Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Abrahami dhe Sara: Mund ta imitosh besimin e tyre!

Abrahami dhe Sara: Mund ta imitosh besimin e tyre!

Abrahami dhe Sara: Mund ta imitosh besimin e tyre!

AI QUHET «ati i të gjithë atyre që kanë besim». (Romakëve 4:11) Këtë cilësi e kishte edhe gruaja e tij e dashur. (Hebrenjve 11:11) Këta ishin patriarku i perëndishëm Abraham dhe gruaja e tij e devotshme Sara. Pse ishin shembuj kaq të mrekullueshëm besimi? Cilat ishin disa nga sprovat që kaluan? Çfarë rëndësie ka jeta e tyre për ne sot?

Abrahami shfaqi besim kur Perëndia e urdhëroi të largohej nga vendi i tij. Jehovai i tha: «Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj.» (Zanafilla 12:1) Dimë që patriarku besnik u bind, sepse thuhet: «Me anë të besimit, Abrahami, kur u thirr, u bind të dilte për në një vend që kishte për ta marrë si trashëgimi; dhe doli, megjithëse nuk e dinte se ku po shkonte.» (Hebrenjve 11:8) Mendoni pak se çfarë do të thoshte ky largim.

Abrahami jetonte në Ur, në jug të Irakut të sotëm. Uri ishte një qendër e lulëzuar e Mesopotamisë që bënte tregti me vendet e gjirit Persik e ka të ngjarë edhe me banorët e luginës së Indit. Sër Leonard Uolli që drejtoi gërmimet sistematike të Urit, tregon që në kohën e Abrahamit shumica e shtëpive atje ishin të ndërtuara me tulla, me mure të suvatuara dhe të lyera me gëlqere. Për shembull, shtëpia e një qytetari të pasur ishte një ndërtesë dy-katëshe me një oborr të shtruar në qendër. Kati i parë përdorej për shërbëtorët dhe mysafirët. Përreth murit të katit të dytë, ishte një verandë prej druri, nëpërmjet së cilës mund të hyje në dhomat që përdoreshin nga familja. Për arsye se kishin 10 deri 20 dhoma, ndërtesa të tilla ishin «relativisht të mëdha dhe krijonin kushte për një jetë të mirë, të rehatshme, dhe sipas standardeve të lindjes, luksoze»​—thotë Uolli. Ato shquheshin «si shtëpitë e një populli të qytetëruar dhe plotësonin nevojat e një jete qytetare tepër të zhvilluar». Nëse Abrahami dhe Sara u larguan nga një vend i tillë duke e ditur që do të jetonin në çadra, atëherë për t’iu bindur Jehovait bënë sakrifica të mëdha.

Në fillim, Abrahami dhe familja e tij shkuan në Haran, një qytet në veri të Mesopotamisë, dhe pastaj në Kanaan. Ata përshkuan një rrugë prej rreth 1.600 km. A nuk ishte një distancë e konsiderueshme për një çift të moshuarish?! Në kohën kur u larguan nga Harani, Abrahami ishte 75 vjeç ndërsa Sara 65 vjeç.​—Zanafilla12:4.

Si mund të jetë ndier Sara kur Abrahami i tha që do të largoheshin nga Uri? Të linte sigurinë që i ofronte një shtëpi e këndshme, të vendosej në një vend të panjohur dhe ndoshta armiqësor dhe të pranonte një nivel jetese më të ulët mund të mos ketë qenë e lehtë për të. Megjithatë, Sara tregoi përulësi duke e konsideruar Abrahamin si «zotëri». (1 Pjetrit 3:5, 6) Sipas disa studiuesve kjo tregonte që Sara kishte «gjithnjë një qëndrim dhe sjellje me respekt ndaj tij», gjë që dëshmonte për mendimet dhe ndjenjat e saj të çiltra. Por mbi të gjitha, ajo kishte besim te Jehovai. Nënshtrimi dhe besimi i saj janë një shembull i shkëlqyer për gratë e krishtere.

Në fakt, neve nuk na kërkohet të lëmë shtëpinë për t’iu bindur Perëndisë, ndonëse disa ungjillëzues në kohë të plotë kanë lënë vendin e tyre në mënyrë që të predikojnë lajmin e mirë në vende të tjera. Pavarësisht se ku i shërbejmë Perëndisë, për aq kohë sa vendosim interesat frymore në vend të parë në jetën tonë, ai do të kujdeset për ne.​—Mateu 6:25-33.

