: «Kam në zemër hidhërim të madh dhe një dhembje që nuk pushon. Sepse do të desha të isha unë i ndarë nga Krishti, si i mallkuari, për vëllezërit e mi [judenjtë], farefisi im sipas mishit.» (Romakëve 9:2, 3) Sidoqoftë, në Romë ai gjeti shokë të vërtetë dhe besnikë, guximi dhe përzemërsia e të cilëve ia qetësoi zemrën. Ata ishin vëllezërit e tij të vërtetë frymorë.

7 Si treguan ata pesë vëllezër se ishin një ndihmë fuqizuese? Ata nuk lejuan që për shkak të zinxhirëve të burgut që kishte Pavli t’i shmangeshin atij. Përkundrazi, me gatishmëri dhe me dashuri kryen disa shërbime për Pavlin, duke bërë gjëra që ai nuk mund t’i bënte për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej. Për shembull, ata vepruan si korrierë dhe u shpërndanë kongregacioneve letrat e Pavlit dhe udhëzimet e tij gojore. Gjithashtu, i sollën Pavlit raporte inkurajuese rreth faktit se vëllezërit në Romë dhe në vende të tjera po ecnin mirë. Ndoshta i siguruan atij gjërat e nevojshme, si rroba dimri, rrotulla dhe mjete për të shkruar. (Efesianëve 6:21, 22; 2 Timoteut 4:11-13) Të gjitha këto vepra të dobishme e forcuan dhe i dhanë zemër apostullit të burgosur dhe kështu, si rrjedhim, ai mundi të ishte «një ndihmë fuqizuese» për të tjerët, përfshirë edhe kongregacione të tëra.​—Romakëve 1:11, 12.

Si të jemi «një ndihmë fuqizuese»?

8. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga fakti që Pavli pranoi me përulësi se kishte nevojë për «ndihmë fuqizuese»?

8 Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim i Pavlit dhe i pesë bashkëpunëtorëve të tij? Le të shqyrtojmë një mësim të veçantë: kërkohet guxim dhe frymë sakrifice që t’i ndihmojmë të tjerët kur janë në hall. Po ashtu kërkohet përulësi të pranojmë se mund të kemi nevojë për ndihmë kur jemi vetë në hall. Pavli jo vetëm pranoi se kishte nevojë për ndihmë, por edhe e pranoi me mirësjellje ndihmën dhe i lavdëroi ata që e ndihmuan. Nuk mendoi se të pranonte ndihmë nga të tjerët do të ishte një shenjë dobësie ose poshtërim për të, dhe as ne nuk duhet ta mendojmë këtë. Po të thoshim se nuk kemi kurrë nevojë për ndihmë fuqizuese do të ishte sikur të thoshim se jemi qenie mbinjerëzore. Të mos harrojmë, shembulli i Jezuit tregon se edhe një njeri i përsosur ndonjëherë mund të këlthasë për ndihmë.​—Hebrenjve 5:7.

9, 10. Çfarë rezultatesh të mira mund të vijnë kur një njeri e pranon se ka nevojë për ndihmë? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo tek pjesëtarët e tjerë të familjes dhe të kongregacionit?

9 Kur ata që kanë pozita përgjegjësie pranojnë se kanë kufizime dhe se varen nga mbështetja e të tjerëve, mund të vijnë rezultate të mira. (Jakovi 3:2) Pranimi i këtij fakti forcon lidhjen mes atyre që kanë autoritet dhe individëve që i nënshtrohen këtij autoriteti, duke nxitur kështu një komunikim të ngrohtë dhe të lirshëm. Përulësia nga ana e atyre që janë të gatshëm të pranojnë ndihmë, shërben si shembull për të tjerët që janë në një situatë të ngjashme. Ajo tregon se ata që marrin drejtimin janë njerëz të papërsosur si ne dhe të cilëve mund t’u afrohemi lirshëm.​—Predikuesi (Eklisiastiu) 7:20.

10 Për shembull, fëmijët mund ta kenë më të lehtë të pranojnë ndihmën e prindërve kur përballojnë probleme dhe tundime, nëse e dinë se edhe prindërit kanë hasur probleme të ngjashme kur ishin fëmijë. (Kolosianëve 3:21) Kështu mund të krijohen linja komunikimi mes prindit dhe fëmijës. Si rrjedhim zgjidhjet e problemeve, të bazuara në Bibël, mund të ofrohen më me efektshmëri dhe mund të pranohen më me gatishmëri. (Efesianëve 6:4) Po kështu, pjesëtarët e kongregacionit do të jenë më të përgatitur për të pranuar ndihmë nga pleqtë kur kuptojnë se edhe pleqtë përballojnë probleme, kanë frikë dhe janë në mëdyshje. (Romakëve 12:3; 1 Pjetrit 5:3) Ashtu si në rastin e fëmijëve, mund të krijohet një komunikim i mirë, mund të ofrohen këshilla biblike dhe si rrjedhim mund të forcohet besimi i vëllezërve. Të mos harrojmë se tani më shumë se kurrë vëllezërit dhe motrat tona kanë nevojë të forcohen.​—2 Timoteut 3:1.

