Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Lumenjtë le të duartrokasin»

«Lumenjtë le të duartrokasin»

Madhështia e krijimit të Jehovait

«Lumenjtë le të duartrokasin»

NËSE i hidhni një sy hartës së botës, në pjesën më të madhe të vendeve do të vëreni disa vija që gjarpërojnë përmes kontinenteve. Këto vija dredha-dredha përshkojnë fushat, shkretëtirat dhe lëndinat. Ato dredhojnë përmes luginave, kanioneve dhe pyjeve. (Habakuku 3:9) Këto vija janë lumenjtë, arteriet e planetit. Këto rrjedha uji dëshmojnë për mençurinë dhe fuqinë e Krijuesit të tokës, Jehovait. Teksa i vëzhgojmë, provojmë të njëjtat ndjenja si psalmisti i cili këndoi: «Lumenjtë le të duartrokasin, malet të gjithë bashkë të lëshojnë britma të gëzuara para Jehovait.»​—Psalmi 98:8, 9, BR. *

Lumenjtë janë të lidhur ngushtë me historinë e njerëzimit. Bibla flet për katër lumenj kryesorë që ishin degë të një lumi që dilte nga Edeni. (Zanafilla 2:10-14) Një nga qytetërimet më të hershme erdhi në ekzistencë në luginat pjellore të lumenjve Tigër dhe Eufrat në Lindjen e Mesme. Qytetërime të mëdha erdhën në ekzistencë falë lumenjve Huanhe në Kinë, Gang dhe Indi në Azi dhe Nil në Egjipt.

Është e kuptueshme atëherë se përse njeriu është mahnitur gjithnjë përpara fuqisë, bollëkut të ujit dhe bukurisë së lumenjve. Lumi Nil në Egjipt është i gjatë rreth 6.670 kilometra. Lumi më i gjerë është Amazona në Amerikën e Jugut. Disa lumenj janë madhështorë, por të tjerë janë mjaft të bukur, si për shembull, lumi Tona në Japoni, një lumë shumë më i vogël, por që rrjedh me shpejtësi të madhe.

Çfarë e shkakton rrjedhjen e lumit? Me një fjalë të vetme, është forca e rëndesës. Ajo e bën ujin të zbresë nga lartësi të mëdha në zona më të ulëta. Disa herë si rrjedhim formohen ujëvara që gjëmojnë. Duke përshkruar këto shfaqje force dhe madhështie, Bibla thotë: «Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë.»​—Psalmi 93:3.

«Kush e dërgon shiun si përrua?»​—pyeti Jehovai njeriun e perëndishëm, Jobin. (Jobi 38:25, Contemporary English Version) Po, nga vjen gjithë ai ujë? Përgjigjja lidhet me një sistem të ndërlikuar që quhet cikli i ujit. Ujërat e tokës janë vazhdimisht në qarkullim në saje të energjisë diellore dhe të forcës së rëndesës. Pasi avullon, uji ngrihet në atmosferë. Në fund ai ftohet dhe kondensohet duke formuar retë. Me kalimin e kohës ky avull rikthehet në tokë në formën e borës ose të shiut. Pjesa më e madhe e ujit ndodhet në oqeane, në liqene, në lumenj, në akullnaja, në shtresat polare të akullit dhe nën tokë.

Në lidhje me këtë cikël të jashtëzakonshëm Bibla thotë: «Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.» (Predikuesi 1:7) Vetëm Jehovai, Perëndia që ka mençuri të pafundme dhe që tregon kujdes të dashur, mund të vinte në lëvizje një cikël të tillë. Çfarë na tregon ky projekt mjeshtëror për Perëndinë? Na tregon që Perëndia është shumë i mençur dhe tregon kujdes të dashur.​—Psalmi 104:13-15, 24, 25; Fjalët e urta 3:19, 20.

Pavarësisht nga përmasat dhe nga numri i tyre, lumenjtë përmbajnë vetëm një pjesë të vogël të ujërave të ëmbla të tokës. Megjithatë, ata janë shumë të rëndësishëm për jetën. Në librin Uji (anglisht) thuhet: «Pa ujë dhe pa pasur njëfarë kontrolli mbi ujin, do të ishte i pamundur plotësimi i nevojave të jetës, që nga më të zakonshmet e deri te më të mëdhatë. Dokumentimi i mënyrave se si ka vepruar njeriu në këtë drejtim përbën një pjesë të madhe të historisë së qytetërimit.»

Për mijëra vjet lumenjtë kanë shuar etjen e njeriut dhe i kanë siguruar atij ujin për kopshtet. Toka pjellore përgjatë shumë lumenjve është e shkëlqyer për të kultivuar bimët që shërbejnë për ushqim. Vini re se si shprehet ky mendim në një bekim që thuhet për shërbëtorët e Jehovait: «Sa të bukura janë çadrat e tua, o Jakob, banesat e tua o Izrael! Ato shtrihen si lugina, si kopshte gjatë një lumi, si aloe që Zoti ka mbjellë, si kedra pranë ujërave.» (Numrat 24:5, 6) Lumenjtë ndihmojnë gjithashtu që të ushqehen kafshë të tilla si rosat dhe çakalli që shihni këtu. Në fakt, sa më shumë i studiojmë lumenjtë, aq më shumë nxitemi për ta falënderuar Jehovain.

[Shënimi]

^ par. 3 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2004, maj/qershor.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

Ujëvara Iguaçú që ndodhet në kufirin ndërmjet Argjentinës dhe Brazilit, është një ndër ujëvarat më të gjera. Ajo është më shumë se 3 kilometra e gjerë. Kjo ujëvarë që ndodhet në një pyll tropikal të paprekur nga njeriu, përbëhet nga gati 300 ujëvara më të vogla. Gjatë stinës së reshjeve nga ujëvarat derdhen rreth 10.000 metra kub ujë në sekondë.

[Figura në faqen 9]

Lumi Tona, në Japoni