As Sara dhe as Abrahami nuk u penduan për vendimin që morën. «Nëse vërtet do të kishin vazhduar ta kujtonin atë vend nga i cili kishin dalë, do të kishin pasur rast për t’u kthyer»,​—thotë apostulli Pavël. Por ata nuk u kthyen. Të sigurt që Jehovai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm», ata ushtruan besim në premtimet e tij. Kështu duhet të bëjmë edhe ne, nëse duam t’i përkushtohemi me gjithë shpirt Jehovait.​—Hebrenjve 11:6, 15, 16.

Pasuri frymore dhe materiale

Pasi Abrahami mbërriti në Kanaan, Perëndia i tha: «Unë do t’ia jap këtë vend pasardhësve të tu [farës sate, BR]». Abrahami iu përgjigj duke ndërtuar një altar kushtuar Jehovait dhe duke i bërë «thirrje emrit të Zotit». (Zanafilla 12:7, 8) Jehovai e bëri Abrahamin të pasur dhe ata që fushonin bashkë me të ishin një numër i madh. Meqë thuhet që ai armatosi 318 burra, shërbëtorë që kishin lindur në shtëpinë e tij, atëherë mendohet që «të gjithë ata që e ndiqnin atë duhet të kenë qenë më tepër se një mijë». Cilado qoftë arsyeja, njerëzit e konsideronin si «princ i Perëndisë».​—Zanafilla 13:2; 14:14; 23:6.

Për sa i përket adhurimit, Abrahami mori drejtimin në shtëpinë e vet, duke u mësuar ‘të ndjekin rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë». (Zanafilla 18:19) Sot, krerët e familjeve të krishtere mund të inkurajohen nga shembulli i Abrahamit si një person që arriti t’i mësonte pjesëtarët e familjes së tij të mbështeteshin te Jehovai dhe të vepronin sipas drejtësisë. Ja përse nuk është e çuditshme që shërbyesja egjiptiane e Sarës, Agara, shërbyesi më i vjetër i patriarkut, dhe djali i Abrahamit Isaku u mbështetën te Perëndia Jehova. ​—Zanafilla 16: 5, 13; 24:10-14; 25:21.

Abrahami kërkonte paqen

Ngjarjet në jetën e Abrahamit zbulojnë që ai kishte një personalitet të perëndishëm. Në vend që ta lejonte grindjen midis barinjve të tij dhe atyre të nipit të tij, Lotit, të vazhdonte, Abrahami sugjeroi të ndanin fushimet dhe e ftoi Lotin, që ishte më i ri, të zgjidhte tokën që preferonte. Abrahami ishte paqebërës.​—Zanafilla 13: 5-13.

Nëse ndonjëherë na duhet të vendosim nëse duhet të këmbëngulim për të mbrojtur të drejtat tona apo të bëjmë lëshime për të ruajtur paqen, mund të vëmë re që Jehovai nuk e la Abrahamin të vuante për shkak se tregoi konsideratë për Lotin. Përkundrazi, më pas Perëndia i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij të gjithë tokën deri atje ku i arrinte shikimi, nga të gjitha anët. Jezui tha: «Lum paqebërësit, pasi ata do të quhen ‘bij të Perëndisë’!»​—Mateu 5:9.

Kush do të ishte trashëgimtari i Abrahamit?

Megjithë premtimet për një pasardhës, Sara ishte akoma shterpë. Abrahami e shtroi këtë çështje para Perëndisë. A do të trashëgonte Eliezeri gjithçka kishte? Jo, sepse Jehovai tha: «Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt».​—Zanafilla 15:1-4.

Megjithatë, nuk kishin akoma fëmijë dhe Sara 75-vjeçare i humbi shpresat se do të lindte ndonjëherë. Kështu që ajo i tha Abrahamit: «Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbyesja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj». Pastaj Abrahami e mori Agarën si grua të dytë, hyri në shtrat me të dhe ajo u ngjiz. Sapo e kuptoi që ishte shtatzënë, Agara filloi ta përbuzte zonjën e saj. Sara e dëshpëruar iu ankua Abrahamit dhe e poshtëroi shërbyesen duke e detyruar të largohej.​—Zanafilla 16:1-6.

Abrahami dhe Sara vepruan kështu duke menduar se po vepronin drejt dhe se kjo ishte në harmoni me zakonet e asaj kohe. Por, kjo nuk ishte mënyra se si Jehovai do t’i jepte një pasardhës Abrahamit. Sipas zakoneve të vendit ku jetojmë, disa veprime në rrethana të caktuara mund të mos duken të gabuara, por kjo nuk do të thotë medoemos që Jehovai i miraton. Pikëpamja e tij për situatën në të cilën ndodhemi, mund të jetë shumë ndryshe nga e jona. Kështu që është e nevojshme të kërkojmë drejtimin e Perëndisë, duke u lutur që të na e tregojë ai rrugën se si ai do që të veprojmë.​—Psalmi 25: 4, 5; 143: 8, 10.