11. Pse kaq shumë veta sot kanë nevojë për «ndihmë fuqizuese»?

11 Pavarësisht se ku jetojmë, cilët jemi ose në ç’moshë jemi, që të gjithë do të përballojmë ndonjëherë strese në jetë. Kjo është karakteristikë e botës së sotme. (Zbulesa 12:12) Situata të tilla stresuese, qoftë nga ana fizike, qoftë nga ana emocionale, sprovojnë cilësinë e besimit tonë. Situata sprovuese mund të krijohen në punë, në shkollë, brenda familjes ose në kongregacion. Shkak mund të jetë një sëmundje e rëndë ose një traumë e së kaluarës. Sa qetësuese mund të jetë nëse një bashkëshort, një plak ose një mik, me mirëdashje na jep zemër nëpërmjet fjalëve të dashura dhe të veprimeve të dobishme! Po, është si balsami mbi lëkurën e acaruar. Prandaj, në qoftë se vini re se një vëlla është në një situatë të tillë, bëhuni një ndihmë fuqizuese për të. Ose, në rast se një problem shqetësues po ju rëndon, kërkoni ndihmën e individëve frymësisht të kualifikuar.​—Jakovi 5:14, 15.

Si mund të ndihmojë kongregacioni?

12. Çfarë mund të bëjë secili në kongregacion për të forcuar vëllezërit?

12 Të gjithë në kongregacion, përfshirë edhe fëmijët, mund të bëjnë diçka për të forcuar të tjerët. Pikë së pari, pjesëmarrja juaj e rregullt në mbledhje dhe në shërbim ndikon shumë për t’u forcuar besimin të tjerëve. (Hebrenjve 10:24, 25) Palëkundshmëria juaj në shërbimin e shenjtë është dëshmi e besnikërisë suaj ndaj Jehovait dhe tregon se po qëndroni zgjuar frymësisht, me gjithë vështirësitë që ndoshta po përballoni. (Efesianëve 6:18) Kjo palëkundshmëri mund të ketë një ndikim fuqizues te të tjerët.​—Jakovi 2:18.

13. Pse disa mund të bëhen joaktivë? Çfarë mund të bëhet për t’i ndihmuar?

13 Ndonjëherë për shkak të presioneve të jetës ose të vështirësive të tjera, disa mund të bëhen më pak aktivë ose mund të bëhen joaktivë në shërbim. (Marku 4:18, 19) Ndoshta nuk i shohim më në mbledhje ata që janë joaktivë. Megjithatë, ka të ngjarë që ata në zemrën e tyre kanë dashuri për Perëndinë. Çfarë mund të bëjmë për t’ua forcuar besimin? Pleqtë mund t’u japin ndihmë mirëdashëse duke i vizituar. (Veprat 20:35) Edhe pjesëtarëve të tjerë të kongregacionit mund t’u kërkohet që t’i ndihmojnë. Këto vizita të dashura mund të jenë ilaçi i duhur, si të thuash, për të ripërtërirë ata që kanë besim të dobët.

14, 15. Çfarë këshille për të forcuar të tjerët jep Pavli? Jepni një shembull të një kongregacioni që e zbatoi këshillën e tij.

14 Bibla na nxit që ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar dhe të mbështetim të dobëtit’. (1 Selanikasve 5:14) Ndoshta këtyre «shpirtrave të ligështuar» po u humbet guximi dhe nuk mund t’i kapërcejnë pengesat që po hasin, pa pasur ndihmën e dikujt. A mund t’i ndihmoni? Shprehja «të mbështetni të dobëtit» mund të përkthehet «të mbani fort» të dobëtit ose «të ngjiteni pas» të dobëtve. Jehovai i çmon dhe i do të gjitha delet e tij. Nuk i sheh si individë me pak vlerë dhe nuk do që ndonjërin ‘ta marrë rryma’. A mund të jepni ndihmën tuaj, në mënyrë që kongregacioni ‘të mbajë fort’ të dobëtit frymësisht derisa të bëhen më të fortë?​—Hebrenjve 2:1.

15 Një plak vizitoi një çift që kishte qenë joaktiv për gjashtë vjet. Plaku shkruan: «Interesimi mirëdashës që shfaqi ndaj tyre i gjithë kongregacioni, pati një ndikim kaq të madh tek ata, saqë i nxiti të ktheheshin te kopeja.» Çfarë mendoi motra që dikur kishte qenë joaktive, për vizitat e pjesëtarëve të kongregacionit? Ajo thotë tani: «Ajo që na ndihmoi të bëheshim përsëri aktivë ishte se as vëllezërit që na vizitonin dhe as motrat që i shoqëronin nuk shfaqën ndonjëherë ndaj nesh një qëndrim gjykues ose kritik. Përkundrazi ishin mirëkuptues dhe na dhanë inkurajim me anë të Shkrimeve.»

16. Kush është gjithnjë i gatshëm t’i ndihmojë ata që kanë nevojë të forcohen?

16 Po, një i krishterë i sinqertë gjen kënaqësi duke qenë një ndihmë fuqizuese për të tjerët. E ndërsa rrethanat e jetës ndryshojnë, edhe ne mund të forcohemi nga vëllezërit tanë. Për të qenë realistë, megjithatë, ka të ngjarë që në një rast nevoje të mos jetë e mundur të kemi dikë pranë për ndihmë. Gjithsesi, ekziston një Burim force që është gjithmonë pranë nesh, dikush i cili është gjithnjë i gatshëm të na ndihmojë. Ai është Perëndia Jehova!​—Psalmi 27:10.

Jehovai​—Burimi kryesor i forcës

17, 18. Si e forcoi Jehovai Birin e tij, Jezu Krishtin?

17 Teksa ishte i gozhduar në shtyllë, Jezui thirri: «O Atë, në duart e tua e besoj frymën time.» (Luka 23:46) Pastaj vdiq. Vetëm pak orë më parë e kishin arrestuar dhe miqtë më të ngushtë e kishin braktisur dhe kishin ikur nga frika. (Mateu 26:56) Jezui kishte mbetur vetëm me një Burim force: me Atin e tij qiellor. Prapëseprapë besimi i tij te Jehovai nuk qe i kotë. Për besnikërinë e tij ndaj Atit, Jezui u shpërblye duke pasur mbështetjen besnike të vetë Jehovait.​—Psalmi 18:25; Hebrenjve 7:26.

18 Gjatë gjithë shërbimit të Jezuit në tokë Jehovai i dha Birit të tij gjithçka që i nevojitej për të ruajtur integritetin deri në frymën e fundit. Për shembull, menjëherë pasi Jezui u pagëzua, duke shënuar në këtë mënyrë fillimin e shërbimit të tij, ai dëgjoi zërin e Atit i cili i shprehu miratimin dhe e siguroi për dashurinë që kishte për të. Kur Jezui kishte nevojë për ndihmë, Jehovai dërgoi engjëj për ta forcuar. Kur Jezui përballoi sprovën më të madhe në fund të jetës së tij tokësore, Jehovai i dëgjoi përgjërimet dhe kërkesat e tij. Patjetër, e gjithë kjo ishte një ndihmë fuqizuese për Jezuin.​—Marku 1:11, 13; Luka 22:43.

19, 20. Si mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na forcojë në kohë nevoje?

19 Jehovai do që të jetë edhe për ne Burimi kryesor i forcës. (2 Kronikave 16:9) Burimi i vërtetë i gjithë energjisë dinamike dhe i fuqisë së jashtëzakonshme mund të bëhet për ne ndihmë fuqizuese në kohë nevoje. (Isaia 40:26) Për shkak të luftës, varfërisë, sëmundjeve, vdekjes së dikujt ose për shkak të papërsosmërive tona mund të gjendemi nën presion shumë të madh. Kur sprovat e jetës duken po aq të mëdha sa ‘një armik i fuqishëm’, Jehovai mund të jetë forca dhe fuqia jonë. (Psalmi 18:17; Eksodi [Dalja] 15:2) Ai ka një ndihmë të fuqishme për ne, frymën e tij të shenjtë. Nëpërmjet frymës së tij Jehovai mund t’i japë «forcë të lodhurit» në mënyrë që ‘të ngrihet me krahë si shqiponja’.​—Isaia 40:29, 31.

20 Fryma e Perëndisë është forca më e fuqishme në univers. Pavli tha: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.» Po, Ati ynë i dashur qiellor mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’, që të përballojmë të gjitha problemet e dhembshme derisa ai të bëjë «çdo gjë të re» në parajsën e tij të premtuar e cila është shumë afër.​—Filipianëve 4:13; 2 Korintasve 4:7; Zbulesa 21:4, 5.

[Shënimi]

^ par. 4 Një fjalor i autorit U. E. Vajn (Vine’s Complete Expository Dictionary of Old and New Testament Words) thotë: «Një formë foljore e fjalës [paregoria] ka kuptimin ilaçe që qetësojnë ndonjë acarim në trup.»

A ju kujtohet?

• Si qenë vëllezërit në Romë «ndihmë fuqizuese» për Pavlin?

• Në cilat mënyra mund të jemi «ndihmë fuqizuese» në kongregacion?

• Në ç’mënyrë është Jehovai Burimi ynë kryesor i forcës?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Vëllezërit qenë «ndihmë fuqizuese» për Pavlin duke e mbështetur me besnikëri, duke i dhënë zemër dhe duke kryer disa shërbime për të

[Figura në faqen 21]

Pleqtë marrin drejtimin për forcimin e kopesë