Asgjë nuk është «shumë e vështirë për Zotin»

Në fakt, Agara i lindi vërtet Abrahamit një djalë të cilit i vunë emrin Ismael. Megjithatë, ai nuk ishte Fara e premtuar. Edhe pse i kishte kaluar mosha, ishte vetë Sara ajo që do ta lindte këtë trashëgimtar.​—Zanafilla 17: 15, 16.

Kur Perëndia e përcaktoi se Sara do t’i jepte burrit të saj një djalë, «Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: ‘A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?’» (Zanafilla 17:17) Kur një engjëll ia përsëriti atij këtë mesazh, Sarës ia kapi veshi dhe «qeshi me veten e saj». Por, asgjë nuk është «shumë e vështirë» për Jehovain. Mund të kemi besim që ai mund të bëjë gjithçka dëshiron.​—Zanafilla 18:12-14.

«Me anë të besimit edhe Sara mori fuqi për të ngjizur një farë, kur e kishte kaluar tashmë moshën, meqë e konsideroi të besueshëm atë që kishte premtuar.» (Hebrenjve 11:11) Më vonë Sara lindi Isakun, emri i të cilit do të thotë «E qeshura.»

Besim i patundur në premtimet e Perëndisë

Jehovai e identifikoi Isakun si trashëgimtarin e shumëpritur. (Zanafilla 21:12) Kështu që Abrahami duhet të jetë tronditur kur Perëndia i kërkoi ta flijonte atë. Megjithatë, Abrahami kishte arsye të forta për të pasur besim të patundur te Jehovai. A nuk ishte Jehovai në gjendje ta ringjallte Isakun? (Hebrenjve 11:17-19) A nuk e kishte treguar fuqinë e tij Perëndia kur, në mënyrë të mrekullueshme, u kishte kthyer Abrahamit dhe Sarës aftësitë riprodhuese, vetëm që të lindte Isaku? I bindur që Perëndia ka fuqi për të përmbushur premtimet e Tij, Abrahami ishte gati të bindej. Është e vërtete që, ai nuk u lejua ta vriste birin e tij. (Zanafilla 22: 1-14) Por, pozicioni në të cilën ndodhej Abrahami na ndihmon të kuptojmë sa e vështirë duhet të ketë qenë për Perëndinë Jehova të jepte «Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». ​—Gjoni 3:16; Mateu 20:28.

Besimi te Perëndia e bëri Abrahamin të kuptonte që trashëgimtari i premtimeve të Jehovait nuk mund të martohej me një adhuruese të rremë nga vendi i Kanaanit. Si mundet një prind me frikë Perëndie të miratojë martesën e birit të tij me një që nuk i shërben Jehovait? Kështu, Abrahami kërkoi një grua të përshtatshme për Isakun ndërmjet të afërmve të tij në Mesopotami, që ndodhej më shumë se 800 km larg. Perëndia e bekoi këtë përpjekje duke i treguar që kishte zgjedhur Rebekën për t’u bërë nusja e Isakut dhe një paraardhëse e Mesisë. Po, Jehovai ‘e bekoi Abrahamin në çdo gjë’.​—Zanafilla 24:1-67; Mateu 1:1, 2.

Bekohen të gjitha kombet

Abrahami dhe Sara lanë një shembull për mënyrën se si u rezistuan sprovave dhe për besimin që ushtruan në premtimet e Perëndisë. Përmbushja e këtyre premtimeve ka lidhje me shpresën e përjetshme të njerëzimit, pasi Jehovai e siguroi Abrahamin: «Tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim.» ​—Zanafilla 22:18.

Sigurisht, Abrahami dhe Sara ishin të papërsosur, ashtu si edhe ne. Por, kur e kuptuan se cili ishte vullneti i Perëndisë, ata menjëherë iu bindën; pa marrë parasysh sa do t’u kushtonin sakrificat që do bënin. Prandaj, Abrahamin e kujtojmë si «mik të Jehovait» dhe Sarën si një ‘grua të shenjtë që shpresonte te Perëndia’. (Jakovi 2:23; 1 Pjetrit 3:5) Nëse përpiqemi të imitojmë besimin e Abrahamit, dhe të Sarës, edhe ne mund të gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Gjithashtu, mund të nxjerrim dobi nga premtimet e çmuara që Jehovai i bëri Abrahamit.​—Zanafilla 17:7.

[Figura në faqen 26]

Për shkak të besimit, Jehovai e bekoi me një djalë Abrahamin dhe Sarën kur ishin të moshuar

[Figura në faqen 28]

Shembulli i Abrahamit na ndihmon të kuptojmë si u ndie Jehovai kur lejoi që Biri i tij i vetëmlindur të vdiste